SHQIPTIM POETIK I TË RËNDOMTES DHE I TË PARËNDOMTES

0
12
Shefqet Rexhepi

Në vend të In memorim për Shefqet Rexhepin, i cili këto ditë ndërroi jetë

Rreth përmbledhjes me poezi të Shefqet Rexhepit “Palca thërret ashtin”. Botoi “Andena”, Prishtinë 2019

Anton Nikë Berisha

Për të vënë një komunikim sa më të mirëfilli me strukturën gjuhësore shprehëse të poezisë së përmbledhjes më të re të Shefqet Rexhepit “Palca thërret ashtin”, duhet të fillohet nga titulli i librit për arsye se brenda kësaj sintagme fshihen disa nga qenësitë e gjithë asaj që merret në vështrimin artistike. Pra, kemi të bëjmë me një ndërlidhje dhe marrëdhënie të qenësishme e të ndërsjellë të ekzistimit të njërës, palcës, dhe të kushtëzimit të domosdoshëm nga tjera, nga ashti. Asnjëra nuk mund të ekzistojë pa tjetrën; shmangia ose zhbërja e njërës, nënkupton shmangien dhe zhbërjen edhe të tjetrës.

Pikërisht mbi këtë bazë të ndërlidhjes dhe të kushtëzimit të këtillë, poeti Shefqet Rexhepi u qaset dhe i vështron dukuritë, qoftë kur ato i shqipton në rrafshin horizontal, pra në të tashmen, qoftë kur i ndërlidh dhe i shpreh në vijën vertikale, përkatësisht i kthehet të kaluarës, asaj që ka ndodhur. Kjo gërshetim i ka mundësuar autorit të poezisë së kësaj përmbledhjeje t’i përimtojë dhe t’i ndriçojë ato, sa në ndërliqësinë, aq dhe në qenësinë e tyre. Tek e fundit, kjo është dhe dialektika e fshehtësisë së dukurive dhe e mundësisë së ndriçimit përmes tekstit të përftuar dhe të komunikimit me të.

Poeti gjakon që të tashmen dhe të kaluarën t’i vështrojë në një marrëdhënie të ngushtë dhe të kushtëzuar ndërsjelltas, qoftë të asaj që është e zakonshme, qoftë të asaj që shkëputet nga konkretësia dhe njëmendësia e jetës së përditshme. Me këtë Shefqeti dëshmon se nuk e ka humbur kuptimin abstrakt të bukurisë, siç do të kërkonte Oscar Wald.

Poezia e autorit tonë e përfshirë në këtë libër niset, siç thashë, nga dukuritë e rëndomta, të përditshmërisë ose nga ato që historikisht janë dëshmuar në rrjedhën e jetës së njeriut tonë në përgjithësi. Kjo përmasë konkrete e dukurive të marra në vështrimin poetik asnjëherë nuk del e zhveshur, po ndërlidhet dhe me të mundshmen, me atë që e quajmë të vërtetë poetike, subjektive, pra shtrihet edhe në rrafshin përfytyrues.

Thuhet me të drejtë se qëllimi i kryesor dhe i vetëm i artit të fjalës është të ndikojë poetikisht, pra përmes tekstit si strukturë gjuhësore të vihet në një komunikim poetik sa më thellësor, që mbërrihet para së gjithash me anën e gjuhës poetike dhe të shprehurit poetik, po Shefqet Rexhepi gjakon që përmes tekstit të poezive të tij t’i thotë diçka të caktuar marrësit, lexuesit të saj, ta prekë në ndërgjegje për veprimin që e bën, sidomos në të tashmen. Me pak fjalë, përmes tekstit poeti gjakon t’i japë jetë, pra të zgjojë brenda nesh atë që është e heshtur ose nuk gjallon mirëfilli, për ta prekur njeriun tonë në ndërgjegje për pasojave e mundshme të veprimit të tij. Kjo të kujton atë që thoshte me të drejtë shkrimtari dhe filozofi i i madh frëng, Sartre: “Intelektuali është i shtyrë të bëjë vetëdijesimin për vetveten dhe, rrjedhimisht, për të gjithë”.

Shefqet Rexhepi nuk e ndërton rrëfimin e vet poetik përmes një sistemi të ndërliqshëm figurash, metaforash e simbolesh, që mëtojnë një përpjekje më të madhe për të vënë komunikim me më të mirëfilltë, po as nuk i shpreh atë të zhveshura; ai e ruan drejtpeshimin midis asaj që e shqipton, që e thotë, dhe mënyrës së si e shpreh atë dukuri. Në poezitë e veta ai i shqipton dukuritë që lidhen me zërin e arbrit; u kthehet figurave ose ngjarjeve të rëndësishme të botës sonë, si Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Lidhjes së Prizrenit, Ali Binakut, pastaj krijuesve Azem Shkrelit, Ali Podrimjes etj., po i shqipton dhe dukuritë e kohës së pakohë, siç e quan ai vetë, kur as fëmijët “Gjumin s’e bëjnë gjumë”; e vështron shprishjen shpirtërore të njeriut të botës sonë, pastaj të keqen që e cilëson individin, egoizmin që ai e ka brenda dhe pasojat e këtij veprimi përballë tjetrit:

Gjithçka është imja
Asgjë s’është jotja
Refren në galop
Mëngjeseve, mbrëmjeve
Lesh e li
Bëhen portretet
Kohët.

(Refren jetik)

Shefqeti përqendrohet tek e shëmtuara, që bën pjesën e errët të veprimit të njeriut, siç janë makbetët e rinj, të cilët “Çelin hone nën lëkurë”. Me këtë veprim ata e shtresojnë të keqen dhe tragjiken e jetës. Madje ata shkojnë deri në absurd: kërkojnë që të tjerët: t’i harrojnë dhe kujtimet dhe dëshirat, pra të bëhen të paqenë. Këtë gjendje të pazakonshme nuk mund ta arsyetojë as vetë djallëzia e tyre:

Damarëve të njomë
Lojën e thikave
E shoqëronin me daulle.
Në kulm të orgjisë
Kopshtet lulëkuqesh
Përmbysen […]

Hall ka djallëzia
Si t’i përthekojë
Tregimet për mëtimin
Prapaskenën.

(Ekuacioni i mbërthyer)

ose

Kurthet teprojnë
Labirinteve ogurzinj
(Labirintet e Pandorës)

Përmes strukturës gjuhësore poetike autori synon të depërtojë në shkaqet e krijimit të gjendjes së rëndë, thuaja rrënuese. A është fajtor vetëm ai që e ka kushtëzuar dhe e ka krijuar një gjendje të tillë, ose është edhe vetë njeriu ynë që ka lejuar t’i zihet fryma edhe jetës, të këputen unazat e arta të saj:

Luadhet janë nxirë
S’e kanë blerimin
E pranverave të Gjergjit
Lulet nuk ndjekin
Rrezatimin e diellit.
Ftohtësi në tokë e qiell
Është i njëjti diell
Qiell i njëjtë
Diçka
Ka këputur unazat e arta

(Janë shkëputur unazat e arta)

T Rexhepi nuk hesht përballë kësaj gjendjeje rrënuese dhe nuk e kursen as veten, as njeriun e vet.

Askush
S’bën një hap
Drejt rrënjëve

(Toreadorët në garë)

Sa qesim diçka
Në terezi
Marrim tërthor.

(Po marrim mësysh)

Kjo gjendje e rëndë dhe rrënuese e botës sonë, po dhe vazhdimësia e saj (mjerisht jo vetëm në kohën tonë) janë shndërruar në brengë e në shqetësim të ndjeshëm.

A ka ndodhur kund në botë
Prush mbi gjethe
Prush nën rrënjë?

(Hija e Ali Binakut)

Qëndrimi kritik i autorit të këtyre poezive na kujton atë që thoshte Elioti: “Kritika është po aq e pashmangshme sa edhe frymëmarrja…” dhe “Unë jam i mendimit se kritika e përdorur nga një shkrimtar i ushtruar e i shkathët në veprën e vet është më qenësorja, është lloji më i lartë i kritikës dhe disa shkrimtarë kreativë janë superiorë ndaj të tjerëve, vetëm ngase aftësia e tyre kritike është superiore.”

Kjo gjë shprehet në disa poezi, fjala vjen, në “Lirë u shitka atmja e rilindur” ose “Gojëdhëna e kashtës”, ku mesazhi është më i drejtpërdrejtë:

Qysh nuk doli
Një njeri
Ta zbërthejë
Fshehtësinë
E djegies së palcës.

(Gojëdhëna e kashtës)

Autori i kësaj përmbledhje “Palca thërret ashtin” përfton tablo poetike me mesazhe shumësore, që i japin poezisë së tij një vlerë të mirëfilltë:

Hëna si sirenë
E përdalë
Ua qet gjuhën

(Ç’keni me diellin?)

ose

Vrushkuj, vrushkuj
Merrte ngryk retë

(Shtëpia e Lidhjes)

Ose

Ritmit të shushurimës
Secili lis loton

(Pragu)

Në fund po përmend faktin se në këtë përmbledhje me poezi Shefqet Rexhepi i mbetet besnik stilit të vet, shtjellimit të tekstit dhe sistemit të të shprehurit, përkatësisht ndërtimit të botës poetike. Ai përfton atë lloj teksti letrar që është në gjendje të vërë komunikim gjallërik me lexuesin dhe të ndikojë dukshëm në të.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.