KOKA TË TËRBUARA

0
612
Mehmetali Rexhepi

Meti Rexhepi

një shkop i përhershëm më sillet mbi kokë
herë duket pa shpirt herë trajtë gjarpri bie në gjoks
nuk arrihet dot me dorë
kur nuk godet pendesa e Lindjes e nget
vetëtimthi kthehet në qerthullin e vet
të cilën Koka e Kobrës e sogjeton
mbi kokën time s`ka se si të çelë sythe
të gjethojë të blerojë
as fotosintezë as të pigmentojë
klorofilit i shpifet bojë verbuese
mbase drejt kokës sime të gjallë
pa dhera mëtoi të lëshonte rrënjë
të ngrehte çerdhe të shkërmoqte timin strall
por si nuk thahej e nuk u dogj ai dru i hollë
në stinë akujsh dhe në vapën e valë ai shkop gjemborë
mendjes farës tjetërsoj i rri prore tutor hibridi
trembje përuljesh strukjesh fikje fanarësh përveç të Atij
secilën prekje fortese me lesh të thinjur mjekre
me ndjeshmëri të hollë brirë-antene
në instinktet e prekjeve të atyre të kërmillit
ballores së gjëmës gëzhojë e hapur
kod i parimit mbyllja e piskamës

*
vallë si u thyekan me goditje shkopi
të madhërishmet ligje të fizikës
dhe andej indiferentë i vështronte Zoti
gjithnjë të më rrijë pezull ai farë paradoksi
ndoshta mos u paralizua graviteti
të mos e kapë të mos e thyejë
duarve të padukshme të mos u rrëshqasë
ai simbol ndëshkimi në të parin zjarr
në të parën vatër ku oxhaqet tymojnë
porse smirëzinjtë si smirëzinj
prenë të tjerë shkopinj të rinj
nga pylli në pyll degë lisash shkallojnë
secilën plojë secila tragjedi
vulë legjitimimi e ngufatë përmbi
sa ngushtë në këtë kënd globi
s`do mend universi shtrihet në pakufi
grykave të ngushta të malit
më shtyjnë mjekër-zdralet e tymit të temjanit
dhëmbët nofullat e gjithë goja gravitetit t`i jetë thyer
dhe të marrin fluturimin t`i kenë lëshuar birat minjtë
Zot i Madhërishëm Zot i Gjithëmëshirshëm
pirgjeve të thikave lutjet nuk i përmbysen majat
kësaj sfere epileptike që na mbajti afër veti
më ikën më treten prarimit shenjtëri qelqi

*
të fluturojnë gjësendet pa krah dhe bukuria
të flirtojë pleksje sinonimesh
gjireve të thithshme t`u helmatiset shija
pa rrënjë nën dhèra pa çati nën rè
ku je ku je ku je
ti moj
Pjellori e Urtisë a mund t`i përpish të zezat e pritshme
thyej butonin e një kataklizmi
gjithë moria e unëve të zjarrit mbi të bukurën kokë
merre lutjen të mos tërbohet mendja o Zot
andej qerthujve sferave gjak-prishura
shkundma madhështinë e dehur t`ua shkulë gozhdët e ndryshkura
paqes së shtrirë nën çizme fytesh
zgripesh për rrokullisje tej diellishtës

*
kokat e tërbuara me duar të gjata
mbajnë në tru shkopinj të zinj dhe sëpata

Gjilan, shkurt 2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.