Legjenda e frikshme e fshatit Gurrë

0
160
Nexhat Halimi

Nexhat Halimi

– Çiftit që iu mohua dashuria, u mbyt në ujë, kurse duvaku i nuses u gjet në gurrën e fshatit… – do të bisedojmë lidhur me këtë ngjarje të dhimbshme, duke e shikuar  mes degësh rrapin e vjetër mbi kurorën e të cilit ndrit një pjesë e kalasë, pikërisht atë hapësirën në të cilën  qëndroi Abdyl Frashëri – udhëheqësi legjendar gjatë kohës ndërsa qe në jeh epika e luftës së Lidhjes së Prizrenit.

Ndërkohë ai do të arrestohej dhe epopeja e Lidhjes do ec amshueshëm ndër brezat shqiptare.
I pimë kafetë nën hije të rrapit legjendar dhe morëm rrugës përbri Shtëpisë së Lidhjes të vjedhur e të rrënuar gjatë luftës së fundit.

“Edhe studiuesit, duke pohuar lashtësinë për rrjedhën e Ujit të Lumëbardhit, me anë të një eksperimenti përmes ngjyrës, kanë konfirmuar se ajo vjen nga liqeni i Breznës së Opojës, por kalon nëpër filtra të ndryshëm”… dhe gjithnjë krijon legjenda  ndër brezat për   gurrën e fshatit të kthyer në liqe natyrorë. Kjo krijon mundësinë e përjetimit të liqenit të pastër me ujë të pijshëm, me plot legjenda.

Siç tregon valltari Kadri Skeja, anëtar i kahershëm i Shoqërisë Agimi, – Uji i pastër si loti që vjen nga bjeshkët e larta dhe kalon përmes fshatit i jep hijeshi Gurrës së Prizrenit. Poslishti i dikurshëm tani ka marrë emërtimin tjetër, të  ri.  Me ujin e ftohtë që të shpon ballin, ky fshat me burimet e tij të shumta është i këndshëm  në verë dhe në dimër. Fshati ruan edhe shumë toponime shqipe, përkundër sunduesve të shumtë që kaluan në këto treva. Ky fshat i Vërrinit dallohet edhe për rritjen e troftës së Gurrës. Një kompani e vogël private atje mundohet t’u shërbejë qytetarëve troftë, madje me çmim solid. Banorët thonë se fshatin tani pas lufte e kanë emërtuar Gurrë.

Legjendat e frikshme të fshat janë thurur në shumë legjenda gjatë historisë, të cilat janë bartur nga brezi në brez, e të cilat rrëfehen edhe nga banorët e tashëm, jo vetëm nga të vjetrit, por edhe nga më të rinjtë. Një prej legjendave flet pikërisht për burimet e ujit. Sipas legjendës, thuhet se ky ujë vjen nga Liqeni i Breznës në Opojë në Malet e Sharrit. Ndryshe, banorët e këtushëm këtë ujë e përdorin për ujitje, për pije dhe mbi të gjitha tash edhe për rritjen e peshkut.

“Fshati  dallohet për rritjen e peshkut, ndërsa gurra, që ruan disa legjenda, me ujin e mrekulluar  dhe  shumë të mirë për pije, qe një vend turistik, bile shumë herë karakterizohej  për shërimin e shumë sëmundjeve, – rrëfen  letrari Skender Zogaj. – Aty mulliri ka mbetur ende si një trashëgimi e lashtësisë. Banorët  e vjetër të fshatit tregojnë një histori të dhembshme. .. dikur moti një çift i porsamartuar diku në Brezne pasi nuk gjejnë përkrahjen e familjes për të jetuar bashkë, kishin marrë qëndrim të mbyteshin në liqe. Sipas legjendës, duvaku i nuses së mbytur ishte gjetur në Gurrë të Poslishtit.

-Një tjetër legjendë është akoma më intriguese. – ndërhyn Salajdin Krasniqi, ndërsa ngjitet rrugës për në hapësirën e shatërvanit. – Legjenda thotë se një herë e në një kohë, fryu një erë aq e fortë, sa tundi likenin e Opojës, nga fundi dhe deti nxori një gjarpër, pastaj ra një re dhe gjarprin e hodhi në malin e Sharrit. “Gjarpri gjigant hante kafshët e njerëzit dhe të mbjellat i prishte. U ngrit një plak, ngarkoi një gomar me thasë me eshkë dhe vajti afër shpellës e i vuri zjarrin eshkës. Kur gjarpri hëngri gomarin, zjarri i eshkës përbrenda e dogj. Bisha bërtiti, Ku je ti liqen, që më bëre kokën hi dhe ti lumë, vëllai im. E u shtri për vdekje. U nis nga aty të dalë gurra në sipërfaqe”, thotë legjenda, “Gurra” e dijes … Gurra ishte dhe gurrë e burrave dhe grave të shkolluara.

Banorët vendas thotë se aktualisht kanë mbi 240 nxënës. Llogaritet se fshati aktualisht ka 250 familje me rreth 1800 banorë rezidentë. Dr. Nexhip Berisha thotë se gjurmë të shkollimit janë gjetur qysh në shekullin XVII. Nismat e shkollimit në këtë fshat mendohet se kanë filluar që moti, në disa arkiva tashmë të shkruara konstatohet se sipas një relacioni të vitit 1641, të arqipeshkvit Gjergj Bardhi, thuhet se në fshatin Gurrë, Andrea Bogdani i kishte pranë vetes dy djelmosha që i përgatiste për seminar.

Në një relacion të Shtjefën Gasprit, rreth 1650-s, theksohet se, në Prizren, misionari katolik, Gërgur Mazrreku, e mbante shkollën e të rinjve. Në këtë shkollë mendohet se janë përdorur tekste mësimore të autorëve shqiptarë në gjuhën shqipe, si gramatikat, fjalorët, veprat me të dhëna mbi natyrën etj., siç ishin veprat e P. Budit, F. Bardhit, P. Mazrrekut etj. Kurse eksperti i arkeologjisë Shafi Gashi, tregon se në këtë fshat ka edhe gjetje të kohës së romakëve. Mirëpo, ajo që brengos banorët është kurbeti. “Shumë të rinj ende nuk po arrijnë të jenë pjesë e rritës së Kosovës”, thotë Visar Islamaj. Ai flet për shokët e tij që janë detyruar të ikin jashtë Kosove.

Nexhip Berisha shprehet se janë mbi 30 për qind e banorëve të këtij fshati që tashmë jetojnë në vende të ndryshme të botës. Mulliri që vazhdon të qëndrojë në këmbë banorët e këtushëm kanë edhe mullirin që thuhet se dikur ishte i bejlerëve tani e shfrytëzojnë dhe është pronë e familjes Dina. Fshatrat e Vërrinit shquheshin për kultivimin e drithërave dhe ishin si thuhet hambar i rëndësishëm i regjionit të Prizrenit. Kjo imponoi nevojën që, që nga koha e hershme të ngrihen mullinj të shumtë, mbase ky regjion është i pasur me ujëra të lumenjve që vënin në veprim gurët e dhjetëra mullinjve. Përveç mullinjve në Hoçë të Qytetit, shumë mullinj në të kaluarën punuan edhe në fshatra të tjera të rajonit të Vërrinit.

Kështu, në fshatin Arbëri (Leskovec) dikur ekzistonte Mulliri i Azemit, në Lybeçevë funksiononin Mulliri i Durës, Mulliri Hoxhës, Mulliri i Dautit, Mulliri  i Limanit e Mulliri Shamës, ndërsa në Kushnin punuan Mulliri i Hajdinit dhe Mulliri i Azemit, nga të cilët mbetën edhe sot e këtë ditë toponimet me këta emra. Duhet përmendur sidomos rëndësinë e disa mullinjve që funksionuan në fshatin Poslisht, që u shërbenin banorëve të regjionit të gjerë të Prizrenit. Për ekzistimin e disa mullinjve në fshatin Poslisht, të cilët punuan me ujin e lumit Gurrë që buron këtu, kuptojmë edhe nga një dokument i rëndësishëm i shkruar historik që nga viti 1348.

Kjo dëshmon se tradita e ekzistimit të mullinjve në Vërri, e sidomos në Poslisht, daton madje edhe para vitit 1348, kur është shkruar ky dokument për mullinjtë e vjetër. Besohet se nga kjo kohë, në Poslisht funksion mulliri që punon edhe sot,  i njohur si Mulliri i Dinës. Deri para disa vitesh, objekti i këtij mulliri për shkak të vjetërsisë, paraqiste raritet, kurse, si mulli gurët e të cilit rrotullohen me forcën e ujit, mund të thuhet se është nga të vetmit ose të rrallët në Kosovë. Mu për këtë dhe duke u nisur nga rëndësia e tij që mund të ketë në sferën historike dhe atë turistike, është më se e nevojshme të shpallet si objekt i rëndësisë së veçantë historike, në mënyrë që të ruhet vlera e tij e lashtësisë së kahershme.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.