ÇDO VARG ARTISTIK KA EDHE ESTETIKËN E VET

0
301
Arben Çokaj - Mrekulli n'katror - poezi

Kopertina në 3D, kredit për Gjekë Marinaj!

Arben Çokaj, “Mrekulli n’katror“, poezi, botoi Sh. B. “FIORENTIA“, Shkodër 2023, faqe 220. ISBN : 978 992 838 236 8

PARANTEZË:

Poetin Arben Çokaj, fillimisht e njoha në rrjetet sociale, e pastaj e kam takuar në shtëpinë e tij në Malësi të Madhe dhe të timen në St. Gallen të Zvicrës. Janë edhe disa takime të tjera në Tiranë e Shkodër, të cilat e kompletojnë edhe më tej mozaikun e njohjes. Ai është mësues i fizikës dhe i shkencave kompjuterike. Autor nga fusha e dizajnit dhe pro­gramimit, ku ka botuar disa libra dhe doracakë shkollorë. Shquhet si njohës i zhvillimeve politike në Shqipëri dhe Koso­vë si dhe në shkallë botërore.

I kompletuar me njohje e kulturë nga fusha e letërsisë dhe e filozofisë, po aq edhe nga shkencat ekzakte. Njohës i shkëlqyer i anglishtes, gjermanishtes dhe danishtes, gjuhë nga të cilat ka përkthyer tekste e studime letrare si dhe poezi. Kundrejt këtyre prirjeve është dalluar për kritikë letrare, duke trajtuar edhe poezinë. Gjithnjë me shije artistike dhe me depërtim të thellë në brendësinë e saj. Por çuditërisht, deri më tash, unë nuk e kam ditur, se Arbeni paska shkruar poezi edhe më herët, se sa njohja jonë!…

ATËHERË

Kur shpirtin tim e ka pushtuar trishtimi
Kur qënia ime ndodhet në mërzi,
Kur s’më bie ndërmend për çaste gëzimi
Atëherë ngushëllimin e kërkoj tek ti.

Shtator 1990.

LIBRI:

Pa dyshim, libri me poezi Mrekulli n’katror, e kompleton mozaikun e angazhimeve edhe në fushën e kulturës dhe të le­tërsisë. Këto lirika janë shkruar në mes viteve 1990-2000, dhe janë përgatitur për botim vite më parë. Pastaj kur i lexon liri­kat e tij, disi ndjehesh i përmbushur: “Papritur zgjohem na­tën,/ Errësirë kudo errësirë…/ Trupin ma pushton një dobësi/ Jam duke menduar për ty/ Bardhësi”, (poezia DOBËSI, shtator 1990, f. 20.) Vonesa për botim, vetvetiu shndërrohet në metaforë për “Jetën e komplikuar”. Ndoshta kjo nuk është aspak metaforë, por është realitet i jetuar. Ku ta di unë?!

Për letërsinë s’ka fare rëndësi, edhe njëra edhe tjetra, pasi jeta si nocion më i kompletuar është metaforë më vete, që shprehet kudo edhe nëpër vargjet e librit: “Sy të buhavisur nga gjumi i tejzgjatur/ Zymtësi, mërzi, delir…/ Vazhdojmë rrugën e jetës së varfër/ Me një vakum të pashtershëm në shpirt”, (poezia ECIM, f. 25.) Gjithsesi botimi i librit është ngjarje. Ndodhia thyen heshtjen e pritjes së harruar, e cila tashmë e riaktu­alizon dimensionin e shprehjes “jetë e komplikuar”, në anën tjetër sjell emocione, sidomos tek ata që e njohin Arbenin, për epitetet e theksuara më lart, por jo edhe si poet! Në një poezi tjetër, ai pyet? “Jetës ç’po i marrim?/ Ç’po i lëmë?”, f. 30. E them unë, se Arben Çokaj po i lë letërsisë shqipe këtë libër dhe këto poezi dhe më shumë se kaq!

Tashmë, Arben Çokaj është poet! E gjithë poezia është tërësi tematike, që lidhet ngushtë me jetën e poetit, me meny­rën e jetesës dhe të mbijetimit, qoftë në vitet e tranzicionit kaotik e qoftë më pas nëpër zhvillimet tjera sociokulturore në Shqipëri dhe përgjithësisht në hapësirën shqiptare në Ballkan. Arbeni gjithnjë ishte aktiv e impulsiv, ky reflektim duket edhe në poezinë e këtij libri, pagëzuar me një metaforë të çuditshme poetike, e cila nuk do të doja të ishte aq e komplikuar, aq më pak jeta e tij reale. Ku ta di?!… Por në poezinë “DY JETË”, mjaft saktë është shprehur: “Kam dy jetë/ Një të madhe sa universi/ Dhe një të vogël fare./ Jetoj dy herë/ Të tjerëve jetën e madhe u fal/ Ndërsa të voglën e ruaj për vete/ Të tjerëve t’u qëndroj pranë”, f. 29.

Arben Çokaj - Mrekulli n'katror - poezi - libra

POEZIA:

Natyrisht, libri si strukturë është përjetim lirik me fry­mëmarrje të lirshme, që krahas realitetit, ai ka futur në funk­sion edhe imagjinatën, e cila ngjall krenari dhe dashuri. Në anën tjetër, poezia është regjistruese e emocionit real, ndërsa jeta është fiksion metaforik, që duhet si natën për ta sfiduar!

NATA E GJATË

Nata i pushton ndjesitë
Dita s’po duket askund
Kanë udhëtuar prej meje fjalët
Vargjet kanë humbur diku.

Ngjyrat seç ma errësojnë ylberin
Pemët, gjethet i shtrijnë përdhé
Natë vjeshte, natë e gjatë
Pluhurin e kujtesës shkund mbi ne.

22 nëntor ’96.

Krijimi poetik është vlerë artistike ndërsa optimizmi përfaqëson ndjenjën e autorit. Në një tufë poezish ndeshim një rrafsh real e fiktiv, ku dëshmohet vlera, si përpjekje dhe sfidë për të ngadhënjyer. “Unë megjithatë e kërkoj/ Atë që botës i mungon/ Në shpirtra njerëzorë thellë depërtoj/ Për pak sinqe­ritet”, (poezia SINQERISHT, f. 38.) Në cikle të tjera është artikuluar realiteti i përjetuar, bashkë me kontradiktat dhe sfidat e mundshme, të së tashmes dhe të kaluarës. “Një profan dikur në rini/ Se ku kish lexuar një proverb s’e di/ “Dashuria është më tepër marrëzi/ Se urti…”/ E profani i gjorë, gjithë jetën mbeti beqar/ Për t’mos i thënë,/ “Je i marrë!”, (poezia ZGJEDHJE, f. 37.)

Mjaft vargje shprehin ngjarje rrëqethëse, veprime që e paskan shqetësuar poetin, i cili pa sofistikime artistike është shprehur, madje mjaft drejtpërdrejt, dhe kjo na bënë për të besuar se këto lirika pasqyrojnë edhe një veti tjetër nga tempe­ramenti personal. “Kur e shprish shpirtin e trazuar/ Të lind më tepër mall/ Ngacmimi i dashurisë së shkuar/ Thellon edhe më shumë një plagë”, dhe këto plagë nuk shërohen me përbe­time pa karar, siç shprehet vetë poeti në vargjet tjera në vijim: “Plagosja e zemrës së virgjër/ S’ka nevojë për fjalë/ Besnikëria ndaj dashurisë së lindur/ S’do përbetime pa karar”, (poezia SENTENCA, f. 42.)

Poezia si e tillë është një rrahinë, një plla­jë, një fushë a një log, ku e tërë dhembja shpaloset pa ndrojtje, shpërfaqet shqetësimi pa frikë, kurse urrejtja dhe smira nuk janë pjesë e karakterit poetik, prandaj ka ardhur në shprehje fabula proverbiale “ka për t’u bërë më mirë?!”, si dhe optimi­zmi poetik, prandaj zë vend meritor shpresa si ngadhë­njim i domosdoshëm.

SINTEZË ESTETIKE:

E veçanta e poezisë përmblidhet në vullnetin e poetit, qëllim ky për t’iu qasur motiveve të shumta, të cilat si tërësi e kompletojnë mazaikun e përgjithshëm. Ashtu sikurse poezia që ka lidhje direkte në mes autorit dhe recepientit, të gjitha motivet kundrohen si marrëdhënie të mundshme, si pjesë e proceseve të gjithëmbarëshme, i fokusuar në sintetizimin e marrëdhënieve në mes motivit e metaforës lirike. Qoftë kjo ndjenjë edhe shqetësim real i përjetuar: “O trishtim i fund­shekullit njëzetë/ Pse më tmerron kështu,/ A s’paskam edhe unë të drejtë/ Të gjej gëzimin diku?!”, (poezia EKSKLA­MACION, f. 46.) Vargjet që i cituam më parë, kanë finesë të stërholluar, e cila duket sikur të ishte analizë për vështrim e kundrim të proceseve, qofshin ato të veçanta a të ndërlikuara.

Pa dyshim, poezia është dukuri, që regjistron ngjarjen e shtje­lluar vëmendshëm nga prizmi poetik. “Koka rëndonte si peliçe e vjetër/ Kish kohë që fjalët s’ishin thënë në letër”, (poezia KUR U ZGJOVA, f. 103.) Pra nga tërësia, shihet se poeti ka arritur t’i paraqesë vrojtimet që janë pjesë e ngjarjeve dhe si rezultat i ndijimit, përjetimi bëhet më përjetu­es. Vetëm një proces i tillë, çfarë është në të vërtetë, ka prodhuar këto poezi, të cilat plo­tësojnë edhe më tej mozaikun e angazhimeve të Arben Çokajt edhe në fushën e poezisë së sotme shqipe.

FJALËT E PATHËNA

Buzët më janë tharë
Nga mungesa e puthjes
Pështyma ngrihet si kokërr breshëri
Në fjalën e pathënë
Nuk hesht, nuk flas në këtë paradoks
Të pashembullt
Sytë lozonjarë lakmojnë
Çmendurisht.

28 shkurt ’94.

Jo vetëm kaq, poezia në fjalë dhe ca të tjera janë me vlerë estetike, që dëshmojnë për prirjen dhe afinitetin krijues që ka autori. Pikëpamje e bukur, kategorizim artistik dhe gjykim estetik, që si tërësi tematike është nivel i intelektit të vetë poetit, dhe lidhet me ndjenjën dhe ndijimin artistik, që shprehet me një finesë të hollë: “Kujt t’ia fal dashurinë?/ Ta shes, ta blej, ta flak diku?!”, f. 148. Nëse poezia është art, ajo është edhe e bukur, prandaj është edhe pjellë e ndjenjave indi­viduale, e plotësuar me shijen artistike.

Në anën tjetër, çdo varg artistik ka edhe estetikën e vet, bukuria e krijimtarisë dhe përvetësimi estetik kanë mirë-rregulluar përmbajtjen e poezive, mënyra dhe format e krijimit estetik janë të ndërli­dhura me ndjenjën dhe përjetimin emocional, si dhe të pikëpamjes së jashtme dhe të veçantisë së subjektit poetik, qoftë si tipar i saj ose thjesht si bukuri e ndërthurjes artistike.

SHTRESËZIME TEMATIKE:

Poezitë janë kronologji e ngjarjeve, janë edhe dhembje poetike me shtresëzime të shumta tematike, vetëm se këto përjetime janë shprehur në mënyrë lirike andaj poezitë bëhen më të veçanta. Gjithsesi fshehin ndrydhje të përjetimeve, që i kanë ndodhur autorit, duke ndikuar edhe në konceptin e librit nga tronditjet e përjetuara, jo vetëm shpirtërore por edhe fizike. Edhe poeti, duke kaluar kohë të vështira, u bë më imun dhe më i qëndrueshëm. “Në përvjetorin tim të ditëlindjes/ Qirinjtë nuk i fika mbi tortën e mjaltë/ Nëna s’më puthi në sy me dhimbje/ Qortimet e babait munguan atë natë”, (poezia PËR DITËLINDJE, f. 146.)

Përmbledhja poetike, Mrekulli n’katror, është struktu­rim tematik dhe me varg artistik, natyrisht me ato mjete poe­tike, që i ka zotëruar autori në çastin kur i ka shkruar poezitë. Shihet se përpjekja nuk i paska munguar! Poezia e Arben Çokajt përfaqëson ndjenjën, jo vetëm fiziologjike por edhe atë artistike, dhe pa mëdyshje është shprehja më e bukur estetike.

Kjo mënyrë shprehëse përjetohet edhe në poezinë “KOSOVË”, e cila për poetin është “plagë e vjetër mbi ndërgje­gjen e vrarë”, së këndejmi: “Kosova/ Sinonim tragjik i së bukurës/ Çmendurisë fundi po i vjen/ Në këtë fundshekulli/ Egos së sëmurë po ia shoh thembrat”, parandien ai, që në vitin 1994, duke e për­mbyllur poezinë me vargjet: “Jam pjesë e jotja/ Kosovë/ Dhimbje epike”, f. 159-160.

Shqetësimi poetik nuk matet vetëm me një krahinë, siç është Kosova, por shqetësimi intelektual është më universal dhe shtrihet më tej, atje ku “Ditët pikojnë predha”, në poezinë “BOSNIA SHKELET ME KËMBË PROSTITUTASH”, nga e cila po i shkëpusim vargjet: “Dielli diku është fshehur pas reve/ Ditët pikojnë predha/ Në vend të shiut/ Orët, minutat ankthin e rrisin/ Në pasiguri”, f. 136), si dhe te poezitë: “BUSTI I ANDERSENIT”, “NË KOPENHAGË BIE SHI” dhe poezia “POGRADECI”, kushtuar Lasgushit.

Pra, këto poezi kanë nuancë meditative dhe përfa­qësojnë edhe retorikën e vargjeve, e ndërtuar me përgjegjësi krijuese, ku dëshmohet se pasioni për poezinë është vlerë reale në njërën anë, kurse në anën tjetër, është mënyrë e artikulimit të ndjenjës së përje­tuar, një lloj vrojtimi artistik, për tërë qenien njerëzore dhe për hapësirën etnike.

Me një individualizëm konkret, autori ka materializuar pasionin për poezinë, i cili jep shenja të bollshme me kahe të profilizimit adekuat. Shi për këtë, ai ka portretizuar jetën e tij, edhe atë jetën e komplikuar, bashkë me ngjarjet e shumta, bëmat dhe dukuritë e ndryshme. “E ndreqim një punë,/ Prishim një tjetër,/ Përsëritet si furtunë/ Dhimbje e vjetër”, (poezia SHIHEMI DHE SHAJMË, f. 172.)

Vëllimi me poezi, pasqyron jetën dhe përpjekjet avangar­diste të individit, në procesin e ndryshimit dhe të revolucionit demokratik. Edhe në poezi del në pah virtyti dhe pasioni për ndryshime substanciale, si emancipim qytetar, si revoltë, por me prirje poetike, që shfaqet si ndjenjë artistike dhe si përjetim vizual: “Sa primitive duken ndjenjat/ S’e shihni që vajzat dashurohen me qentë?!”, f. 132. Pra në të njëjtën kohë artiku­lohet veprimi real dhe përshkruhet realiteti i përjetuar, qoftë ai i hidhur, i cili gjithsesi duhet të ngadhënjejë, sepse e mira gjithmonë duhet të ngadhënjejë mbi të keqen, ashtu sikurse e bukura dhe artistikja duhet ta sfidojnë të keqen, marrëzinë dhe të shëmtuarën.

MARRËZITË

E çuditshme!
Vërtet sot po kujtoj marrëzitë
Dikur aq natyrshëm ngjanin
Me të zakonshmen…
Ndryshe dukeshin më pas
Në trurin e plakut

Kujtoni fjalën e vjetër
Por,
Mos i harroni ato
(Marrëzitë)

Në udhën perfekte, njeriu pa to
Do të mbetej vetëm
Gjysma e tij.

22 korrik 1993.

Ky proces metabolik është një vibrim a oscilim i ampli­tudave, të cilat vlerë matëse kanë ndjenjën, duke lënë prapa një melodi të prajshme dhe përjetuese. Kjo përpjekje poetike ka të bëjë drejtpërdrejt me misionin e qëllimshëm, për t’u ndryshuar, për të përparuar. Si dashuri dhe sakrifikim për Atdheun, të cilit edhe poeti i përgjërohet me tërë afshin e krijimit artistik, e përkushtimit poetik.

PËRFUNDIM:

Arben Çokaj, në librin Mrekulli n’katror, ka arritur të sendërtojë një mozaik tematik të ndjekur nga pasioni i hulum­tuesit dhe krejt kjo është ndërtuar si shtytje kulturore e artistike, që duket një lloj rezistence ndaj ndryshimeve të mëdha ideologjike, pavarësisht asaj se “Si gur varri rëndon mos-vlerë­simi,/ I zhvendosur në kufinj absurdë”, f. 174. Poezitë kanë apostrofuar aktualitetin e momentit, a të çastit, kur është shkruar poezia. Disa sish duken se janë kryekreje reflektim i atij realitetit, i atyre ndryshimeve.

Por faktori kohë ka deter­minuar edhe mënyrën e shprehjes, duke ndryshuar edhe timb­rin e shprehjes së artikuluar. Poezitë e librit shpërfaqin për­pjekjen poetike të autorit, për të ndërtuar një ligjërim sa më funksional, për ta shfaqur pëlqimin e duhur, ose për ta shprehur mospajtimin qytetar dhe intelektual për një varg dukurish e ngjarjesh, nëpër të cilat kalonte Shqipëria. “Vendi im/ Trishtimi s’më hiqet/ Le ta quajmë fisnikëri/ Respektin për veten/ Respektin për ty!”, (poezia JETOJ ME TRISHTIMIN E VENDIT TIM, e shkruar më 18 prill 1996, f. 197-198.

Kriza ekzistenciale shpeshherë është diskurs në gjuhen poetike, sikurse shprehja e artit poetik shpeshherë ka ndikuar edhe në përmirësimin e artikuluar të mendimit politik, gjithsesi kjo mënyrë e shprehjes lirike është specifikë, që dallon për autenticitetin e saj. “Dhimbja është më e pandashme/ Se ndarja/ Të lidh/ Si nënën dhimbja e madhe/ Kur nxjerr në dritë një fëmijë”, f. 180. Dhe, pa mëdyshje poezia shprehë edhe protestë, shfaq mospajtim, por gjithnjë në thelbin e saj ka qëllimin për të motivuar proceset e reformat, të cilat në vendin e shqipeve kanë stagnuar.

Ja si ironizon me dhimbje poeti: “E ndreqim një punë/ Prishim një tjetër/ Përsëritet si furtunë/ Dhimbje e vjetër”, f. 172. Ndërsa gjatë leximit dhe rileximit të tyre vërehen gjurmët e këtyre proceseve, të cilat kanë lënë vragë kudo, duke u reflektuar edhe në gjuhën poetike të këtij libri, veçmas poezitë e shkurtra janë realizime të suksesshme, edhe pse janë krijime në fazën e fillimit dhe të bulëzimit të saj. Më vonë sikur ndjenja dhe përkushtimi ka devijuar nga synimi paraprak?!

Arti dhe poezitë janë më të forta se luftërat dhe dikta­turat, ato mund të shijohen e lexohen kurdo dhe në secilën kohë. Poezitë e këtij libri janë të mishëruara me angazhimin real e të drejtpërdrejt të poetit, dhe në këtë kohezion kaotik, kulturor e politik, bëhet më e veçantë. Pavarësisht rrethanave që i përkasin të shkuarës, kjo poezi tash do e vërë kontaktin me lexuesin e saj, gjithsesi dhe do të marrë gjykimin e tij, sepse poezitë janë rezultat i fillimit dhe ky fillim është si çdo fillim tjetër?!…

St.Gallen, 16 gusht 2023.
Shefqet DIBRANI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.