Hamzë Morina
(Duke lexuar librin – Adem Geca “Shkolla shqipe në Komunën e Istogut 1990-1995…)
Vitet e 90 ta janë vitet kur shqiptarët vranë frikën. E frikën e vrasin vetëm njerëzit që dijnë dhe guxojnë. Ky libër i kushtohet mu kësaj kohe dhe njerëzve të saj të cilët kishin vendosur që Shkollën shqipe ta mbrojnë me çdo kusht, nëse është nevoja edhe me jetë. Këte ata e bënë duke mos lejuar në asnjë mënyrë që tu rrezikohet jeta e fëmijëve të tyre, dija dhe prosperiteti, gjuha dhe kultura, duke ruajtur kështu edhe pragun e shtëpisë.
Adem Gecajn ka kohë që se kisha takuar. Gjatë studimeve (në vitet e 70 ta) ishim bashkë kolegë në katedrën për Letërsi dhe gjuhë shqipe të Universitetit të Prishtinës, drejtim të cilin e kishim zgjedhur me vullnet, aty ku na lidhi fortë ideali për dijen dhe atdhetarinë që nuk u shua kurrë.
Ishim gjeneratat e para dhe kishim hetuar që jemi shumë të vonuar si popull në shkollim, në krahasim me të tjerët, pa fajin tonë. Për këtë e filluam punën me vullnet të shtuar dhe pas studimeve nisëm përhapjen e dijes anë e mbanë Kosovës, secili afër vendlindjes së tij. Duhej zënë hapin dhe ritmin e botës së civilizuar e për këtë na prisnin sakrifica të mëdha.
Kishim kuptuar se gjendja e shqiptarëve në këtë RSFJ duhej ndryshuar dhe këtë s kishte fuqi që ta ndalonte që ta bënim, prandaj rinia studentore në vitet e 70 – 80 ta mblodhi energjitë për ta sendërtuar këtë ideal. U përpoqën të na pengojnë, por ishte e pamundur ta bënin, të na dilnin përpara në këtë rrugëtim dhe të na detyronin të hiqnim dorë.
Në këto vite burgjet e ish Jugosllavisë po mbusheshin me studentë, të rinj e intelektualë shqiptarë që kërkonin këtë ndryshim dhe statusin e tyre të barabartë në këtë shtet – Republikën e Kosovës. Kjo gjendje duhej ndryshuar dhe këtë duhej ta bënin me çdo kusht.
Këtë më mirë se të tjerët e hetoi edhe Serbia hegjemone dhe në fundvitet e 80 ta Milosheviqi mori aktin më barbar duke anuluar Kushtetutën e Kosovës. Pas vizitës, me rastin e Vidovdanit në Fushë Kosovë, u bë e çartë se RSFJ po vdiste, për tu varrosur përfundimisht me Luftën e Kosovës në fundshekullin e XX të, nga ku do të agojë Liria e pritur kaherë nga shqiptarët që ishin lodhur e masakruar në robërinë e gjatë shekullore.
Miku im, Adem Geca që u gjet në krye të arsimit shqip ato vite në Istog, pos qëndresës stoike për ta mbrojtur shkollën shqipe si kudo në Kosovë, kësaj radhe kishte marrë mundin që të gjitha ato peripeti dhe qëndresën për shkollën ti vë në librin e tij ” Shkolla shqipe në Komunën e Istogut…”, të cilin kësaj radhe ma dhuroi derisa unë po qëndroja për kurë në Banjën e Istogut, për tu lënë amanet brezave të ardhshëm këtë kronikë të lavdishme të kësaj qëndrese heroike dhe të lavdishme për shkollë e dije. Qëndresë që duhej të regjistrohet në mbamendjen e gjeneratave që po vijnë. Kështu Serbia me akte ligjore kërkoj që ta mbyllë shkollën shqipe, për ta mbyllur kështu edhe njëherë në histori çështjen e hapur të shqiptarëve në Kosovë dhe viseve tjera në Jugosllavi. Cështje për të cilën kishte menduar se e kishte mbyllur kaherë me gjakosjet e vazhdueshme.
Po falë intelektit, guximit dhe këmbëngultësisë së gjeneratave që kishin marrë dijet në Universitet dhe falë krenarisë kombëtare si traditë e bartur me shekuj nga atdhetarët shqiptarë, kësaj radhe shqiptarët e Kosovës kishin vendosur ta mbrojnë me çdo kusht kauzën e drejtë për liri dhe të drejta të barabarta për gjuhë, kulturë e identitet, ku Shkolla ishte primare. Kauzën për shkollë të pavarur, për gjuhë e dije si fat i tyre i përbashkët kishin vendosur ta marrin në duart e veta me moton “dy duar për një kokë janë” dhe për ta mbrojtur me çdo kusht.
Siç e përshkruan Ademi në libër edhe në Istogun e tij shqiptarët kishin vrarë frikën dhe kishin filluar seriozisht të mendonin për të mos lëshuar pe në këtë drejtim. Ata kishin marrë të gjitha veprimet e duhura për ta organizuar vet shkollën shqipe dhe kishin vendosur që, pavarësisht se si do të sillet Serbia me institucionet e saj pushtuese, shkollë do të jetë çdo shtëpi e shqiptarëve, të cilët u treguan shumë solidarë dhe lanë në përdorim gjithçka që kishin duke dhënë edhe kafshatën e fundit që shkolla shqipe edhe në këto treva të funksionojë pa pengesa.
Këtë vendosmëri e kisha vërejtur kur isha ballafaqur edhe vetë me këtë organizim dhe më kujtohen lëvizjet e guximshme edhe në Pejë, Istog e Deçan ku më kishte sjellur puna shpesh për të tërhequr dokumentacionin shkollor për komunën time Rahovecin.
Dokumentacion të cilin organet policore serbe e kërkonin përditë për ta ndalur e konfiskuar po që shanset ishin të vogla, pasi djemtë si Agim Berdynaj, Nimon Mulliçi e Adem Geca bashkë me krejt mësimdhënësit e kësaj ane dhe tërë popullatën shqiptare ishin të mobilizuar. Ruaj kujtimet kur në marrveshtje me Agim Berdynajn kisha tërheqë librezat shkollore nga shtëpia e Adem Gecës e Amzat e ditarët te shtëpia e Nimon Mulliqit, për ndihmën e tyre bujare dhe sigurinë që më krijuan në terenin që kontrollonin ata derisa vendosja lidhjet me terenin tim në Gjakovë, Rahovec e Malishevë që mbuloja vet.
Të gjitha këto organizime në librin e tij Adem Geca i jep në përpikmëri duke mos harruar as detajet më të vogla dhe duke kujtuar të gjithë ata që janë e ata që kanë ikur në atë botë dhe kontributin e tyre në këtë drejtim, sidomos ata që ishin në ballë dhe bartnin pasojat e shumta të kësaj pune me rreziqe evidente. Ky libër të cilin mezi prita ta shfletoj më riktheu në vitet e para luftës, për të përjetuar edhe një herë atë gjendje të arsimit shqip të viteve të 90 ta që si përshkrim s mund ta bënte askush më mirë se ata që e kanë përjetuar drejtëpërdrejtë këtë kohë në lëkurën e tyre të përditshmërisë dhe s mund ta kuptonte më mirë se gjenerata ime që me aq vullnet, guxim e dije ju qas këtij misioni që shpesh dukej i pamundshëm në atë kohë.
I tillë ishte miku im Adem Geca i cili kishte qenë pjesë e mishëruar e këtij aktiviteti dhe misioni sa atdhetar aq edhe human, i mbushur me rreziqe të pa pritshme dhe të trishta por tejet krenare. Po mbrohej arsimi shqip, koka e një kombi, atje ku Millosheviqi dhe bandat e tij të policisë kishin filluar goditjet e para dhe donin ta ç`bënin sepse ky u prishte më së shumti punë për gjunjëzimin e Kosovës. Kësaj goditje i dolën përpara një popull i tërë duke mundësuar ruajtjen e sistemit të tërsishëm arsimor me qindra mijëra nxënës, arsimtarë e prindër që u vunë në ballë për ta përballuar më lehtë dhunën dhe diskriminimin nga një pushtet policor që kishte okupuar çdo pore shqiptare me barbarizmin e tij në Kosovë.
Ademi në këtë libër ndalet kryesisht në pikat më neuralgjike të kësaj qëndrese që nga refuzimi publik i Ligjeve dhe programeve të reja serbe, pas ndërrimit të Kushtetutes së Kosovës nga Kuvendi i Serbisë me 1989. Me themelimin e LASH “N. Frashëri” në Kosovë dhe Qeverisë në Eksil të cilët krijuan mundësinë e funksionimit të një sistemi të pavarur arsimor që s do t i shtrohej kurrë më institucioneve serbe dhe vendosmëria e shqiptarëve të të gjitha instancave që të organizojnë dhe vetmbrojnë shkollën shqipe me të gjitha mjetet.
Kjo vendosmëri e mësimdhënësve dhe prindërve egërsoi edhe më tepër aparatin policor të dhunës që u përpoq ta pengojë në çdo mënyrë. Po, shqiptarët krijuan një zingjir të fortë organizativ dhe mposhten këtë dhunë e cila s posedonte kapacitete për të përballuar një qëndresë të tillë organizative për të drejtën e shqiptarëve për ta mësuar dhe kultivuar gjuhën e tyre, të pa parë ndonjëherë në civilizimet evropiane.
Ai në librin e tij voluminoz rrëfen se asnjë kauzë tjetër nuk ka qenë më egërsisht e sulmuar nga pushteti serb, por falë së drejtës sonë për gjuhë e shkrim dhe qëndresës stoike, falë edhe mirëkuptimit të botës së civilizuar që këtë drejtë e rendit në të drejtat më elementare njerëzore, puna në këtë drejtim ka dhënë suksese të lakmueshme në ato vite.
Rrëfimi për nismëtarët e mbrojtjes së shkollës shqipe është i drejtpërdrejtë dhe Ademi i njef meritat si të LASH “N. Frashëri” me R. Osmanin në qendër e të Agim Berdynajt në rajon, nuk len pa përmendur sakrificën e nismëtarëve të shumtë në Istog si A. Rugovën, H. Jasharin, M. Elshanin, Besa Blakajn, Xh. Haxhiun, A. Z. Arifaj, S. R Maxharrin, F. Shatrin, Xh Camaj, J. Gegaj e S Blakaj të cilët bashkë me Prof Ademin bartën barrën kryesore në këtë nismë dhe të cilët bashkarisht me prindër e nxënës përballuan sfidat ndaj këtij diskriminimi të shkollës shqipe nga ana e pushtetit policor e ushtarak serb.
Të gjithë këta dhe të tjerët që po i shtoheshin kësaj rezistence ishin një vlerë morale e shtuar që po krijonte mundësi që çdo shtëpi të jetë fole e sigurtë për shkollë e mësim në gjuhën shqipe dhe aty ku mbyllej njera, hapej tjetra. Pra gjithçka mund të ndodhte por, mësimi s guxonte të ndërpritej sepse secili ishte besatuar për shpëtimin e shkollës shqipe nga kthetrat barbare sllave.
Në libër përshkruhet çartë dhe në detaje dhuna e shfrenuar drejtuar shkollës shqipe dhe mësimit deri në përmasat tragjike që kishte ndodhur në komunën e Istogut. Rasti i Fshatit Uçë ishte shumë tragjik. Ademi edhe këto momente i përshkruan në mënyrë besnike. Duke dhënë pasqyren e çartë të barbarisë serbe në mbrojtje të shkollës shqipe. Ai jep detajet kur në Uçë, në shtëpitë shkolla, ndodhi rasti tragjik derisa nga qëndresa fshatare te pragu i shtëpisë ranë heroikisht, për të mos vdekur kurrë Hasan e Muharrem Hysenaj dhe Bajram Hoxha dhe u plagosen shumë të tjerë në një përleshje të tmershme me forcat policore të cilat morën guximin t i sulmojnë këto shtëpi shkolla.
Po në një dyluftim të pabarabartë ndaj policëve të armatosur ranë heroikisht këta trima që u shpallen dëshmorë të shkollës së pavarur shqipe dhe u treguan hordhive barbare serbe se pragun e shtëpisë dhe fëmijët e tyre do ti mbrojnë me çdo kusht. Këtë masakër makabre Ademi e përshkruan si tragjedinë absurde që po i ndodhte Kosovës në fundshekullin XX në mes të Europës për të alarmuar kështu një varg misionesh humanitare e diplomatike që ishin vendosur aty për të monitoruar gjendjen. Ranë dhe viktimat e para në themelet e shkollës shqipe.
Ishin këta dëshmorët e parë që flijuan jetën për pavarësinë e arsimit shqip më 21 janar 1992 jo vetëm në Istog dhe me këtë hodhën themelet e para të kësaj pavarësie në tërë Kosovën, derisa edhe Kosova vet u bë e pavarur me luftën heroike të djemve e vajzave që u rriten bashkë me shkollën e pavarur e që një pjesë e tyre ranë në Agun e lirisë si ushtarë të UCK së. Nën moton
” Nëse do shkollë, vdis te pragu i saj…” të thëna nga U. Hoti, këta dëshmorë e kishin dëgjuar jo vetëm nga veshët po edhe nga shpirti i tyre dhe morën qëndrim të çartë: ” Barbarë, duart larg nga nipat tanë, nxënës të shkollës shqipe, shpresë e ardhmërisë dhe çlirimit!”
Këto momente Ademi i jep me një perceptim të çartë përmes bisedave me ata që drejtpërdrejtë qëndruan bashkë me dëshmorët dhe patën fatin t i shpëtojnë kësaj masakre.
Dëshmorët e Shkollës shqipe në Uçë të Istogut të rënë me 21 Dhjetor 1992
– Hasan e Muharrem Hysenaj dhe Bajram Hoxhaj
Ai më tutje jep edhe përshkrime tjera të akterëve të përditshmërisë së qëndresës si drejtorë shkollash, arsimtarë e prindër që ishin të përgaditur për të sakrifikuar gjithçka që shkolla shqipe të jetojë dhe ti përballojë bllokadat.
Libri i Ademit sot është një shembull kujtese të atyre viteve të qëndresës sublime në mbrojtje të shkollës dhe mësimit shqip në kohë okupimi. Një shembull i mirë për të mos harruar ditët e para të lirisë kur u mund frika dhe momentet kur shqiptarët dhanë gjithçka për të mbështetur kauzën kombëtare për liri dhe pavarësi, jo vetëm të arsimit shqip po edhe të Kosovës. Kauzë që definitivisht u realizu me luftën e drejtë çlirimtare në fund të kësaj dekade.
Ishte një përgjigje e fortë se fatet e kombit, të gjuhës dhe shkollës shqipe do t i marrim vetë në përkujdesje të plotë duke u treguar sot gjeneratave për sakrificen, mundin dhe gjakun e derdhur për liri, për ditët që ata po gëzojnë.
Ky libër është edhe një zë që thërret të gjithë ata që përjetuan këto tmerre të shkruajnë për përpjekjet dhe sakrificat kudo në Kosovë për ta forcuar kujtesën për ditët që kaluan dhe që sirtarët e bibliotekave të plotsojnë zbrastirën që kishim në shkrime, të cilat nipat dhe mbesat tona të ndihen më krenar. Libra që duhet të jenë mbamendja jonë, që tragjeditë mos të lëmë të na përseriten.
Ademit i dëshiroj suksese të reja. Me këtë libër ai ka dhënë të kuptojë më së miri se dëshmitarët e kohës janë të vetmit që rrëfimeve ua shtojnë vërtetësinë, sepse ishin të parët në këto fronte të rezistencës dhe që u përballen, jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht e emocionalisht me ngjarjet dhe peripetitë vështirë të përballueshme.
Andaj sot kur kujtojmë dëshmorët e rënë për shkollën shqipe dhe mbrojtjen e pragut të shtëpisë ndihemi shumëfish krenarë! Derisa autorit të librit, mikut e kolegut tim suksese për këtë libër gjevahir që po ngjall kujtesën në mbamendjen tonë të lavdishme.