Të dashur miq dhe përkrahës,
Më 18 janar 2023, Parlamenti Evropian lëshoi një deklaratë të re për zgjidhjen e konfliktit Serbi-Kosovë. Ai u miratua nga Komiteti i tyre për Punë të Jashtme dhe u shfaq, si më poshtë, në raportin vjetor të vitit 2022 mbi zbatimin e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP):
Rezoluta “thekson nevojën urgjente që procesi i dialogut Prishtinë-Beograd i udhëhequr nga BE-ja të intensifikohet me objektivin e normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe mbi bazën e njohjes reciproke; denoncon modelin e vazhdueshëm të veprimeve për-shkallëzuese nga Serbia dhe aktorët e sponsorizuar nga Serbia, duke përfshirë bllokadat e paligjshme, sulmet e dhunshme dhe kërcënimin me veprimin ushtarak, me qëllim të detyrimit të lëshimeve dhe minimit të Republikës së Kosovës; rikujton qëndrimin e saj se pavarësia e Republikës së Kosovës është e pakthyeshme dhe e përsërit thirrjen e saj ndaj pesë shteteve anëtare që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë, që të njohin me efekt të menjëhershëm pavarësinë e Kosovës”.
Kjo është e krahasueshme me atë që Komiteti ynë i Punëve të Jashtme i Senatit të SHBA-së pati guximin të thoshte në vitin 2022. Por për ta bërë realitet zgjidhjen e konfliktit Serbi-Kosovë, tani duhet të bëhen miratime të gjera të kësaj deklarate dhe të merren qëndrime— nga qeveria e SHBA dhe nga Bashkimi Evropian.
Komisioni për Punë të Jashtme i Bashkimit Evropian me të drejtë ka denoncuar disa nga veprimet e fundit të qeverisë serbe, të udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, dhe i ka propozuar Parlamentit Evropian një rrugë konstruktive për zgjidhjen e konfliktit Serbi-Kosovë.
Megjithatë, kjo është në kontrast të plotë me deklaratat e bëra nga Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA për Çështjet Evropiane, pas takimit të 20 janarit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti të udhëhequr nga Miroslav Lajçak, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Escobar (homologu i tij amerikan) dhe këshilltarët për politikë të jashtme të Gjermanisë, Francës dhe Italisë.
Në një intervistë për shërbimin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Gabriel Escobar tha se, “Nuk ka afat formal për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, por se “një njeri, një palë nuk mundet t’i shmanget obligimeve të brendshme ligjore” (duke iu referuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti), dhe se nëse Kurti nuk do të bashkëpunojë për marrëveshjet kyçe (duke iu referuar krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe), ndërkombëtarët do t’i zbatonin ato gjithsesi.
Meqenëse nuk është detyra e negociatorëve që të shtyjnë vetëm një palë në një negociatë dhe të zbatojnë rezultatin e negociatës, është dëshpëruese të dëshmosh dikë aq të aftë si Gabriel Escobarin duke e detyruar kryeministrin Kurti që ose t’i bëjë lëshime të mëtejshme Serbisë, ose më së paku, të pranojë Asociacionin e Komunave Serbe – të gjitha para se Kurti dhe Vuçiqi të shkojnë në tryezë për të diskutuar propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Çdo të mirë,
Shirley Cloyes DioGuardi | Joe DioGuardi |
Këshilltare për Cështje të Ballkanit | President |
I nderuar z. Dioguardi,
Ka qenë një impenjim i madh i juaji dhe i gjithë diasporës shqiptare në Amerikë për arritjen e çlirimit të Kosovës dhe më tej shpalljen e shtetit të pavarur. Nuk mund të harrojmë kurrë këtu interesimin direkt të Nanë Terezës tek presidenti amerikan Klinton për ndërhyrjen ushtarake dhe çlirimin e popullit të shtypur të Kosovës.
Që nga ky moment e deri më sot Kosova humbet vazhdimisht terren në arenën ndërkombëtare, duke mos patur njohje të mëtejshme si shtet i pavarur por edhe me gjithë klasën politike nën proces për krime luftë. Serbët, megjithëse humbësit, kanë bërë mrekullira duke kaluar nga persekutues në të persekutuar, ndërsa Kosova është e detyruar të lëshojë terren vazhdimisht.
Nga ana tjetër shoqëria kosovare vazhdon të radikalizohet duke u prezantuar në arenën ndërkombëtare si popull mysliman. A mos vallë nuk është kjo ajo që po e dëmton Kosovën veçanerisht dhe interesat shqiptare përgjithesisht në mynyrë të pa riparushme?
Përshëndetje