Shkruan: Florim Zeqa, 26.08.2024
Klasa e kusarëve politik, e njerëzve me ego të pashuar për pushtet dhe privilegje e dëmtuan të ardhmen e shumë gjeneratave, ua thyen të gjitha shpresat për jetë në vendin e lindjes, sa të tjerëve mërgimtarë ua pamundësuan realizimin e endërrave për kthim në atdhe.
Katër vite mashtrim, katër vite vendnumërim
Një pjesë e klasës së kusarëve të papërgjegjshëm dhe e pandërgjegjshëm politikë, si duket e kanë keq-kuptuar prezencën e madhe ndërkombëtare në vendin tonë, duke menduar se ne jemi qendra e universit dhe se krejt bota sillet rreth nesh!
Respektimi i miqve dhe aleatve që na ndihmuan në çlirimin dhe pavarësimin e vendit është detyrim për ne. Respektimi i atyre që na ndihmuan të kthehemi në atdheun e çliruar atëherë kur na kanosej zhdukja fizike nga vrasjet dhe përndjekja gjatë luftës së fundit çlirimtare, është nder dhe jo servilizëm për ne.
Servilizëm është vënja me ose pa vetëdije në shërbim të interesave të të tjerëve pa i sjellur asnjë të mirë vendit dhe shtetit që përfaqëson. Servilizëm është kur në vend të koordinimit me aleatët për zgjidhjen e problemeve të hapura me fqinjin verior, e ndihmon këtë të fundit me prishje të raporteve me aleatët dhe sponsorët e shtetit të arritur me mund të madh dhe sakrifica të panumërta.
Kur drejtuesit politikë dhe ushtarakë i respektuan aleatët tanë, para dhe gjatë luftës, pas çlirimit dhe paspavarësisë, ne e fituam luftën dhe ndërtuam institucionet e shtetit.
Kurse sot, 25 vjet pas çlirimit të vendit, si pasojë e mosrespektimit të miqve dhe aleatëve strategjik të Kosovës po e rrezikojmë jo vetëm veriun e vendit, por edhe ekzistencën e shtetit!
Nuk janë fjalët që flasin, janë rezultatet që i dhënë epilog këtij konstatimi; “Për katër vite qeverisje asnjë njohje ndërkombëtare për vendin tonë. Kurse dështimi i anëtarësimit në Këshill të Evropës paraqet kulmin e dështimit të diplomacisë kosovare”!
Nuk po ndalem në dështimet në rrafshin e politikës së brendshme, pasi ato janë të panumërta!
“Sukseset” në veri më shumë janë spektakulare sesa reale dhe substanciale. Pasi, shtrirja e sovranitetit në veri nënkupton integrimin e plot dhe jo parcial të serbëve të veriut. Nuk mund të bëhet fjalë për shtrirje të sovranitetit në veri pa inkasimin e faturave të rrymës dhe ujit nga serbët lokal. Sikurse që nuk mund të bëhet fjalë për shtrirje të sovranitetit në veri pa kthimin e shqiptarëve në banesat, shtëpitë dhe pronat e tyre.
Kur dështojnë spektaklet, marrin fund hipokrizitë e pushtetarëve
Ishte përgatitur gjithçka nga ana e psuhtetarëve për hapjen spektakulare të Urës mbi lumin Ibër, e cila, megjithatë mbeti legjendë sikurse “Nusja e murosur”, në pritje të ‘fasadës së dytë’ apo të ylberit mbi urë!
Mbetet enigmë e madhe, se cili pushtet dhe cili kryeministër do ta ketë fatin ta presë shiritin e rihapjes së Urës kryesore në Mitrovicë!?
Deria atëherë Kosovën e presin punë të mëdha në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, pa të cilat, jo vetëm që nuk do të ketë përmbyllje të shtetësisë sonë, nuk do të kemi njohje të reja dhe as anëtarësim në KIE, BE dhe OKB.
Deria atëherë duhet të jemi bashkëpunues me BE-në dhe SHBA-në, falenderues dhe mirënojës për ndihmën e pakursyer të tyre në çlirimin dhe pavarësimin e vendit, pa harruar as ndihmat e mëdha ekonomike dhe financiare në rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.
Pa dhënjen e dëshmive se Kosova është kthyer në rrugë të mbarë të kooperimit me aleatët e saj, heqja e sanksioneve mbetet vetëm një iluzion për kusarët politik që i rënduan jetën qytetarit të ndershëm të këtij vendi.