NUSJA E RE

0
124
Bride reading books
Tomas Hardi
Tomas Hardi

Tomas Hardi
(1840 – 1928)

  • tregim
Aleko Ballauri
Aleko Ballauri

Përktheu: Aleko Ballauri

Rruga nga Enxhelberi në Holmstouk është gati e rrafshët, po ka një pjesë, ku ajo befas bëhet e pjerrët duke prishur monotoninë. Fermerët që kthehen në shtëpitë e tyre, pas një kohe të gjatë në tregun e qytetit, ecin më këmbë, po në rrëzë të saj hipin kuajt.

Në mbrëmje, kur dielli po perëndonte, një karrocë e vogël, e hijshme në ngjyrë limoni dhe rrota të kuqe filloi të ngjitë të përpjetën. Atë e tërhiqte një pelë me shtat të fuqishëm. I zoti i saj ishte një djalosh i bukur, elegant. Fytyrën e kishte të rruar sipas modës së aktorëve të asaj kohe dhe ngjyra e saj tregonte shëndet të plotë.

Në të kishte një gëzim të papërmbajtur, që pa mëdyshje thoshte se dita në tregun e qytetit, për të, kishte qënë e suksesshme. Në krah i qëndronte një vajzë, shumë me e re se ai, gati fëmijë. Kishte një fytyrë shumë të bukur po që ndryshonte shume nga ajo e djaloshit. Hijeshia e saj, ishte aq e freskët saqë i ngjante petaleve të një trëndafili të paçelur.

Zakonisht në rrugë kishte shumë pak njerëz. Tashmë rripi i rërës që shtrihej para tyre dukej gati i zbrazët. Dallohej vetëm një hije që lëvizte dhe që shumë shpejt u duk se ishte një djalë që ecte ngadalë. Shpesh kthente kokën dhe vështronte çiftin e ri. Në duar mbante një trastë të madhe, që mesa dukej ishte shkaku i ngathtësisë së tij. Kur karroca u ndodh mbi pjerrinë, djali ishte vetëm disa metra larg saj. Qëndroi dhe duke mbajtur në njërën dorë trastën dhe me dorën tjetër në hije, filloi të vështrojë me vëmëndje nusen e re. Dukej sikur deshte të futej thellë në shpirtin e saj.

Dielli, tashmë shumë ulët, binte drejt në fytyrën e vajzës, duke bërë që të dalloheshin qartë tiparet e saj. Ai shihte me imtësi flagrat e hundës dhe ngjyrën e syve. Fermeri, megjithëse ishte i shqetësuar nga prania e djalit, nuk i foli fare atij. Ky vazhdonte të vështronte me këmbëngulje nusen e re, derisa arritën në majë të të përpjetës. Pas kësaj fermeri lëshoi me trokth kalin dhe u duk se e harroi krejt djaloshin.

– Përse më shikonte me aq vëmëndje, – i tha nusja e re burrit të saj.
– Edhe unë e vura re, – u përgjigj ai.
– Duhet të banojë në fshatin tonë, – tha ajo.
– Po është një nga fqinjët tanë. Jeton vetëm me të ëmën, gati dy milje larg nesh.
– Atëherë ai e di kush jemi?

– Me siguri. Po kushdo do t’ju shihte me vërejtje, Gertruda ime e dashur.
– Mendoj se djali nuk shikonte në atë mënyrë, që ne të merrnim trastën e tij në karrocë.
– Oh, jo, – tha burri i saj. Këta djem fshati mund të mbajnë trasta dhe më të rënda. Me sa duket po i afrohemi shtëpisë. Do të jemi atje, para se të erret.

Rrotat vazhdonin rrugëtimin. Nga periferia e tyre dilnin spërkala rëre papushum. Befas u ndodhën përballë shtëpisë, një ndërtesë e bardhë, e zbukuruar me tjegulla të kuqe. Ndërkohë djali kishte shpejtuar ecjen dhe u kthye në një rrugicë që shkonte mes kullotash
dhe arriti në kasollen ku ndodhej e ëma. Ajo sapo ishte kthyer nga baxhoja fqinjë, ku punonte gjithë ditën deri në mbrëmje. Tashmë po lante një lakër, që e kishte vënë mbi një rrjetë të dendur. I biri la trastën dhe kapi njërin skaj të rrjetës.

– A e patë? – pyeti ajo.
– Po, shumë mirë, – iu përgjigj djali.
– A duket si zonjë?
– Po dhe më e bukur. Tamam zonjë e madhe.
– E re është, – tha e ëma.
– Po, po tashmë kishte marrë pamjen e një gruaje.
– Natyrisht, po flokët çngjyrë i kishte ?
– Kishte flokë të ndritshëm dhe fytyrë si të një kuklle.
– Atëherë sytë nuk i ka të zinj si të mitë.
– Jo kishin nuancë të kaltëreme. Gojën e kishte ngjyrë rozë dhe kur buzëqeshte dukeshin dhëmbët e bardhë si qelibar.
– A ka shtat të lartë, tha gruaja e zemëruar.
– Nuk e pashë. Rrinte ulur.
– Atëherë nesër në mëngjes duhet të shkosh në kishën e Holmstoukit. Me siguri ajo do të jetë atje. Shikoje kur të hyjë në kishë dhe më thuaj nëse është shtatlartë.

– Po, nënë. Po pse nuk shkon vetë ta shohësh?
– Të shkoj unë? As sytë nuk do t’i hidhja. Po çfarë i thoshte zoti Louxh ?
– Të zakonshme.
– Po ty a të vunë re ?
– Jo.

Ditën tjetër nëna veshi i veshi djalit të saj një këmishë të bardhë dhe e nisi për në kishën e Holmstoukit. Ai arriti atje në çastin kur po hapnin derën dhe ishte i pari që hyri brenda. Të fundit arritën fermeri i Louxhit dhe nusja e tij e re. Ajo ecte në korridorin e kishës me ndrojtje, që është e natyrshme për një grua që shkel atje për herë të parë. Të gjithë e vështronin me kërshëri. Të njëjtën gjë bënte dhe djali, veçse tashmë atë askush s’po e vinte re.

Kur u kthye në shtëpi, e ëma e pyeti:
– Si dukej?
– Nuk është shtatlartë, madje është e shkurtër, – tha ai.
– Ah! – psherëtiu gruaja me kënaqësi.
– Po, është shumë e bukur, pa masë e bukur, madje duket e dashur. Freskia rinore e nuses të të zotit të fermës kishte lënë përshtypje të thellë në natyrën e ashpër të djaloshit.
– Këtë desha të dija, – thirri e ëma e tij. Tashmë shtro tavolinën e ngrënies. Lepuri që kape është shumë i shijshëm, po ki kujdes se mos të kapin edhe ty. Nuk më the si i kishte duart ajo ?
– Nuk i pashë. Ajo asnjëherë nuk i hoqi dorashkat.

– Po si ishte veshur?
– Kishte një kapuç të bardhë dhe një mantel ngjyrë argjendi. Kur po ulej në stol, ai fëshfërinte duke bërë një zhurmë të tillë që e bëri të skuqej nusen e re. Filloi ta tërhiqte në mënyrë të tillë që ai të mos prekte stolin, po kur u ul, fëshfërima u dëgjua më e fortë. Zoti Louxh dukej shumë i kënaqur. Jeleku dhe sahati me zhinxhir mbi të shkëlqenin. Gjithsesi zonja e tij nuk do ta dëshironte aspak atë zhurmë të lehtë të mantelit.

– Ashtu?

Biseda për çiftin e sapomartuar vazhdonte. Edhe në ditët që vijuan nëna pyeste të birin nëse ai e kishte parë nusen e re. Roda Bruk (ky ishte emri i nënës) mund ta shihte edhe vetë atë, po nuk deshte në asnjë mënyrë ta bënte këtë gjë. Edhe kur ishte në baxho, ajo nuk merrte pjesë në bisedat që bëheshin për çiftin. I zoti i baxhos, që e dinte dashurinë e saj të dikurshme me të zotin e fermës, që tashmë ishte martuar me atë nuse aq të bukur, nuk e ngacmonte kurrë.

Gjithsesi asaj i dukej që edhe ajri përreth ishte mbushur me atë ndodhi. E ndjente këtë më shumë, kur zonja Louxh nusja e re, erdhi për herë të parë në fermë. Nga përshkrimet e të birit dhe njerëzve të fermës, ajo kishte një përfytyrim aq të qartë për nusen e re, të dashnorit të saj të dikurshëm, si të kishte para syve fotografinë e saj.

Marrë nga Nacional

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.