Në pesëvjetorin e Ditës së Lurës  

0
213

Foto: Gëzim LOKA

Lura jonë na kërkon të përkushtuar e të përbashkuar…

Nga Gëzim Loka

Pesë vjetorin e Ditës së Lurës nuk mund ta linim në heshtje e harrim, pasi ishte një ngjarje festive dhe si e tillë duhej konsideruar e vlerësuar. Ndaj plan-masat organizative për kremtimin sa më dinjitoz të saj qenë marrë që në korrik të vitit 2023, duke njoftuar në numrin 13 të gazetës “Lura” për këtë ditë të shënuar për lurianët tanë, ku janë e nuk janë.

Edhe këtë herë, Dita e Lurës nisi disa ditë para, me dërgimin e pllakave dhe lajmërimeve në Lurë, me anë të takimeve me miq lurianë e jo lurianë. Një ditë para u takova me dy biznesmenët e njohur luras kadri Haldeda dhe Ali Kalija, ku si gjithmonë fjala bie fjalën e Lura jonë mbetet epiqendër e çdo bisede e kuvendimi.

Më 23 shtator u nisa nga Tirana me shoferin e linjës Selman Doçi. Gjatë rrugës takohem e shkëmbej mendime me Kapllan Bucin dhe Iliaz Hoton, ku nisi biseda e zjarrtë e ku gjatë gjithë kohës në fokus ishte Lura jonë.

Në orën 13 arritëm në Lurë ku na pritën me gëzim e dashuri  lurasit që ndodheshin në kafe dhe ishin në dijeni për veprimtarinë e ditës së nesërme. Kafenë e parë e pimë në lokalin e i Rrush A. Hotit, ku përsëri Lura e rrënjëve dhe degëve tona, me krenarinë dhe plagët e saj, me hallet dhe problematikat, ishte në qendër të fjalëve e muhabetit që rridhte si ujëvarat lurase…

Kafenë e dytë e pimë te Kastriot Doçi, mësues në Lurë, ku u mblodhën shumë vetë dhe rishtas ia nisëm shtruar muhabetit për Lurën tonë. Kafja e fundit ishte tek Faik Buci, gjithmonë I rrethuar nga lurasit e mi, vendalinjtë e rrënjëve, të pragjeve dhe themeleve të kullave tona fisnike, që dinë tëp resin mikun dhe të flasin siç iu ka hije lurasve.

Në mbrëmje fjeta tek hoteli I Hasan Hotit, ku u prita me shumë dashamirësi e bujari dhe rishtas folëm për Lurën, për Ditën e saj, për pesëvjetorin kremtues të kësaj dite të shënuar për ne të gjithë, atyre që na prisnin aty, tek dyert e pragjet dhe ne që kishim ardhur nga larg.

Të nesërmen, pas kafesë së mëngjesit, në orën 10 nisi Dita e Lurës, ceremonia zyrtare. Do të festohej pesë vjetori i Ditës së Lurës. Në këtë ceremoni festive morën pjesë: Nikoll Vladi, Dali Gjoçi, Maliq Buci, Lazam Kaci, Hakik Gjokola, Mehmet Buci, Kastriot Doçi, Faik Buci, Ibrahim Buci, Lik Skana, Xhafer Hoti, Kapllan Buci, Lorenc Buci, Taip Hoti, Lulzim Doçi, Gëzim Hoti, Sefer Loka, Rrush Hoti, Asllan Vladi, Ramadan Vladi, Gani Bruçi, Shefqet Buci, Ilir Hoti,  Asllan Dogjini, që kishte ardhur nga Tirana për Ditën e Lurës.

Dali Gjoçi në fjalën e tij tha se se  bukuritë e Lurës, si një nga mrekullitë më të bukura shqiptare e evropiane, duhen ruajtur dhe pasuruar nga dora e njeriut dhe vëmendja e institucioneve të shtetit.

Haki Gjikola foli për Ditën e Lurës si një vlerë që po kthehet në traditë.

Përshëndeti dhe Kastriot Doçi, që u përqëndrua tek nevoja e mbajtjes gjallë të traditave më të mira lurase me anë të Ditës së Lurës.

Faik Buci foli me zemër në dorë dhe i emocionuar nga pamja që kishte përpara syve, një bukuri e hazdisur alpine, siç e quajti ai Lurën tone, duke u ndaluar tek mikpritja, kjo dhunti e njerëzve fisnikë, që udhëhiqen nga kararet e dheut lurian dhe ia japin mikut zemrën në dorë.

Më tej diskutuan Lazam Kaci, që si gjithmonë bëri një prerje vertikale dhe shijehollë të historisë e traditave të Lurës, për kodet e burrnisë luriane, për historinë e lashtë dhe të re të Lurës, që i kanë rrënjët në këto pragje kullash, që siç tha ai duhen mbajtur në këmbë e rindërtuar, për tu pasuar më tej nga M. Buci, që që u ndal në vlerat e traditave dhe zakoneve luriane të ardhura nga brezi në brez.

Fjalën e mbylljes e mbajta unë, me cilësinë e iniciatorit dhe moderatorit të kësaj veprimtarie dhe të kryeredaktorit dhe botuesit të gazetës “Lura”, ku e vura theksin tek përkushtimi që duhet të kemi të gjithë për ta mbajtur të ndezur prushin e kësaj dite, si një ogur mbarësie për brezat e vjetër e të rinj të Lurës sonë.

Sapo u ktheva në Tiranë, po më prisnin me gëzim e padurim Kadri Aldeda e Ali kalia, për t’u vënë në dijeni të veprimtarisë së Ditës së Lurës, në pesëvjetorin e saj, gjë që unë e bëra me dëshirë, pasi ua njoh pasionin dhe përkushtimin që i karakterizon kur vjen puna tek Lura jonë e dashur.

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.