Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi-në pritje të rezultatëve definitive

0
Demografia - Mali i zi, 2023

Diskursi demografik

Regjistrimi i popullsisë paraqet çështje të rëndësishme demografike, statistikore, ekonomike dhe kulturore për çdo vend. Madje, ai po ashtu paraqet çështje të identitetit të një vendi, ndërsa në mjediset të cilat nuk janë të konsoliduara përbën edhe çështje politike. Në këtë aspekt dallohen vendet më popullsi heterogjene kombëtare, ku shëmbull tipik është Mali i Zi. Në ketë mjedis bëjnë pjesë edhe  shqiptarët si e vetmja popullsi jo sllave por vazhdimisht kanë ekzistuar dilema në lidhje me numrin real të tyre sipas  regjistrimeve të popullsisë  duke marrë parasysh politiken perfide të pushtetit si më parë në monizëm edhe tash në pluralizëm

Dr. Nail Draga

Të dhënat  paraprake mbi regjistrimin e popullsisë, amvisërive  dhe të banesave në Mal të Zi që është mbajtur nga 1-28 dhjetor 2023  nga ana e MONSTAT-it opinionit   iu prezantuan me 25 janar, ku numri i përgjithshëm i popullsisë  është 633.158 banorë apo  për 2.1% më tepër së në vitin 2011(620.029 banorë).

Po ashtu janë prezantuar disa të dhëna për numrin e vendbanimeve dhe disa çështje të tjera, por të dhënat për strukturën kombëtare, gjuhësore e fetare të popullsisë do të prezantohen në muajin qershor. Një veprim i tillë krijon dilema të mëdha, sepse edhe këto të dhëna kanë mundur të publikohen, por siç duket një veprim i tillë është me prapavi politike, sepse sipas gjasave do të ketë ndryshime substanciale në strukturën kombëtare të popullsisë qe ka të bejë enkas për pjesëtarët e malazezëve dhe të serbëve. Po ashtu me interes do të jenë të dhënat numërike për pjesëtarët e diasporës si dhe të popullsisë me banim të përkohshëm në Mal të Zi, që ka të bëjë kryesisht me ukrainasit, ruset etj.

Kujtojmë me këtë rast numrin e popullsisë sipas përkatësisë kombëtare  në Mal të Zi, sipas regjistrimit të popullsisë(2011): malazezë 44.9%, serbë 28.73%, boshnjakë  8.65%,   shqiptarë 4.91%, muslimanë 3.31%, kroatë 0.97%, të dhëna të cilat dëshmojnë se kemi të bëjmë me mjedis heterogjen multinacional, si asnjë vend në regjion.

Rritet numri vendbanimeve(!)

Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë në nivel vendi numri i përgjithshëm i vendbanimeve është 1.462. Por, nëse i krahasojmë këto të dhëna me vitin 2011 ku ishin gjithsej 1.308 vendbanime, kësaj here ky numër është rritur për  154 apo 10.5%. Një e dhënë e tillë mund të shpjegohet  vetëm sipas ndarjës territoriale të komunave, të cilat kanë ingerenca të  zyrtarizimit dhe definimit të vendbanimeve.

Vendbanimet pa banorë, dëshmi e shpopullimit

Sipas të dhënave të publikuara në vitin 2011 në Mal të Zi ishin 43 vendbanime pa banorë(3.3%)ndërsa tash ky numër është rritur  në 74(5.1%) e numrit të përgjithshëm në Mal të Zi.

Nga ana tjetër është rritur dukshëm edhe numri i vendbanimeve nga 10 banorë e më pak qe janë 304 (20.8%) ndërsa në vitin  2011 ishin 120 apo 9.2%. Një e dhënë e tillë  dëshmon

se për disa vite në vijim një e katërta   e vendbanimeve  do të jenë pa banorë, që është  dëshmi e migrimit të popullsisë, përkatësisht e shpopullimit të vendbanimeve!

Ndryshimet regjionale

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë,  të cilat janë publikuar deri më tash në aspektin regjional, del se regjioni Verior në Mal të Zi, është i përfshirë nga dukuria e shpopullimit  sepse për pesëdhjetë vjet 1971-2023, numri i banorëve ka rënë për 70.617(30.66%) nga 230.309(1971) në 159.662(2023).

Nga ana tjetër regjioni Qendror ka pasur rritje për 106.944 banorë(34.54%) nga  202.612(1971) në  309556(2023). Po ashtu rritje ka pasur edhe regjiioni Jugor për 65.277 banorë(39.81%) nga 96.683(1971) në 163.960(2023).

Dukuria e tillë e shpopullimit të popullsisë, dëshmon pabarazinë e zhvillimit ekonomik në aspektin regjional, e cila në sajë të parashikimeve do të vazhdojë edhe në të ardhmën, ku me atraktiv do të jetë regjioni Qendror e ai Jugor.

MONSTAT-i pa shqiptarë

Në sajë të informatave që disponojmë  në kuadër të MONSTAT-it ku përpunohen të dhënat nga regjistrimi i popullsisë, nuk është i punësuar asnjë shqiptar. Një e dhënë e tillë dëshmon qartë se nga ky institucion nuk ka ekzistuar gadishmëria, që në kuadër të komisionit përkatës të jenë të pranishëm edhe shqiptarët. Një veprim i tillë nuk paraqet befasi sepse shqiptarë aty nuk ka pasur as më parë, por është pritur qe qeverisja e re të ndryshojë ndaj përfaqësimit të shqiptarëve në këtë institucion.

Në këtë drejtim përgjegjësia bie edhe  mbi partitë politike të shqiptarëve, të cilat si pjesë e qeverisë është dashur që këtë çështje ta trajtojnë me seriozitet, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me çështje statistikore por edhe politike.

Mungoi fushata para regjistrimit të popullsisë

Në sajë të shtyerjës disa herë të mbajtjës së regjistrimit të popullsisë dhe të  situatës jo stabile politike në vend mungoi edhe fushata e senzibilizimit të qytetarëve për rëndësinë e regjistrimit të popullsisë, si proces shoqëror për tërë vendin. Në këtë aspekt të shqiptarët kësaj here kemi  avancimin e vendosjës së gjuhës shqipe në logun e regjistrimit të popullsisë që është meritë e Komunës së Tuzit, dukuri e cila nuk ka ekzistuar në regjistrimet e mëhershme. Ndërsa fletëregjistrimet kanë qenë  edhe në gjuhën shqipe, dukuri e cila është e njohur nga viti 1971, por kësaj here janë vërejtur disa anomali në komisionet komunale të regjistrimit të popullsisë.

Kështu p.sh. në komunën e Ulqinit nuk është respektuar numri i regjistruesve të popullsisë  sipas strukturës kombëtare të popullsisë, sepse ka ndodhur qe regjistruesit jo shqiptarë të paraqiten të familjet shqiptare duke mos e ditur gjuhën shqipe. Madje të tillët edhe formularët e regjistrimit nuk i kanë pasur në gjuhën shqipe, duke kriuar paknaqësi të familjet shqiptare, ku disa i kanë refuzuar, sepse nuk është respektuar barazia gjuhësore. Nuk ka dilemë se për një veprim të tillë përgjegjësia i bie komisionit komunal të regjistrimit të popullsisë, sepse kemi të bëjmë me çështje të identitetit kombëtar, andaj individët përkatës është dashur të përzgjidhën, jo vetëm në aspektin kombëtar por edhe ate profesional e shoqëror.

Diaspora, jo vetëm si numër

Në krahasim me regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, kur mungoi evidentimi i diasporës sipas strukturës kombëtare, kësaj here ajo do të evidentohet dhe do të jetë dëshmi e popullsisë së përgjithshme. Cekim me këtë rast se  të dhënat nga regjistrimi i vitit 2003, japin shifrën e diasporës  nga Mali i Zi prej 52511 banorësh, apo 7.8% e popullsisë së përgjithshme. Ishte kjo e dhënë që tregonte gjendjen reale e cila në vete përmban çështje shumëdimensionale.  Sepse, një të dhënë të tillë duhet analizuar me tërë spektrin e vet  nacional, gjuhësor dhe konfesional, sepse vetëm atëherë do të kemi mundësi  për analiza demografike e për mjedisin përkatës.

Një e treta e diasporës shqiptarë

Nëse analizojmë këtë numër të diasporës sipas strukturës nacionale të popullsisë del qartë se në botën e jashtme janë 16519 pjesëtarë të kombësisë shqiptare, nga del së çdo i treti shqiptarë është në botën e jashtme. E dhëna se shqiptarët paraqesin  1/3 e diasporës së përgjithshme te Malit të Zi, është diçka e jashtëzakonshme kur dihet së shqiptarët janë ndër popujt numerikisht më të pakët në Mal të Zi, në kuadrin e popullsisë të përgjithshme.

Diaspora, dëshmi e statusit social e politik

Ndërsa pjesa tjetër e diasporës nga Mali i Zi i takon pjesëtarëve të popullit boshnjak, e më së paku atij malazez apo serb, përkatësisht të komunitetit me përkatësi konfesionale ortodokse.  Nuk ka dilemë se  një e dhënë e tillë  dëshmon qartë për statusin e tyre social dhe politik në Mal të Zi, sepse nuk ka mundësi të shpjegohet ndryshe që pjesëtarët e popujve numerikisht më të pakët janë pjesëtarët më të mëdhënj të diasporës, që sipas të gjitha gjasave do të jetë identike edhe në këtë regjistrim. Andaj, të gjithë me kureshtje presin të dhënat të cilat do të publikohen në qershor të këtij viti.

Ndërsa sa i përket numrit real të diasporës shqiptare sipas regjistrimit të fundit  mund të japim vetëm të dhëna aproksimative, por ajo nuk do të jetë  më e vogël se të dhënat e vitit 2003, përkundrazi ajo  është rritur gjithnjë, sepse procesi i emigrimit të popullsisë vazhdon gjithnjë.

(Shkurt 2024)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.