PORTUGALIA: LISBONA E PORTO – VENDE QË IA VLENË TË VIZITOHEN

0
Sabile dhe Tefik Basha

BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH…

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha & Prof. Dr. Tefik Basha

Është e habitshme, por ndonjëherë jeta sjell befasi që s’i ke parashikuar kurrë, as në ëndrrat më të largëta. Për shembull, nuk do ta kisha menduar se vitet e fundit do të udhëtoja drejt Lisbonës. Kina, ndoshta. Por Lisbona? Kurrë nuk më kishte shkuar në mendje. Jo që nuk e çmoja këtë vend mik, por gjithmonë më dukej sikur ishte një cep i harruar i botës, një vend i largët dhe i jo i afërt. Por, në të vërtetë, s’ishte asnjëra. Lisbona, kryeqyteti i Portugalisë, aty afër Spanjës, e ngrohtë dhe ftuese çdoherë.

Kohët e fundit, kisha ëndërruar udhëtime drejt lindjes, por ja që Arta, vajza jonë, na erdhi me një propozim të papritur. “Mami, babi, pas dy ditësh po shkoj në Lisbonë, do të mbaj ligjërata në Universitetin e tyre. Do të doja shumë që të vini edhe ju me mua,” na tha ajo me një buzëqeshje. Ajo dukej sikur po lexonte mendjet tona dhe shtoi: “Ja, nuk është larg. Nga këtu shkojmë në Tiranë, pastaj fluturojmë në Nica dhe drejt Lisbonës.”

Qesha. “Epo, nuk qenka larg fare, domethënë do të fluturojmë gjithë ditën,” thashë me një humor të lehtë. Nga Prishtina, Tirana, Nica – e kush e di ku tjetër?

Nga tavolina e punës në bibliotekë, Tefiku foli me qetësi: “Ngadalë, nuk qenka ide e keqe. Në fakt, po më duket një mundësi e mirë për t’u menduar. Ide e bukur, por… dy ditë? Duhet të shkojmë kaq shpejt? A kemi nevojë për vizë?”

“Jo, babi,” tha Arta me entuziazëm. “Vetëm duhet të presim biletat dhe jemi gati.”

Duke menduar mbi propozimin, vendosëm se duhej të shkonim. Jo vetëm për të parë një vend të ri, të panjohur për ne, por edhe për një arsye tjetër – kishte kohë që nuk kishim udhëtuar së bashku me Artën. Ajo ishte gjithmonë e zënë me punët e fakultetit, si dhe në detyrën e saj si prorektore për marrëdhënie ndërkombëtare. Ishte e vështirë të kalonim kohë bashkë. Kjo mundësi na ofronte shansin për t’u çmallur, për të ndarë momente të reja në një vend të huaj, ku aventura na priste me krahë të hapura.

Pas dy ditësh, siç na kishte thënë Arta, morëm ato pak gjëra që lejohej t’i merrnim në aeroplan dhe u nisëm për rrugë. Fluturimi nisej herët nga Tirana, ndaj vendosëm të udhëtonim me veturën e Artës deri në aeroportin e Tiranës. Planin e kishim të qartë: ta linim makinën aty, që kur të ktheheshim, ta kishim gati për t’u rikthyer me të. Por dukej e bezdisshme të udhëtonim natën, ndaj u nisëm më herët, që të mund të flinim në aeroport e të ishim të freskët për udhëtimin.

Nga Prishtina rezervuam një hotel në aeroport, dhe zgjedhjet ishin të shumta. Sapo mbërritëm, ndaluam për një pushim të shkurtër, një sy gjumë i lehtë që na përgatiti për nisjen. Në agim, aeroplani tashmë ishte gati për fluturim. Rreth orës dhjetë të mëngjesit, zbritëm në Nicë dhe, pas një ndalese të shkurtër, u nisëm drejt Lisbonës. Ishim të befasuar nga aeroporti i bukur dhe tepër i organizuar i Lisbonës, ku gjallëria dhe zhurma e njerëzve përplasej me uturimat shurdhuese të avionëve që të shponin veshët. Shpejt, me bagazhet në duar, morëm një taksi dhe u nisëm drejt hotelit të rezervuar.

Lisbona, kjo mrekulli mes qyteteve, u shfaq para nesh me hijeshi – një vend ku qetësia zgjatet si valët e Atlantikut dhe i jep shpirtit prehje të butë. Më vonë lexova se kjo perlë e Atlantikut është një ndër destinacionet më të bukura për ta vizituar në vjeshtë, dhe ja, ne ishim aty, të përqafuar nga koha e duhur, duke shijuar artin natyror të një stine të artë, që përkonte aq bukur me atmosferën e qytetit.

Për të njohur më mirë Lisbonën, Arta na sugjeroi të ndjekim linjën Hop-On, Hop-Off – një udhëtim i thjeshtë, por i plotë, që na mundësoi të preknim thelbin e çdo cepi interesant të qytetit. Autobusi ndalej në pika të veçanta, duke na ofruar mundësinë të zbresim aty ku zemra na tërhiqte, të endeshim mes rrugicave të shtrira në dritën e diellit, dhe të hipnim sërish për të vazhduar zbulimin e kësaj bote magjike. E gjithë udha ishte një simfoni e lehtë, ku Lisbona dukej se këndonte bashkë me erën që përkëdhelte rrugët dhe sheshet e saj.

U thellova pastaj në kërkim për të mësuar më shumë për Portugalinë, një vend që shtrihet butësisht në pjesën jug-perëndimore të Evropës, përballë Oqeanit Atlantik. Kufijtë e saj përqafojnë perëndimin dhe jugun me valët e Atlantikut, ndërsa lindja dhe veriu ndajnë një vijë tokësore me Spanjën. Shteti përfshin gjithashtu ishuj të mbushur me bukuri të rrallë, Açores dhe Madeira, si dy perla të lundrueshme në oqeanin e pafund të Atlantikut.

Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Lifti- Elevador de Santa Justa,(Lisbon), 2022

Kryeqyteti, Lisbona, na priti me krahë të hapur, një vend ku klima ndryshon si fryma e Atlantikut. Veriu freskohet nga reshjet dhe ajri oqeanik, ndërsa jugu, më i ngrohtë, i fal tokës diellin e tij të artë. Portugalia, me një sipërfaqe prej 92,212 kilometrash katrorë dhe një popullsi prej mbi dhjetë milionë, ofron një pasuri natyrore dhe kulturore të pakrahasueshme, një mozaik jete që përfshin male dhe fusha, ishuj të largët dhe qytete plot histori.

Relievi i këtij vendi luhatet si një simfoni natyrore, me malet që ngrihen krenarë përtej veriut të lumit Tagus, ndërsa në jug, toka zbutet si një fllad që prek butësisht sipërfaqet. Në majat e Açores, pika më e lartë e këtij vendi, “Pika e Vjetër”, qëndron në një lartësi prej 2,351 metrash, duke sfiduar qiellin mbi një oqean që rrah paqësisht brigjet. Ishujt e Açores janë të humbur në hapësirën e pafundme, 1500 kilometra larg Evropës, ndërsa Madeira mbledh aromat e Afrikës, duke krijuar një urë imagjinare mes dy kontinenteve.

Portugalia, e mbuluar me një klimë që përqafon bujarisht çdo stinë, është një vend ku natyra dhe njeriu bashkëjetojnë në harmoni të plotë. Bujqësia lulëzon, dhe tokat pjellore prodhojnë verëra që prekin qiellin e famës ndërkombëtare, si Porto dhe Madeira. Në këtë truall të begatë, vaji i ullirit rrjedh si ar i gjelbër, dhe druri i tapës përqafon tokën si një thesar i çmuar, që e bën Portugalinë një nga eksportueset më të mëdha në botë.

Në bregun e Atlantikut, ajo shfaqet si një perlë e ndritshme, ku çdo rreze dielli përkëdhel tokën dhe çdo frymë e detit sjell aromën e aventurës dhe të paqes.

Lisbona, qyteti që u lind mbi kodrat, është kryeqyteti më perëndimor i Evropës, duke u përballur me Oqeanin Atlantik, ku historia dhe natyra bashkë krijojnë një mrekulli të përjetshme. E ndërtuar në shtatë a tetë kodra, Lisbona është një mozaik ngjyrash dhe formash, ku rrugët dredha-dredha me kalldrëm përshkojnë ndërtesa shumëngjyrëshe, dhe tramvajet e verdhë përshkojnë qytetin si relikte të kohës.

Pllakat qeramike blu qëndrojnë si dëshmi e kulturës portugeze, duke dekoruar me elegancë shtëpitë dhe fasadat. Dhe fadoja, muzika që përmban brengën e një populli, kumbon në ajër si një kujtim i ëmbël dhe i hidhur nga shekulli XIX. Kodrat dhe tramvajet që ngjiten lart, ura e kuqe që kapërcen Tagusin, të gjitha këto detaje e kanë bërë Lisbonën të njohur si San Francisko i Evropës, edhe pse ndoshta San Francisko duhet të krahasohet me të, pasi ky qytet amerikan erdhi më vonë.

Turistët, të mahnitur nga kjo skenë magjike, vërshojnë çdo vit në Lisbonë. Më shumë se 4 milionë vizitorë shëtisin rrugët e saj, duke ndjerë që qyteti është një muze i hapur, ku çdo hap sjell një histori të re. Ashtu si një përrallë e lashtë evropiane, Lisbona është një labirint magjepsës i atraksioneve, ku çdo rrugicë dhe çdo kthesë fsheh diçka të jashtëzakonshme, më interesante se e kaluara.

Ishte një ditë e kthjellët, dhe duke qenë aq afër lumit Tagus, nuk mundëm të mos e vizitonim Sheshin Comércio, një prej perlave të Lisbonës, vendin ku dikur qëndronte pallati mbretëror përpara se tërmeti i madh të lëkundte qytetin. Kjo hapësirë e gjerë dhe drejtkëndore ishte si një skenë teatrale, e rrethuar nga ndërtesa të ulëta, të verdha, që shndrisnin në dritën e diellit. Harku i Triumfit qëndronte madhështor, duke na ftuar të hynim në Rrugën Augusta, plot restorante të këndshme dhe dyqane që ruanin kujtimet e qytetit në suvenireve të vogla.

Lisbona, qytet i shumë shesheve, na tërhoqi drejt një tjetri—Sheshi Rossio. Një vend që ka qenë qendër e jetës së qytetit për shekuj me radhë, ku historia dhe ngjarjet më të rëndësishme janë ndërthurur. Sheshi i mbretit Pedro IV, mbretit të parë të Brazilit, ishte zbukuruar me figura që mishëronin drejtësinë, mençurinë, forcën dhe modernitetin. Shatërvanët barokë qëndronin në të dy anët e tij, ndërsa ndërtesa e Teatrit Kombëtar qëndronte krenare, aty ku dikur qëndronte pallati i Inkuizicionit, ndërthurja e së shkuarës dhe së tashmes dukej e gjallë në çdo cep.

Sabile Keçmezi- Basha, Tefik Basha, Arta Basha- Jakupi,
Vjeshta në parqet e Lisbonës, 2022

Udhëtimi ynë vazhdoi me autobusin turistik, që na çoi përmes rrugëve dredha-dredha të Alfamës. Kjo lagje e vjetër, ndoshta më e famshmja dhe më e dashura e Lisbonës, dukej si një labirint i kohës, ku çdo rrugicë ofronte një pamje të re, një emocion të ri. Alfama ishte dikur zemra e qytetit, dhe ende sot ruan shpirtin e tij të vjetër, me rrugët që të shpien midis kështjellës dhe lumit, si një udhëtim nëpër histori.

Në mes të kësaj maze guri dhe kohe, Katedralja e Lisbonës qëndronte si një kështjellë e heshtur. Santa Maria Maior de Lisboa, e ndërtuar mbi rrënojat e një xhamie maure, ishte një dëshmi e fuqisë të së shkuarës. Muret e saj prej guri dhe kullat imponuese ishin si një mburojë, të ndërtuara për t’i bërë ballë kohës dhe, nëse do të duhej, edhe armiqve. Nuk na habiti që ky monument fetar të kishte edhe një qëllim mbrojtës, një simbol i një epoke të trazuar por plot krenari.

Çdo hap në Lisbonë ishte si një kthim pas në kohë, por me ngjyrat dhe energjinë e së tashmes që rrezatonte nga çdo gur, nga çdo shesh dhe nga çdo rrugë e mbushur me histori.

Tramvaji 28—jo thjesht një mjet transporti, por një udhëtim nëpër shpirtin e Lisbonës, ishte një tramvaj i vjetër, me trupin prej druri dhe ngjyrën e verdhë të ndezur, dukej si një replikë e së kaluarës, që me lëvizjet e tij të ngadalta përshkonte rrugët kodrinore të qytetit, duke mbartur me vete kujtime të një kohe tjetër. Rrugët laqe-laqe, ku tramvaji ngjitej e zbriste, na tregonin për historinë e kryeqytetit të lashtë portugez, ku çdo kthesë ofronte një pamje të re dhe të bukur të qytetit.

Kodrat e Lisbonës, të tmerrshme për t’i ngjitur, na u lehtësuan nga këta tramvaje të vegjël, të cilët na ofronin një pamje të rrallë në çdo lartësi. Por asnjë vend nuk mund të rivalizonte lartësinë e Fortesës së São Jorge, ku panorama e qytetit shtrihej përpara nesh si një pëlhurë e pikturuar me dashuri. Nga atje, mund të sodisje çdo detaj, çdo ndërtesë, dhe çdo rrugë të Lisbonës, sikur qyteti të na rrëfente sekretet e tij të fshehta.

Tramvaji i famshëm i Lisbonës, nr. 28

Pak më tutje, hijerëndë dhe e qetë, qëndronte Manastiri i São Vicente de Fora. Ky vend i lashtë adhurimi, i ndërtuar mbi rrënojat e një kishe më të vjetër, ishte shtëpia e fundit e dinastisë së Braganza-s, sundimtarëve të fundit të Portugalisë. Me artin e tij të vyer dhe pllakat blu dhe të bardha që tregonin historinë e kombit, ai na ofronte një udhëtim nëpër kohë, një reflektim mbi të kaluarën e lavdishme të vendit dhe sundimtarëve që e drejtuan atë.

Në afërsi, Panteoni Kombëtar qëndronte i heshtur dhe madhështor. Kjo ish-kishe e shekullit të 17-të, e kthyer në kriptë, ishte vendi ku preheshin shpirtrat e mëdhenj të kombit—presidentë, shkrimtarë, artistë e futbollistë, madje dhe këngëtari legjendar i Fado-s. Dhe megjithatë, midis varreve, qëndronte edhe një varr bosh, i Vasko da Gamës, një emër që tingëllon si një jehonë e epokës së zbulimeve, varrosur në një tjetër vend të shenjtë, në Manastirin Jerónimos, si për të nderuar udhëtimin e tij të madh drejt të panjohurës.

Në martesën e të shkuarës me të tashmen, të martave dhe të shtunave, hapet tregu i plaçkave midis Panteonit dhe Manastirit, dhe ndërsa ecën mes stendave të improvizuara, mund të gjesh gjithçka, nga suveniret e vogla e deri tek mobilet e vjetra që bartin në vete kujtime e histori të kohërave të kaluara.

Sabile Keçmezi-Basha, Tefik Basha, Arta Basha- Jakupi,
Rruga kryesore e Lisbonës, Augusta- Baisha, 2022

Dhe sikur Parisi pa Kullën e Ajfelit, as Lisbona nuk do të ishte e plotë pa vizitën në zonën e Belemit. Emri i tij, i marrë nga Bethlehem, përçon një ndjesi të shenjtë dhe njëherësh madhështore. Kjo zonë monumentale, e pasur me ndërtesa të lavdishme, ishte një testament i fuqisë së Portugalisë gjatë Epokës së Zbulimeve, kur ky vend i vogël u bë portë drejt botës së re, duke lënë gjurmë në historinë globale që nuk do të harrohen kurrë.

Lisbonën e jetuam si një udhëtim nëpër kohë, ku çdo tramvaj, çdo rrugë, çdo monument, ishte një thirrje e së shkuarës për të na kujtuar lavdinë e saj të humbur, por gjithmonë të pranishme në frymën e qytetit.

Kulla e famshme e Belemit qëndron në bregdetin e Lisbonës si një dëshmitare e qetë e udhëtimeve të guximshme, duke na rikujtuar epokat e largëta kur marinarët portugezë lundronin nëpër dete të panjohura. Nga mesi i shekullit të 15-të deri në mesin e shekullit të 17-të, anijet niseshin nga ky vend i shenjtë në kërkim të rrugëve të reja tregtare. Këtu, në portën e Belemit, u nis edhe Vasco da Gama në udhëtimin e tij të famshëm përreth Afrikës, duke hapur rrugën detare drejt Indisë, një arritje që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë.

Por historia e Belemit nuk ndalet vetëm tek udhëtimet e Vasco da Gamës. Monumenti i Zbulimeve, një tjetër thesari i këtij vendi, ngrihet madhështor për të përkujtuar arritjet detare të Portugalisë, veçanërisht Epokën e Zbulimeve. Si një dëshmi e krenarisë kombëtare, ky monument përfshin 33 figura ikonike—eksplorues të guximshëm, hartografë të ditur, shkencëtarë, misionarë, artistë dhe mbretër—të gjithë të skalitur në kujtim të aventurave që hapën horizontet e botës. E ndërtuar në vitin 1960, në përvjetorin e 500-të të vdekjes së Henrico Navigatorit, ky monument është një testament për rolin e jashtëzakonshëm që Portugalia luajti në epokën e eksplorimit.

Në sheshin përballë monumentit, syri kap një busull të madhe të pikturuar në tokë, me një hartë botërore në qendër që tregon rrugët e ndjekura nga lundruesit portugezë në të gjitha skajet e botës. Nga maja e monumentit, panorama shpaloset para syve të vizitorëve—busulla e pikturuar shtrihet si një simbol i udhëtimeve të largëta, ndërsa përballë qëndron ura e kuqe që lidh anët e lumit, duke përshkuar këtë peizazh të mbushur me histori.

Kjo rrugë kalon pranë farit të vetmuar, i cili drejtonte dikur anijet e guximshme, duke të çuar drejt marinës së vogël e më tej në Kullën e famshme të Belemit. E ndërtuar në shekullin e 16-të, kjo kullë katërkatëshe ishte dikur mbrojtësja e Lisbonës, një bastion i fuqishëm që ruante hyrjen e qytetit. Për shumë vite, ajo ishte ndërtesa e parë dhe e fundit që marinarët shihnin kur niseshin apo ktheheshin nga udhëtimet e tyre të largëta, një simbol i fuqisë dhe i shpresës. Kulla e Belemit, që dikur shërbente si burg dhe më vonë si far, është sot simboli më i njohur i qytetit, qëndron si një kujtim i përhershëm i lavdisë së kaluar të Portugalisë.

Lisbonën e ndjejmë në çdo gur të saj, në çdo dallgë që godet bregun e Belemit, ku historia dhe legjenda ndërthuren në një vallëzim të përjetshëm, duke na kujtuar se këtu nisën aventurat më të mëdha të njerëzimit.

Edhe pse legjendat e udhërrëfyesve shpesh tregojnë se Kulla e Belemit dikur qëndronte në mes të lumit Tagus, e vërteta është pak më ndryshe. Kjo strukturë e ndërtuar mbi një ishull të vogël në lum, në shekullin e 18-të, iu nënshtrua forcave të natyrës kur një tërmet ndryshoi rrjedhën e lumit, duke e çuar kullën më afër bregut. Ajo mbetet një dëshmi e fuqisë së kalimit të kohës, një ishull tani në tokë, i mbuluar nga legjenda dhe histori.

Por për të parë zemrën e vërtetë të Lisbonës, duhet të vizitosh Pallatin Presidencial, një ish-pallat mbretëror që qëndron si simbol i ndryshimit të epokave. Që nga viti 1910, ky pallat ka qenë rezidenca zyrtare e presidentëve portugezë. Për fat të keq, për ne që vizituam, dyert e këtij pallati magjepsës hapen vetëm të shtunave, dhe vetëm për ata me fat të madh që nuk humbin orë të tëra në radhët e gjata të turistëve të etur për të parë brenda mureve të tij.

Në Lisbonë, çdo shesh mban në vete një histori të veçantë, dhe Sheshi Figueira, pranë Sheshit Rossio, qëndron mes ndërtesave klasike të shekullit të 18-të, një kujtim i epokave të lavdishme që kanë kaluar. Statuja e mbretit Joao I, hipur në kalin e tij të bronztë, qëndron tani në një cep të sheshit, duke përshëndetur kalimtarët me madhështinë e tij historike.

E më tej, në Sheshin Restauradores, aty ku fillon rruga drejt kodrave të Lisbonës, mund të ngjitesh me teleferikun Gloria, një udhëtim që të çon në majë, drejt zemrës së qytetit të vjetër. Nga ky shesh nis dhe bulevardi i famshëm Liberdade Avenue, rruga ku luksi dhe historia ndërthuren në harmoni. Dyqanet më të shtrenjta të vendit qëndrojnë përkrah ambasadave, dhe kjo rrugë përfundon tek Sheshi i markezit Pombal, ku një skulpturë e tij ngrihet në përkujtim të epokës së rilindjes së qytetit.

Duke shëtitur nëpër qendër të qytetit, në një rrugicë të ngushtë, u befasuam nga një turmë njerëzish të mbledhur që prisnin me padurim. U afruam të shohim dhe pamë se kishim arritur në Santa Justa Lift, ashensori që lidh Baixa-n me lagjet më të larta, Chiado dhe Bairro Alto. Megjithëse mjeti më i shpejtë për t’u ngjitur, radha e gjatë e turistëve të bëri ta përjetonim pritjen si një ritual të bukur në vetvete. Nga maja e këtij ashensori, pamja e qytetit ishte e pakrahasueshme, me Manastirin Karmo, lumin Tagus dhe monumentet përreth që zgjateshin para syve tanë si në një tabllo magjike.

Një tjetër thesar i fshehur i qytetit është libraria Bertrand, më e vjetra në botë, e hapur që nga viti 1732. Në këtë librari, e njohur dhe nga Libri i Rekordeve Guinness, bota e fjalës së shkruar ka jetuar ndër shekuj. Historia thotë se Pedro Faure e hapi për herë të parë këtë librari, e cila shpejt u bë një vendtakim për shkrimtarët më të mëdhenj portugezë. Pas vdekjes së tij, libraria kaloi në duart e vëllezërve Bertrand, të cilët e trashëguan atë përmes martesës, duke e kthyer librarinë në një vend ku kultura dhe historia qëndrojnë të gjalla, duke frymuar në faqet e librave dhe në kujtimet e qytetit.Lisbonë, një qytet i ngritur mes historisë dhe hijeshisë, është një rrëfim i gjallë që endet në çdo rrugicë dhe monument, duke ftuar çdo vizitor të zbulojë misteret e tij të panumërta.

Megjithëse çdo cep i Lisbonës ishte i ruajtur me përkujdesje dhe mbante mbi vete hijeshinë e një madhështie të kaluar, ajo që më preku më shumë ishin vetë portugezët. Ata, të butë dhe fisnikë, të kulturuar në çdo sjellje, ofronin një mikpritje që nuk të ngushtonte, por të bënte të ndiheshe i lirë. Të afërt, por pa u imponuar, ata dinin të respektonin hapësirën e tjetrit, duke krijuar një atmosferë që të ftonte pa presion.

Pas dy ditësh shëtitje në këtë qytet të magjepsur, udhëtimi ynë na solli përballë një tjetër destinacion – Covilha. Arta kishte për të mbajtur ligjërata, dhe kështu nisëm rrugëtimin drejt këtij qytetit magjepsës këtë herë duke udhëtuar me tren. Ishte një përvojë që më ngjalli kujtime të vjetra. Kishte kohë që nuk kisha hipur në tren, dhe ky udhëtim më dha një ndjesi të veçantë. Kupeja ishte komode, e pastër, dhe kishte pak udhëtarë. Ndërsa përshkonim binaret, pamja që na shoqëronte përreth ishte e qetë, e mbushur me kodra të buta dhe rrugica që lidheshin përmes shkallëve të panumërta. Shtëpitë e vogla, të bukura dhe të ngrohta, jepnin ndjesinë se ky qytet ishte një parajsë e fshehur.

Hoteli ynë ishte zemra e qytetit, ndërsa ndërtesa e fakultetit ku Arta do të ligjëronte, një strukturë madhështore që qëndronte si një kështjellë mbi horizont. Pas tri ditësh, u nisëm përsëri, por këtë herë jo drejt Lisbonës, por drejt Portosë, qytetit të dytë më të madh të Portugalisë, një qytet që ruante historinë e tij si një thesar të gjallë.

Udhëtimi për në Porto, me autobus, ishte një tjetër aventurë e paharrueshme. Autobusi përshkonte rrugë të reja, që kalonin përmes shkëmbinjve të lartë, dhe çdo kthesë na ofronte një pamje të re, të freskët. Komunikacioni ishte i rrallë dhe vozitësit dukeshin tepër të kujdesshëm. Ishte e habitshme që në asnjë qytet të Portugalisë nuk dëgjonim as edhe një bori. Porto na mirëpriti me dritat e tij të ndezura, me një gjallëri që ndihej në çdo cep.

Porto, me arkitekturën e saj të lashtë dhe rrugët që ndjeheshin të ngjeshura me histori, ishte një qytet që dukej sikur ruante sekretet e shekujve. Emri i tij, që rrjedh nga qyteti i lashtë romak Portus Cale, ishte simbol i një porte që ka pritur dhe përcjellë udhëtarë dhe eksplorues ndër shekuj. Qyteti kishte një hijeshi të papërshkrueshme. Ndërtesat e tij, të mbajtura me kujdes, ruanin pamjen e dekadave të kaluara, duke i dhënë qytetit një ndjesi kohore që të fuste në udhëtim nëpër epoka të ndryshme. Dhe në disa pjesë të tij, mund të ndeshje me fasada të mbajtura mbi një shekull, që të jepnin ndjesinë sikur një anije përgatitej të nisej nga ai port për të zbuluar botë të reja.

Tefik Basha & Sabile Keçmezi-Basha, Porto,
derdhja e lumit Douro në Oqeanin Atlantik, 2022

Porto ishte një qytet ku koha dhe hapësira ndërthuren, dhe ne, të pranuar me ngrohtësi, ndjemë se ishim pjesë e këtij rrëfimi të bukur.

Porto, një qytet që mban në vete një ftohtësi të hijshme në krahasim me Lisbonën, qëndron më në veri dhe ishte më i prekshëm nga frymët e Atlantikut të egër. Ky qytet, që ngrihet mbi brigjet e lumit Douro, të ofron një mori atraksionesh, secili më i veçantë se tjetri. Nga vizitat në muze dhe librari të lashta, tek shëtitjet e qeta në rrugët e mbushura me historinë e gurëve të vjetër, plazhet ku dielli ledhaton trupin e deri te kafet e stilit të vjetër në bregun e lumit – çdo gjë në Porto të sjell një kënaqësi që mbetet gjatë në kujtesë.

Ditën e parë që prekem këto brigje, u nisëm në një shëtitje me anije përgjatë lumit Douro, që na çoi drejt krahëve të Atlantikut. Ura të panumërta shtriheshin mbi lumin, secila me historinë dhe stilin e saj të veçantë. Duke kaluar nën to, ndjeva një magji që përshkonte ajrin – uji, toka, urat, njerëzit, të gjitha bashkoheshin në një harmoni të heshtur, si të ishe në një ëndërr. Për herë të parë në jetën time, pamja përreth më la pa fjalë. Avujt e ujit dhe mjegulla që ngjitej mbi sipërfaqe, ndërthurur me rrezet e diellit që depërtonin përmes tyre, krijonin një peizazh që dukej sikur kishte dalë nga një përrallë e lashtë. Ishte një ekstazë, një përjetim që të afronte me një bukuri qiellore.

Një nga momentet më të paharrueshme ishte shëtitja mbi urën Dom Luís I, një nga simbolet më të fuqishme të Portos. E projektuar nga një student i Gustave Eiffel, ura përfaqësonte një mrekulli të arkitekturës industriale të shekullit të 19-të. E ndarë në dy nivele, ajo u ofronte këmbësorëve dhe tramvajeve një perspektivë të papërsëritshme nga lart, ndërsa poshtë qarkullonin makinat. Nga niveli i sipërm, pamja e qytetit dhe e lumit ishte aq e thellë, sa dukej sikur Porto të përqafohej nga qielli dhe toka njëkohësisht. Por ishte natën kur ajo ndriçohej nga miliona drita që e bënte qytetin të shkëlqente në një dritë të argjendtë magjike. Thonë se kjo urë është akoma më mahnitëse gjatë perëndimit të diellit, kur qyteti laget në ngjyrat e arta të dritës, duke krijuar një atmosferë magjike që të fut në një gjendje meditative.

Pikërisht mbi lartësitë, nga Mosteiro da Serra do Pilar, pamja më e bukur e lumit Douro dhe urës Dom Luís I shpalosej si një kartolinë e gjallë.

Ne që jemi të dhënë pas librave, si zogjtë që fluturojnë drejt foleve të tyre të preferuara, u ndjemë të magjepsur kur lexuam për një thesar të fshehur në Porto: Librarinë Lello, një ndër më të bukurat në botë dhe ndoshta më të vjetrat në Portugali. Për të hyrë aty duhej guxim dhe durim; radhët zgjateshin përpara dyerve të saj, sikur vetë koha të qëndronte pezull. Ne u zgjuam herët, dhe përpjekja na u shpërblye. Kur hymë brenda, ndaluam frymën, sikur e gjithë bukuria e botës së librave të na kishte mbështjellë. Ishte një vend që e meritonte vendin në top tre libraritë më të bukura, siç e kishte përmendur Guardian.

Duke u lëvizur ngadalë përmes turmës, admiruam çdo detaj – nga shkallët spirale që ngjiteshin lart, deri te dritarja e madhe me njolla të bukura që ndriçonte tavanin, duke na treguar një lojë dritash e simbolesh që mbartnin monogramet e pronarëve. Ishte një tempull për dashamirët e librit, një oazë ku çdo hap të çonte më thellë në magjinë e letrave dhe historive të fshehura në rafte.

Pasi mbaruam udhëtimin tonë nëpër rrugët e librave, rrugët tona na çuan drejt stacionit të trenit, ku befasia na priti edhe një herë. Në vend që të gjenim një stacion të zakonshëm, para nesh u shfaq një mrekulli arkitekturore, më shumë një muze sesa një stacion. Stacioni i trenit të Portos ishte mbuluar nga rreth 20,000 pllaka azulejo, që përshkruanin histori të vjetra të vendit, nga fitoret e betejave deri te momentet e përditshme të jetës. Çdo cep ishte një dëshmi e kohës dhe e kujtimeve të një kombi. Vizitorë që nuk kishin udhëtime për të bërë vinin vetëm për të parë këtë mrekulli dhe për të kapur me kamera ato që sytë e tyre nuk donin t’i humbisnin kurrë.

Pas dy ditësh në Porto, Arta, me shpirtin e saj avanturesk, sugjeroi që të kalonim një natë në Lisbonë përpara se të fluturonim drejt Nicës, dhe më pas drejt Tiranës e Prishtinës. Morëm trenin e shpejtë nga Porto për në Lisbonë, dhe për një orë e një çerek arritëm në kryeqytet. Atë mbrëmje e kaluam duke shëtitur pranë Oqeanit Atlantik. Edhe pse nata kishte sjellë freskinë e saj, oqeani ruante romantikën e përhershme – fryma e tij dukej si një përqafim i lehtë mbi tokën.

Në Lisbonë qëndruam në një hotel afër aeroportit dhe stacionit të trenit, por edhe pranë një qendre tregtare. Tefiku, gjithmonë me humorin e tij të mirë, qeshi duke thënë se nuk kishte shpëtim nga qendrat tregtare.

Të nesërmen fluturuam herët për në Nicë, ku arritëm herët në mëngjes. Duke përfituar nga koha, vendosëm të drekonim buzë plazhit të Nicës, në një restorant të frekuentuar nga shumë njerëz. Ishte një vend aq popullor sa mezi gjetëm një tavolinë për të shijuar drekën tonë, me detin blu përballë dhe rrezet e diellit që ndriçonin të gjithë horizontin, sikur të na ftonin për një udhëtim tjetër, në një botë tjetër të re.

Derisa ishim në Nicë, i propozova Tefikut dhe Artës që të kalonim  sërish në rrugën e njohur, atë që kishim kaluar vite më parë, për të parë nëse ende qëndronin tri shkronjat magjike, UÇK, të gdhendura në asfaltin e rrugës. Ato shkronja përfaqësonin më shumë se një simbol – ato ishin një kujtim, një thirrje krenarie dhe guximi, të skalitura nga fryma e lirisë. Kur i pamë sërish, mbetëm të magjepsur. Sikur koha kishte kaluar pa prekur asgjë; as dielli, as ftohti nuk kishin arritur t’i zbehnin ato germa. Qëndronin atje krenare, të paprekura, si në ditën e parë kur i kishim parë. Këto tri shkronja flisnin për rezistencën, për vuajtjet, dhe për dashurinë e një populli që nuk harroi kurrë luftën për liri.

Në aeroportin e Tiranës arritëm vonë, të lodhur, por me një ndjenjë të ngrohtë që na priste. Hoteli ku kishim fjetur në udhëtimin e parë para shtatë dite na mirëpriti sërish me ngrohtësinë e tij. Recepsionisti, që na kishte njohur menjëherë, na priti me një buzëqeshje dhe na ofroi dhomën më të bukur. Ishte si një kthim në një vend të sigurt, ku gjithçka ishte familjare dhe e rehatshme.

Dita e re na zgjoi në rrugën drejt Prishtinës, dhe unë, në heshtjen e udhëtimit, e zura veten duke menduar se megjithatë, sado që shkojmë larg, sado bukuri të shohim e përjetojmë, Kosova dhe Prishtina mbeten vendet më të dashura për zemrën time. Ato janë si një melodi që gjithmonë më ndjek, si një fllad i butë që më përqafon kudo që të jem. Prishtina me rrugët e saj, me jetën e saj të gjallë, është gjithmonë aty, duke më thirrur me një zë të heshtur, por të pandryshueshëm.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.