THE RISE OF ALBANIA: SHQIPSHKRIMI SI IMPORT GJERMAN DHE MERITA E JUGUT

0
66
Stephan Gerlach

Col Mehmeti

Nevoja me e bâ të tekstualizuem shqipen âsht njifarë importi i bukur gjerman, ndoshta ma i bukur sesa gjithë ky eksport i çmendun njerëzor që vazhdon sot e gjithë ditën.

Me 1573 prej Gjermanie niset drejt Perandorisë Osmane, Stephan Gerlach, nji nga teologët ma të njohun luteranë. Si në çdo ecajake të ngjarjeve fetare, edhe këtu synimet imediate politike ishin ato që i vnonin në lëvizje gjânat e krejt ma vonë, post festum, sajohej edhe legjitimiteti me Zotin e drejtësinë. Gjermani luteran asokohe e mendonte nji aleancë mes protestanizmit dhe ortodoksisë.

Sidoqoftë, kjo vizitë u bâ sebep me u revolucionarizue krejt bota e amësht osmane e ortodokse me diçka që asnjiherë nuk ishte zërue aq drejtpërdrejtë: gjuha e kishës duhej të ishte edhe gjuhë e grigjës, që fjala biblike në gojën e pastorit të ishte e kuptueshme edhe për zhelanin që kungohej e lutej para ikonave.

Gerlachut i bjen udha edhe në Shqipnín jugore, aty ku nuk e pranon se nuk e pranon idenë e klerit ortodoks që me meshue në greqishten e vjetër (“in der alten recht Griechischen”), por ngulmon që meshat me u bâ në gjuhën e rëndomtë të popullit (“in der gemeinen Sprach”).

Ditari i tij “Gerlachs deß Aeltern Tage-Buc” jep nji tablo fort interesante në jugun shqiptar në vitin 1576:

“N’Shqipní krejt priftat janë grekë nga Morea dhe Janina, tu i bâ meshat në gjuhën greke me të gjitha ceremonitë siç âsht zakoni i grekëve. Vendi nuk merr vesh gjâ prej gjuhës së tyne… Ata [priftat] ndonjiherë predikojnë edhe në shqip…”

Kjo copëz ditari âsht fort me randësi: kjo kallxon që ortodoksia postbizantine ma nuk i fliste kërkujt sa kohë që priftnia meshonte në greqisht, madje në greqishte tekstesh. Vetë klerit iu desh të bânte nji koncesion jo të lehtë, pra me meshue në shqip, ashtu qi detyra pastorale me qenë ma e kapilarizueme në masë.

Prandaj, ky importi gjerman e parapërgatiti nji truall për SHQIPSHKRIM. Sado paradoksale, ky shqipshkrim prometean mori zjarr bash në qendrat ma të forta të helenizmit: në Voskopojë e Janinë.

Prandaj, në jug, pikënisht ortodoksia shqipfolëse âsht e para që e krijoi gjithnji e ma fort nji ide për diçka që quhej Shqipní. Këta njerëz, herë klerikë e herë laikë, i morën edhe shenjtorët kristianë të vendit, i strategjizuen dhe i kthyen në pika referente.

I tillë âsht rasti i Shën Gjon Vladimirit, të cilin Teodor Haxhifilipi i Elbasanit (Dhaskal Todri, mësuesi i urtë, i kinematizuem te “Udha e Shkronjave”), e shndrroi në njifarë “heroi” nga i cili grigja ortodokse veçohej prej grekëve.

Në nji tekst në greqisht, dhaskali elbasanli e quejti Shën Vladimirin: «τῆς Ἀλβανίας κλέος, Ἰλλυρικοῦ ἡ δόξα» (lavdi e Shqipnís, krenari e Ilirisë).

Diku tjetër me deklamacion shkruejti “Τῆς Ἀλβανίας γένος, σὺν τῷ τῆς Βουλγάρίας, δοξάζουσι σε Μάκαρ” (populli i Shqipnís, tok me atë të Bullgarisë, të përnaltësojnë ty, o i bekuem), e madje me nji vend Shën Vladimirin e quejti ὥφθης ὡς φοσφόρος ἐν Ἀλβανίας γῇ (ti je si dritësjellës në tokën shqiptare).

Këto cilësime si “kleos tis Alvanias” (lavdi e Shqipnís), “genos tis Alvanias” (popull i Shqipnís) dhe “fosforos en Alvanias je” (dritë në tokën shqiptare) sot ngjajnë të thjeshta e pa peshë, por të shkruejtuna më 1769-n ato janë heraldi i asaj që u bâ ideja e shqiptarizmes.

© Të përfitojmë nga imami ynë Col Mehmeti 😜

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.