Roman që lexuesit ia ngarkon peshën e rëndë të mendimit

0
518
Ag Apolloni - Një fije shprese...

Nikollë Berishaj

Romani dokumentar i Ag Apollonit, “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është një histori rrëqethëse, e bazuar historinë e vërtetë të dy nënave shqiptare, nënës Pashkë dhe nënës Ferdonije, “dy dhimbjeve të së njëjtës tragjedi” – të tragjedisë kosovare në kapërcimin e mileniumeve. Ndërsa e lexova këtë roman, shpesh më ra ndërmend një thënie, që e përdor autori si moto të një romani tjetër, Ndoshta kjo botë është ferri i ndonjë planeti tjetër. Romani dokumentar, një dukuri e rrallë, jo vetëm në letërsinë tonë.

Në të autori i përmbahet besnikërisht fakticitetit, mundohet të përdorë vetëm fakte që, në çdo moment mund të provohen me dokumente të kohës, andaj shpesh pritet që ai të jetë edhe i ngurtë sipas stilit dhe i “thatë” për lexim. Por kjo nuk ndodh me romanin në fjalë, në të cilin mënyra e rrëfimit, ndërlidhjet dhe intertekstualiteti e bëjnë plotësisht të lexueshëm dhe ku pjesa “letrare” aspak nuk ngec pas asaj faktike, dokumentare.

Në veprën e vet, “Fakticiteti dhe letrarësia” studiuesi, Anton Gojçaj i qaset me plot kompetencë kësaj teme, ndonëse në thelbin e saj është vepra letrare e Atë Anton Harapit.

Pavarësisht se mund të presim se këto dy pjesë përbërëse të tërësisë së romanit të Ag Apollonit mund t’ia ngushtojnë hapësirën njëra tjetrës, autori ia arrin që dokumentaren dhe letraren në këtë vepër t’i ndërthurë mjaft suksesshëm. Andaj, edhe vet deklarimi i autorit se kemi të bëjmë me një roman dokumentar vetëm ia rrit vlerën tekstit.

Romani në fjalë është njëfarë rrugëtimi, gati skenari i mirëfilltë për një film, në të cilin  digresionet luajnë rol shumë të rëndësishëm. Këto kapërcimet e shpejta me pak fjali, shpesh me pak fjalë në një anë të dhimben, ngase ta ndërpresin bukurinë e të lexuarit, e në anën tjetër të lëshojnë në dorën e rrëfimit, që bëhet pjesë e vazhdimit të imagjinatës. Njëra prej atyre digresioneve vegon te një pikë karburanti dhe na shpie në historinë e nënës Pashkë, njërës nga personazhet kryesore të romanit.

Ajo pas përfundimit të luftës pret plot katër vjet me shpresë se dy djemtë e sajë një ditë prej ditësh do ta befasojnë dhe do t’i kthehen. Dhimbja e saj e pakufishme dhe të padurueshme për humbjen e bijve eksplodon me rastin e gjetjes së mbetjeve të tyre mortore: “Shpresa e katër vjetëve, 48 muajve 208 javëve dhe çdo jave nga pesë ditë pune, u shkurtua vetëm me një përgjigje PO, në pyetjen »A ka gjë të re?«”. Pashka nuk ka lot për një humbje aq të madhe, madje edhe të tjerët i porosit: “Kush derdh lot ma prish dekën”. Shpresa e shkurtuar ia shkurton edhe jetën me një akt sa tragjik aq edhe të dhimbshëm.

Një fije shkrepëse dhe pak benzinë e mbetur në një bidon iu desh nënës Pashkë ta, “ta djegë vdekjen”. Në fakt, me gjestin e saj, me vetë-djegie, ajo nuk e vrau por e përjetësoi vdekjen. Vdekjen e vet dhe të dy djemve të saj. Ajo e bëri ta pavdekshëm kujtimin për të dhe bijtë e saj. A pro po, një filozof i madh thotë: “… siç nuk mund të asgjësohet asgjëja, nuk mund të vritet vdekja. Pavdekshmëria e vetme që ekziston është pavdekshmëria e vdekjes. Derisa të jetojmë, me ne është edhe vdekja. Jo për faktin se jeta ka një afat të kufizuar të zgjatjes, por për faktin se  pa të nuk mund të ekzistojmë… Vdekja e vdekjes do të thoshte vdekja e Njeriut.

Vetë-djegien e nënës Pashkë, siç e tha edhe vet autori në Tuz, mund ta krahasojmë me vetë-djegien Jan Palach-ut, studentit çek të historisë dhe ekonomisë politike në përvjetorin e okupimit rus, si revoltë ndaj tij.  Të dy vetë-djegiet janë akte të përgatitura më parë nga autorët e tyre.

Për dallim nga akti i nënës Pashkë, që do të duhej të kumbojë deri në qiell për të arritur te të gjitha nënat e botës që humbin fëmijët e vet, e që sipas autorit Apolloni nuk i është dhënë një vëmendje e merituar deri më tani, historia e nënës tjetër, nënës Ferdonije është njëfarë antipodi i saj.

Para se të kaloj në personazhin e nënës Ferdonije, më duhet t’i kthehem një personazhi tjetër. Fjala është për shkrimtarin hebre Eli Vizel, të mbijetuarin nga kampet famëkëqija naziste të Luftës së Dytë Botërore.

Ndoshta për shumë lexues ky është personazh anësor, por në konstruktin e romanit “Një fije shprese, një fije shkrepëse” autori e sjell atë jo rastësisht. Ai paraqet kulmin e “ndërgjegjes” së botës së civilizuar, klithma e të cilit ndihet larg dhe jehon gjatë. Në përcjelljen e tragjedisë së Kosovës, që si rezultat final do të “duhej” të kishte “zgjidhjen përfundimtare të çështjes kosovare”, ashtu siç kishte provuar Hitleri me hebrenjtë, Eli Vizelin e thërrasin nga Shtëpia e Bardhë t’ia sqarojë botës se ç’po ndodhte me shqiptarët e Kosovës. Atë e gjejmë në kampet e refugjatëve si në Maqedoni, ashtu edhe në Shqipëri. Ai gjithkund e bartë me vete fëmijën e kohës së holokaustit, të cilin nuk e lejon të rritet (fëmijën në vetvete!)… që në njërin nga kujtimet e veta gërmon për ta gjetur orën e varrosur para luftës, dhe kur e gjen e rivarrosë, sepse “ajo mat një kohë tjetër”.

Pse është Vizeli interesant për romanin ndoshta na tregon edhe fjalimi i tij, me rastin e marrjes së çmimit Nobel për paqe: “Kurdo dhe kudo që qeniet njerëzore përjetojnë vuajtje dhe nënçmim, përcaktohuni në cilën anë jeni. Neutraliteti e ndihmon shtypësin dhe askurrë viktimën. Heshtja trimëron dhunuesin, askurrë të dhunuarin”.

Apo thënia e  presidentit të SHBA-së Barak Obama: “Eli (Vizel) nuk është vetëm i mbijetuari më i njohur i holokaustit, por ai është përmendore e gjallë“. Dhe pikërisht përmendorja e gjallë e tragjikes kosovare të ndërrimit të mijëvjeçarëve na paraqitet personazhi që fillimisht projektohet si personazhi kryesor (ndoshta edhe i vetëm) i romanit, nëna Ferdonije. Ajo që në një ditë të shtunë, të cilën assesi nuk dëshiron ta kapërcejë, e që për të është një lloj dite D, shndërrohet në një Niobë bashkëkohore që “rrnon vetëm me tregue”.

Tre shokët vizitojnë nënën Ferdonije: Dritani, Gazi dhe autori. Në thirrjen e shokëve që të shkojë të marrë idenë për shkrimin e një vepre, autori heziton duke menduar se nuk ka ç’të shkruhet për gruan që vetëm vajton. Në shfletimin e memories së vet si njohës i mirë i letërsisë gjen Noibën, nënën antike të cilën Zeusi e kthen në gurë që vajton tërë jetën për humbjen e saj.  Autori bëhet gati pa dashje pjesë e rrëfimit, më mirë dëgjues i historisë së nënës Ferdonije, por që më vonë, përmes digresioneve nga përjetimet e të treve nga koha e luftës, të tre bëhen personazhe të këtij romani.  Secili ka episodet e veta që mjeshtërisht mishërohen në tragjedinë kosovare të përshkruar në roman.

Është interesant t’i lëshohet një vështrim gjendjes së REM gjumit, siç e quajnë psikologët, të Ferdonijes. Gjendjes së vetëdijes kur nuk është as fjetur as zgjuar, kur  “shtrin dorën, duke menduar se dora e saj po e prek bashkëshortin, por kur e prek vetëm çarçafin bosh, kthjellet me sy të mbushur me lot”. Sikur këtë gjendje diku në nënvetëdije dëshiron ta zgjasë, por e kishte të pamundur.

Gjendje diku të ngjashme përjetonte në fillim, mu mbas ditës D të saj, kur pinte kafetë e mëngjesit vetëm me nuset, duke pritur hapat e të bijve që do t’u zbritnin nga dhomat e gjumit. Apo me darkën “e hijeve”, që deri ditën e gjetjes së mbetjeve mortore të dy djemve të saj çdo natë shtrohej për tetë veta. Dhe “prerja kirurgjike” me natën kur nga sofra largohen shtatë pjata (e bashkëshortit, katër djemve dhe dy nuseve) e në sofër shtrohet, a nuk shtrohet, një pjatë e vetme, pjata për Ferdonijen.

Këtë gjendje e përjeton edhe me sy të hapur, atëherë kur mendon për të shkuarën…, por kthjellet shpejt. Ata nuk janë më!!! … dhe qeshja i mbetet në fyt e përzënë nga vaji dhe lotët.

“Ajo rri në mes të kaluarës dhe të ardhmes”. Ajo jeton bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët deri më 28 mars 1999 dhe nuk dëshiron të kapërcejë datën, e asaj të shtunë, ngase pas kësaj date nuk ka më jetë. Mbetet vetëm. Noiba shqiptare vajton, që nga momenti kur “të gjithë të saj i ikin nga fotografia familjare”.

I njeh nëna Ferdonije edhe kriminelët serbë që ia morën burrin dhe djemtë. Tregon me gisht nga ata, duke ua thënë edhe emrin, ngase i njihte që përpara. I njihte si klientë të rregullt të qebaptores që burrit të saj. Por kriminelët serbë nuk lodhen.  Për aq më tepër, për ironi të fatit dhe për plotësim të imazhit të krimit, njëri nga kriminelët e falangës serbe që i mori familjarët e Ferdnijes për të mos i kthyer më, sot është aktor në Serbi, madje aktor humorist.  “Ata nuk i vret ndërgjegjja, ata para se e kanë bërë krimin, e kanë vrarë ndërgjegjen e vet!”  thuhet në një vend në roman.

Por Donja nuk e zgjedh heshtjen si shprehje të dhimbjes. Ajo flet. Ligjëron. Në shtëpinë e saj pret e përcjell mysafirë, të njohur e të panjohur dhe “as për një minutë nuk e mbylla derën tënde”, i rrëfehet burrit të vrarë.

Autori zgjedh detaje për të përshkruar dhunën, tragjedinë dhe “frikën” e gjithkundndodhshme. Edhe në rastin e Gazmendit dhe lojës që luajnë kriminelët serbë me ruletin rus mbi kokën e tij në shtëpinë e dajës – Esad Mekulit. Dhuna dhe vrasjet nuk kishin filluar “sot”, atij ia kishin vrarë edhe gjyshin komunistët – Milladin Popoviqi.

Historia e Dritanit është një pikë tjetër e tragjedisë. Vrasja e babait të tij, që kishte mbetur të ruante shtëpinë, nuk mjaftonte për xhelatët. Dritanit ia kishin vrarë edhe qenin.

Por heshtjen si shprehje të dhimbjes e takojmë në rrëfimin e autorit për babën e vet. Që nga momenti kur mori vesh për vrasjen e vëllait, iu bënë “të tjerat heshtje”.

Si lexues deri më sot i jam kthyer më së shpeshti librit të autorit hebre Viktor Frankel me titull interesant “Pse nuk jeni vetëvrarë?” Autori, si i internuar, ka përjetuar kampet e përqendrimit nazist, ndonëse ishte mjek – psikiatër, që në bazë të kësaj përvoje e krijoi edhe logoterapinë – psikoterapinë me kërkimin e kuptimit të jetës. Më duket se që nga vet titulli “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, nëna Ferdonije e gjeti këtë “kuptim”, po nëna Pashkë?

Edhe ajo, me gjestin e saj e bëri të amshueshëm veten dhe djemtë e saj. Sa janë raste të tjera në Kosovën martire, për fatin e të cilëve nuk do të flitet?

Pas përjetimit të romanit, sepse ky roman jo vetëm se lexohet, shtrohet natyrshëm pyetja: A ka drejtësi për dhimbjen e Ferdonijes, Pashkës, Vasfijes; apo për mijëra “osa humiliata” (‘eshtra të poshtëruar’, i quan Boris Pahor), të transportuar me kamionë drejt varrezave masive, drejt Serbisë;  për ëndrrat e fëmijëve të ndërprera me pushkë, thikë, bajonetë apo disi ndryshe, kur “të gjallët flasin për këmbimin e territoreve, por kjo u duhet të vdekurve”?!

Pa dëshmi të tilla, vështirë! Sepse: “kur digjet shpresa, s’ka rëndësi se ku hidhet hini!”

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.