SI I PËRCAKTONTE VLONJATËT PREFEKTI ZENEL PRODANI NË VITIN 1923

0
170
Zenel Prodani - letër

Nga Vlora s’ka aspak shpresë që t’i vi ndonjë dobi politikës qeveritare

Nga Enver Memishaj

Zenel Prodani
Zenel Prodani

Zenel Prodani (foto), prefekt i Qarkut të Vlorës, më 8 gusht 1923, i shkruan Ministrisë së Punëve të Brendshme: “Me rastin e largimit tonë nga Vlora e pamë të arsyeshme t’i parashtroj asaj Ministrie situatën politike të kësaj prefekture.

Që kurse ardhëm në Vlonë, me një vrejtje të madhe studjuam shpirtin e vlonjatit, qytetarit, e atë të arbërit, labit ose katundarit, ku kuptuam se i pari ishte tepër reklamist, egoist dhe aq i pa qëndrueshëm dhe variabël në mendim e në princip.

I dyti me plot kuptimin e fjalës Kalorës, i paisur edhe me një egoizëm fisnik, ose më drejt me një burrni e trimëri të çudiçme, por natyrisht si fshatar edhe i thjeshtë. Ky, katundari është ay që përbën fuqinë materiale të Vlonës, asht ay që nuk i përunjet as bejlerëve e agallarëve të djeshëm as edhe atyre të sotëm, vetëm prej thjeshtësisë, në disa raste s’ka mundur të shpëtojë pa u bamun vegla e qytetarit dhe i kaninjotit, që konsiderohet qytetas, ose i atij e këtij intelektuali në korente politike që mbrapa tyre nuk shifet gja tjetër përveçse interesit personal.

Kundrejt kësaj situate, e pamë tepër në interes të qeverisë izolimin e largimin e tij prej qytetarit e kaninjotit, dhe afrimin tek qeveria. Pra duke ndjekur taktikën që lypte mentaliteti i vendit dhe duke mos u larguar nga principi se administrata e politika janë dy gjëra të lidhura njëra me tjetrën, por deri diku dhe të veçuara, në një kohë të shkurtër pamë që deri në një shkallë ja mbritëm qëllimit, katundarin e larguam krejt nga qytetari, aqsa filloi edhe një lidhje katundarësh kundrejt vlonjat-kaninjotëve, dhe prandaj çdo erë që frynte prej qendrës e nga qarqet kundërshtare nuk e impresionente e s’ja vinte veshin katundari.

Për vërtetimin e kësaj pike ka shumë prova ajo Ministri, midis të tjerave përmendim këtu mbylljen e klubit “Bashkimi”, mos realizimin e tentativës për lëvizje mbi çështjen e venomeve të Himarës.

Kur situata qe përmirësuar, kur gjysma e katundarëve bashkë me gjithë të krishterët qenë bërë anëtarë të qeveris, e gjysma tjetër pothuajse qe izolue e neutralizue, del Qarkkomandanti me politkanin e famshëm doktor Sezainë [Seit Qemali] nëpër katunde dhe bën një propagandë të tillë, kritikojnë veprat e qeverisë qëndrore dhe rekomandojnë bashkim rreth z. [Qazim] Koculi tue shtënë edhe z. [Qazim] Kokoshi brenda në këtë bashkim. Kjo tentativë e çudiçme dhe e pa logjikshme e cila tingëlloi si një bombë e pa pritur, trubullon opinjonin publik e sidomos atë të katundarëve, aqsa frytet e një pune prej 7 – 8 muajsh kohë, veniten e fiken menjëherë.

Punë kjo që ashpërsoi e largoi nga qeveria krejt fshatarët, të cilët thoshin kështu: qeveria s’paska sinqeritet, kur zoti Koculi s’paska punuar keq, pse qeveria na i paska prezantuar të tillë, deri tash?

Kur bashkimi rreth tij paska qenë i mirë përse qeveria na e dëfteu të panevojshme e të rrezikshëm 6 muaj më parë kur u çel një klub [Bashkimi], po për këtë qëllim dhe duke mos marrë pjesë i thyem hatrin edhe Avni Rustemit tek i cili si një Hero kemi respektin ma të madh.

Nga kjo sjellje foshnjarake opinjoni publik i këtushëm asht trubullue sa mund të thuhet se është i favorshëm sa mund të mbijë çdo farë që mund të mbillet!

Neve nuk besonim që të hartonte kaq shpejt ajo Ministri reaksionin që ka sjellë dhe frytet e hidhta që ka dhënë taktika e Sezaiut me shokë, të cilët në shumë raste nuk kanë qenë të zot të tërheqin të paktën 5 vota në favor të qeverisë. Kujtonim se do ta kishte kuptue mirëfillit ajo Ministri se politika shumë ngjyrëshe e të sipërthënurit ka dhënë falimenton në kohë, e cila në një avneir të afërt ka me përsërit po ato fruta. Qysh mos t’i përsëriti kur dirizhohet nga njerës të pa princip e pa mend, e krejt variabël!

Për shembull z. Azis [Çami] kur ardhëm këtu, zotin [Qazim] Kokoshi na e prezantoi kështu:
“Nuk ashtë me ideal anëtar i qeverisë, por qëndron për interes, sikur t’i merren të tri shtëpitë që ka marrë, atë ditë do ta gjejmë në mes të kundërshtarëve, prandaj nuk duhet të kemi shpresë tek ai”.

Këto fjalë nuk janë të mëshehta, i di edhe Kokoshi i cili ka ardhur dhe na është ankuar. Ma vonë edhe Koculi për të cilin s’kish lënë fjalë të keqe pa thënë, bëhet i mirë dhe përpiqet të bëjë një bashkim rreth tij. Vepër kjo që nxorri në kulmin e fuqisë z. Koculi dhe diskreditoi tepër qeverinë.

Pra ndoshta jemi dhe pesimist z. Ministër, por nga të tillë tipa, sidomos këtu në Vlorë, e cila në pikëpamjen e politikës ruan një delikatesë e rëndësi të veçantë, s’ka aspak shpresë që t’i vijë ndonjë dobi politikës qeveritare. Dëshëroj që koha të tregoi të kundërtën, pra unë le të dal i gabuar në parashikimin tim.

Himara kurdoherë qëndron indiferente ndaj rrjedhimeve politike të Vlonës. Atje Partia Kombëtare e cila ashtë në pakicë nuk diftohet e kënaqur kundrejt qeverisë, sepse i duket sikur qeveria nuk u tregua e qëndrueshme në prishjen e venomeve.

Parti filogreke e kënaqur prej veprës qeveritare mbi venomet, mendon të jetë pro, por rezervohet të shohë se ç’ngjyrë do të marrë ma vonë çështja në fjalë.

Me nderimë. Prefekti Zenel Prodani”.

Këtu mbaron shkresa e prefektit Zenel Prodani.

* * *

Pas Kongresit të Lushnjës dhe Luftës së Vlorës, 1920, filloi të funksiononte realisht shteti shqiptar, por shqiptarët nuk e ndalën luftën ndërmjet njeri tjetrit. Ndërsa përgatiteshin zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923, atmosfera politike ishte shumë e tensionuar. Grupimet politike ishin kristalizuar, duke u ndarë në dy parti të mëdha: Partinë “Përparimtare” e udhëhequar nga Hoxhë Kadria dhe “Popullore” e udhëhequr nga Fan Noli. Kryeministri Ahmet Zogu që ishte njëkohësisht edhe Ministër i Punëve të Brendshme, shihej nga kundërshtarët e tij politikë si rival kryesorë. Në nëntor do të ndodhnin edhe dy vrasjet politike: Adem Gjinishi në Peqin dhe Haxhi Kazazi në Kavajë.

Zenel Prodani lindi më 15 qershor 1886 në Kolonjë dhe ka kryer gjimnazin e Korçës. Nga vitit 1905, ka ushtruar detyrat e nëpunësisë së lartë shtetërore si krahinar, nënprefekt e prefekt.

Më 25 prill 1939 ishte zëvëndësisht prefekt Vlorës. Më pas në vitet 1939 – 1941 prefekt i Tiranës.
Në dhjetor 1941 – prill 1942, ishte prefekt i Dibrës së Madhe.
Më pas tërhiqet nga jeta politike. Pas lufte u dënua me burg nga gjyqi special i komunistëve i vitit 1945. Vdiq me 11 gusht 1969, në Tiranë.

Venomet e Himarës. Në vitin 1492 krahina e Himarës prej 50 fshatra u ngrit kundër pushtuesve osmanë. Sulltan Bajazitin e II, të kërkonte një marrëveshje me himariotët. Në fillim himariotët pranuan pasi ky u premtoi atyre një sërë privilegjesh të njohura nga tradita me emrin “venome”. Në bazë të marrëveshjes, sulltani do ta linte autonome këtë krahinë dhe nuk do të dërgonte qeveritarë turq, himariotët fitonin të drejtën të qeverisnin vendin e tyre, si edhe më parë, në bazë të kanuneve tradicionale, të krijonin gjyqet e tyre dhe të mbanin lirisht armët. Si shpërblim himariotët zotoheshin të mos ngrinin krye dhe të paguanin vetëm haraçin si shënjë bindjeje.

Shoqëria “Bashkimi” u themelua me nismën e Avni Rustemit, më 13 Tetor 1924, organizatë politike dhe shoqërore me karakter demokratik.

Sezai [Seit Qemali] (1897 – 1944), Lindi në Vlorë. Ishte djali politikanit dhe aktivistit shoqëror Seit Qemali, ish prefekt i Vlorës që mbeti në kampet gjermane. Sezaiu ishte diplomuar në Itali për drejtësi, ndërsa doktoraturën e ka fituar në Francë. Komunistët i bënë atentat, ndërsa gjermanët e dogjën në furrë.

Qazim Koculi (1883 – 1943). Lindi në Kocul të Vlorës. Ishte ushtarak në marinën osmane, udhëheqës e ushtarak shqiptar, prefekt i Vlorës, politikan, senator. Kryeministër vetëm 6 orë, më 6 dhjetor 1921. U vra në Vlorë nga Halil Alia e Selim Kaloshi.Është vlerësuar me titullin “Kalores i Urdhrit te Skenderbeut” në gusht 2020.

Qazim Kokoshi (1882 – 1946). Lindi në qytetin e Vlorës. Në Janinë mbaroi gjimnazin “Zosimea”. Në vitin 1908 u angazhua në Klubin “Labëria”, dhe u bë udhëheqës i kryengritjeve antiturke. Firmosi Deklaratën e Pavarësisë, 1912, ndihmoi muhaxhirët në vitin 1914. Ishte një nga udhëheqësit e Luftës së Vlorës, prefekt, kryetar bashkie, deputet. Vdiq nga torturat në burgun e Vlorës dhe varri tij humbi përgjithmonë.

Azis Çami (1893 – 1943). Ishte një ushtarak shqiptar, diplomuar në Itali. Komandant i artilerisë në Luftën e Vlorës, 1920. Komandant në lëvizjen e qershorit 1924, si ithtar i Fan Nolit. Në vitin 1931 Çami u arrestua për tentativën e atentatit kundër Ahmet Zogut në Vjenë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai iu bashkua Ballit Kombëtar dhe luftoi kundër okupatorëve fashistë. U vra me atentat nga komunistët në Tiranë në dhjetor 1943.

Kllapat katrore [ … ], janë autorit Enver Memishaj.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.