NJË AKSIDENT NË RRUGËN OLYMPIAS

0
Makinë policie - Greqi

Vëzhgim

Nuk jam i sigurt në se ishte viti i parë apo i dytë që banoja në rrugën Olympias, një rrugë e shkurtër midis rrugëve të mëdha Aharnon e Patision në kryeqytetin grek.

Një punëtor ndërtimi, ndërsa po vendoste një xham të madh mi një dritare i rrëshqet xhami, thyhet dhe një copë i bie mbi kofshë duke i shkaktuar një çarje të madhe…

Gjaku skuqi edhe trotuarin ku ishte shtrirë e ai thërriste për ndihmë.
I njoftuar nga dikush për aksidentin në vendngjarje erdhi patrulla e policisë.
Policët i hodhën një sy dhe u ulën si të mos kishte ndodhur asgjë.

I aksidentuari vazhdonte të rënkonte ndërsa kishte vënë duart mbi plagë për të ndalur gjakun që nuk pushonte së rrjedhuri.
Policët vazhdonin të qëndronin indiferent. Makina e tyre ishte derëhapur pa ndonjë funksion.

Më vinte tu thërrisja që ta merrnin të plagosurin dhe ta dërgonin në spital.
U grumbulluan shumë njerëz. Iu dhimbsej njeriu që rënkonte dhe derdhte gjak…

Më në fund erdhi ambulanca. E morën, e shtrinë mbi një shtrat të lartë me katër rrota dhe e futën në brenda…
Ndezën sinjalin, ngjitën në qiell alarmin dhe u zhdukën në drejtim të ndonjë spitali ku atë ditë kryhej shërbimi i urgjencave.
Policët u ulën qetë – qetë në ndenjëset e makinës, mbyllën dyert, ndezën sinjalin policor dhe humbën mes rrugicave…
U befasova.

Pyeta veten se pse policët nuk e morën përkrahu të aksdentuarin, ta fusnin në makinë dhe ta çonin në ambulancën më të afërm.
Pyetje që do ta merrja përgjigjen për ngjarje të tilla në më se një çerek shekulli jetë në kryeqytetin e një vendi të Evropës së Bashkuar.
Për policin nuk kishte asnjë detyrim ligjor që ai të merrej me raste si ky. As ligjor.
As moral.

Nuk e di se si veprohet ligjërisht në vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe të botës me rregulla e ligje të prera.
Mbase dikush mund të më përgjigjet për ta ballafaquar me vendin tim ku as ligj e as moral ka…

Abdurahim Ashiku
Athinë, 25 tetor 2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.