Ali Llunji, ULQINI E DETI, Fondacioni Lika, Ulqin, 2026
Botimet të cilët kanë të bëjnë me Ulqinin kanë marrë hov pas vitit 1990, me rastin e ndryshimeve shoqërore e politike në vend. Jo se nuk ka pasur autor më parë me sens kriues, por ishin rrethanat shoqërore që ndaj shqiptarëve në përgjithësi e Ulqinit në veçanti ishin specifike në sajë të kaluarës së tij historike. Ishte koha kur na ishte mohuar e drejta për të shkruar të vërtetën, sepse pasojat ishin evidente
Nail Draga
Në kuadër të atyre personaliteteve të Ulqinit të cilët janë dalluar me veprimtarinë e tyre krijuese e botuese, bën pjesë edhe Ali Llunji i cili ndonëse pjesën ma të madhe të jetës e ka kaluar në Kosovë, ai i ka mbetur besnik vendlindjës, Ulqinit të tij të dashur. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse vendlindja të ndjek nga pas kudo që të shkosh e të jetosh. Ai ka lindur në Ulqin në vitin 1939, pjesëtar i familjes së nderuar të hafiz Hasan Llunjit. Në vendlindje ka kryer shkollën fillore, ndërsa të mesmen – normalën në Prishtinë, dhe Fakultetin gjuhë e letërsi shqipe në Prishtinë.
Jeta dhe puna në Kosovë
Ndonëse në detyrën e arsimtarit ka filluar të punojë në Katërkollë në Anë të Malit, veprimtaria e tij kryesore është zhvilluar në Kosovë, ku ka jetuar e punar rreth gjashtë dekada. Kështu në Kosovë fillimisht punuar si profesor në Gjimnazin e Prishtinës dhe në Shkollën e Lartë të Komunikacionit(Prishtinë). Ndërsa më pas puna e tij kryesore ka qenë gjatë pesë dekadave në në fushën e publicistikës: si gazetar, redaktor, redaktor përgjegjës, komentator e kryeredaktor.
Ka punuar në Radio Prishtinë,në Redaksinë Shqipe të TV Beogradit, në Televizionin e Prishtinës(TVP), Entin e Teksteve, ndërsa është pensionuar si drejtor i Arkivave të Radio Televizionit të Kosovës. Është nder themeltarët e kuadrot e para udhëheqëse e kreative të Programit Dokumentar Fejtonistik të TVP-së. Me shumë raporte, vështrime e komente informoi opinionin shqiptar për ngjarjet më të rëndësishme në kulturë, arsim, shkencë të mejdiseve tona dhe më gjerë.
Si reporter televiziv ka përgatitur dokumentarë shkencor si ai i ”500 vjetorit të Skënderbeut” (1968), ”Konsullta Gjuhësore e Prishtinës”, “Kongresi i Drejtshkrimit” (1972), shumë festivale e manifestime letrare etj. Ka punuar si autor e bashkautor ne serialet dokumentare-televizive:”Arbreshët e Italisë”, “Arbreshët e Zarës”, “Shqiptarët e Sirisë”, “Shqiptarët e Peshterit”, serialet “Gjeniu i kombit-Jeta dhe vepra shkencore e prof. dr. Eqrem Çabejt” etj.
Po ashtu është marrë edhe me kritikë teatrore, filmore dhe letrare, me karakter eseistik e shkencor, që i ka botuar në mediat e shkruara të kohës në Kosovë. Si shkrimtar ka shkruar prozë,drama e skenarë për filma artistikë. Nder librat më të rëndësishëm janë: “Në kalimere”, prozë për fëmijë (1967), “Lugu i Xhemiles”-dramë (1998); “Migjeni-filiz i epokës sonë” (1990), “Beqir Kastrati-legjendë e arsimit kosovar” (2001), “Harapet e Ulqinit” (2013) dhe se fundit ”Ulqini e deti” (2026).
Detarët-ambasadorët e Ulqinit
Duke lexuar këtë libër, çdo lexues do të njoftohet me disa të dhëna të cilat janë pjesë e kujtesës urbane të Ulqinit, që më kujdes të veçantë janë evidentur nga autori. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse sa herë që Aliu ka ardhur në vendlindje, ai nuk ka qendruar statik, por vazhdimisht ka mbledhur material interesant jo vetëm nga detarët e peshkatarët e Ulqint, që ishte veprimtari jetike e tyre. Madje ky ishte një obligim moral përkatësisht një ndjenjë e veçantë e autorit ndaj vendlindjës dhe bashkëqytetarëve të tij, të cilët kanë qenë ambasadorët me të denjë të qytetit të Ulqinit.
Krahas meditimit e komunikimit në bashkëbisedim me individë të ndryshëm, duhet thënë publikisht se ai ka qenë i privilegjuar sepse pranë vetës ka pasur nënën e tij, e cila ka qenë një arkiv i veçantë për të kaluarën e Ulqinit. Në këtë botim janë përfshi një gamë e gjerë detaresh të moshave të ndryshme të cilët kanë bërë emër në kohën e tyre. Ata në këtë botim na paraqitën si dëshmi e një jetë dinamike, në luftë me detin dhe mbijetesën në det, duke mbetur emblemë e qytetit të Ulqinit.
Shtojca vlerë e veçantë e librit
E veçanta e këtij botimi ka të bëjë me shtojcën e cila është realizuar nga botuesi duke ofruar të dhëna me interes për traditën detare shqiptare me theks të veçantë në traditën ulqinake të detarisë. Në këtë aspekt ofrohen të dhëna për barkat ulqinake me vela deri në vitin 1918, kapedanët e detarët ulqinakë. Po ashtu ofrohen të dhëna edhe për detarët ulqinakë të shpëmgulur në Shkodër e gjetiu në Shqipëri, pas vitit 1880. Kemi të bëjmë me një veprim të qëlluar sepse ka kompletuar çështjen e trajtuar, duke ofruar të dhëna me interes për çështje të antopologjisë historike e asaj kulturore.
Ndërsa fotoalbumi përmbyll në mënyrë logjike një botim interesant jo vetëm për detarinë e Ulqinit, duke ofruar pamje të ndryshme me interes shumëdimensional.
Përfundim
Në sajë të përmbajtjës e tematikës së trajtuar këtë libër në vitrinën e tyre duhet ta mbajnë të gjitha familjet ulqinake të cilët kanë qënë pjesë e veprimtarisë së detarisë, sepse ata këtu përmenden me emër e mbiemër. Ky libër paraqet të kalurën e Ulqinit të paktën këto tre shekujt e fundit, periudhë kur në ketë qytet lulëzoj veprimtaria e detarisë e më te e edhe e kusarisë.
Por, në këtë aspekt nuk duhet përjashtuar as të tjerët sepse deti është i të gjithë qytetarëve si vendas por edhe i atyre që këtu vijnë si vizitor. Të dhënat e ofruara në këtë botim janë dëshmi transparente për të kuptuar rëndësinë e kësaj veprimtarie për mbijetesën në këtë qytet në të kaluarën.
Pasi Ulqini është i veçantë në historinë e detarisë shqiptare, nga ky botim kanë mundësi të njihen me të dhëna me interes të gjithë ata të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme për detarinë e Ulqinit sidomos ne këto tre shekujt e fundit.
Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një botim të veçantë i cili përveç kujtimeve të bartuara përcjell edhe ata të përjetuara, nga e kaluara e deri në ditët tona, literatura e konsultuar avancon çështjet përkatëse. Dhe si i tillë e them me bindje të plotë se fragmente nga ky botim në lidhje me detarinë e Ulqinit, mund të prezantohen si njësi e veçantë mësimore në shkollat fillore dhe të mesme, sepse të dhënat e tilla në këtë libër janë të rralla, për të gjithë ata që detarinë e kanë hobi apo në interes të meditimit personal.
Në këtë drejtim ulqinakët kanë qenë shëmbull sakrifice e guximi në aspektin lokal e ate kombëtar si asnjë qytet tjetër në të kaluarën në bregdetin shqiptar. Ndërsa prezantimi i kësaj veprimtarie në letërsinë popullore e në veçanti në folklorin shqiptar e dëshmon më së miri një konstatim të tillë.
Dhe në fund cekim se për të gjithë ata që duan të trajtojnë detarinë e Ulqinit, ky botim do të jetë referencë e domosdoshme, për hulumtimet apo studimet e ndryshme për detarinë e Ulqinit, e cila ka qenë sinonim i veprimtarisë së ulqinakëve dhe mbijetesës së tyre në këtë cep të Ilirisë.
(Lexuar më rastin e përurimit të librit në Ulqin, më 6 prill 2026)











