Stublla – Kultura e kujtesës dhe gjenealogjia e saj

0
Stublla - libër

Engjëll Kengji, GJENEZA DHE GJENEALOGJIA E STUBLLËSAlbanisches Institut, St. Gallen 2015, 599 faqe, ISBN 978-3-9524201-3-3

Stublla e Epërme, është një fshat në Komunën e Vitisë,  i njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, për  historinë  e tij të bujshme. Popullsia e këtij vendi është shqiptare dhe të gjithë janë katolikë. Nga Stublla janë rreth 30 meshtarë katolikë dhe rreth 70 murgesha kishtare, të cilat shërbejnë në shumë vende të botës.

Në Stubëll gjenden dy kisha, të njohura si kisha e vjetër (të cilën stubllasit e quajnë kisha e Shën Gjergjit, meqë ky është pajtor i fisit gash, fis të cilit i takojnë banorët e Stubllës) dhe kisha e re (kisha e Shën Jozefit). Stublla ishte deri më 1905 pjesë përbërëse e famullisë së Letnicës, e njohur edhe si „Montenegro di Scopia”, që përbëhej prej disa fshatrave, si: Letnica, Shasharë, Vërnakolla, Stublla dhe Binça. Në kohën e Pjetër Bogdanit, pjesë e kësaj famullie ishte edhe Lubishta.

Kjo famulli, me këto fshatra, ka një pasuri të madhe historike që pjesërisht është hulumtuar dhe shkruar, por ka ende shumë gjëra të panjohura për këto vende. Relacionet dhe dokumentet, sidomos nga arkivat e Vatikanit dhe Vjenës për këtë famulli, janë publikuar pjesërisht, por ka edhe të pa publikuara, të cilat do të sjellin të reja për këtë famulli dhe fshatrat përkatëse.

Këto ditë pritet të publikohen dokumentet nga Arkivi i Vatikanit, të përgatitura nga Albert Ramaj dhe Frok Zefi, në kuadër të projektit për publikimin e dokumenteve të Arkivit të Vatikanit mbi Ipeshkvinë Shkup-Prizren, projekt i cili tashmë është përfunduar.

Historia e shqiptarëve katolikë të katër fshatrave: Stublla, Binça, Vrnavkollë dhe Terzijaj, në vitet 1846–1848 (madje edhe më herët), të cilët u internuan, martirizuan dhe u persekutuan nga osmanët dhe disa shqiptarë të islamizuar, është një histori e njohur jo vetëm në rajon. Në atë kohë, mediat evropiane raportuan për këtë ngjarje.

Stublla shtrihet rrëzë  kodrës së Stubllavaqës, përgjatë së cilës kremtohet “Udha e Kryqës“, e njohur jo vetëm për famullitë e Ipeshkvisë së Kosovës, por edhe më gjerë.

Për këtë fshat janë shkruar disa libra monografik, madje më shumë sesa për Prishtinën e Tiranën. Gati është për zili, se sa libra janë shkruar për këtë vend jo vetëm në aspektin historik, por edhe për të tashmen.

Është fakt i njohur se stubllasit e ruajnë me xhelozi të madhe jo vetëm kujtesën historike për vendin e vet, por edhe gjërat e jetës praktike, sikur vizitat e shumta vjetore nga diaspora, kremtimin e festave të ndryshme në këtë vend, lidhjet shumë konkrete jo vetëm përmes përkrahjes së diasporës nëpërmjet shoqatës “Stublla” që vepron në shumë vende të Evropës dhe në Stubëll.

Ky vend vizitohet nga shumë njerëz, sidomos nga të rinjtë e gjeneratave të ndryshme me prejardhje nga Stublla dhe rajoni dhe ndërkombëtarë që e ndiejnë veten shumë mirë kur shohin këtë fshat piktoresk e të thjeshtë.

Një projekt i ri që pritet të realizohet me ndihmën e organeve shtetërore të Republikës së Kosovës në objektin e Muzeut të Shkollës Shqipe në Kosovë (kishë – shkollë, në të kaluarën), pritet të realizohet së shpejti. Për idenë dhe realizimin e këtij projekti është angazhuar tej mase Krist P. Ramaj nga Elektrostublla.

Një nga veprat shumë të rëndësishme për këtë vend është libri Gjeneza dhe gjenealogjia e Stubllës i Engjëll Kengjit. Autori, i lindur më 1954 në Stubëll, momentalisht jeton në Zvicër. Ka kualifikim të lartë shkollor, duke filluar me shkollim nga Zhegra, Dubrovniku, Spliti, Roma, Milano e Shkupi. Për biografinë e tij mund të shikoni në fund të librit, fq. 598–599.

Në radhë të parë, kur merr në dorë këtë libër, të duket diçka krejt e thjeshtë apo një libër i zakonshëm, por, sipas hulumtimeve që bëmë, ndoshta është libri i vetëm jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, për mënyrën e hulumtimit dhe publikimit se si është bërë. Mbase tingëllon si ekzagjerim dhe paradoksal konstatimi ynë, por, siç duket, nuk kemi ndonjë libër tjetër të kësaj natyre. Pas një analize të thuktë, shohim se libri jep informata e hulumtime që, në dukje të parë, janë bërë me një thjeshtësi nga autori Engjëll Kengji, me një thjeshtësi të thellë, do thoshim, që do të kuptohet e vlerësohet  më vonë.

Kjo vepër do të vlerësohet së pari nga njerëzit e Stubllës, që jetojnë në shumë vende të botës, por edhe nga historianët, antropologët, sociologët… Këtë vepër duhet ta ketë në dorë çdo stubllas apo pasardhës i tyre në vendet e ndryshme ku ata jetojnë. Gjeneratat e reja nuk do të dinin se nga kishin prejardhjen e tyre, po të mos e kishin këtë vepër në bibliotekën familjare, sepse çdonjëri prej tyre e gjen veten në këtë libër.

Ky libër është një lloj libri amzë për fshatin Stubëll dhe fshatrat përreth.

Ideja për digjitalizimin e librit apo gjenealogjisë së familjeve të Stubllës do të ishte një përvojë e re për familjet e këtij vendi dhe për studiuesit. Do të ishte e mundur që çdo familje të shënojë anëtarët e vet me saktësi, nëse ndonjë mungon në këtë libër, si lindjet, martesat, vdekjet…  një histori sipas shembullit të gjenealogjisë biblike.

Në fillim të librit janë dy shkrime. Njëri është “Kultura e kujtesës dhe gjenealogjia e Stubllës” (f. 21–23), fjala e botuesit nga Zef Ahmeti (Noka), i cili shënon një veçori interesante të këtij libri, kur shkruan: “Kemi interpretime dhe paraqitje sociologjike dhe kulturore-historike që plotësojnë një zbrazëti studimi për këtë shoqëri të këtij vendi.

Pason fjala e recensuesit Sarë Gjergji “Libri amë i Stubllës” (f. 24–26), ku do të veçoja fjalinë e tij: “Historia e prejardhjes së brezave të familjeve stubllase dhe degëzimet e tyre, deri te qytetari i fundit i Stubllës, u përfshin në këtë vepër, pas një pune, gjithsesi, jo të lehtë e me një përkujdes të veçantë.

Autori Engjëll Kengji ka bërë ndarjen e librit në dy pjesë. E para: “Gjeneza dhe origjina e stubllasve” dhe e dyta: “Gjenealogjia dhe brezat e stubllasve sipas lagjeve”. Pjesa e dytë është tema kryesore e këtij libri dhe është tejet e rëndësishme për gjenealogjinë, sociologjinë, historinë familjare, antropologjinë, migracionin, emigracionin, etj., dhe gjithsej ka 15 kapituj.

Në pjesën e parë të librit, autori trajton tematikën mbi gjenezën dhe gjenealogjinë e Stubllës. Në kapitullin I. “Origjina, prejardhja e toponimit Stubëll” (f. 31–34), mundohet të shtjellojë emërtimin e toponimit Stublla, që edhe sot nuk është i qartë. Në kapitullin II.  “Udhëpërshkrimi i përkufizimit të Stubllës me vendet e tjera” (f. 35–43), jep një kontribut tejet të rëndësishëm mbi pozitën gjeografike të vendit, kufijtë e tij, duke shpjeguar në të njëjtën kohë edhe vendet e emërtimet e ndryshme të maleve, kodrave, lumit Letnica, përroskave, arave, livadheve, krojeve e burimeve të ndryshme, mullinjve të vjetër që gjendeshin në territorin e këtij vendi dhe rrethinën e tij, po ashtu edhe fshatrave që kufizohen me Stubllën.

Këto shpjegime janë të rëndësishme, sepse me kohë janë harruar. Kapitulli III. “Gjeneza, zanafilla e Stubllës” (f. 45–56) është pjesa që prek edhe aspektin historik të Stubllës, por me rëndësi është pjesa që shpjegon zanafillën e disa lagjeve dhe prejardhjen e historinë e tyre, më së shumti sipas gojëdhënave që autori kishte pyetur e dëgjuar nga të moshuarit e këtij vendi, sidomos familjet Qunguri, Demaj, Ballabani, Koliqi, Potur-Munishi apo Palaj, Elezi-Nikolla, etj.

Kapitulli IV. “Stubllasit dhe fiset e tyre” (f. 57–63) shpjegon fiset shqiptare, sidomos fisin Gash, pasi që shumica e fshatit i përkasin këtij fisi.

Pjesa e dytë “Gjenealogjia dhe brezat e stubllasve sipas lagjeve” është një pasuri tejmase për shumë gjenerata, që në të ardhmen do të kërkojnë gjurmët e hershme të paraardhësve të tyre, edhe pas dekadash e mos të them shekujsh, që kanë prejardhjen nga ky vend.

Autori Engjëll Kengji ka bërë një punë e hulumtim për çdo lagje, duke shënuar historinë e tyre, sikundër që jep madje disa karakteristika për persona të ndryshëm, të cilët autori i njeh apo i ka njohur. Autori shkon nganjëherë deri në 7 breza, duke shënuar se kush me kë është i martuar, sa fëmijë kishin, ku ishin martuar fëmijët e tyre dhe pasardhësit e tyre më vonë.

Nëse përmend disa persona që në kohë të ndryshme kishin ndonjë rol apo punë të rëndësishme, qoftë edhe ato punëdore apo mjeshtëri, shënon karakteristikat e tyre. Po ashtu, jep shumë shënime mbi historinë e familjes: nëse ndokush kishte vdekur, kush ishte përkujdesur për fëmijët. Është shumë interesante kur studiohet me kujdes historia e familjeve të Stubllës në këtë libër, sepse autori shënon çdo burrë apo grua – kë kishte baba, nënën, sa motra apo vëllezër kishte, ku ishte martuar, sa fëmijë kishin në atë martesë, ku ishin shpërngulur, apo edhe nga kishte ardhur gruaja e martuar në Stubëll, sa anëtarë familjarë kishte në vendin tjetër prej nga vinte; po ashtu shënon histori për ato vende apo lagje.

Kuptohet se për gati çdo person shkruan një histori të shkurtër, mundësisht edhe vitin e lindjes (për brezat më të hershëm). Kishte disa shpërngulje të stubllasve në Amerikë në fillim të shek. XX. Të gjitha këto informata që kishte tubuar Engjëll Kengji për këtë libër janë një mundim e përkushtim disa vjeçar, por është një vlerë që do të vlerësohet në të ardhmen, nëse jo për momentin.

Është gjithashtu me interes dhe për studim kur vërehen me sy studimi edhe emrat e shënuar, sepse emërtimi i një personi për masën ishte i njohur, por emri i tij zyrtar nuk ishte i njohur për të gjithë, sikur p.sh.: “Tota” (Ana), “Shefki” (Shtjefën/Stefan), Sarë apo Fin (Serafin), Shin (Pashk), Laz (Lazër), Qile (Elizabeta), Gap (Gaspër), Tush (Pjetër), Dol (Rudolf), Gjogj (Jozë), Dedush (Dedë/Dominik), Tovi (Anton), Ali/Kil (Aleksandër), Tush (Petrush), Mane (Monika), Dinke (Drane), Dile (Domenika), Bal (Bartollome), Nun (Zef), Lenc (Lorenc), Abram (Abraham), Sebë (Sebastian), Gap (Gaspër), Gjyle (Gjyste), Alfanc (Alfons) etj.

Zona ku gjendet Stublla është e njohur gjithashtu me fenomenin e laramanizmit apo kriptokrishterimit, kështu që shpesh hasim në emra të njerëzve të cilët kanë dy emra: një të krishterë dhe një tjetër muhamedan.

Në pjesën e dytë të librit, që është shumë me rëndësi dhe është në fakt puna kryesore, ndan lagjet në kapituj duke dhënë shënime interesante jo vetëm për lagjen, por edhe gjenealogjinë dhe personat që ata përfshijnë.

Kapitulli V. “Gjenealogjia e lagjes së Ballabanëve” (f. 65–82) përshkruan lagjen Ballabani. Trungu kryesor familjar ishte Pal dhe Metë Ballabani. Autori shkruan për çdo person: me kë është martuar, sa fëmijë ka, ku jetojnë, ku janë të martuar, dhe për çdo person shënon karakteristika që autori i di. Në këtë kapitull është bazuar në gojëdhëna të Tade dhe Nue Ballabanit. Kjo familje kishte prejardhje nga fshati Vërnakollë, afër Stubllës. Për çdo person autori jep edhe vitin e lindjes. Të rëndësishëm për këtë kapitull ishin Jozë K. Ballabani, që ishte edhe kogjobash i fshatit; i njohur ishte edhe Sarë Ballabani. Hulumtime interesante rajonale kishte bërë edhe Instituti Albanologjik në vitet ’60 me Sarë e Tade Ballabanin, që janë publikuar. Nga kjo familje janë edhe Pashk Ballabani, humanist i njohur, dhe meshtari Dom Ndue Ballabani.

Kapitulli VI. “Gjenealogjia e lagjes së Ramajve (Ramovyt)” (f. 83–178) – ku janë vëllezërit Toma, Kola, Zefi, Gjoni, Andrea e Simoni që përbëjnë trungun e kësaj familjeje. Si gjithmonë, autori shënon të dhënat që kishte tubuar nga gojëdhënat, biografitë, vitet e lindjes, martesat, fëmijët, vendet ku jetojnë, ndërmarrjet që ata kanë themeluar. Në këtë kapitull kemi të dhëna biografike interesante për Dom Dedë Ramaj, i cili ishte i burgosur nga regjimi komunist. Nga kjo familje është edhe Dom Zef Ramaj, i cili kishte studiuar në Austri që prej vitit 1890 dhe më vonë ishte mësues e meshtar në Shkup, ku edhe pagëzoi Gonxhe Bojaxhiun – Nënë Terezën.

Kapitulli VII. “Gjenealogjia e lagjes Zekajve (Zekanët)” (f.179–202)
Kjo është familja e trungut Augustini, e cila pjesërisht është shpërngulur shumë herët në Vojvodinë, e më vonë edhe në Amerikë, Gjermani, Kroaci e Zvicër. Autor i rëndësishëm i kësaj familjeje është Augustini, i cili ishte martir në vitet 1846–1848 dhe ishte persekutuar nga turqit, ashtu si gjithë stubllasët, për shkak të besimit të tyre katolik.

Kapitulli VIII. “Gjenealogjia e lagjes Hysenaj (Hysenovyt)” (f.203–235)
Të parët e kësaj lagjeje janë: Mema, Kadriu, Doka, Tuna… Nëna e Dom Anton Muzaj (Muzic) nga Vërnakolla ishte e kësaj familjeje dhe quhej Dile. Dom Antoni është vrarë nga komunistët në Shqipëri dhe është bërë pjesë e lumturimit me martirët e tjerë në Shqipëri. Po ashtu, nga kjo familje janë: veterani i arsimit në Ferizaj Engjëll Zefi, meshtarët Dom Aleksandër Kola, Dom Ndue Gjergji, Dom Gjergj Gjergji-Gashi dhe Dom Lush Gjergji.

Kapitulli IX. “Gjenealogjia e lagjes së Rexhajve (Rexhovyt)” (f.237–243)
Fillon me Stepanin. Kjo është një lagje jo e madhe, por siç duket pjesërisht është shpërngulur ndokund, për të cilin nuk dihet saktësisht deri më tani.

Kapitulli X. “Gjenealogjia e lagjes së Sedajve (Sedovyt)” (f.245–254)
Është e vetmja lagje që krejtësisht më 1926 është shpërngulur nga Stublla në Binçë e Kabash, fillimisht Andre Sedaj, e më vonë të gjithë anëtarët e tjerë. Nga kjo familje ishte studiuesi Engjëll Sedaj.

Kapitulli XI. “Gjenealogjia e lagjes së Demajve (Edmovyt)” (f.255–256)
Kjo është një lagje e madhe dhe prej saj dalin disa lagje të tjera, si: Prenkaj, Nokaj, Qerimaj, Lutaj, Bekaj, Jasharaj. Këto do të trajtohen në nënkapituj të veçantë.

Kapitulli XI.1. “Gjenealogjia e lagjes Gjonaj–Prenkaj (Prenkofyt)” (f.257–279)
Është e vetmja lagje që ka ruajtur mbiemrin e parë, pra atë Demaj. Autori fillon me Gjon Demaj, i cili është i lindur rreth viteve 1825–1830, por nuk arrin të identifikojë gjenealogjinë nga Gjoni deri te Dema. Nuk është nevoja të përsëritet se autori, për gati çdo person, jep të dhëna: vitin e lindjes, martesat, pasardhësit… Këto shënime nuk janë vetëm statistikore, por informacione që për shumë gjenerata do të shërbejnë, kudo që pasardhësit stubllas të jetojnë apo krijojnë familjen e tyre.

Kapitulli XI.2. “Gjenealogjia e lagjes Nokaj” (f.280–310)
Nga kjo familje është murgesha e parë e këtij vendi që dihet deri më tani, e bija e Metë Nokut, e quajtur Motra Mari (Zenepja), e cila kishte shërbyer dhe kishte vdekur në Selanik. Po ashtu, përmendet motra Angjela, e bija e Sylë Nokut, që gjithashtu kishte vdekur në Selanik.

Kapitulli XI.3. “Gjenealogjia e lagjes Bekaj (Bekovyt)” (f.311–326)
Fillon nga Bekë  Demaj dhe shënohen të dhënat e kësaj familjeje deri në kohën e sotme. Nga kjo familje rrjedh edhe Motra Protegjena (Dile), e cila ishte mësuese që prej vitit 1906 në Shkup, në shkollën katolike pranë famullisë së qytetit, e më vonë në Kallmet, ku edhe vdiq dhe u varros. Po ashtu, përmendet edhe Lush Bekaj, një ushtarak që vdiq më 1947 në Königswarth të Gjermanisë.

Kapitulli XI.4. “Gjenealogjia e lagjes Jasharaj (Gjonaj)–Demaj” (f.327–340)
Kjo lagje fillon me Jashar (Gjon) Demaj. Nga kjo familje ishte Motra Sharlote (Marie), e cila kishte shërbyer  edhe si mësuese në Shkup dhe në Kallmet.

Kapitulli XI.5. “Gjenealogjia e lagjes Lutaj (Lutovyt)” (f.341–361)

Fillon me Lukë (Lut) Demaj. Kjo familje pjesërisht është shpërngulur në Kabash të Vitisë. Nga kjo familje është edhe Dom Shtjefën Doda.

Kapitulli XI.6. “Gjenealogjia e lagjes Qerimaj (Qerimovyt)” (f.362–368)

Kjo lagje fillon me Zef (Qerim) Demaj dhe vazhdon deri në kohën e sotme.

Kapitulli XI.7. “Gjenealogjia e lagjes Ukaj–Toma (Tomovyt)” (f.369–426)

Kjo lagje fillon me Tomën apo Ukën dhe është një lagje e madhe.

Kapitulli XII. “Gjenealogjia e lagjes Koliqi (Koliqtë)” (f.427–491)

Nga kjo lagje është edhe françeskani i njohur P. Franë Koliqi, i cili ka shërbyer në Laç, ku edhe u vra dhe u varros. P. Frani ka shkruar parathënien e botimit të parë të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Nga kjo familje rrjedh edhe ipeshkvi Dodë Gjergji.

Kapitulli XIII. “Gjenealogjia e lagjes së Poturëve” (f.493–522)

Kjo  lagje që kishte ardhur nga  Vërnakolla, edhe më parë kishte marrëdhënie të shumta me stubllasët. Nga kjo lagje është i njohur Maliq Vërnakolla, bashkëluftëtar i Idriz Seferit.

Kapitulli XIV. “Gjenealogjia e Nikollë (Maksut) Berisha” (f.523–526)

Shtojca (f.526–528)

Autori ia kushton këtë pjesë sidomos Fratel Zef Antunovic, jezuit që kishte shërbyer në Shkodër dhe gjatë “Misionit shëtitës 1888–1912”, që jezuitët kishin ndërmarrë në Ipeshkvinë e Shkupit në shekullin XIX. Fratel Zefi kishte qenë bashkë me At Fulvio Cordignano, At Domenico Passi e shumë jezuitë të tjerë. Për Fratel Zefin ka shkruar një shkrim të gjatë dhe shumë interesant Giuseppe Valentini.

Kapitulli XV. “Familjet e fshatrave përreth që i përkasin famullisë së Stubllës”

Autori ka shtuar një kapitull për familjet e fshatrave përreth, si: Stubëll e Poshtme, Llokme, Dunav, Selishtë, Terzijaj, sepse këto familje ishin të lidhura ngushtë me stubllasët, sidomos  përmes martesave.

XV.1. “Llokmja” (f.531–535)

Fshat i vogël rreth 3–4 km nga Stublla dhe pjesë e famullisë së saj. Autori paraqet gati të gjithë personat e këtij vendi të vogël.

XV.2. “Dunavi” (f.542–549)

Fshat në kufi me Maqedoninë dhe në territor të komunës së Gjilanit, por pjesë e famullisë së Stubllës. Në këtë fshat kishte shërbyer motra Otila Krammer, e njohur për humanizmin e saj. Nga ky fshat është edhe Dom Shan Zefi.

XV.3. “Terzijaj” (f.550–562)

Fshat i komunës së Gjilanit dhe i famullisë së Stubllës. Nga ky fshat kanë dalë martirët e Karadakut (1846–1848). Janë të njohur Dom Pjetër Berisha dhe Dom Gjergj Berisha. Shumica e banorëve janë shpërngulur më vonë në Kabash të Vitisë.

XV.4. “Selishta” (f.563–573)

Fshat afër Stubllës dhe pjesë e famullisë së saj. Nga ky fshat është At Viktor Pashku (Shahin Ferizi), prift i Rregullit Lazarist, i cili ka shërbyer në Francë dhe ka marrë dekoratën “Palmes d’Officier d’Académie” nga Akademia Franceze në vitin 1953. At Viktor Pashku ka vdekur në Damask, ku edhe është varrosur. Po ashtu, nga Selishta është edhe poeti i njohur Mirko Gashi. Të dhënat që sjell autori për këtë fshat janë tejet të rëndësishme, sepse shumica e banorëve janë shpërngulur në vende të ndryshme dhe do të ishte shumë e vështirë të mblidheshin të dhënat për ta sot.

XV.5. “Stanqiqi” (f.574–580)

Fshat afër Stubllës, familjarisht i lidhur ngushtë me stubllasët.

XV.6. “Stublla e Posthme” (f.581–592)

Ky fshat është pothuajse ngjitur me Stubllën e Epërme dhe është i ndarë në disa lagje. Autori e trajton shumë mirë origjinën e këtyre familjeve.

Në fund të librit, autori shpreh falënderimet për të gjithë ata që e kanë përkrahur këtë punë në çdo mënyrë. Po ashtu, autori sjell listën e literaturës dhe biografinë e tij.

Është e rëndësishme të theksohet se autori është bazuar kryesisht në gojëdhëna nga personat e ndryshëm të fshatit dhe rrethinës. Ai ka marrë shënime nga shumë familjarë, një punë shumë e mundimshme, që sjell shumë informacion për historinë e familjeve të Stubllës. Megjithatë, nëse do të ishte përdorur edhe literatura e shkruar dhe një metodologji  ndryshe e punës, mund të kishte pasur përmirësime.

Gjithashtu, një hulumtim i thelluar në regjistrat e amzave të famullisë së Letnicës dhe të Stubllës do të mundësonte mbushjen e disa boshllëqeve të mundshme dhe do të pasuronte shumë mirë këtë punim, sidomos në aspektin historik.

Familjet që u internuan në Turqi pas ngjarjeve të vitit 1846–1848 janë përmendur në këtë libër, por disa shënime shumë interesante janë bërë nga ipeshkvi i Shkupit, Dario Bucciarelli, të cilat nuk janë marrë parasysh në këtë punim.

Shpresojmë që në të ardhmen, ky hulumtim të vijojë dhe të plotësojë informatat për këto familje, dhe librit t’i shtohen të dhëna të tjera historike.

Libri i autorit Engjëll Kengji, “Gjeneza dhe Gjenealogjia e Stubllës”, është një shembull i shkëlqyer se si mund të ruhet kultura e kujtesës dhe pasuria e historisë familjare. Ky është vetëm një hap i parë, por ai ka ndihmuar shumë në mbajtjen gjallë të kujtesës për këtë komunitet.

Libri do të ribotohet nga Albanisches Institut me disa informacionet shtesë për gjenealogjinë e këtyre familjeve.

Albert Ramaj,
Albanisches Institut

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.