EH, SIKUR TË MOS E KISHA KËRKUAR ATË GOTË ME UJË GRAME…

0
16
Grama

Shënime për një qytet që nuk u ngop me ujë kurrë dhe për një bukuri të bukurive alpine që i është vënë kazma  e dhëmbët e çeliktë të buldozerëve…

Dhe një thirrje për dashnorët e natyrës:Shkoni në Gramën e masivit të bjeshkëve të Korabit dhe protestoni sa tu ngjiret zëri.

Grama është në rrezik!

Kisha 9 vjet që nuk kisha shkuar në Peshkopi e një kafe në turizëm do të mblidhte e zgjidhte nga nyja e kujtesës, kohë, njerëz e ngjarje…
Sa ngjitëm shkallët, në hyrje të atij gjelbërimi bimësh të harlisura, të parin takuam pronarit e gjysmës së Turizmit, Astrit Ademin
U ul bashkë me ne, e siç është bërë zakon, pa u pyet dhe u shqit, pa marrë porosinë, me politikë ia nisi.

Erdhi kamerieri. I kërkova një kafe shqeto dhe një gotë ujë “Grame”.
– Ujë “Grame”? Ka vetëm dy orë në mbrëmje – tha Astriti
– Vetëm dy orë në mbrëmje? -pyeta i habitur.
– Po, vetëm dy orë në mbrëmje.
– Si është e mundur? Unë nga Athina kam parë se si “çaheshin tubat” e uji rridhte lirshëm edhe në katin e dhjetë të ndërtesave të reja.

Kam parë edhe kryeministrin e vendit në ekstazë kur përshëndeste: “Mirëmëngjesi, dhe me këto foto nga ujësjellësi i ri i Dibrës që siguron tanimë 24 ORË ujë të pijshëm që buron nga Bjeshkët e Gramës, Mali i Korabit, në çezmat e 36 mijë banorëve të Peshkopisë e fshatrave përreth, ju uroj një ditë të mbarë.”
Eh! Ç’mu desh që kërkova “Ujë Grame?
Ç’mu desh !!!
Mu trazuan kujtimet, lëmsh mu bënë!
Peshkopia kurrë nuk piu ujë “dy vite” bashkë.
Qyteti, rrethuar nga burime ujë kristal, si asnjë vend tjetër i vendit, nuk pati fatin t’i ketë në gotë, ta mbushë atë e ta ngrejë dolli.

Një fletë historie

I detyruar, kur në Trembëdhjetën e Londrës, ia këputën kokën, e lanë një trevë të madhe pa qendër, pa qytet, ia grabitën Shehrin e Dibrës, treva u lëkund midis Kastriotit dhe Peshkopisë të zgjedhë qendrën e saj. Po qe se feudalët e Kastriotit do të fitonin mbi ata të Peshkopisë, Kastrioti, vendlindja dhe vend betejat e Gjergjit të Gjon Dibranit mbase do të ishte ndër qytetet më të bukur të Shqipërisë, qytet me një fushë pjellore, me Drinin dallgëshumë e malet kala natyrore në lindje e perëndim.

Peshkopia, tash qytet, qendër e një zone të gjerë nga Llanga në Qafë Mërkurth e nga Bulqiza në Qafë Drajë, plot 1350 kilometra katrore, kishte vetëm një burim uji për të pirë, për të larë teshat e gatuar, Dublecin.
Kjo vazhdoi për shumë e shumë vite…

Vazhdoi derisa Italia Fashiste mori ujin e një burimi në Staravec, e futi në tuba çeliku, e mbuloi me beton, ndërtoi, për të shuar energjinë rënëse të ujit disa ndërtesa si piramida, ndërtesa që gjurmët me siguri i gjen edhe sot…

Ujësjellësi  punoi për shumë vite, (nuk jam i sigurt por rrjedh ujë edhe sot), ujë që  furnizonte fabrikën e përpunimit të frutave e perimeve për shumë vite.
Qyteti doli nga gropa. Bulevardi i Peshkopisë skicuar e ndërtuar me kulturë nga Rexhep Doda u mbush me godina, pallate banimi, shkolla, kinema, turizmi etj.
Uji i Staravecit nuk mjaftonte.

Ku do ta marrim ujin?
Burimi i Lishanit të Epërm u cilësua si më i përshtatshmi.
Njazi Agolli u vu në krye të aksionit…
Uji përshkoi tubat 11.5 kilometra që kaluan Drinin e Zi e u shtrinë për të shuar etjen e banorëve.

Ishte viti 1962…
Për shumë vite, deri vonë  kur në “horizont u shfaq “Korabi”, furnizoi mjaftueshëm qytetin, industrinë e re ushqimore që dita ditës rritej në përgjigje të pemëtarisë që ishte shtrirë në tërë luginën e Drinit të Zi e deri lart kodrave.

Erdhi koha për të gjete burime të reja, burime që duhet ti përgjigjeshin rritjes së vrullshme të qytetit, kompleksit-kombinat të ndërmarrjes ushqimore të qytetit, kompleks që kërkonte ujë për të përpunuar njëqind mijë kuintal fruta në vit, fabrikave e punishteve, shkollave, çerdheve, kopshteve, konvikteve… popullsisë në rritje…
Vështrimi u ndal tek burimet e Korabit.
Më i përshtatshmi ishte Burimi i Preshit…
Një ujë qelibar.
Një ujë akull i ftohtë.
Një ujë i lehtë…

Në një nga udhëtime e mia, bjeshkëve, nga Grama në Fushë të Korabit e në mrekullinë e mrekullive të bukurive, bjeshkën e Ponairit (më ngjan i pari, fiksuar në një përshkrim e në një cikël fotografik vlerë e veçantë e arkivit tim) kam mbush  grushtin e kam pirë ujë drejt në burim duke pësuar disa orë më vonë çarje buzësh. Nuk kisha zbatuar porosinë se uji në burimet e Korabit duhet pirë me pipëz e jo me grusht e me buzë mbi ujin që rrjedh…
Burimit, që të “shtonte” ujin iu vu tritol…

Nuk e shtoi, e pakësoi sa vështrimi u hodh tek një liqen-burim uji pak poshtë e më tej në Shpellas burimi i të cilit thuhet se vjen nga bjeshka e Ponairit në fund të së cilës humbet. Thonë se kur u ndanë kufijtë për të përcaktuar se kujt i takon kjo bjeshkë e mrekullueshme ndërkombëtarët hodhën një “thes” me bojë. Ngjyra doli në burimet e Shpellasit dhe Ponairi- bjeshka mrekulli, ku thonë se e ka marrë emrin nga panairet blegtorale që zhvilloheshin në kohën e pushtimit Osman mbeti shqiptare…

Uji i Shpellasit doli “ujë me gips” dhe u hoq dorë për ta bashkuar me ujin e Preshit drejt Peshkopisë…

Ujësjellësi, ndërtimin e të cilit e kam përshkruar në disa kronika midis të tjerash në reportazhin “Ujëvarat e bardha të Korabit”… është 25.7 kilometër i gjatë. Për ndërtimin e tij u përdorën 2000 tonë tuba çeliku, u ndërtuan 2000 vepra arti. Ai ishte i planifikuar për furnizimin me ujë  24 orë  qytetin e Peshkopisë dhe 18 fshatrave në linjën Sllovë, Shumbat, Sohodoll…

Ujësjellësi kishte një prurje prej 121 litër ujë në sekondë. Në rënien e Çernjevës, me qëllim shuarjen e presionit, ishte planifikuar të ndërtohej një hidrocentral me fuqi 7000 kilovat.
Në përurim, në lapidarin e ngritur për këtë qëllim, u përdor uji i ujësjellësit të vitit 1962, uji i burimit të Lishanit të Epërm !!!

Shiritin e preu Presidenti i RPS të Shqipërisë Haxhi Lleshi…
Ujësjellësit të Korabit në vitin 2005, investim i PD në pushtet, iu shtua edhe burimi i Bjeshkëve të Shehit (Abazit), tubat e të cilit bashkohen me ato të Preshit në Tejs.
Ujësjellësi i Bjeshkëve të Shehut (Abazit) ka kapacitet të madh rrjedha e të cilit gati e dyfishon ujësjellësin e Peshkopisë, ujësjellës me 121 litra ujë në sekondë.

Në depon e ujit në Peshkopi nuk derdhet asnjë pikë nga ujësjellësi i burimeve të Korabit !!!
Po ku shkon tërë kjo sasi e madhe uji të pastër të pijshëm, sasi e cila me normat zyrtare do të furnizonte çdo shtëpi në të gjithë hapësirën e Dibrës?

Asnjë fjalë zyrtare e deklaruar.
Uji i Korabit, futur në tuba të çeliktë, shkon për vaditjen e tokave në hapësirën nga Kalla e Vlesha në Sllovë, Sllatinë, Rrenc, Shumbat, Sohodoll etj.
Fjalë e besueshme jo zyrtare.

Ujësjellësi i Peshkopisë është prerë me mjete të zakonshme, është çarë dhe rrjedh në arat me misër, jonxhë, pemëtore…
I planifikuar për ujë të pijshëm për 18 fshatra rrjedhës së tij (në përurimin e disa prej të cikleve – Sllovë, Shumbat, Pilafe… kam qenë i pranishëm me fjalën e shkruar dhe fotografi) për ujin e Korabit heshtet, një heshtje varri si nga Partia Socialiste po ashtu edhe nga Partia Demokratike në vitet e tyre në pushtet dhe opozitë.

Në mbështetje të ujësjellësit të Korabit, kërkesat e mëdha që erdhën nga fshatrat në rrjedhë të tij, lehtësimin që uji të ishte kryesisht  për Peshkopinë, u mendua dhe filloi puna për ndërtimin e ujësjellësit të Sopanikës.

Burimet e Sopanikës, një ujëvarë e bukur ujëplotë, u planifikua që nëpërmjet një stacioni pompimi (!) të ngjiteshin në Kodër-Leshe e me rënie të lirë të kalonin Drinin e të furnizonin me ujë të pijshëm e të bollshëm të gjithë fshatrat e luginës, nga Fushë-Çidhna, Kastrioti, Sohodolli e deri në Brezhdan e Ushtelencë. Një vepër përmasa mëdha, një vepër që çlironte nga barra e bucelës, shtambës e gjymit gruan, barrë që ajo e ka përcjellë mbi kurriz për të përballuar sfidën e saj për pastërti në familje, virtyt i njohur i dibranes.
U hapën kanalet, u salduan tubat e çeliktë, u hidroizoluan lyer me serë dhe u futen thellë që uji të përcillej i ftohtë “si në burim”.

E kam ndjekur në vitet 1989-1990 me kronika e reportazhe, me fotografi e fotoreportazhe.
Dhe kur u ndërruan sistemet, tubat nuk rrodhën ujë por rrodhën thirrjen e “kuotës zero”, thirrjen e “çekut të bardhë”. Tubat u shkulën në tërë gjatësinë, nga burimi deri në Brezhdan…

U shkulën, siç më shkruante një dëshmitar në një shënim në facebook, se ishin “tuba komuniste” !!!
U bënë “përpjekje” për rehabilitim, madje u bënë edhe përurime, një prej të cilit ai në prag të 26 majit 1996 nga Sali Berisha e një tjetër në lëmoshë të një ndihme kineze nga prefekti socialist i Dibrës.

Gjithë ai mund, gjithë ato vlera materiale e monetare u varrosën.
Për to nuk u vu në bankën e të akuzuarit askush.
Më vonë, kurios për zhvillimet në Dibër ku linda dhe u rrita, mësova se uji i Sopanikës kishte marrë tjetër rrugë, kishte kaluar Drinin e kishte furnizuar me ujë të pijshëm Fushën e Alie dhe fshatrat rreth saj. Këtë ma thotë kushëriri im Ahmet Keça në shtëpinë e të cilit do të desha ta mbush gotën me ujin e atij burimi që mjerisht nuk arriti në shtëpinë time në Zdojan.

Kam jetuar, me kronika pune, me përshkrime e me fotoreportazhe ujësjellësin e Kovashicës, ujësjellës që do ti merrte ujërat e burimit e nëpërmjet motorëve të fuqishëm do i ngjiste lart në kodër e me vetërrjedhje do kalonte nëpër Urën e Tropojanit për tu ngjitur në pikën më të lartë të Moranicave e zbritur nëpër fshatrat e Fushës së Maqellarës.
Nga ana tjetër do tu jepte ujë fshatrave të Shupenzës me radhë deri në Gjoricë të Epërme e të Poshtme.

Kam në arkivin tim fotografik prej 10 mijë negativash nga viti 1964 deri në vitin 1996 fotografi “shatërvanësh” dal nga tubacioni, njerëzish punëtorë të palodhur në hapjen e kanalit, në saldimin e tubacioneve, në montimin e çezmave, në një miting përurues në Pocest…

Vetëm ata kanë mbetur, kujtim i mbyllur në një arkiv…
Maqellara nuk ka ujë me pi…
Se ku shkoi ajo djersë çurg e ata miliona shpenzime askush nuk flet…
Për ujësjellësin e Cetushit, ndërtimin dhe dështimin e tij, në faqet e internetit nuk ka asnjë fjalë të shkruar.

Mbase ndonjë kronikë entuziaste mund të gjendet faqeve të zverdhura të gazetës RD dhe Gazeta 55..
Mbase !!!
U shpenzuan mbi dy milionë euro.
U përurua me bujë nga udhëheqësi më i lartë i partisë në pushtet.
Asnjë zë.
I vetmi që mund të na thoshte ndonjë fjalë fluturuese është kryetari blu i atëhershëm i Peshkopisë
Ai ndodhet në Amerikë !!!

Grama është një pllajë malore, livadhe e kullota ndër më të mëdhatë (unë them më e madhja) në vend e më të bukurat, madje edhe në Ballkan…
Është një perlë në guaskën e vet e lakmuar për verim nga zonjat e pashallarëve të Stambollit që lanë emrin “Bjeshka e zonjave” pikërisht atje ku nxjerr valën burimi kryesor i bjeshkës.

Bile, larg e larg në kohë, Bujar Karoshi një dashnor i madh i Dibrës, flet për një gojëdhënë që atje pushonin zonjat e mëdha të Kastriotëve, pronat e të cilëve i gjen edhe sot.
Në shkrimet e mia Gramën e kam radhitur të parën për bukurinë dhe begatinë, të parën me Lurën e Kacninë pas, me sytë e kaltër me qerpikë degëzash arneni që lidhen e mbesin kaltërsive qiellore, u japin dhe u marrin atyre të gjitha ngjyrat e ylberit.

Grama, në krahasim me Lurën ka ujë të bollshëm, ujë që del nga thellësitë e Gurit të Kuq-vargmal i Korabit e të ngrin duar e fytyrë kur e prek dhe t’i çan buzët kur e shijon. Kaq ujë, kaq burime nuk ka ndonjë bjeshkë e madhe shqiptare. Askush nuk krahasohet me të.
Vetëm një të metë kanë. Me që rrënjë kanë ujërat që shkrihen nga bora, verës, aty nga gusht-shtatori shkojnë deri në tharje të plotë.

Këtë e dinë barinjtë, gjithkush që e jeton Gramën tërë verës…
E kam ëndërruar Gramën si një sllallom gjigand ku faqeve pa një degës peme, të rrëshqasin skiatorë të rangut botëror, ku të organizohen lojëra dimërore.
E kam ëndërruar me një teleferik me pikënisje Mullirin e Kapshit…
Me tufa delesh e blegërima qengjash…
Me dhi të egra shpateve të Shëllinasit…

Me bletë në parqe të shumtë që kullosin lulet e majit e qershorit e sjellin në tryeza aromat e Korabit…
Grama ka një liqen, një ujëmbledhës do të ishte më e saktë.

Ujëmbledhësi është ndërtuar në lartësinë 2345 metra mbi nivelin e detit. Është ujësjellësi më i lartë në Shqipëri, madje edhe në Ballkan.
Ka një histori ujëmbledhësi, histori njerëzish të guximshëm që thyen normat e “shkencës”, deklaratat e “specialistëve” se për shkak të formacioneve tokë formuese nuk do të mbante ujë.

Guxuan inxhinieri pa diplomë Gani Tuçepi me shokë dhe e ngritën digën. Nuk kishte rrugë makinash e tubat për sifonin nuk mund të ngjiteshin. U salduan fuçitë njëra me tjetrën dhe sifoni funksionoi për afro një gjysmë shekulli deri kur një ditë u përdor tritol për të zhbllokuar  një fuçi të ndryshkur e zinxhiri i fuçive të salduara u prish…

Ujëmbledhësi u ndërtua në dy faza: E para në verën e vitit 1962 dhe e dyta në verën e vitit 1963. Kapaciteti ishte 600 mijë metra kub.  Uji përdorej  në një rrjet kanalesh 11 kilometra të gjatë që ujiti 1200 hektarë tokë të Sohodollit dhe fshatrave të tjerë…
Ka edhe një histori “këputje në rrënjë”, një ëndërr specialistësh të guximshëm…

Në fund të viteve ’80 – të shekullit të kaluar u miratua projekti për ujitjen e tokave të Zimurit, Bahutes, Staravecit, Cerjanit, Bellovës, Zagradit e Rabdishtit, toka tipike për kultivimin e patates për farë e konsum, për rritjen e rendimentit dhe prodhimit të saj.
Projekti parashikonte ngritjen e digës dy herë më shumë, formimin e një ujëmbledhësi të madh uji i të cilit do të kalonte me tunel masivin e gipseve të Shëllinasit për të dalë në Zimur e për të vijuar me vetërrjedhje ujitjen e tokave të zonës malore në lindje të Peshkopisë…

Projekti, me ndryshimin e sistemit, u harrua ashtu siç u harruan disa vepra të mëdha ujitëse në mbarë Dibrën…
Projektuesin, një inxhinier të talentuar dhe organizator punimesh e takova në qershor të këtij viti në plazhin e Durrësit. Kujtuam ato ditë. Dolëm në fotografi.
Më tha mos shkruaj për të.
E kishte një plagë të madhe profesionale…
Grama ka pronarë. Pronarë të ligjshëm.

Në Arkivin e Shtetit ka një dokument që flet për pronarë, pronarë me emër e mbiemër, me kufij tokësorë, me sipërfaqe kullote, livadhesh e pyjesh. Madje edhe “tokë e punuar”
Në Gramë ka shtatë pronarë: Cen Elezi me 170 dynymë “tokë e punueme”, 1000 dynymë “livadhe”,  760 dynymë “kullota”, 400 dynymë “pyje”. Gjithsej 2460 dynymë. Dikë Xhelili ka gjithsej 790 dynymë. Beshir Jusufi ka gjithsej 420 dynymë, Qazim Azis ka gjithsej 420 dynymë, Bejzat Hajdari, Ali Ibrahimi dhe Sheh Shazumani kanë nga 150 dynymë kullota.
E dhjeta e Gramës në vitin 1928 ka qenë 520 franga ari.

Për administrimin e pronës së tyre Cen Elezi kishte 6 familje kurse Dik Xhelili dy familje.
Grama deri në vitin 1946 është administruar nga familjet e mësipërme, familje që u krijonin hapësirë kullote edhe ndonjë fshati  të zonës së ulët të Dibrës.

Pas vitit 1946 Grama u shtetëzua dhe administrimi i saj u bë nëpërmjet  ndërmarrje “Pyje e Kullota”, ndërmarrje e cila caktonte edhe hapësirat kullosore dhe të prerjes së druve të zjarrit për kooperativat bujqësore dhe për banorët e Kalasë së Dodës.
Të dhënat e mësipërme janë vjelur nga ana ime me dorëshkrim në kërkim të dokumenteve për një studim historik në vitin 1978.

Grama, për shkak të natyrës së bukur, liqenit artificial, maleve në kupën e të cilëve qëndron, e veçanërisht Shëllinasit ku ka tufa  me dhi të egra gjejnë jo vetëm ushqimin e pastër alpin por edhe “shëllirën” kripën tërheqëse në t’ushqyerit e tyre është pjesë e zonës së mbrojtur Korab Koritnik, mbrojtje që ligjërisht nuk lejon asnjë ndërhyrje që prish parametrat natyror.

Inxhinieri Munir Hoxha, një zë i veçantë në mbrojtjen e natyrës së bukur të Dibrës, veçanërisht një zë kritik i “frontit të parë” në mbrojtjen e luginës së Drinit të Zi, mbytjen përgjithmonë të saj  nga hidrocentrali i Skavicës, madje zë i fortë edhe në mbrojtjen e lumit të Radikës (në anën tjetër të kufirit shqiptaro-shqiptar) nga synimet maqedonase për ti marrë ujin e për ta tharë më shkruan:

“Përshëndetje miku im Abdurahim!
Unë ka 9 vite që nuk kam qanë në Gramë  Nga të dhënat informale si dhe nga postimet e miqve, kam mësuar se, ashtu si në shumicën e projekteve, qeveritarët tanë qendrorë e lokalë i neglizhojnë pa asnjë shqetësim detyrimet ligjore për të ba më parë studimet mjedisore dhe efektet e ndikimit në mjedis përfshirë këtu edhe studimet gjeologjike e hidrologjike…. Mesa dijë unë janë kryer shkelje të rënda ligjore duke ndërtuar në një zonë të mbrojtur (Parku Natyror Korab-Koritnik) !!!

Pasojat janë vërtetuar shumë shpejt mbas përfundimit të veprës.
As ujë nuk kanë siguruar për qytetin, por kanë shkaktuar edhe dëmtime të rënda të mjedisit të Parkut, përfshirë edhe Monumentin Natyror të Shëllinasit.”

*             *                  *

Burimet e ftohta të Gramës nuk e furnizojnë qytetin e Peshkopisë me ujë veçse dy orë në ditë !!!
Një kronikë publike…
Ujësjellësi që furnizon qytetin e Peshkopisë nga burimi i Gramës, ndarë në dy faza punimesh, ka kushtuar afro 784 milionë lekë (të reja pa tvsh) ose afro 6.8 milionë euro.
Faza e parë e punimeve ka kushtuar afro 614 milionë lekë (të reja pa tvsh), fituar nga kompania “Gjoka Konstruksion”, ndërsa faza e dytë afro 170 milionë lekë (të reja pa tvsh) fituar nga kompania “Selami”.

Me këtë investim, pretendohej se do ti jepej zgjidhje furnizimit me ujë qytetit të Peshkopisë, por edhe zonave përreth.

Në Dibër, banorët shprehen se janë sërish në njëjtën situatë, ku uji vjen vetëm 1 herë në ditë për 30 minuta dhe pa presion e nuk mund të arrijnë të mbushin edhe depozitat.

Të premten, 28 tetor 2022 ora 08:08 në “DRITARE NET” KRYEMINISTRI I Shqipërisë, i gëzuar, përcjell këtë mesazh:
“Mirëmëngjes, dhe me këto foto nga ujësjellësi i ri i Dibrës që siguron tanimë 24 ORË ujë të pijshëm që buron nga Bjeshkët e Gramës, Mali i Korabit, në çezmat e 36 mijë banorëve të Peshkopisë e fshatrave përreth, ju uroj një ditë të mbarë.”
Po çfarë ka ndodhë në Gramë.
Një bukurie të bukurive alpine, e rrallë në të gjithë vendin, i është vënë kazma  e dhëmbët e çeliktë të buldozerëve…
Është masakruar…
Me dashje…
E planifikuar në detaje…

Kisha përshtypjen se ata që bënë projektin dhe zbatuan atë nuk e dinin se burimi i madh Gramës muajin e fundit të verës dhe muajin e parë të vjeshtës shkon drejt tharjes së plotë.
Nga projekti, tashmë dokument në internet, shikohet qartë se ata e dinin mjaft mirë.
Ndaj e kishin bërë lëmsh gjithë ballin e bukurisë së Gramës në kërkim të burimeve të të gjithë bjeshkës.

Në relacionin teknik “NDËRTIMI I UJËSJELLËSIT TË GRAMËS, DIBËR ” VITI 2020 “ERALD-G” SHPK shkruhet:

Për grumbullimin e burimeve në një Basen Presioni të ndërtuar pranë liqenit. Kaptazhet e burimeve mbledhin ujërat që dalin në burim.
Baseni i presionit është një vepër e cila do të ketë funksion akumulimin e prurjes së të gjithë kaptazheve, dhe do te projektohet i tillë që të mos lejojë rënien e nivelit të ujit nën një vlerë te caktuar me qellim mbajtjen nen ngarkese te tubacionit te transmetimit, deri ne depon Peshkopi

Peshkopia nuk ka ujë të pijë “24 orë” në ditë…
Drama e saj për ujë të pijshëm është unikale në të gjithë Shqipërinë.
Një nënë, kur donte që nëma e saj të mos zinte, e nëmte djalin të prapë. “Blefsh ujë dhe e pifsh or djalë !!!

BLEFSH UJË DHE E PIFSH OJ DIBËR…
Eh, sikur të mos e kisha kërkuar atë gotë me ujë Grame…
Eh!…

Abdurahim Ashiku
Fragment nga “Shënime udhëtimi  27-28 qershor 2024

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.