Zymer Mehani
Bardhësi e plisit
Kodrave në vjeshtë, ku dielli ngadalë zbret,
Plisi i bardhë shqiptarit, në krye i shkëlqen.
Mbi ballin e tij, si dritë rrezimtare,
Ky simbol lavdie, në historinë kombëtare.
Ajo bardhësi plisi, kurorë e natyrës,
Në vete mbërthen hirin e fjalët e zjarrta.
Ku era e shtrëngata, në fusha të larta
Këngët i këndon shtigjeve të përflakura.
Rri krenar shqiptari, si princ e si mbret
Në ditë të mërzitshme, plisi i është shpresë,
Ndriçon rrugët, sheshet, ndonjë shpellë të thellë
Me majën e lartë, ai puthet me qiell.
O bardhësi e plisit, simbol i lavdisë,
Pastërti e natyrës, hijeshi e Perëndisë.
Përgjatë historisë, ne të bartim prore,
Plisi bardhë, flamur i lartë i shpresës stërgjyshore.