SHKALLA E PARË dhe FAKTORIZIMI i KOMUNITETIT SHQIPTAR TË SELANIKUT

0
191
Luan Zyka - Selanik

Dr. Luan Zyka
Kryetar i Komunitetit Shqiptar të Selanikut

Këtu ku arrite, nuk është pak,
Kaq sa bëre, famë e madhe

Me këto dy vargje nga poezia e famshme e poetit të madh Kavafis do desha të filloj në vend të urimit për kandidatët tanë, shkrimin për zgjedhjet e Qeverisjes Lokale që do të zhvillohen në Greqi më 8 tetor 2023.

Të djelën pra, Greqia do të përjetoj garën e fundit elektorale për vitin 2023, ku llogaritet se 2 % e popullsisë greke kanë vënë kandidaturat për tu zgjedhur si këshilltarë në dy nivelet e Pushtetit Lokal, atë të Bashkive dhe të Rajoneve.

Duke qenë se organet e Pushtetit Lokal janë më afër jetës së përditshme të njerëzve, edhe për emigrantët shqiptarë, këto zgjedhje janë një rast i mirë për pjesmarrjen e tyre më të plotë në jetën politike dhe administrative të shtetit ku punojnë e jetojnë.

Hapi i parë në Greqi për përfshirjen emigrantëve në Zgjedhjet Lokale, u bë me Ligjin 3038 të vitit 2010 i cili përafrohej me filozofinë dhe politikën juridike të mjaft shteteve Europiane si Suedia, Danimarka, Hollanda, Belgjika etj.

Në zgjedhjet Lokale të vitit 2010, votuan me mijra emigrantë shqiptarë, ku në disa raste ndikuan në rezultatin përfundimtar, si në Bashkinë e Selanikut me zgjedhjen e Jannis Boutaris Kryebashkiak të Selanikut, ku shkruesi i këtij shkrimi u angazhua në organizimin e emigrantëve shqiptarëve për Jannis Boutaris, me rezultatet që dihen në dobi të emigrantëve dhe në marrëdhëniet me Shqipërinë (Sheshi Durrësi në Selanik etj.).

Por, me Vendimin nr. 460 të vitit 2013, Këshilli i Lartë i Drejtësisë në Greqi e vlersoi me shumicë votash, si antikushtetuese pjesmarrjen në votime të emigrantëve që nuk kishin përfituar nënshtetësi greke. Si rrjedhojë, në fund të vitit 2014 u ndryshua Ligji i vitit 2010 dhe deri tani në Greqi, të drejtë vote në Zgjedhjet Parlamentare dhe të Pushtetit Lokal kanë vetëm qytetarët e nënshtetësisë greke.

Por, megjithatë, tashmë në Greqi jetojnë e punojnë me mijra emigrantë shqiptarë që kanë përfituar nënshtetësinë greke, dhe kanë të drejtën të zgjidhen dhe të zgjedhin ashtu si çdo qytetar grek.

Duke parasysh të gjitha këto, si edhe dinamikën e vlerësimit pozitiv të emigrantëve shqiptarë nga shoqëria dhe politika greke, Komuniteti Shqiptar i Selanikut përpunoi dhe zbatoi politikën e tij për integrimin e emigrantëve shqiptarë në jetën politike greke, jo vetëm si zgjedhës, por edhe duke pretenduar për tu zgjedhur në gjithë nivelet e Pushtetit Lokal.

Konkretisht, iu bë thirrje anëtarëve të shquar të Komunitetit për të vendosur kandidaturën e tyre në grupimin që ata kishin dëshirë, mjafton që grupimi konkret mos të shprehte ndjenja dhe qëndrime negative ndaj emigrantëve shqiptarë.

Pasi u përcaktuan personat që shprehën dëshirën për të kandiduar, dhe u miratua programi i tyre, një përfaqësi e Komunitetit Shqiptar të Selanikut të kryesuar nga Kryetari i tij, vizitoi dhe bisedoi me të gjithë drejtuesit politikë të grupeve që kishin shpallur kandidaturën e tyre.

U takuam me Prefekta, Nënprefekta, Kryetarë të Bashkive, politikanë dhe aktivistë të ndyshëm grekë.
Rezultati i parë ishte më shumë se mbresëlënës; të gjithë drejtuesit politikë dhe bashkëpuntorët e tyre u shprehën me vlersime të lartapër paraqitjen e organizuar të shqiptarëve të Selanikut duke na trajtuar si një faktor bashkbisedues dhe bashkërendues me të drejta të plota në çështjet e drejtimit dhe të punës së Bashkive të Selanikut dhe Rajonit të Maqedonisë Qendrore.

Të gjithë anëtarët e Komunitetit Shqiptar të Selanikut që propozuam ne, u pranuan me kënaqësi dhe entuziazëm nga grupimet e ndryshme. U propozua përfaqsuese e grave emigrante, i studentëve shqiptarë në Universitetet greke, përfaqsues i biznesmenëve shqiptarë në Greqi, si edhe artist nga brezi i dytë i emigrantëve.

Duke u nisur nga ideja se Komuniteti Shqiptar i Selanikut nuk duhet të jetë një organizëm i mbyllur dhe i izoluar, ne mbështetëm edhe personalitete lokale greke të dalluara për mbështetjen ndaj emigrantëve, dhe në takimet me ata morën përsipër angazhime konkrete në favor të emigrantëve shqiptarë në nivel Rajonal dhe Bashkiak.

Kandidatët që mbeshteten nga Komuniteti Shqiptar i Selanikut kandidojnë në të gjitha nivelet dhe nënnivelet e pushtetit lokal, nga Minibashkitë deri tek Rajoni duke marrë përsipër publikisht përcjelljen e zërit tonë si qytetar të denjë me të drejta të plota.

Paraqitja dhe prania e Komunitetit Shqiptar të Selanikut u vu re si kurrë më parë, ku kandidatët emigrantë, zhvilluan me dhjetra takime elektorale me qindra emigrantë dhe qytetarë të tjerë grekë.

Kudo u shpalos stema zyrtare e Komunitetit Shqiptar të Selanikut me flamurin grek dhe shqiptar, shkruajtur në shqip dhe greqisht; në qendrën e Selanikut, në Triandhria, në Toumba, tek shëtitorja e Selanikut, në Neapoli, Sykies, Perea dhe Mihaniona. Të gjithë grupet politike na ofruan falas ambjentet e tyre për të zhvilluar manifestimet tona. Dhe ishin aty sëbashku vendas dhe emigrantë, duke diskutuar për zhvillimin e qyteteve, për fëmijët, për moshën e tretë për mësimin e gjuhës greke, për domosdoshmërinë e mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve.

Komuniteti Shqiptar i Selanikut u bëri thirrje të gjithë kandidatëve të tjerë me prejardhje nga Shqipëria që të bashkojmë forcat, dhe ata mos të jenë thjesht figura ekzotike për të plotësuar listat e kandidatëve, apo më shëmtuar akoma me ndonjë figurinë manipulatore që gjoja përfaqson shoqatë facebook-u.

Imazhi pozitiv dhe faktorizimi i Komunitetit Shqiptar të Selanikut në këto zgjedhje u duk edhe në mbresat dhe mendimet që shprehen politikanët e ndryshëm grek që morën pjesë në manifestimet tona si:

– “Takimi me Komunitetin Shqiptar të Selanikut ishte më mbresëlënësi, me klimë të ngrohtë njerëzore, me kulturë dialogu ”, (Bashkia Selanik).
– “Me këtët takim ju dëshmuat edhe një herë, se jo vetëm jeni punëtorë dhe nikoqirë të mirë, por edhe qytetarë të denjë si të gjithë ne”. (Prefektura Selanik).

– “Ju emigrantët shqiptarë mësuat aq shpejt dhe aq mirë gjuhën greke, dhe po harxhoni mijra euro për të mësuar anglisht apo gjermanisht. Por fëmijët tuaj në rradhë të parë duhet të mos harrojnë dhe të mësojnë shqip, dhe është detyra e jona dhe e juaja për të krijuar kushtet e mësimit të gjuhës suaj amtare”. (Bashkia Neapoli-Sykies).

– “Kur Komuniteti Shqiptar i Selanikut më propozoi një anëtarin e tyre si kandidat për zgjedhjet, u gëzova pa masë dhe pranova menjëherë sepse ju jeni si ne, ne jemi si ju; jemi NJË”. (Bashkia Thermaikos).

Brezi i ri i qytetarëve greke ishte gjithashtu mbështetës dhe entuziast për kandidimin e miqve të tyre dhe shokëve të shkollës me prejardhje nga Shqipëria.

Tani që po shkruaj këto rreshta, kandidatët emigrantë dhe dhjetra miq të tyre janë duke punuar me votuesit, dhe mua më vjen në mendje agonia e kandidatëve tanë; e Flora Çokut, e Anesti Tsaprazit, e Jurgen Kumbullës, e Albertit Markut – a do të fitojmë ?, më pyesin ata.

Përgjigja ime ishte dhe është – Ju tashmë e keni fituar betejën tuaj, betejën me besimin në veten tuaj dhe krenaria për atë që përfaqsoni, Komunitetin e Shqiptarëve.

Edhe Komuniteti e ka fituar betejën tij të rritjes dhe pjekurisë duke u bërë faktor në jetën shoqërore dhe politike greke.
Tani është rradha e emigrantëve shqiptarëve, të atyre që votojnë dhe atyre që nuk votojnë, të tregojnë nivelin e tyre si qytetarë të angazhuar dhe aktivë në shoqërinë e Bashkive dhe Rajoneve ku jetojnë.

Komuniteti Shqiptar i Selanikut në personin e Anestit, Florës, Jurgenit, Albertit etj. e bëri hapin e tij të madh; u ngjit në shkallën e parë të faktorizimit, të qytetarisë demokratike dhe të veprimitit të bashkuar, dhe ku më së mirë i përshkruajnë vargjet e Kavafis tek poezia e tij e famshme “Shkalla e parë”:

Nëse arrite në shkallën e parë
i lumtur të jesh edhe krenar.
Të arrish në këtë shkallë,
Duhet që me vlerat e tua të jesh
Qytetar i botës së idealeve të larta.
Këtu ku arrite nuk është pak,
Kaq sa bëre, famë e madhe

Selanik, 7 tetor 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.