Një vëzhgim sot…
Dhe një parashikim i Vladimir Iliç Leninit 107 vjet më parë…
Anglia ishte dhe iku. Bashkimi Evropian mbeti pa perandorinë, që nuk i perëndon dielli kurrë.
Kush e ka radhën tani?
Sociologu Tarifa, në një shkrim të gjatë në “Dita” thotë se “Ajo çka sot është një Europë e bashkuar, nesër mund të jetë përsëri një Europë e fragmentarizuar, e ndarë. Në vend të Bashkimit Europian mund të kemi një Europë Mesdhetare, ose një Europë Latine (Franca, Italia, Spanja, Portugalia—me ose pa Greqinë, por me shumë të ngjarë, pa këtë të fundit).
Mund të kemi gjithashtu një Europë Balltike (Suedia, Finlanda, Danimarka, Estonia, Letonia dhe, ndoshta, edhe Norvegjia, edhe pse kjo e fundit, si deri më sot, mund të dëshirojë të mbetet e paasociuar me ndonjë grupim vendesh të tjerë).
Vendet e Benelux-it (Hollanda, Belgjika dhe Luksemburgu) mund të kthehen përsëri në atë rajon bashkëpunimi ndërshtetëror që ata krijuan pas Luftës së Dytë Botërore dhe që mori formë të plotë në vitet 1950.
Britania e Madhe, e cila gjithnjë ka pasur një marrëdhënie të vështirë me Bashkimin Europian (të cilit iu bashkua vetëm në vitin 1973 dhe prej të cilit doli në janar të këtij viti), do të vazhdojë të ruajë e të forcojë marrëdhënien e saj të veçantë me Shtetet e Bashkuara (dhe një marrëdhënie të ngushtë me Kanadanë), pa u përzier shumë në punët e kontinentit dhe pa u ndikuar në ndonjë masë të madhe nga problemet dhe krizat e mundshme të tij.
Një “tjetër” Europë do të jetë ajo Gjermanike, ose Europa Qendrore (Gjermania, Austria, Hungaria, Sllovenia, Kroacia dhe, ndoshta, edhe Polonia). Çekia dhe Sllovakia gjithashtu, pasi këta dy vende s’kanë se ku futen veçse në këtë grup, duke i dhënë fund konceptit të Vishegradit. Zvicra ka shumë të ngjarë të vazhdojë, si deri më sot, të ruajë neutralitetin e saj, çka i ka shërbyer shumë zhvillimit të atij vendi.
Do të mbetet, gjithashtu, një Europë Ballkanike (me fare pak ndryshime nga kjo që është sot, në të cilën mund të rikthehen Bullgaria dhe Rumania, por jo Kroacia dhe Sllovenia. Greqia ka të ngjarë t’i ribashkohet kësaj pjese të Europës nëse vendet e Europës Mesdhetare nuk do të duan (dhe ka shumë arsye të mos e duan) ta kenë atë në mesin e tyre…
Por si i shihte Vladimir Iliç Lenini, filozofi, udhëheqësi dhe krijuesi i shtetit të parë socialist në botë, 23 gusht 1915, 107 vjet të shkuara, “Shtetet e Bashkuara të Evropës”?
Për të…
Shtetet e Bashkuara të Evropës në kushtet e kapitalizmit ose janë të pamundshme, ose janë reaksionare.
Shtetet e bashkuara të Evropës, në kushtet e kapitalizmit, s’janë tjetër veçse një marrëveshje për të ndarë kolonitë. Por në kushtet e kapitalizmit nuk mund të ketë tjetër bazë, tjetër parim ndarjeje, përveç forcës.
Le të ndjekim logjikën e tij…
Por, në qoftë se parulla e Shteteve të Bashkuara republikane të Evropës, e lidhur me përmbysjen revolucionare të tri monarkive më reaksionare të Evropës, me monarkinë ruse në krye, s’ka të sharë si parullë politike, mbetet akoma për tu zgjidhur çështja shumë e rëndësishme e përmbajtjes dhe e kuptimit ekonomik të kësaj parulle. Nga pikëpamja e kushteve ekonomike të imperializmit, d.m.th. nga pikëpamja e eksportimit të kapitalit dhe e ndarjes së botës midis fuqive të “përparuara” dhe të “qytetëruara” koloniale, Shtetet e Bashkuara të Evropës në kushtet e kapitalizmit ose janë të pamundshme, ose janë reaksionare.
Kapitali është bërë ndërkombëtar dhe monopolist. Bota është ndarë midis një grushti fuqish të mëdha, d.m.th. midis një grushti shtetesh që janë treguar më të zotë për ti grabitur dhe për ti shtypur kombet e tjera. Katër fuqi të mëdha të Evropës: Anglia, Franca, Rusia dhe Gjermania, me një popullsi prej 250-300 milionësh, me një sipërfaqe prej afro 7 milionë kilometrash katrore, kanë koloni me një popullsi prej afro një gjysmë miliardi (494.5 milionë), me një sipërfaqe prej 64.6 milionë kilometrash katrore, d.m.th. gati sa gjysma e lëmshit tokësor (133 milionë kilometrash katrore pa zonën polare.
Shtoni këtu edhe tre shtetet aziatike: Kinën, Turqinë, Persinë, të cilat tani po bëhen copë-copë nga kusarët që kanë ndërmarrë luftën “çlirimtare”, d.m.th.: nga Japonia, Rusia, Anglia dhe Franca. Këto tre shtete aziatike, të cilat mund ti quajmë gjysmëkoloni (në të vërtetë ato, sot, në 9/10 janë koloni), kanë një popullsi prej 360 milionësh dhe një sipërfaqe prej 14.5 milionë kilometrash katrore (d.m.th. afro një herë e gjysmë më e madhe se sipërfaqja e gjithë Evropës).
Përveç kësaj, Anglia, Franca dhe Gjermania kanë investuar jashtë shteteve të tyre 70 miliardë rubla kapital. Për të nxjerrë një fitim të “ligjshëm” nga kjo shumë e majme, – një fitim që i kalon tre miliard rubla në vit – janë krijuar komitetet kombëtare të milionerëve, të quajtura qeveri, të pajisura me ushtri e luftanije dhe që kolonitë e gjysmë kolonitë “vendosin” bijtë dhe vëllezërit e “zotit miliard” si nën mbretër, konsuj, ambasadorë, funksionarë të çdo lloji, priftërinj shushunja të tjera.
Kështu është organizuar, në kohën e zhvillimit më të lartë të kapitalizmit, grabitja e afro një miliardi banorësh të tokës nga ana e një grupi fuqish të mëdha. Dhe në kushtet e kapitalizmit nuk mund të ketë tjetër formë organizimi. Të heqin dorë nga kolonitë, nga “sferat e influencës”, nga eksportimi i kapitalit? Të mendosh një gjë të tillë është njëlloj si të vihesh në pozitën e atij priftuci i cili çdo të diele u predikon të pasurve madhështinë e krishterimit dhe u këshillon që tu falin të varfërve… në mos disa miliarda, të paktën disa qindra rubla në vit.
Shtetet e bashkuara të Evropës, në kushtet e kapitalizmit, s’janë tjetër veçse një marrëveshje për të ndarë kolonitë. Por në kushtet e kapitalizmit nuk mund të ketë tjetër bazë, tjetër parim ndarjeje, përveç forcës. Miliarderi nuk mund ti ndajë me një tjetër “të ardhurat kombëtare” të vendit kapitalist, veçse në bazë të një përpjesëtimi të caktuar: sipas kapitalit (bile edhe me një shtesë, në mënyrë që kapitali i madh të marrë më shumë nga sa i takon). Kapitalizëm do të thotë pronë private mbi mjetet e prodhimit dhe anarki në prodhim. Të predikosh një ndarje të “drejtë” të fitimit mbi një bazë të tillë është prudonizëm, është injorancë prej mikroborgjezi dhe filistini.
Ndarja nuk mund të bëhet ndryshe, veçse “në bazë të forcës”. Mirëpo forca ndryshon gjatë zhvillimit ekonomik. Pas vitit 1871 Gjermania u forcua 3-4 herë më shpejt se Anglia dhe Franca, Japonia 10 herë më shumë se Rusia. Për të provuar forcën e vërtetë të një shteti kapitalist, nuk ka dhe nuk mund të ketë tjetër mjet veç luftës. Lufta nuk është në kundërshtim me bazat e pronës private, por është zhvillim i drejtpërdrejtë dhe i pashmangshëm i këtyre bazave. Në kushtet e kapitalizmit është e pamundur që zhvillimi ekonomik i ekonomive dhe shteteve të ndryshme të jetë i barabartë. Në kushtet e kapitalizmit, për të rivendosur kohë pas kohe ekuilibrin e prishur, nuk mund të ketë mjete të tjera përveç krizave në industri, luftërave në politikë.
Sigurisht, ka mundësi të lidhen marrëveshje të përkohshme midis kapitalistëve dhe midis shteteve. Nga kjo anë ka mundësi të krijohen edhe Shtetet e Bashkuara të Evropës, si një marrëveshje e kapitalistëve evropianë… po për çfarë? Vetëm e vetëm për të shtypur së bashku socializmin në Evropë, për ti mbrojtur së bashku kolonitë e grabitura kundër Japonisë dhe Amerikës, të cilat janë shumë të pakënaqura nga ndarja e tanishme e kolonive dhe të cilat gjatë këtyre pesëdhjetë vjetëve të fundit janë forcuar me një shpejtësi shumë më të madhe se Evropa e prapambetur dhe monarkike, që ka filluar të kalbet nga pleqëria.
Në krahasim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvillimi ekonomik i Evropës në tërësi ka ngecur në vend. Të krijosh Shtetet e Bashkuara të Evropës mbi bazën e sotme ekonomike, d.m.th. në kushtet e kapitalizmit, do të thotë të organizosh reaksionin për ta penguar Amerikën që të zhvillohet më shpejt. Koha kur çështja e demokracisë dhe çështja e socializmit ishin të lidhura vetëm me Evropën, ka kaluar dhe s’kthehet më…
Shtetet e Bashkuara të Botës (dhe jo të Evropës) janë ajo formë shtetërore e bashkimit dhe e lirisë së kombeve të cilin ne e lidhim me socializmin- derisa fitorja e plotë e komunizmit të sjellë zhdukjen përfundimtare të çdo shteti, duke përfshirë edhe shtetin demokratik. Shtetet e Bashkuara të Botës zor se do të ishte e drejtë, së pari sepse ajo shkrihet me socializmin; së dyti, sepse ajo mund ti jepte shkas një interpretimi të gabuar mbi pamundësinë e fitores së socializmit në një vend të vetëm dhe mbi qëndrimin e këtij vendi kundrejt të tjerëve.
23 gusht 1915, gazeta Socialdemokrat.
Shqipëria nuk pushon së foluri e së kërkuari për t’u bërë pjesë e “Shteteve të Bashkuara të Evropës”, Bashkimit Evropian. A do ta arrijë këtë apo do të mbetet në llafet tepër të diskutueshme të “Ballkanit të hapur” ?
Do të shohim…
Por siç rrokullisën ngjarjet, siç tregojnë “bathët” e analistëve, “pashkët” janë larg…
Abdurahim Ashiku
5 janar 2022