Mimoza Hafizi
Jam e lumtur që romani im i dytë shkencor ia doli t’i shpëtojë grackës së angazhimeve të tjera. Mban titullin “INFINITI BLU”.
Ai do mundë të japë përgjigje sa herë t’ju ngacmojë ndonjëra nga pyetjet rreth pafundësisë e përjetësisë.
A është e pafundme Bota? Apo veç një strukturë gjigante, që soset diku. E si mbaron? Sa larg kemi mundur ta shohim me instrumentet tona?
A ka patur dikur një fillim? A do të ketë dikur një fund? Apo Bota ka qenë e do të jetë e përjetshme.
Sa imët mund ta copëtojmë lëndën? Po hapësirën? Pafundësisht? Apo ka një stad ku copëzimi ndalet. Sa thellë ka depërtuar imagjinata dhe dija shkencore?
A MUNDET MENDJA JONË TA KUPTOJË INFINITIN?
Apo jemi veç sqimatarë të pandreqshëm. Dhe mëkatarë mëndjelehtë.
Personazhet e “INFINITIT BLU”, disa gra e burra, vajza e djem, bija e bij inteligjentë të planetit tonë të brishtë, nuk do të mungojnë t’ju marrin pas vetes në kërkimin kurajoz të PAFUNDËSISË.
U prin e vërteta shkencore.
I shtyn dashuria e thellë njerëzore.
I tundon ethja e pavdekësisë.