KTHIMI

0
353
Nexhat Halimi

Nexhat Halimi

KTHIMI

Tak tak troket dikush lehtë në derë
Kopshtit bredh ëndrra me fenerë
Lëviz syri gjak i agut me pranverë

Ngjitem për shkallë guri lart
E dal ke korridori i kullës së vjetër
Kaq vjet më vonë i tërë i zjarrtë
Do të arrij te vetvetja pa tjetër

ja kulla e harqet me pamje në jug
hija e fëmijërisë te lisi me cung
oborrit e hetoj lëviz një buallicë
e udha ik veten prapë në dumnicë

kjo përmallje shpërthen tashmë vonë
ndërmjet ëndrrës vjen në kolonë
vetmisë së strukur yllit në kasollë

PAS RRUFESË

rrufeja gjuan në gur
babai me mëngjes në sy sharton bimë
në pemishte

unë
lumin e egër shkel
nga fillimi

digjet flakë syri i zi

ditë e tretë e daljes
në kokë e bisht të gjarprit të vogël të shtëpisë
zgjon stuhi

takohemi në prag

në barin e fjetur buzë uji
lejlekët me kokën time

drunjtë përballë rrufesë
gjakun e ashtin e kthejnë në lule
zjarri të kaltër

thirrje në emër të babait

VDEKJA NË VERË

shprishet e diela ndërmjet teje
e meje

fle e fjetur në breg të lumit pa kokë e zog
e zënë nga gjarpri në ëndrrën e këputur
e prekur në lëkurë nga nimfa

shtëpia kërkon kokën e trëndafilin e kaltër
shkëputur rrejshëm një natë nga buka

ngjitet nëpër hi prekja e ftohtë

unë pi çaj në divanhane mjeshtëroj ndonjë dre
me mollë të artë në brirë
e në katër krahë atje kalldrëmës së vjetër
e bartin një dashuri të gjallë

një shkëputje nga degë e fundit
në kopshtin tim

e zbresin kripës
zota e vasha aq të harruara buzë një lumi
pa kokë

në katër krahë poshtë kalldrëmës e bartin një fjalë

shtëpia buzë ujit kërkon kokën time
në një stinë të braktisur pa zot
në trëndafilin e agut në dhomë pa prejardhje

qiriri digjet në tryezë

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.