LULJETA ALIU: UNË JAM AJO+

0
655
Luljeta Aliu

25/04/2022ObserverKult

Unë jam ajo
Tjetër kurrë nuk bëhem
Plagët e mia të pashëruara lëpij natën vonë
I pastroj tinëzisht me vajin e shpirtit
Gjithmonë në strukje nga rrebeshet burrërore
Nuk harroj të vë në fytyrë buzëqeshjen e frikësuar
Që mësova e donit aq shumë
Dhimbjet e mia dëshmi e forcës suaj
E unë ju adhuroj
Heshtja e botës ju shëlbon
Unë tjetër nuk bëhem
E mira
e urta
e vyeshmja
e pafjala
e pagoja jam

Në botën time sytë nga ngjyrat nuk dallojnë
Por nga gjuha tek thonë
ul kokën e mos bëzaj
buzëqeshja ime ju përgjigjet urdhërave tuaj
leshrat e mia të shprishura dje nga fshikullimi
sot gëzof i shkëlqyer vezullojnë
janë kërkimfalje për trillin
që fjalët e mia pyetje të shtrojnë

Unë jam ajo
Kurrë tjetër nuk bëhem
argëtuesja
dëgjuesja
përkëdhelësja
gatuesja
Unë, uzurpuesja e çatisë suaj
falem për bukën që ndani me mua
e fal vonesat, harresat, dashuriçkat tuaja
Jeta ime zog i pakrahë në grushtin e fortë
Trupi im përplot ngjyra dëshmi dashurie
Përkujtim i juaji për natyren time
Në trup e shpirt qëndisur
Nga dëshira juaj të më përkujtoni
Të mbetem ajo që ju aq shumë e doni .

Unë jam ajo
Nuk bëhem kurrë tjetër
Bota juaj nuk është vend për mua
Që në djep më thanë se unë një tjetër botë kam
Ku nuk ka njeri, ka vetëm grua
Vëlla e mik kafshët e tyre i lejojnë që unë të loz me to
Unë jam ATO

Unë përhera do të jem ajo
Varësja juaj e artë në qafë më rëndon
Me ndalë frymën të ju tregoj
Se jam unë, kafsha juaj e preferuar
E kurrë nuk do të mund të them
Se unë jam KJO, jam UNË, dëgjo!
Nuk më njihni, nuk më njeh ?
Jam unë, o lal, kjo nëna, gjyshja, vajza, kjo gruaja juaj
Jam halla e tezja e motra e mbesa
Si ka mundësi të harroni
Kafshën tuaj përkëdhelëse që aq shumë e doni.


KUR GRATË…

Kur gratë kundërshtojnë, janë histerike.
Kur gratë pajtohen, janë të dobëta.
Kur gratë këmbëngulin, janë kokëforta.
Kur gratë binden, nuk kanë karakter.
Kur gratë nuk lëshojnë pe, janë budallaqe.
Kur gratë lëshojnë pe, janë të lëkundshme.
Kur gratë argumentojnë, shesin mend.
Kur gratë tërhiqen, nuk dinë asgjë.
Kur gratë janë të guximshme, janë agresive.
Kur gratë janë të tërhequra, janë frikacake.
Kur gratë janë të suksesshme, janë lavire.
Kur gratë nuk kanë sukses, janë dështake.
Kur gratë tregojnë lëkurë, janë prostituta.
Kur gratë nuk tregojnë lëkurë, nuk janë aktraktive.
Kur gratë vishen shkurtë, provokojnë dhunimet.
Kur gratë dhunohen, e kanë provokuar vetë.
Kur gratë divorcohen, e kanë provokuar vetë.
Kur gratë diskriminohen, e kanë provokuar vetë.

E kur gratë kanë të drejtë?

ObserverKult


FALJA…

Kur të kesh gjetur puthjet e mia
e di se t’i kam falur të gjitha premtimet e shkelura.
Buzëqeshjet tua do të shndrisin mëngjeseve prapë,
si dielli që e adhuroja kur zgjohesha pranë teje…
Kur lëkura e të dashurës tënde
të jetë aroma e vetme që ta mbushë zemrën me jetë
dhe asgjë tjetër pos buzëve të saj nuk ta shuan etjen
tek atëherë të kam falur thyerjen e të gjitha ëndrrave,
edhe gënjeshtrat, edhe mashtrimet, edhe ofendimet.
Kur valvitja e flokëve të së dashurës tënde
është flladi i vetëm që ta freskon shpirtin
dhe dehja më e ëmbël kur pushon në gjoksin e saj
atëherë dije që të kam falur vrasjen e dashurisë sonë…
Deri atë ditë nuk do të gjesh dashuri!

ObserverKult


LETËR BIJËS SIME

Bija ime, mësohu ta përqafosh vuajtjen. Nëse je e dobët, vuan nga pamundësia jote të përballesh me jetën, ta mbrosh veten ndaj tjerëve. Nëse je e fortë vuan poashtu. Vuan sepse nuk mund të jesh dikush tjetër, që pajtohet me rrethanat. Vuan sepse të luftosh është lodhje, të luftosh nënkupton të krijosh armiq.

Të luftosh është vuajtje, bija ime. Por, një vuajtje më e thellë dhe më dinjitoze sesa të vuash nga frika që të luftosh, pra nga dobësia. Sepse e dobët është vetëm ajo që ka frikë të ngrehë zërin për veten e saj. Dobësia është vuajtje bija ime. Edhe forca do të të bëjë të vuash. Por vuaj duke luftuar, bija ime e mirë, mos vuaj nga dobësia.

Forca jote do të detyrojë të largosh shumë miq, të cilët i dëgjon si flasin keq për ty. Ata janë të dobët zemër, nuk e arrijnë të kenë sukses si ti, pa i dëmtuar të tjerët, prandaj të kanë mëri. Fali bija ime, sepse nuk munden ndryshe, janë të dobët.

Forca jote do të jetë një barrë e rëndë për supet tua të lëmuara e të njoma. Por, mbaje barrën me krenari, zemër, sepse forca është dhuratë vetëm për guximtarët. E di që do lëndohesh, sepse do të fjalosesh edhe me mua, edhe me babain tënd, sepse do të mundohemi të të kufizojmë, nga frika se na ikën.
Do të lëndohesh, sepse i dashuri yt do të mundohet të të burgosë në dashurinë e tij, do të të lëndojë me tradhëtinë e tij, por kuptoje bija ime e fale, sepse ai nuk do të mundet të përballojë forcën tënd, ai është i dobët dhe dëshiron të të ngrehë poshtë te ai. Por ti mos u dorëzo bija ime, një dashuri që nuk të ngritë por të rrëzon, nuk është dashuri por shfrytëzim i forcës tënde. Do të vuash bija ime, sepse do të gabosh edhe ti, do të duash njerëz që duan veten e tyre dhe ty të shohin si mundësi realizimi interesash për veten, e ti do të zhgënjehesh nga kjo e vërtetë, sepse zemra jote e drejtë do të lengojë.

Bija ime, mos u dorëzo asnjëherë, mos harro asnjëherë se kjo jetë është si një pyll me zana e demona, të gjithë duken njësoj, por ti do të arrish ta bësh dallimin me kohë. Dëgjo, bija ime, jeta është e bukur kur i takon zanat, kur i mposht demonët. Do të duhet të luftosh demonët nëse je e fortë. Por të paktën nuk do të duhet të jetosh me demona përgjithmonë. Prandaj ke guxim të jesh e fortë, bija ime! E unë do të jem aty duke të mbajtur për dore.

ObserverKult

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.