Anne Frank në një foto pa datë. Kortezia nga Anne Frank House
Nga Anthony Deutsch, Stephanie van den Berg – Reuters.com – 17 janar 2021
– Përktheu Arben Çokaj
AMSTERDAM (Reuters) – Një hetim gjashtëvjeçar i çështjes së ftohtë mbi tradhtinë ndaj Anne Frank ka identifikuar një të dyshuar të habitshëm në misterin se si nazistët e gjetën vendin e fshehjes së ditaristes të famshme në vitin 1944.
Anne dhe shtatë hebrenj të tjerë u zbuluan nga nazistët në 4 gusht të atij viti, pasi ishin fshehur për gati dy vjet në një aneks sekret mbi një magazinë anash kanalit në Amsterdam. Të gjithë u deportuan dhe Anne vdiq në kampin Bergen Belsen në moshën 15-vjeçare.
Një ekip që përfshinte agjentin e pensionuar të FBI-së së SHBA, Vincent Pankoke dhe rreth 20 historianë, kriminologë dhe specialistë të të dhënave, identifikuan një figurë relativisht të panjohur, noterin hebre Arnold van den Bergh, si një të dyshuar kryesor në zbulimin e strehës.
Disa ekspertë të tjerë theksuan se provat kundër tij nuk ishin përfundimtare.
Anëtari i ekipit hetues Pieter van Twisk tha se pjesa e rëndësishme e provave të reja ishte një shënim i panënshkruar për babain e Anne, Otto, i gjetur në një dosje të vjetër të hetimit të pasluftës, duke përmendur në mënyrë specifike emrin Van den Bergh dhe duke pretenduar se ai e dha informacionin.
Në shënim thuhej se Van den Bergh kishte akses në adresat ku fshiheshin hebrenjtë si anëtar i Këshillit Hebre të Amsterdamit të kohës së luftës dhe u kishte kaluar lista me adresa të tilla nazistëve për të shpëtuar familjen e tij.
Twisk tha se vetëm katër nga 32 emrat fillestarë mbetën pas hulumtimit, me Van den Bergh të dyshuarin kryesor.
Hetuesit konfirmuan se Otto, i vetmi anëtar i familjes që i mbijetoi luftës, ishte në dijeni të shënimit, por zgjodhi të mos fliste kurrë për të publikisht.
Van Twisk spekuloi se arsyet e Frankut për të heshtur në lidhje me akuzën kishin të ngjarë që ai nuk mund të ishte i sigurt se ishte e vërtetë, se ai nuk do të donte që informacioni të bëhej publik, që mund të ushqente më tej antisemitizmin dhe se ai nuk do të donte që tre vajzat e Van den Bergh-ut të fajësohen për diçka, që mund të ketë bërë babai i tyre.
Otto “kishte qenë në Aushvic“, tha Van Twisk. “Ai e dinte se njerëzit në situata të vështira ndonjëherë bëjnë gjëra që nuk mund të justifikohen moralisht.”
Ndërsa anëtarët e tjerë të Këshillit Hebre u dëbuan në vitin 1943, Van den Bergh mundi të qëndronte në Holandë. Ai vdiq në vitin 1950.
Historiani Erik Somers i institutit holandez NIOD për studimet e luftës, holokaustit dhe gjenocidit vlerësoi hetimin e gjerë, por ishte skeptik për përfundimin e tij.
Ai vuri në pikëpyetje qendrën e shënimit anonim në argumentet për përgjegjësinë e Van den Bergh dhe tha se ekipi bëri supozime për institucionet hebraike të Amsterdamit të kohës së luftës, që nuk mbështeten nga kërkime të tjera historike.
Sipas Somers, ka shumë arsye të mundshme që Van den Bergh nuk u deportua kurrë pasi “ai ishte një njeri me shumë ndikim“.
Miep Gies, një nga ndihmësit e familjes, e mbajti të sigurt ditarin e Anës derisa Otto u kthye dhe e botoi për herë të parë në vitin 1947. Që atëherë është përkthyer në 60 gjuhë dhe ka pushtuar imagjinatën e miliona lexuesve në mbarë botën.
Fondacioni i Shtëpisë së Anne Frank nuk ishte i përfshirë në hetimin e çështjes së ftohtë, por ndau informacion nga arkivat e tij për të ndihmuar.
Drejtori Ronald Leopold tha se kërkimi kishte “gjeneruar informacione të reja të rëndësishme dhe një hipotezë magjepsëse, që meriton kërkime të mëtejshme“.
Duke përdorur teknikat moderne të kërkimit, u përpilua një bazë të dhënash master me lista të bashkëpunëtorëve holandezë, informatorë, dokumente historike, të dhëna policore dhe kërkime të mëparshme për të zbuluar pista të reja.
Dhjetra skenarë dhe vendndodhje të të dyshuarve u vizualizuan në një hartë për të identifikuar një tradhtar, bazuar në njohuritë për vendin e fshehjes, motivin dhe mundësinë.
Gjetjet e hulumtimit të ri do të botohen në një libër të autores kanadeze Rosemary Sullivan, “Tradhtia ndaj Anne Frank“, i cili do të publikohet të martën.
Drejtoresha e organizatës hebreje holandeze CIDI, e cila lufton antisemitizmin, i tha Reuters se shpresonte që libri do të jepte një pasqyrë të rrethanave të kohës së luftës të popullsisë hebreje të Amsterdamit.
“Nëse kjo kthehet në ‘hebrenjtë e bënë këtë’ do të ishte për të ardhur keq. Nazistët ishin përfundimisht përgjegjës,” tha Hanna Luden nga CIDI.
Raportimi nga Anthony Deutsch, Stephanie van den Berg, Toby Sterling; redaktimi nga Tomasz Janowski dhe Philippa Fletcher