Rreth librit të Petrit Derraj “Mbresa nga jeta në Bashin malor”, Tiranë 2022
Nga Luan Imer MEMISHA
Pas artikujve e poezive botuar në shtypin e përditshëm dhe librit të parë me poezi “I flet zemra zemres”, mësuesi dhe poeti Petrit Derraj ka dalë para lexuesve me librin e dytë “Mbresa nga jeta në Bashin malor”.
Njeri nga njerëzit e shkolluar të këtij fshati është edhe Petrit Derraj që me zgjuarsi e aftësi ka drejtuar arsimin si drejtor shkolle në atë krahinë.
Petriti ka qene mësues e drejtor shkolle, aktivist shoqëror, është dalluar edhe në jetën e përditëshme në marrëdhëniet me njerëzit, punën e humorin që e ka me shumice, një shpirt i bukur e bujar.
Petrit Derraj është një lab tipik i lindur në ato male të sertë, mësimdhënës, ku ka nxjerrë shumë breza e sot ata i janë mirënjohës mësuesit të tyre. Petriti duket si një copë shkembi nga ato male, rrëzë të cilave gjenden shtëpitë si zgjoje bletësh, që, në pamjen e parë të japin përshtypjen sikur kanë dalë nga shkembi.
Petriti si poet ka derdhur në vargje dhe ka qëndisur cilesitë e trevës nga vjen, dashurinë për vendlindjen duke hymnizuar zakonet dhe traditat e Smokthinës.
Në gjergjefin e poezisë së tij ai ka qëndisur ide dhe emocione njerëzore.
* * *
E ku ka mbyllje më të bukur të vitit, kur një mik të dhuron një libër siç ndodhi me mua më 31dhjetor të vitit 2022, kur zoti Petrit Derraj më dhuroi librin për historinë e vendlindjes së tij, Bashi i Vlorës.
Libri “Mbresa nga jeta ne Bashin malor”, nuk flet vetëm për historinë e këtij fshati, por në të autori ka futur folklorin, tradita dhe zakone, krijimtarinë e tij poetike për njerëz e tema të ndryshme, dhe krijimtarinë poetike të atorve të tjerë për fshatin, pra është më shumë se histori, është enciklopedia e Bashajt.
Autori na përshkruan Bashajn që ndodhet në prehërin e malit të Tartarit, dhe në afersi të Këndrevices ku ka lindur autori i librit që analizojmë, sot me banim në Tiranë.
Fshati pershkohet nga burime bore të shkrirë të dala nga zemra e shkëmbit, me banorë ezeber të kalitur me virtytet më të mira të njerëzimit, me burra trima e gra kapedane, djem të shkathet si vetetima e vajza të bukura e gjeraqina. Një fshat me banorë me tradita të dëgjuara, bujarë e mikpritës. Në Bashaj, po të shkosh një herë ke dëshirë të kthehesh përsëri në atë ambjent bujar e miqësor, ata të presin me zemër në dorë.
Bashaj ndodhet në krye të fshatrave të Smokthinës, dhe nga emri domethënës që ka, kuptojmë, kreun, kokën, ballin e fshatrave, të parin fshat rrëzë maleve. Aty dora e njeriut të mënçur e punëtor ka ndërtuar shtëpi, mullinj bloje etj., duke shfrytëzuar terrenin e burimet e ujit që buron nga mali, dhe një bujqësi me rendiment e pemëtari të mirë. Aty kanë banuar që në kohërat e para njerëz punëtor e të mençur.
E lexova librin me interes dhe kërshëri dhe e kam renditur sot ne bibloteken time.
E çmoj dhe e vlerësoj punën e z. Petrit, sepse librat më gëzojnë shumë, latinët thone: kush dhuron nje liber dhuron nje trendafil.
Këtu më erdhi ndërmend edhe një shprehje tjetër që, kur të bëhet lufta me libra, bota do jetë më e mirë, larg armëve.
Ai që dhuron kënaqet më shumë nga ai që e merr dhuratën. Në librin që analizojmë do të gjejmë jo vetëm veçoritë e fshatit Bashaj, por edhe pjesë të fshatrave të krahinës së Mesaplikut, ashtu siç gjeta unë pjesë të vendlindjes time Lepenicës, e kjo është një nga vlerat e këtij libri. Autori i ka përshkruar fiset dhe banorët e fshatit kaq mirë e bukur sa që të duket sikur ti ke jetuar me ta, në mes të banorëve në Bashajt, në davete, biseda, dasma e gosti, kuvende burrash dhe përcjellja e njerëzve që kanë punuar gjithë jetën. Bashajt kanë një komunikim e respekt që i ngrohin zemrën mysafirëve, ata të freskojnë në vapën e beharit e të ngrohin në dimrat e egër kur ato male ngarkohen me borë. Autori na përshkruan edhe malët ashtu si fshatin me pemë e gjethe.
Lart në male lulëzojnë bimët e ndryshme medicinale si çaj, rigoni e fruta të egra ku fshatarët i shijojnë dhe i mbledhin për vete e për tregëti. Rrobat e tyre bien erë trëndelinë. Fshati, thotë Petriti, ka gjallëri gjithë vitin që nga maj lulerritës, gjithë beharin e dimrin, aty zien jeta pa ndalim. Për këto mrekulli të natyrës e të njerëzve punëtorë e të mënçur shkruan prof. Petriti në librin e tij. Po ashtu ai përshkruan ngjarjet historike, në kohë të ndryshme, si dhe doket e zakonet, fisnikërinë njerëzore si në kohë paqje e në luftë, ku spikat trimeria e zgjuaresia e tyre.
Autori i përshkruan fshatarët e tij, se kanë qenë në vijën e parë të luftës për liri e pavarësi. Ai përshkruan edhe për akte fisnike e të zgjuara, ku janë pajtuar shumë grindje e mosmarrëveshje të ndryshme. Bashajt kanë luftuar dhe kanë dhënë edhe jetën për liri e drejtësi dhe autori i përshkruan me dashuri dëshmorët që kanë rënë në luftë për liri, në krye të të cilëve qëndron Qeriba Derri, nga fisi autorit, “Heroinë e Popullit” . Sakrificat, vuajtjet, raprazaljet nga ndjekjet e pushtuesve fashiste e naziste, që autori si një intelektual i ndieshem i përmend në libër, ato që ka dëgjuar nga të parët e tij e ato që ka lexuar e studjuar, përfundime që i rendit në libër. Autori është ndalur edhe në dashurinë dhe mirëkuptimin që fshatarët e tij kanë shfaqur gjatë gjithë jetës ndërmjet tyre.
Gjatë leximit të këtij libri unë pash si në një film jetën e Labërisë, pashë të dalin në dritë tregimet e kujtimet e bukura të jetës së Labërisë.
Përshkrimet që bën Petrit Derraj në librin e tij më kujtuan miqtë e shokët e mi nga ky fshat fisnik. Miku i babait tim veterani patriot Shaqo Derri i cili shpehej me mirënjohje për të parët e mi për strehimin gjatë Luftës Antifashiste. Kam njohur Safetin e të birin Fiqiri Barxhaj, Nebi Zogun e te birin Rrapon. Ismet Derrin e kam njohur mire. Kur donte të lidhte një krushqi, më pyeti mua, se kush është shtëpia e parë në Lepenicë? Shtëpia ime i thashe unë, me shaka.
Libri përfundon me fiset e fshatit Bashaj, si për të treguar së prof. Petritit nuk i ndahet shpirti nga vendlindja e tij.
Ke bërë një libër të mire e me vlera prof. Petrrit Derri, libër që do ti rezistojë kohës e do të frymëzojë të rinjtë që vijnë pas nesh.
Petriti ua dedikon librin tre femijve te tij, sot ata kanë jetën e tyre, ku punojnë dhe trashëgojnë virtutet më të mira të të parët e tyre.
Këto rreshta modeste janë një vlerësim i merituar për librin e Petrit Derraj “Mbresa nga jeta ne Bashin malor”.
Urime për vepra të tjera më të mirë.