Zambaku i bardhë i ujit

0
1000
Nexhat Halimi

Nexhat Halimi

– Zambaku i bardhë i ujit është i bukur brenda vetvetes, e shikoj Dean nga qeshet ndërmjet dritës së shkrirë në qiell dhe në sipërfaqen e ujit të lumit gjarpërues dhe aty- aty të hapur me zambak!

– Kjo lule e bardhë është përdorur për qëllime të ndryshme, në mjedise të caktuara, aty – aty, është përdorur për ilaç për përmirësime të shëndetit… – i flas Deas, ndërsa ajo e shtirë në kënaqësinë e përjetimit të ndjenjës së Zambakut të bardhë të ujit, vetëm më dëgjon dhe hesht.

Ajo nuk flet ndërsa unë i rrëfejë për këngëtarët që i përdorin për të forcuar zërin. Lëngun e Zambakut të bardhë të ujit e përdornin para se të dilnin në skenë. Vetëm që t’u dilte zëri sa më i kristaltë para se të përjetohej nga artdashësit…

– Të mirat e Zambakut nuk qenkan fare të vogla…-Tha Dea me sy në lulet e bardha që e hijeshonin lumin.
– Për të mirat e Zambakut ka legjenda dhe histori të shumta.
– Po, është siç thua, – ia bëra dhe vazhdova t’i flisja për këtë gjë. Zambaku i ujit lidhet sidomos me mitin e krijimit dhe simbolizon ciklin e lindjes së jetës dhe të vdekjes. Shtyllat e tempujve të lashtë ishin në formën e luleve të zambakëve të ujit, që lulëzonin nga toka.

– E në hapësirat këtu, – më ndërpreu ajo.
– Këtu, ndryshe nga vendet e largëta, legjenda e krijimit të kësaj bime është e lidhur me heroizmin e gruas shqiptare në kohën e Skënderbeut. Legjenda te ngjashme ka ngritur populli ynë edhe për lulen e Zymbylit të fushës, të cilën e quan Lulja e Parlotes, e pikuar prej lotëve të Pars.

– Ja, vlen ta përshkruajmë vetëm Legjendën sesi mbiu Zambaku i bardhe ne liqenet e Lures!
– Natyrisht, dua të mësojë për këtë gjë, – më pa me interesim Dea.
– Në Qind vjetshin e pesëmbëdhjetë, Shqipëria jeton periudha lavdie. Në fushat e betejës ushtritë shqiptare, të udhëhequra nga Skënderbeu, dalin gjithnjë fitimtare kundër ushtrive të shumta osmane. E gjithë Shqipëria dhe Lura jeton me çështjet e luftës. Ajo përgatit dhe kalit armë të forta që bëhen edhe më të forta në duart e trimave shqiptarë.

Turqit kanë mësuar se shqiptarët i bëjnë armët në malet e Lurës. Dhe një natë të errët, turq të panumërt rrethojnë Lurën.

Shpejt, ndonëse të zënë në befasi, Lurianët organizojnë mbrojtjen. Krahas burrave me një trimëri të rrallë luftojnë edhe gratë. Edhe sot ne Lure njihet shprehja “Cuca n’luftë bahet djalë”. Njëri pas tjetrit, duke lënë përpara këmbëve të tyre pirgje me kufoma turqish, bien lurianët dhe lurianet.

Sulltani e ka paguar shtrenjtë “fitoren”. Një grusht lurianesh dhe lurianesh, duke luftuar si luanë, ia kanë shfarosur krejt ushtarët armikut. Ne inat e sipër ai jep urdhër që disa gra të plagosura rëndë e të zëna rob, të mbyten po atë natë në një nga liqenet e Lurës.

Legjenda thotë se në vendin ku u mbytën gratë, në mëngjes mbinë lule të bukura e te bardha siç ishin ato vetë. Në mbrëmje, ndërsa i këput këto lule, ato mbyllen, që në mëngjes të çelen përsëri.

Ja pse kjo hapësirë e ka marrë emrin Liqeni i Luleve. Ky liqen ndodhet në Parkun Kombëtar të Lurës dhe është liqen akullnajor, ka ujë të pastër si kristali dhe të ftohtë. Është i pasur me një botë të gjallë të larmishme dhe formon një ekosistem interesant të liqeneve alpinë me bukuri të rrallë.

Ecnim për kohë të gjatë pa folur.

Secili qante fatin e vashave të bukura shqiptare të hedhura në ujë dhe të shndërruara në zambakë të bardhë të ujit.
– Tash e tutje do t’i dua me zemër zambakët e bardhë të ujit.
– Jo vetëm ti, zemër e vogël.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.