MASAKRA E TIVARIT DHE RISHKRIMI I HISTORISË

0
143
Objekti i duhanit në Mal të Zi, konfeence shkencore

Pjesëmarrësit e Konferencës shkencore, të Monopoli i Duhanit në Tivar (31.3.2013)

(Me rastin e 79-vjetorit 1945-2024)

Ndër ngjarjet tragjike të popullit shqiptar që ka të bëjë me Luftën e Dytë Botërore është Masakra e Tivarit e cila ka ndodhur me 1 prill 1945. Në këtë masakër të realizuar nga njësitë ushtarake të Jugosllavisë aty janë likuiduar një numër i madh shqiptarësh nga Kosova, me përmasat e gjenocidit, të cilët ishin mobilizuar për të ndjekur okupatorët gjermanë në pjesën perëndimore të ish-Jugosllavisë. Mobilizimi i tyre në Kosovë ka pasur një prapavi të caktuar politike  sepse si qellim kishte spastrimin e Kosovës nga shqiptarët për të realizuar në praktikë  pushtetin ushtarak i cili ishte vendosur  nga data 8 shkurt 1945, duke bërë riokupimin e Kosovës, pa përfillur parimet e Kartës së Atlantikut, me pasoja për shqiptarët që është dëshmuar në vitet vijuese.

Nail Draga

Me 1 prill u bënë 79- vite(1945-2024) nga Masakra e Tivarit, ku u likuiduan në mënyrën më mizore shqiptarët nga Kosova. Sipas të dhënave del se ky numër shkon  minimalisht  nga 1560 shqiptarë, ndërsa sipas disa përllogaritjeve arrinë  deri në 3764 persona. Fjala është për shqiptarët  të cilët ishin të mobilizuar si regrutë ne aradhat partizane për të ndjekur armikun përfundimisht nga territori i ish-Jugosllavisë.Por, edhe pas shtëdhjetë e pesë vjetëve kjo tragjedi ende nuk është ndriçuar nga studiuesit e ndryshem nga vet fakti se gjatë periudhës së sistemit komunist marrja me një ngjarje të tillë ishte e pa preferueshme dhe me pasoja për autorët.

Edhe pse ne popull dihej për ketë tragjedi dhe përshperitej për numrin e të vrarëve, saktësisht pak kush dinte të dhëna të sakta, sepse arkivat për shqiptarët ishin nën embargo, madje dokumentët  gjegjëse ka mundësi që janë zhdukur nga ato të cilët kanë realizuar ketë masakër.

Dëshmi autentike e atyre që përjetuan masakren

Por, vetëm pas dështimit të sistemit monist dhe vendosjes së pluralizmit nga viti 1990, opinioni i gjërë  filloi të njihej më ne detaje për ketë masakër, e ate duke iu falenderuar dëshmitarëve autentik të cilët kishin shpëtuar nga kjo kasaphane tipike naziste e bërë nga pjesëtarët e aradhave partizane jugosllave gjoja “nacional-çlirimtare”. Dhe janë këto individ të cilët e përjetuan personalisht ketë masakër të cilët kanë dhënë kujtimet e tyre për ketë kalvar të shqiptarëve nga mobilizimi i tyre në Kosovë dhe rrugëtimi ne relacionin Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar.

Ndër ta bën pjesë edhe Azem Hajdini-Xani i cili opinionit i ka dhuruar librin “Tragjedia e Tivarit”, botuar në Shtutgard në Gjermani në vitin 1990, dhe më pas ribotuar në Prishtinë në vitin 1998. Po ashtu ky autor ka botuar edhe një botim tjetër me titull ”Masakra e Tivarit”-Memoare, Prishtinë 1998, duke prezentuar dëshmi autentike të personave të cilët kanë mbetur gjallë. Edhe pse ne ndërkohë janë botuar edhe disa studime nga autor të tjerë për ketë masakër(M.Pirraku. U.Butka etj.), botimi i këtyre materialeve nga autori i cili e ka përjetuar drejtëpëdrejt ketë masakër për momentin shërben si lëndë  bazë dhe e domosdoshme për të trajtuar ketë tragjedi të bërë nga komunistet ne prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sepse arkivat ende janë të mbyllura për hulumtuesit shqiptarë.

Nisja nga Prizreni për në Tivar

Për të bërë plotësimin e Armatës IV të Jugosllavisë, për në Frontin VP të bregdetit të Adriatikut ne saje të të dhënave të publikuara del se ne mars dhe prill të vitit 1945, u deportuan 22.017 luftëtarë shqiptarë nga Kosova. Ata janë deportuar ne formacione ushtarake të cilat quhen eshalone qe gjatë muajve mars-prill 1945 nga Prizreni për në Tivar gjithsejt ishin gjashtë eshalone të tilla. Kështu në mars janë deportuar tre eshalone; eshaloni i parë, me 3.700 luftëtarë, niset nga Prizreni më 24.3.1945 dhe arrin në Tivar më 29.3.1945; eshaloni i dytë, më 4.700 luftëtarë, niset nga Prizreni më 26.3.1945 dhe arrinë në Tivar më 31.3.1945 dhe eshaloni i tretë me 2.700 luftëtarë shqiptarë, niset nga Prizreni me 27.3.1945 dhe arrin në Tivar më 1 prill 1945.

Ndërsa gjatë muajit prill janë deportuar edhe tre eshalone të tjera: eshaloni i parë me 1.506 luftëtarë niset nga Prizreni më 19 prill 1945, eshaloni i dytë me 2.601 luftëtarë niset nga Prizreni më 20 prill 1945 dhe eshaloni i tretë me 1.216 luftëtarë niset nga Prizreni më 24 prill 1945.Ndërsa më pas nga Prizreni niset një eshalon i veçantë me 5.323 luftëtarë shqiptar, nga Maqedonia ne ditët e para të prillit të vitit 1945.

Pse po largoheshin luftëtarët nga Kosova

Duke marrë parasysh se operacionet luftarake kundër nazistave gjermanë ne Luftën e Dytë Botërore kishin marrë fund nga fundi i viti 1944 me të drejt bëhët pyetja se pse i deportuan luftëtarët shqiptarë nga Kosova. Përgjigja ishte e qartë sepse planifikohej një hakmarrje ndaj shqiptarëve të Kosovës për humbjen qe kishin përjetuar formacionet ushtarake të partizanëve jugosllavë ne luftën ndaj luftëtarëve të Shaban Polluzhës. Ndërsa nga ana tjetër si qellim ishte largimi nga Kosova i atyre luftëtarëve të cilët mund të bëjnë rezistencë për vendosjen e pushtetit  ushtarak serb, gjegjësisht ripushtimin serb të Kosovës, ne saje të vendimeve të më vonshme.

Të mobilizuarit iu ngjanin robërve

Edhe pse të gjithë të tubuarit nga anë të ndryshme të Kosovës kishin premtime se do të deportoheshin me statusin e luftëtarëve për të ndjekur armikun ne vijen e frontit në veriperëndim të Adriaktikut(Istër-Slloveni), nga momenti i parë në Prizren u verejt se do të jetë tërësisht ndryshe.Nëse deri aty ata ishin të armatosur dhe të përcjellur me oficerë shqiptarë, më tu nisur nga Prizreni përcjelljen e moren oficeret serbo-malazez, ndërsa  po ashtu u detyruan për të dorëzuar armet me pretekst se rruga është e gjatë dhe do të lodheni pa nevojë, pra, ata u nisen nga Prizreni të paarmatosur, të pa ushqyer, të lodhur, të paveshur, dhe ne kushte higjenike të papërshtatshme. Ishte ky eshaloni i dytë që është nisur nga Prizreni  më 26 mars, ku pjesëtarët e tij  do të përjetojnë gjenocid të pa parë ne qytetin e Tivarit të Ri.

Gjatë rrugës atyre iu ndalohej dalja nga kolona qoftë për të pirë ujë apo kryer nevoja fiziologjike. Kush kishte guxim të vepronte ndryshe e pësonte me jeten, sepse pushkatohej në vend. Nga një sjellje e tillë e oficerëve përcjelles të cilët vrisnin kur kishin dëshirë e flisnin fyerjet më vulgare ndaj shqiptarëve tash të gjithë e kishin të qartë se nuk janë më luftëtarë por iu ngjanin robërve të luftës. Dhe nga një situatë e tillë dramatike gjatë rrugës deri ne Shkodër numri i të vrarëve kishte arritur deri në 800 luftëtarë të cilët janë gjuajtur në lumin Dri, Bunë etj.

Pamjet e Tivarit paralajmëronin masakrën

Me të arritur në Tivarin e Ri është vërejtur një moblizim i madh i popullatës vendore ku me ta ishin së bashku edhe njësitë ushtarake të Brigadës së Dhjetë Malazeze, të armatosur ne çdo aspekt, athua se janë duke pritur njësitë  e armikut. U pa qartë komploti dhe gracka e pregatitur, por ata  prisnin vetëm shkasin. Ne qendër të Tivarit të Ri pasi i kanë udhëruar për të pushuar ne afërsi të tyre ishte një krua, ku shqiptarët shprehen kërkesën për të pirë ujë, por oficeret reaguan ashper duke mos iu mundësuar dhe fyer ata ne aspektin nacional, duke vrarë tre shqiptarë, ndërsa nga plumbat e tyre kishin vrarë “gjoja” një ushtarë malazias. Ky ishte një tjetër pretekst për të vrarë shqiptarë, andaj për ketë “vepër“, e cila nuk ishte bërë nga shqiptarët ata pushkatuan 100 ushtarë shqiptarë, sikurse nazistatët gjermanë kohë më parë. Nga kjo e papritur shqiptarët ishin të vetdijshëm se një tragjedi e tillë  nuk do të përfudnoj më kaq, sepse ishin të rrethuar nga të gjitha anët.

Ndërtesa e Monopolit të Duhanit ferri i shqiptarëve

Ata më pas ne kolonë i detyruan të ecin dhe i vendosen ne objektin e Monopolit të Duhanit në afërsi të portit.Ishte kjo një ndërtesë tre katëshe, ku i detyruan të hyjnë brenda ndërsa të tjerët u vendosen në oborr, pra të gjithë grumbull e jo ne kolonë, sepse kështu mundësia për ti shfarosur ishte më e madhe. Dhe nuk ka vonuar shumë ne të gjithë shqiptarët si brenda ne ndërtesë e ne oborr është qitur me të gjitha mjetet luftarake rreh dy orë dhe ne oborr dhe shesh  ku ishin rreth 3000 veta nuk mbeti njëri i gjallë në këmbë, sepse u bë kasaphanë e vërtetë dhe kudo u bë lumë gjaku.

E tërë kjo masakër ka zgjatur rreth një orë e gjysmë duke filluar në ora 14 të datës 1 prill 1945. Patën fat të shpetojnë vetëm ata qe ishin ne katin e lartë të ndërtesës, dhe disa nga eshaloni i parë të cilët për momentin ishin në Tivarin e Vjetër. Por, tragjedia nderpritet duke iu falenderuar një automobili i cili brenda kishte disa vëzhgues amerikanë, të cilët më gjasë kishin dëgjuar të shtënat e armëve dhe kishin ardhur për të parë vendin e ngjarjës.

Por, kriminelet iu dolën përpara dhe i binden të largoheshin  dhe të vazhdojnë rrugën për në Ulqin. Pra, nga frika se do të zbulohet krimi, ata u detyruan ta nderpresin plojën. Ishte kjo një rastësi që të shpëtojnë disa luftëtarë kosovarë, të cilët do të jenë dëshmitarë të kësaj masakre, edhe pse qellimi i forcave shfarosëse të partizanëve jugosllavë ishte për ti vrarë të gjithë për  të mos pasur dëshmitarë.

Mungojnë varret e të masakruarve

Me pas u mobilizuan të gjithë qytetarët si pleq, gra, të rinj, punëtor e ushtarë për të pastruar oborrin për të humbur gjurmet e kësaj vepre mizore. Me kamion kanë ngarkuar të vrarët dhe të plagosurir për ti deportuar ne varreza të ndryshme kolektive. Madje ne ketë transport kanë angazhuar edhe ata shqiptarë të cilët kanë mbetur gjallë.Ende nuk dihet se ku janë bartur kufomat dhe varrosur ata. Bëhet fjalë për disa vende si ne Tivarin e Vjetër, Tugjemil, Zalef dhe ne një shpellë ne malin e Vollujicës pranë detit. Por, nuk ka dilemë se pjesen më të madhe të tyre e kanë gjuajtur në det.

Bëhët pyetja sa janë vrarë ne këtë masakër, e sa kanë mbetur gjallë.Pasi nuk ka të dhëna arkivore, andaj  i vetmi burim është A.Hajdini-Xani i cili thot se të gjallë kemi mbetur 810 individ, ndërsa nga Kosova janë nisur 4700 luftëtarë, nga del se gjatë rrugës dhe ne ketë masakër janë vrarë e zhdukur 3.890 shqiptarë të Eshalonit të dytë dhe 420 të Eshalonit të parë, pra gjithsej 4310 individ kanë humbur jetën, çështje që mbesin për hulumtime..

Ne këtë regji shfarosëse ka pasur raste qe individ të ndryshëm të shpëtojnë dhe të ikin ne drejtime të ndryshme, por edhe aty nëse janë zbuluar janë likuidur, sepse të gjithë shqiptarët janë cilësuar si armiq, nga pushteti ushtarak. Ka raste të veçanta që kosovarët janë strehuar e mbajtur nga familje shqiptare duke iu shpetuar jetën, si ne Tivar, Anë të Malit dhe Krajë, ku për raste të tilla egzistojnë dëshmi autentike.

Objekti i Monopolit të Duhanit në Tivar-vendi i masakrës të 1 prillit 1945!

Tragjedia e cila u hesht për vite të tëra

Me të përfunduar lufta dhe kthimi i luftëtarëve kosovarë në shtëpitë e tyre, kjo ngjarje mori dhenë, por ishte me pasoja nëse kërkohej e vërteta pse ndodhi ajo. Madje ata të cilët e përjetuan ishin të kërcënuar nëse  debatojnë ne lidhje mbi ketë ngjarje e jo më të kërkojnë që ajo të ndriçohet në tërësi.

Dhe si për ironi të fatit pas kësaj masakre  ajo u hesht nga ato të cilët është dashur të flasin dhe ta informojnë opinionin e gjërë për ketë gjenocid të bërë nga partizanët jugosllavë, duke kërkuar përgjegjësi nga ana  e tyre.

Por, ndodhi që për këtë masakër te mos flasin kaudrat shqiptare qoftë nga Kosova apo nga Shqipëria por për të parën herë të deklarohet A. Rankoviqi në Kongresin Themelues të PKS më 8-12 maj 1945 i cili ne mes tjerash ka thënë se ”udhëheqesit e eshalonit e nxiten revoltën midis shqiptarëve”, duke planifikuar të vrisnin “ 40 shqiptarë për një luftarë të vrarë”, duke vazhduar se “udhëheqesit tanë  hapën zjarr dhe i vranë 300 shqiptarë”. Një e dhënë e tillë  edhe pse e minimizuar shumë herë dëshmon se  një masakër e tillë ka egzistuar dhe është realizuar nga forcat partizane jugosllave, që ishin të Brigadës së Dhjetë Malazeze, duke mbetur informata e vetme zyrtare për këtë masakër.

Por edhe pse një nismë të tillë ne rrugë institucionale për të prezantuar dhe hulumtuar  të vertetën është bërë nga Azem Hajdini si pjesëmarrës i kësaj masakre nga viti 1966 e më pas çdo gjë mbeti vetëm ne nismë sepse pushtetit jugosllav të kohës nuk i ka interesuar e vertëta për ketë tragjedi sepse  ishin vetë serbo-malazezët të cilët  ishin skenaristet dhe regjisorët e kësaj maskare e cila ishte më e madhja në përfundim të Luftës së Dytë Botërore ne Evropën Juglindore.

Përgjegjësia e udhëheqjes së Shqipërisë

Edhe pse kanë kaluar 79 vite nga masakra e Tivarit, deri më tash nuk kemi pasur rast të lexojmë  diçka konkrete ne lidhje mbi ketë tragjedi nga strukturat qeveritare të Shqipërisë. Madje kjo tragjedi nga ana e tyre është heshtur, duke mos u shënuar as ne kalendarin e ngjarjeve historike sepse ata janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbajnë. Sepse si te lejohet që të kalojnë  nepër territorin e Shqipërisë eshalone të tëra qytetarësh kosovarë të përcjellur nga ushtarakët serbo-malazez gjoja për të marrë pjesë ne ndjekjen përfundimtare të armikut në Istër e Slloveni, kur Lufta e Dytë Botërore kishte marrur fund.

Nuk ka dilemë se ishte ky një veprim monstruoz dhe antikombëtar i udhëheqjes së Shqipërisë së kohës e cila ka përgjegjësi  për masakren e Tivarit. Por, nëse analizojmë rrethanat e kohës që më vonë është njoftuar opinioni i gjërë, as që është pritur diçka konkrete nga udhëheqja e Shqipërisë, ose me konkretisht nga ajo e PKSH, sepse këta ishin si filialë e komunistëve jugosllavë, dhe ishin të indoktrinuar nga ideologjia komuniste  si rrallë kush ne Evropën Juglindore. Sepse nga ajo kohë e deri në vitin 1948 me jugosllavet kanë punuar së bashku për të eliminuar armiqet ideologjikë, ku egzistojnë dëshmi  të pakontestueshme sepse  individë te ndryshëm shqiptarë janë arrestuar në Shqipëri dhe iu janë dorëzuar jugosllavëve, të cilët kanë përfunduar më pasoja tragjike.

Tivari 1945 sikurse Srebrenica 1995

Nuk ka dilemë se Masakra e Tivarit e vitit 1945 është pothuaj identike me masakren e Srebrenicës në vitin 1995 e bërë nga forcat ushtarake serbe ndaj rreth 8000  boshnjakëve. Por, këtu egziton vetëm një dallim sepse krimi në Tivar është bërë pa praninë e forcave ndërkombëtare ndërsa në Srebrenicë është bërë ne prani të tyre, të cilët ishin gjoja me mision për të mbrojtur ketë popullatë. Një rast i tillë analog ka edhe të veçantën tjetër sepse viktimat e Tivarit,  edhe sot janë pa varre të identifikuara, ndërsa ata të Srebrenicës janë identifikuar, sepse janë gjetur  në varrezat kolektive, më ç’rast është bërë rivarrimi i tyre.
Objekti i Monopolit të Duhanit në Tivar-vendi i masakrës të 1 prillit 1945!

Pllaka përkujtimore e cila mungon

Ka ardhur koha qe ne lidhje mbi masakren e Tivarit të formohet një komision i veçantë pranë Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Qeverisë së Malit të Zi.Nuk ka dilemë se ngjarja tragjike e vitit 1945 nuk mund ta ngarkojë me përgjegjësi pushtetin aktual në Mal të Zi, por angazhimi ne drejtim të ndriçimit të kësaj masakre do të ishte ne favor te pushtetit aktual ne rrethana të reja shoqërore e politike.

Edhe pse kanë kaluar 79 vjet  nga kjo masakër ende  nuk ka të dhëna ne lidhje mbi varrët e të masakruarve, andaj  është obligim moral dhe civilizues që ne vendin ku është bërë masakra të ngrihet një memorial apo të vendoset një pllakë përkujtimore ne tre gjuhë për të njohtuar opinionin e gjërë mbi ketë ngjarje tragjike ne  vitin 1945 që ka ndodhur në qytetin e Tivarit.

Përfundim

Ndonëse kanë kaluar 79-vite nga data e 1 prilit 1945, kur u masakruan shqiptarët nga Kosova, nga ana e strukturave ushtarake jugosllave të kohës, realizuar sipas një skenari me qellime shfarosëse ndaj shqiptarëve nga Kosova, ajo masakër  ia kalon “Natës së Shën Bartolomeut” të Parisit të vitit 1573, që është sinonim për vrasjet masive të kundërshtarëve ideologjikë.

Për këtë tragjedi në kohën e monizmit nuk është guxuar të flitet as  të shkruhet se pasojat ishin të mëdha. Çdo informatë ishte në heshtje, sepse politika komuniste e kohës si mision kishte eliminimin e krimeve duke mos i publikuar ato, por  e vërteta nuk ka mundur të heshtet.

Vetëm pas rënies së monizmit, të mbijetuarit por edhe disa studiues kanë filluar të shkruajnë artikuj e botime të veçanta, e po ashtu janë përgatitur edhe emisione televizive. Eshtë fatkeqësi që për këtë masakër nuk ka asnjë shënim në librat e shkollave fillore, të mesme e universitare, sidomos nga lënda e historisë, dukuri e cila nuk mund të arsyetohët më asgjë..

Në lidhje me ketë ngjarje tragjike Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, në Ulqin, më 30-31mars të vitit 2013, ka organizuar Konferencën shkencore ”Masakra e Tivarit-1945”, me pjesëmarrje të studiuesve  nga Kosova, Shqipëria e Mali i Zi. Pas prezantimit të kumtesave për këtë ngjarje(të cilat ende nuk janë botuar)  pjesëmarrësit më pas  kanë shkuar e vizituar vendin e krimit të Monopoli i Duhanit(31 mars). Ishte ky takimi i parë nga përfaqësuesit e një subjekti të shqiptarëve  ku kanë marrë pjesë edhe ish të mbijetuar e kësaj masakre nga Kosova, duke dëshmuar në mënyrë autentike përjetimet e kësaj tragjedie.

Pasi në lidhje me këtë masakër, nuk ka asnjë të dhënë në vendin e ngjarjës,  duhet bërë çmos që në ketë vend të ngrihet një memorial i shkruar ne tre gjuhë kushtuar kësaj ngjarje tragjike. Një memorial i tillë duhet të jetë monument i kujtesës, për të kaluarën, tashmën dhe të ardhmën për të njohtuar opinionin e gjërë mbi ketë masakër që ka ndodhur në qytetin e Tivarit. Në rrethana të reja kur tash Kosova është shtet i pavarur i takon qeverisë së saj të inicojë një çështje të tillë me pushtetin në Malin e Zi.

Andaj ka adhur koha që historia të rishkruhet dhe të thuhet e vërteta për këtë tragjedi, duke eliminuar qasjen ideologjike e pranishme edhe në ditët tona. Në këtë aspekt është obligim profesional  të hulumtohen arkivat sekrete të UDB-ës jugosllave, për  të hequr  hipotekat nga e kaluara ideologjike, që do të jetë në favor të faktografisë shkencore si kudo në botën demokratike.

(Prill 2024)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.