Autore:
Elife LUZHA
Nga historia mësojmë se shoqëritë nuk dobësohen vetëm nga armiqtë e jashtëm, por edhe nga mungesa e bashkëpunimit dhe kulturës së kompromisit mes tyre.
Sot, kur udhëheqja shpesh ngatërrohet me interesin personal, ndërsa pushteti perceptohet si privilegj, është e rëndësishme të rikujtojmë figurën e mbretëreshës ilire Teutë – një udhëheqëse për të cilën liria dhe dinjiteti i atdheut nuk kishin çmim. Ajo na dëshmon se udhëheqja nuk është instrument përçarjeje apo garë për pushtet personal, por përgjegjësi për ruajtjen e unitetit dhe mbrojtjen e interesit të përbashkët.
Sipa Moikom Zeqos, Teuta ishte emblemë e pushtetit, projektuese e diplomacisë, e luftës, e sulmit dhe e mbrojtjes. Ajo përfaqëson një nga shembujt më të hershëm të lidershipit femëror në historinë evropiane, duke u përballur me fuqinë romake katër shekuj para mbretëreshës kelte Budika (Boudica) dhe shumë kohë para Kleopatrës së Egjiptit.
Teuta njihej si një udhëheqëse me personalitet të fuqishëm politik dhe ushtarak. Ajo arriti t’i bashkonte të gjitha grupet e armatosura brenda mbretërisë së saj dhe të krijonte aleanca me shtetet fqinje, si Maqedonia, me synim për të frenuar zgjerimin romak në Adriatik, ku ilirët kishin ndikim dhe kontroll.
Nga ana tjetër, Roma synonte epërsi në det dhe, për këtë arsye, ndërmori një varg veprimesh që çuan drejt luftës. Vrasja e delegatëve romakë pas takimit me Teutën u përdor si pretekst për sulmet mbi tokat ilire, gjë që solli rënien e mbretëreshës Teutë dhe më pas pushtimin gradual të Ilirisë nga Roma.
Megjithatë, historia e Teutës nuk duhet të interpretohet vetëm si histori lufte apo humbjeje. Ajo mbetet histori dinjiteti, qëndrese dhe përgjegjësie shtetërore. Figura e saj dëshmon se edhe në kohë të vështira, një grua mund të udhëheqë me mençuri, vizion dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie ndaj popullit dhe shtetit të vet.
Sot, më shumë se kurrë, shoqëria jonë ka nevojë për modele që frymëzojnë me vlera, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj së mirës së përbashkët. Teuta mbetet shembull i një gruaje që na kujton se interesi i përbashkët duhet të jetë në qendër të çdo vendimmarrje politike; se udhëheqja e vërtetë nuk matet me privilegje, por me aftësinë për të ndërtuar unitet.
Kujtesa për Teutën nuk nënkupton vetëm rikthim në të kaluarën historike, por edhe një thirrje për të ardhmen. Sepse historia na mëson se kombet ecin përpara vetëm atëherë kur udhëhiqen nga njerëz që interesin e përbashkët e vendosin mbi interesin personal.
Prandaj, ky shkrim le të shërbej si një mesazh për çdo grua që synon politikën, dhe të kuptojë se dinjiteti, mençuria dhe uniteti vlejnë më shumë se çdo ndarje apo zhurmë politike.
Shënim: Teuta në fund e humbi luftën, se e tradhëtoi jarani, pas vdekjes së burrit, mbretit Agron, dhe u hodh nga shkëmbi e vrau veten në Kotorr… /AÇ











