SOT PËR PUSHTET DHE PASURI PO E HAMË NJËRI – TJETRIN

0
177
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

Fatkeqësisht, Sot shqiptarët nuk bëjnë politikë me armikun historik, por me vetëveten. Nateditë, merren me shpifje dhe thashetheme probagandistike mes tyre duke ia nxjerrë sytë njëri – tjetrit për pushtet: poste politike, pasuri dhe vëllavrasje. Vend për drejtësi nuk u lënë institucioneve shtetërore, por vetë janë edhe gjykatës, edhe hetues, edhe spiunë.

Ngjarje politike, që ndodhin kohën e fundit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Sulme për interesa partiake, personale, familjare dhe miqësore me shpifje e vrasje, pa argumente. Edhe, atë: Atdheu, kur është në rrezik. Dukuri kjo, kur me duart e veta i kanë lidhur sytë e këmbët. Thikën ia fusin vetes pas shpine. Armik, Sot më nuk e kemi shkaun, as turkun, por shqiptarin me trutë dhe këmbët në legen. Nuk bëjmë luftë me armikun historik, por vëllai me vëlla. Popull, i nëmur nga turku.

Përderisa, deri Dje politikanët tanë së bashku hanin kokë më kokë në një legen të “vëllazërim – bashkimit”, në prehërin e Xhadisë, Sot për poste politike dhe pasuri janë duke hëngër njëri – tjetrin me gjithë tesha. Viktimë, përsëri është populli shqiptar. “Fajtori” kryesor, që me vota “demokratike” u dha pushtet, poste politike dhe pasuri. E ato, si politikanë të dalldisur e arratisur ia kthejnë me korrupsion, vjedhje, burgosje, papunësi dhe pëzënje nga vendlindja.

Nuk i zgjedhin as armët e luftës për pushtet dhe pasuri. I përdorin gati të gjitha armët e zjarrta dhe të ftohta partiake. Janë përçarë parti më parti politike, dhe vriten për Xhadinë. Cili më parë ta marrë për grua besnike. Edhe pse, mu kjo Xhadi i polli kopila, dhe na i la pas porte. Aqsa, e ngritën nga varri edhe poetin Ali Asllani me poezinë e tij kryengritëse Hakërrim:

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!
Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!
Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!
Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!
Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!
E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!
Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!
Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!
Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!
Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!
Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!
Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!
Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!
Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!
Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!
A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!

Dhe, Sot: përditë themelojmë më shumë parti politike, sesa kemi politikanë. Edhe pse, janë nga i njëti brumë i krundeve nëpër thasët e grisur të kanapit me të cilin nuk bëhet pogaçe, as kulaç për ta pjekur në çerep me saç e shpuzë. Moti, kohë nuk kemi as çerep, e as saç. Shpuzë kemi, por nuk kemi Oxhak. Ose, i kemi, por nuk dimë t’i përdorim, i kemi ekspozuar në muze.

Burrat e Sotshëm, nuk i kemi trima si Dje me penë e kobure në brez: kryengritës, bujqër, barinj, por politikanë të dalldisur e arratisur: “analistë” politik, intelektualë dhe akademikë. Gratë tona besnike, nuk janë Teuta Ilire, Shotë Galica, maxhatore, as baresha, por politikane. Popull, që merret me politikë.

E, nuk bënë politikë, po fabrika për prodhimin e politikanëve pa brekë. Popull, që me kriminalitet, korrupsion dhe drogë e ka pushtuar botën, por ende nuk e ka çliruar dhe bashkuar Atdheun. Që, hë për hë me këto politikanë të arratisur dhe dalldisur mezi shoh edhe rrugë malore, ose dhiare për në Baba Tomor. Gjak të ri, i cili do t’i pri popullit shqiptar për në Liri. Ditë me Diell. Dhe, Natë me Hënë të plotë mbi lisa, matanë Shtëpisë.

Shkaku, se: Sot, për pushtet, pasuri dhe gra, po e hamë njëri – tjetrin…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.