Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Prej mohimit të identitetit te kërkesa për republikë
Historia politike e shqiptarëve nën Jugosllavinë titiste është e mbushur me shembuj të ndërhyrjes së planifikuar, të dhunshme dhe sistematike në trupin kombëtar dhe në vetë qenien e tyre kulturore, përmes mohimit të të drejtave elementare dhe fragmentimit të qëllimshëm territorial. Pasi dështuan përfundimisht ambiciet e Beogradit për të pushtuar Shqipërinë, udhëheqësit social-shovinistë jugosllavë e drejtuan energjinë e tyre pushtuese ndaj shqiptarëve brenda kufijve të federatës.
Territoret që arritën t’i mbanin të pushtuara pas Luftës së Dytë Botërore u copëtuan me kujdes e qëllim në tri republika (Serbi, Maqedoni, Mal të Zi) dhe një krahinë autonome (Kosova). Ky veprim nuk ishte vetëm një akt administrativ. Ai ishte pjesë e një strategjie të thellë, për të dobësuar kohezionin kombëtar të shqiptarëve, për t’ua bërë më të vështirë bashkimin dhe për të imponuar një kontroll më të lehtë dhe më të gjithanshëm mbi ta.
Përveç fragmentimit territorial, u ndoq një politikë sistematike e mohim-identitetit, e cila shprehej në ndalimin e simboleve dhe shenjave që përfaqësonin identitetin kombëtar shqiptar. Flamuri kombëtar, festat dhe përkujtimet kombëtare, vetë përmendja e elementeve që lidhnin shqiptarët me Shqipërinë, ishin të ndaluara, madje më ashpër se sa gjatë periudhës së pushtimit fashist të Hitlerit dhe Musolinit. Ishte një paradoks tragjik, shqiptarët në Jugosllavi gëzonin më shumë liri simbolike nën fashizëm sesa nën një regjim që e trumbetonte veten si “socialist” e “çlirimtar”.
Ky mohimi institucional nuk ishte vetëm përpjekje për të zhbërë lidhjet historike dhe shpirtërore të shqiptarëve me atdheun e tyre etnik, por ishte gjithashtu një përpjekje për ta kthyer popullin shqiptar në një bashkësi të heshtur, të përkulur dhe të pavetëdijshme për veten. Mirëpo, populli shqiptar në Kosovë nuk u pajtua me këtë realitet. Pas tri dekadash qëndrese dhe përpjekjesh, ai arriti që më në fund të rikthejë përdorimin e flamurit dhe të simboleve të tjera kombëtare – një fitore e vogël në pamje të parë, por me vlerë të madhe morale dhe historike, sepse dëshmonte se identiteti i vërtetë nuk mund të ndalohej me ligj dhe as të fshihej me urdhër politik.
Përkundrazi, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, ndalimi i simboleve kombëtare për shqiptarët vazhdoi edhe më tej, duke e thelluar ndarjen dhe padrejtësinë ndaj tyre. Në këto kushte, nuk është e habitshme që kërkesa për Republikën e Kosovës, e formuluar si aspiratë politike dhe kombëtare, të mos ishte thjesht një kërkesë administrative për status të barabartë brenda federatës, por një domosdoshmëri historike dhe politike, që synonte bashkimin e të gjitha trevave shqiptare të shpërndara në mënyrë të padrejtë nëpër republikat e tjera jugosllave.
Kjo kërkesë nuk lindi nga ambicie të papritura, por ishte përgjigjja më e natyrshme dhe më legjitime ndaj dekadave të diskriminimit, fragmentimit dhe mohimit sistematik, që shqiptarët kishin përjetuar brenda sistemit federativ. Ajo ishte një formulim politik i një realiteti shpirtëror të konsoliduar ndër breza, një akt që nuk synonte shkeljen e të drejtave të të tjerëve, por vetëm rikthimin e të drejtave themelore që populli shqiptar i kishte fituar me gjak, mund dhe sakrificë.
Në këtë mënyrë, ideja e Republikës së Kosovës – në përfshirjen e të gjitha tokave shqiptare brenda Jugosllavisë – nuk përfaqësonte thjesht një kërkesë territoriale, por ishte simboli i rikthimit të dinjitetit kombëtar të një populli që kishte përjetuar dekada të tëra shtypjeje dhe mohimi, dhe që më në fund kishte vendosur të mos jetonte më me gjysmë lirie dhe me identitet të ndaluar.
Arsyet e kryengritjes popullore në Kosovë
Në vazhdim të thirrjes, po e paraqes në mënyrë të parafrazuar, thuhej “Të dashur bashkatdhetarë, a mund të kërkohet nga një popull që të heshtë përballë një historie të gjatë vuajtjeje, përçmimi dhe mohimi? A mund të qëndrojë i qetë përballë një armiku që, përveç se i ka marrë kafshatën e gojës në kohë paqeje, sot e sulmon me tanke dhe aeroplanë, si në një fushatë çrrënjosjeje të përshpejtuar? Për shqiptarët e Kosovës, përgjigjja është e qartë: jo, vëllezër – kjo padrejtësi nuk mund të harrohet, nuk mund të pranohet dhe nuk mund të tolerohet. Ky armik nuk është i ri në horizontin historik të fatkeqësive tona.
Ky është po ai pushtues që përmes planeve të organizuara dhe marrëveshjeve të fshehta, shpërnguli me dhunë qindra mijëra shqiptarë nga trojet e tyre etnike, duke i degdisur drejt Anadollit, larg vatrave, gjuhës dhe rrënjëve të tyre kulturore. Me këtë akt barbar, synohej jo vetëm t’i zbrazeshin tokat e tyre nga banorët autoktonë, por edhe t’u shuhej kujtesa, të shpërbëhej kohezioni familjar dhe të shuhej çdo mundësi për rikthim dhe rezistencë. Ata që u larguan, nuk u larguan me vullnet, por me dhunë; nuk udhëtuan, por u dëbuan”.
E njëjta logjikë shoviniste ka vazhduar edhe dekada më vonë. Vetëm përmes marrëveshjeve me shtetet kapitaliste, mbi 100 mijë shqiptarë janë “shitur” si fuqi punëtore të lirë në Perëndim, me qëllim të qartë për të dobësuar jo vetëm ekonominë e Kosovës, por edhe forcën e saj organizative dhe potencialin e rezistencës popullore. Këto manovra të veshura me pretekstin e “punësimit jashtë vendit”, në të vërtetë ishin pjesë e një strategjie afatgjatë për të shteruar burimet njerëzore të një populli që ka dëshmuar gjithmonë gatishmëri për të mbrojtur identitetin e vet.
Pikërisht këto padrejtësi të thella dhe të përsëritura, dhe jo ndonjë “nacionalizëm i egër” apo “shtytje nga grupe të izoluara”, janë ato që e kanë nxitur popullin e Kosovës të dalë në rrugë, të ngrejë zërin dhe, u detyrua, të përgjaket në përballje me makinerinë shtypëse të shtetit jugosllav. Demonstratat e marsit dhe prillit 1981 nuk ishin ngjarje të izoluara të papritura; ato ishin shprehje e një zemërimi kolektiv të grumbulluar për dekada, një reagim i natyrshëm i një populli që më nuk mund të durojë.
Kur rrugët e Prishtinës u mbushën me mijëra qytetarë – burra, gra, të rinj e të moshuar, të bashkuar jo për dhunë, por për dinjitet, nisi një nga momentet më madhështore të vetëdijes politike shqiptare në Jugosllavi. Demonstrata e 11 marsit ishte paralajmërimi i një stuhie të madhe. Kulmi arriti më 1 dhe 2 prill, kur demonstratat morën formën e një kryengritjeje popullore, e cila nuk kishte nevojë për drejtues formalë, sepse vetë dhimbja dhe historia ishin drejtuesit e saj të vërtetë.
Ishte një ndjenjë e rrallë krenarie – por edhe dhimbjeje – të shihje detin njerëzor që vërshonte në rrugët e kryeqytetit të Kosovës, përballë syve të një pushteti që në atë çast kuptoi se nuk po përballej më me “disa grupe të radikalizuara”, por me tërë një popull që kishte vendosur të mos përkulet më. Ndërsa në njërën anë qëndronte krenaria popullore, në anën tjetër qëndronte lebetitja e regjimit, që u zbulua i pafuqishëm përballë vendosmërisë së atyre që për dekada kishin heshtur, por kurrë nuk kishin harruar.
Kjo është arsyeja pse sot, më shumë se kurrë, është e domosdoshme ta kuptojmë se qëndresa shqiptare në Kosovë nuk është një incident i historisë, por një domosdoshmëri e saj. Ajo nuk është rebelim i pakënaqësisë së momentit, por kryerje e një borxhi moral ndaj gjeneratave të shkuara dhe obligim ndaj brezave që vijnë. Dhe këtë nuk do ta ndalë as arma, as propaganda, as dhuna.
Dëshmia e një qëndrese të pathyeshme
Ajo ditë e paharruar, e 11 marsit, 1981, e gdhendur me shkronja të zjarrta në historinë e qëndresës kombëtare, dëshmoi me forcën më të pastër se kur zemrat dhe grushtet e një populli bashkohen, nuk ka tank, bajonetë apo ushtri që mund ta thyejë vullnetin e tij për liri. Prishtina dhe rrugët e saj, më 1 prill, nuk ishin thjesht skena e një përplasjeje fizike, por teatri i ndergjegjësimit të thellë historik, ku populli u ngrit jo për t’u përplasur, por për të dëshmuar se vendosmëria e drejtësisë është më e fuqishme se arsenali i shtypjes.
Pushteti i alarmuar nga përmasat e kësaj kryengritjeje morale dhe shoqërore, nuk reagoi me reflektim politik apo kërkim zgjidhjeje, por, siç e ka bërë gjithmonë në histori, zgjodhi rrugën e dhunës shtetërore. Nga Serbia dhe Beogradi, u sollën njësi të shumta ushtarake e paramilitare, për të shtypur me gjak revoltën e një populli që nuk kishte armë, por kishte ndërgjegje. Ishin dërguar jo vetëm ushtarë, por edhe shovinistë të betuar, figura të rikthyera nga errësira ideologjike e çetnikëve, që bartnin me vete jo urdhrin për ruajtje rendi, por urrejtjen e trashëguar ndaj shqiptarëve dhe etjen për gjak.
Në vend të komunikimit, ata zgjodhën brutalitetin. Në vend të pajtimit, zgjodhën hakmarrjen mbi një popull të pambrojtur. Dhe kjo nuk ishte thjesht një reagim i pamatur i një regjimi të dëshpëruar, por strategji e menduar, e qëllimshme, për të zhbërë çdo lloj rreziku që vinte nga vetëdija e popullit shqiptar për të drejtat e tij. Forcat e sjella në Kosovë, të nxitura nga nacionalizmi i verbër dhe urrejtja etnike, ushtruan mizori mbi popullsinë civile dhe, veçanërisht, mbi rininë revolucionare, e cila ishte bërë zëri më i fuqishëm i kërkesës për dinjitet, liri dhe barazi.
Por në gjithë këtë skenar dhune dhe frike, doli në pah një e vërtetë e madhe, as dhuna më barbare nuk e shtyp idealin kur ai është i ushqyer nga drejtësia. As mjetet e luftës më moderne nuk mund të trembin një popull që e ka kaluar gjithë historinë mes luftërash për të drejtën për të qenë vetvetja. Nëse atë ditë u panë tanke dhe pushkë, u dëgjua krisma dhe britmë, më fort u ndje zëri i një populli që kishte vendosur të mos jetonte më i përkulur, por i drejtë në këmbë, edhe përballë vdekjes.
Në vend që të përkulej, rinia jonë u bë simbol i krenarisë kolektive, e populli – edhe në përgjakjen e tij – ruajti fytyrën e dinjitetit. Sepse, në fund të fundit, ajo që qëndron përballë armikut nuk është vetëm trupi, por ideali, dhe këtë ideal nuk e zhbëjnë dot as helmet e urrejtjes, as bajonetat e mizorisë.
Zëri i popullit përballë propagandës dhe shtypjes
Gjatë gjithë historisë sonë, populli shqiptar ka mbajtur të gjallë kujtesën për armiqtë e tij më të egër. Dhe ndër ta, klika titiste ka zënë gjithmonë një vend të posaçëm – si bartëse e një politike sistematike mohimi, shtypjeje dhe asimilimi. Mirëpo, edhe në horizontet më të zymta të imagjinatës, nuk ishte menduar kurrë se dhuna e këtij regjimi do të arrinte përmasat që po përjetoheshin atë ditë, kur njerëzit tanë po binin të kositur nga plumbat e mitralozëve dhe po shtypeshin nën rrotat e tankeve të një ushtrie që vetëm në emër është federale, por në thelb ishte makineri e organizuar fashiste kundër një populli të pambrojtur.
Ajo që po ndodhte në Kosovë atë ditë, nuk ishte thjesht një përballje politike, por një kasaphanë e heshtur, e përgatitur me kujdes dhe e mbuluar me perde propagandistike. Milicia serbe e Beogradit, e frymëzuar nga urrejtja etnike dhe e drejtuar nga instinktet më shtazarake të shovinizmit, e ktheu Kosovën në një arenë të përgjakshme, të izoluar nga sytë e botës. Në një akt të qëllimshëm, ishin përzënë gazetarët dhe vëzhguesit e huaj, ishin ndaluar kamerat dhe ishin filtruar informacionet, për të siguruar që therja e shqiptarëve të ndodhë në heshtje, pa dëshmitarë, pa gjurmë, dhe më pas – si gjithmonë – të ofrohet “e vërteta zyrtare” e cila i shërbente interesave të pushtetit dhe jo realitetit.
Megjithatë, edhe në atë errësirë informative, e vërteta ka gjetur rrugën për të dalë në dritë. Mediat ndërkombëtare, ndonëse me kontradikta në raportime dhe nën ndikime të ndryshme, nuk kanë mundur të heshtin plotësisht. Shifrat e dhëna nga burime të ndryshme ndërkombëtare ishin tronditëse: jo 9 apo 11 të vdekur siç pretenduan Dolanci e Vllasi, por mbi 400 shqiptarë të vrarë, dhe mbi 1500 të plagosur, një pjesë e madhe e të cilëve kanë mbetur të gjymtuar për jetë. Kjo është një bilanc i luftës, jo i një “aksioni për ruajtje të rendit” thuhej në Thirrje.
Sa i përket numrit të të arrestuarve, ai mbetet edhe tani i paqartë, jo për mungesë faktesh, por për shkak të një politike të organizuar fshehtësie, ku nuk janë ndaluar vetëm demonstruesit e marsit dhe prillit, por edhe të gjithë të burgosurit politikë të mëparshëm, si dhe çdo shqiptar që dyshohej se mban në zemër një mendim të lirë, përparimtar e revolucionar. Në këtë mënyrë, regjimi nuk po ndëshkonte vetëm veprimin, por edhe mendimin, po shtypte jo vetëm rezistencën fizike, por edhe shpresën për ndryshim.
Gjithçka që po ndodhte ishte pjesë e një strategjie të mirëmenduar, të mbyllet Kosova në një qorrsokak, të shfarosen heshturazi elementët më të vetëdijshëm dhe të përhapet në botë një version i rremë, sipas të cilit në Kosovë ka ndodhur “një incident i vogël”, një “çrregullim i përkohshëm”, i shkaktuar nga “grupe ekstremiste”. Por siç dihet, historia nuk shkruhej më vetëm nga zyrat e pushtetit. Ajo shkruhej nga gjaku, nga plagët, nga varret e hapura, nga trishtimi i familjeve që kërkonin bijtë dhe bijat e tyre të zhdukur.
E pikërisht për këtë, përballë kësaj përpjekjeje për të fshirë të vërtetën, ndërgjegjja jonë kombëtare është thirrur më shumë se kurrë të qëndrojë zgjuar. Sepse atëherë e sot, më shumë se kurrë, është e nevojshme të dokumentohet, të thuhet, të mbrohet dhe të ruhet çdo grimcë e realitetit të kësaj tragjedie, që nesër të mos ketë askush guximin të mohojë sakrificën e një populli që po përpiqej të jetojë në tokën e vet – i lirë, i barabartë dhe me dinjitet.
( vijon )