Xhelal Zejneli
Serbi, të ka shkelur koha. Je e vogël për të qenë e madhe!
Në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork u miratua propozimi që 11 korriku të shpallet “Ditë ndërkombëtare e përkujtimit dhe e shënimit të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”. Prej gjithsej 193 shteteve, për aprovimin e Rezolutës votuan 84 shtete. Kundër ishin 19 shtete, ndërsa abstenuan 68 sish. Në momentin e votimit, 22 shtete nuk ishin të pranishëm në sallë.
* * *
Rezolutën e mbështetën shtetet: Afrika e Jugut, Andora, Arabia Saudite, Australia, Austria, Bangladeshi, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Britania e Madhe, Brunei, Bullgaria, Çadi, Çekia, Danimarka, Egjipti, Ekuadori, Estonia, Fixhi, Finlanda, Franca, Gambia, Guajana, Guineja Bisao, Gjermania, Holanda, Indonezia, Iraku, Irani, Irlanda, Islanda, Italia, Ishujt e Gjelbër (Kabo Verde), Japonia, Jemeni, Jordania, Kanadaja, Katari, Kili, Koreja e Jugut, Kolumbia, Kosta-Rika, Kroacia, Kuvajti, Letonia, Libia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malajzia, Malavi, Mali i Zi, Malta, Maqedonia e Veriut, Mauritania, Mianmari, Mikronezia, Moldavia, Nigeri, Norvegjia, Pakistani, Pallau, Polonia, Portugalia, Rumania, Ruanda, Salvadori, San-Marino, Senegali, Sierra-Leone, Singapori, Sllovenia, Spanja, Suedia, ShBA-ja, Shqipëria, Tanzania, Tunizia, Turqia, Ukraina, Uruguai, Xhibuti, Zambia, Zelanda e Re dhe Zvicra.
Kundër rezolutës votuan shtetet: Antigua-Barbuda, Bjellorusia, Dominika, Eritreja, Esuatini, Grenada, Hungaria, Ishujt Komore, Kina, Koreja Veriore, Kuba, Mali, Nauru, Nikaragua, Republika Demokratike e Kongos, Rusia, Sao-Tome-e-Principe, Serbia dhe Siria.
Abstenuan shtetet: Algjeri, Angola, Argjentina, Armenia, Bregu i Fildishtë, Ishujt Bahama, Bahrejni, Barbadosi, Benini, Butani, Bocuana, Brazili, Burundi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopia, Filipinet, Gaboni, Gana, Greqia, Guatemala, Guineja, Guineja Ekuatoriale, Gjeorgjia, Haiti, Hondurasi, India, Kamboxhia, Kameruni, Kazakistani, Kenia, Kiribati, Kongo, Laosi, Lesoto, Libani, Madagaskari, Maldivet, Meksika, Mongolia, Mozambiku, Namibia, Nepali, Nigeria, Omani, Panamaja, Papua Guineja e Re, Paraguai, Peru, Qiproja, Republika Dominikane, Seishelet, Sen-Kits, Sen-Lui (në Afrikë), Sen-Vincent, Sllovakia, Ishujt Solomon, Sudani Jugor, Sri-Lanka, Sudani, Surinami, Tajlanda, Taxhikistani, Togoja, Trnidad-e-Tobago, Tuvallu, Uganda, Vietnami dhe Xhamajka,
Në momentin e votimit nuk ishin të pranishëm në sallë 22 shtete: Afganistani, Afrika Qendrore, Azerbajxhani, Belize, Bolivia, Burkino Faso, Ishujt Marshall, Izraeli, Kirgizia, Liberia, Mauriciusi, Monako, Maroku, Samoa, Somalia, Timor Lindor, Tongo, Turkmenia, Uzbekistani, Vanuatu, Venezuela, Zimbabve.
* * *
Rrjedha e seancës në Asamblenë e Përgjithshme të KB-ve
Me dokumentin, 11 korriku shpallet Ditë ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, dënohet mohimi i gjenocidit si dhe glorifikimi i krimeve të luftës. Propozues të dokumentit ishin Gjermania dhe Ruanda, të mbështetura prej tridhjetë vendeve bashkë-sponsorë. Para se të bëhej votimi, përfaqësuesja e Gjermanisë në KB, Antje Lendertse (1963- ) i ftoi shtet që ta mbështesin rezolutën, duke theksuar se ajo “nuk është e drejtuar kundër askujt, e posaçërisht jo kundër Serbisë”.
Ajo theksoi se “rezoluta ka të bëjë vetëm me kryerësit e gjenocidit”, duke shtuar se “gjatë luftës kanë pësuar të gjitha bashkësitë etnike “. Qëllimi është që “të njihen të gjitha viktimat”.
Beogradi zyrtar doli kundër aprovimit të rezolutës, duke pohuar se në këtë mënyrë populli serb do të shpallej “popull gjenocidal”. Në Sarajevë ndërkaq, rezolutën e konsiderojnë si një rast që do të bënte të mundur vazhdimin e pajtimit.
Në korrik të viti 1995 pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe vranë Srebrenicë 8.372 vetë, midis tyre edhe fëmijë. Srebrenica ndodhet në Republikën Serbe, e cila është një prej dy entiteteve të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Përkundër aktgjykimeve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (GjNPJ), të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të gjykatave të vendit, për gjenocidin në Srebrenicë, edhe pas tri dekadave, ka dallime në pikëpamje.
* * *
Prej vendeve evropiane, kundër rezolutës ishin Serbia, Rusia, Bjellorusia dhe Hungaria. Prej shteteve të mëdha, kundër rezolutës votoi vetëm Kina.
Rezolutën e mbështetën të gjitha vendet e Evropës Perëndimore, të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë – Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Prej vendeve evropiane, abstenuan vetëm Gjeorgjia, Armenia, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.
* * *
Me të filluar seanca e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u kumtua se Vanuatu, një vend i vogël ishullor diku kah Australia, e ka tërhequr bashkë-sponsorimin e rezolutës.
Si vend propozues i rezolutës, e para e mori fjalën përfaqësuesja e Gjermanisë Antje Lendertse. Ajo tha: “Nisma duhet t’u tregojë respekt ndaj viktimave dhe t’u ofrojë mbështetje të mbijetuarve. Shënimi i 11 korrikut si Ditë ndërkombëtare e përkujtimit të Srebrenicës duhet të bëjë të mundur shënimin vjetor të ditës në KB dhe të përmbajë gjuhën kundër mohimit të gjenocidit”. Ajo shtoi se kryerësit e krimeve siç është gjenocidi, janë përgjigjur para gjykatave.
Për gjenocidin ndaj të paktën 8.372 boshnjakëve dhe për krime të tjera të luftës në rajonin e Srebrenicës, mbi 50 vetë janë dënuar me rreth 700 vjet burg.
Me dënim të përjetshëm, përpos tjerash edhe për shkak të Srebrenicës, janë dënuar ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Serbe, gjeneral Ratko Mladiqi si dhe ish-kryetari i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiqi.
“Çfarë porosie do t’u dërgojmë brezave të ardhshëm po qe se nuk tregojmë respekt për viktimat”, pyeti diplomatja gjermane Antje Lendertse. Ajo shtoi se “rezoluta e ka mbështetje e vendeve të mbarë botës, përfshi edhe të Ballkanit Perëndimor”.
Në mesin e tridhjetë bashkë-sponsorëve janë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut.
* * *
Para votimit dhe pas tij, diplomatëve të Asamblesë së Përgjithshme të KB-ve, iu drejtuan përfaqësuesit e një numri shtetesh. Ambasadori i Kinës pranë KB-ve, Fu Cong, midis tjerash tha se Kina do të votojë kundër rezolutës. Anën e Serbisë e mbajti edhe përfaqësuesi i Rusisë pranë KB-ve Vasili Nebenzja.
Beogradi zyrtar dhe autoritet e Republikës Serbe të Milorad Dodikut edhe më tej mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid. Sipas tyre, kemi të bëjmë, jo me gjenocid por me “krim të tmerrshëm”.
E mbështetur edhe nga Rusia, Serbia në mënyrë aktive loboi kundër aprovimit të rezolutës në Kombet e Bashkuara.
Vuçiqi vajti në Nju-Jork me bekimin e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej dhe me lutjen në tempullin e Shën Savës në Beograd, ku morën pjesë edhe krerët politikë të Republikës Serbe.
Vuçiqi e mori fjalën, si para votimit për rezolutën, ashtu edhe pas tij. Gjatë gjithë kohës, nuk arrinte ta fshehë zemëratën. Në momente të caktuara, ishte edhe teatral. Harroi se nuk ndodhej në pallankat e Serbisë.
Para votimit për rezolutën, Dodiku tha: “Po qe se rezoluta miratohet, Republika Serbe do të ndërmarrë procesin e ndarjes paqësore të Bosnjës dhe Hercegovinës. Fuqitë Perëndimore deshën t’ua veshin serbëve gjenocidizmin dhe t’ua imponojnë diskualifikimin moral”.
* * *
Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk dëshirojnë ta pranojnë se epoka e Slobodan Milosheviqit ka mbaruar. Po kështu do të perëndojë edhe epoka e Vladimir Putinit. Serbia ka ngecur në kohën e Ilija Garashaninit, të Jovan Cvijiqit, të Vasa Çubriloviqit, të Nikola Pashiqit, të Karagjorgjeviqëve, të Rankoviqit, të Dobrica Qosiqit, të Milosheviqit, të Vojislav Sheshelit dhe të epigoneve, si Tomislav Nikoliqi, Vulini.
Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve dhe Lidhja e Shkritarëve e Serbisë – heshtin. Serbia ka mbetur pa intelektualë, pa mendim kritik, pa mendim alternativ, pa shkrimtarë, pa filozofë. Në Serbi mbizotëron diktatura, njëmendimi politik dhe ideologjik. Serbia ndodhet në anën e kundërt të demokracisë. Ajo vepron në kundërshti me tendencën historike. Atë e ka shkelur koha. Ajo është në konflikt me të gjithë, me Kroacinë, me Bosnjën dhe Hercegovinën, me Malin e Zi, me Kosovën. Hiç më mirë s’qëndron me Maqedoninë e Veriut, me Bullgarinë. Në konflikt me të gjithë fqinjët. Serbia s’ka forcë t’i kthehet vetvetes, ta kërkojë fajin në vetvete.
Ideologjia serbomadhe, e ashtuquajtura Botë Serbe nuk është veçse irracionalizëm. Ide ultranacionaliste, retrograde dhe anakronike në Evropën e shekullit XXI! Politikanët serbë thonë: “Integrimi i Serbisë në BE s’ka alternativë”. Po si do të integrohesh në familjen evropiane kur në Asamblenë e Përgjithshme të KB-ve i gjithë kontinenti votoi për rezolutën, për të mos thënë, kundër Serbisë. Miratimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë paraqet grusht vdekjeprurës për Serbinë. Nokaut. Udhëheqja e përtashme serbe që ndjek hap pas hapi politikën e zjarrvënësit të gadishullit, Milosheviqit, e ka marrë në qafë Serbinë, i ka marrë në qafë të rinjtë, brezat e rinj.
Nga shqetësimi i madh, miratimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, Vuçiqi u përpoq ta relativizojë dhe ta minimizojë, duke thënë se numri i shteteve që votuan për të, nuk ishte i madh.
Serbi! Kundër rezolutës dolën jo më shumë se 18 shtete. Bashkë me ty bëhen 19 sish. Mos u kruaj me Gjermaninë Vuçiq, se po të mos ishin investimet gjermane që arrijnë rreth 10 miliardë euro, Serbia sot do të kishte krizë buke. Në 15 vitet e fundit, Serbia arrin të sigurojë bukën, jo me investimet ruso-kineze, por me ato perëndimore. Serbi, ti je mosmirënjohëse. Je e vogël, për të qenë e madhe! Ambiciet i ke në shpërpjesëtim me përmasat.
Lideri i partisë opozitare Partia e Lirisë dhe e Drejtësisë, Dragan Gjilas, miratimin e rezolutës në Nju-Jork e quajti “dështim i ri i Vuçiqit”. “Pas kësaj, ai nuk mund të mbetet kryetar i Serbisë. Serbisë nuk i duhet një kryetar që lufton, por një kryetar që fiton, ndërsa Vuçiqi vazhdimisht humb dhe gjithmonë fajtorë janë të tjerët – kurrë s’janë fajtorë, as ai, as bashkëpunëtorët e tij. Serbia është e lodhur prej dështimeve të vazhdueshme, prandaj është koha që ‘prijësi i madh’, i cili i ka humbur të gjitha betejat, më në fund të shkojë në histori”.
Le ta sheh bota se me çfarë Serbie gjenocidale kanë pasur punë shqiptarët!