Edhe një libër interesant në duart e lexuesve…

0
449
Zymer Mehani - Mustafë Rushiti

Fadil H. Curri

Fjala e redaktorit, Fadil H. Curri

Libri më i ri monografik i mikut tim të penës, poetit, z. Zymer Mehani ’’Mustafë Rushiti-Veteran i arsimit dhe veprimtar i shquar’’, i është dedikuar një personaliteti, që jeton, punon dhe vepron në fshatin Mazgit. Përmes kësaj monografie, natyrisht se e shohim një histori të tërë jetësore të Mustafë Rushitit, i cili pavarësisht sfidave jetësore, nuk u gjunjëzua kurrë, por fatet e tij i lidhi me fatet e kombit dhe të atdheut tonë, e libri është rrëfyer me gjuhën e thjeshtësisë për përpjekjet e Mustafë Rushitit (sot veteran i arsimit) për arsimin dhe edukimin shqip, për atdheun dhe për kombin.

Libri në fjalë është konceptuar në katër kapituj. E tërë lënda është mbarështruar dhe sistematizuar edhe në disa nënkapituj.

Kapitulli I përfshin të dhëna të përgjithshme për Koliqin, që është vendlindja e mësimdhënësit dhe e atdhetarit, Musrafë Rushiti.

Duke u bazuar sipas dokumenteve historike, autori ka folur për të kaluarën historike të këtij lokaliteti, që nuk duhet harruar kurrë, pastaj për kohën gjatë LDB, për kushtet ekonomike dhe tregtare, për arsimin e kulturën, për faktin brengosës që Koliqi është fshati që dita – ditës po shkon në harresë, për topografinë, mikrotoponimet e këtij lokaliteti, si dhe për etimologjinë e emrit Koliq. Kapitulli II faktikisht paraqet edhe temën bosht të librit, d.m.th. në të trajtohet jeta dhe veprimtaria edukativo-arsimore e veteranit të arsimit, Mustafë Rushiti.

Në këtë kapitull flitet pra, për jetën dhe veprimtarinë edukativo-arsimore të Mustafë Rushitit (si mësimdhënës dhe në pozitën e drejtorit), për burgosjen e tij, pastaj për përndjekjen dhe shpërnguljen nga vendlindja-Koliqi, për kthimin në fshatin Mazgit, më 1999, meqë ishte dëbuar nga Kosova sikurse rreth një milion shqiptarë; për aktivitetin politik dhe veprimtarinë e tij pas luftës së vitit 1999; duke mos e harruar fëmijërinë e tij; për rrugëtimin e ndërprerë, por të frytshëm të mësuesit Mustafë Rushiti; për karakterin dhe thjeshtësinë e tij etj.

Në kapitullin III flitet për Shkollën sgqipe të Koliqit, duke dhënë një historik të shurtër; për punën e devotshme, karakterin dhe personalitetin e Mustafë Rushitit, për ndikimin që ai pati si mësimdhënës në ndërtimin e karakterit të fëmijëve; për punën e tij me përkushtim, si dhe për vizionin e tij atdhetar.

Në kapitullin IV janë paraqitur karakteristika të përgjithshme (shtrirja gjeografike dhe kufijtë; territori dhe popullsia; klima dhe zhvillimi ekonomik etj.) i Mazgitit- si vendbanim i ri i Mustafë Rushitit, për të kaluar pastaj te aktivitetet e shumta të Mustafë Rushitit, duke përfshirë shkrimin e tij “Pak fjalë për botimin e monografisë “Fshati Mazgit përgjatë kohërave të historisë” dhe për autorin e saj, Fadil H. Curri”, për të paraqitur pastaj momentet pas prerjes së shiritit në bibliotekën e Shkollës “Dr. Ibrahim Rugova”, në fshatin Mazgit, në Ditën Botërore të Librit, me ç’rast qe bërë edhe përurimi i bibliotekës së asaj shkolle; pastaj autori ka folur për Qendrën e Pensionistëve në Kastriot, për themelimin e së cilës dha kontribut të jashtëzakonshëm Mustafë Rushiti; është dhënë shkrimi i tij “Pak fjalë për shkollën e parë të pasluftës në fshatin Mazgit i Poshtëm, komuna e Obiliqit»; pastaj janë renditur shkrime për Qendrën Rekreative të Pensionistëve dhe të Invalidëve të Obiliqit, lajme për jehonën e kësaj ngjarjeje në media (kryesisht në gazeta e portale); për vizitat, ekskursionet dhe aktivitetet e pensionistëve të komunës së Obiliqit në Prevallë, Rugovë, që ishin mysafirë në Tetovë, në Shkodër etj. etj.

Librit vlerën ia shton edhe një shtojcë me dokumente, materiale, foto, mirënjohje e çertifikata, që i janë ndarë Mustafë Rushitit, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për suksese në punë.

Krejt në fund, është dhënë edhe fjala e vetë autorit Zymer Mehani për librin “Mustafë Rushiti

– Veteran i arsimit dhe veprimtar i shquar”. Ky libër është një monument kulturor dhe rikujtues për jetën dhe për veprimtarinë arsimore e atdhetare, për vullnetin e pashoq për punë të mësimdhënësit e aktivistit Mustafë Rushiti, që me sakrificë, me guxim dhe me atdhedashuri edukoi breza të tërë, duke vënë para vetes interesin e përgjithshëm kombëtar dhe duke sakrifikuar gjithçka vetëm për arsimim në gjuhën shqipe.

Mustafë Rushiti me shokë meritojnë mirënjohje, respekt dhe lavdi. Librit monografik të autorit Zymer Mehani ’’Mustafë Rushiti-Veterani arsimit dhe veprimtar i shquar’’ i urojmë rrugëtim të mbarë deri te duart e lexuesve! Familja Rushiti, lexuesit dhe zotëri Mustafa ta gëzojnë librin, e autorit Zymer Mehani i urojmë shëndet e suksese të reja në rrafshin publicistiko-letrar!

Mazgit, fundgusht 2022, Fadil H. Curri

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.