Albana Alia
Jo rrallë herë, poezia përshkon rrugëtime drejt katarzës (κάϑαρσις), që nga këndvështrimi psikanalitik nënkupton jo vetëm një pastrim mëkatesh, por edhe një rievokim ngjarjesh apo çastesh të kaluara, për çlirimin e shpirtit nga ballafaqimet e brendshme, apo nga një gjendje ankthi të vazhdueshme.
Përsiatjet poetike të vëllimit “Hire të vetmisë” të Anton Nikë Berishës përqendrohen te vetmia si një qenie që fsheh një fuqi të pafund brenda së cilës frymojnë të njësuara hapësira dhe koha apo si një koncept tepër i ndieshëm që me hiret e saj i pushton shtjellat e mendjes, prek thellësisht njeriun dhe e shoqëron atë gjatë gjithë ekzistencës.
Gjithkush prej nesh e ka përjetuar përvojën e vetmisë. Duke e çmuar si proces jetësor të domosdoshëm (lumë i jetës që rrjedh pa u ndalur apo uratë e heshtur drejtuar vetvetes), poeti e ngre atë në të njëjtin rrafsh me dashurinë (dashuri e peshuar në loçkën e zemrës) dhe vdekjen (grahmë ku zë fill frymësia e vdekjes apo gur i varrit që flet me gjuhën e heshtjes).
Linde me pafundësinë e kohëve
e Hyji të veshi me fshehtësi të pafund,
siç veproi me dashurinë, me vdekjen […]
Vetmia në përsiatjet e Anton Nikë Berishës përfton kuptime të shumëfishta falë vargëzimit të thyer në 35 faqe të prizmit poetik, të latuara me dituri dhe urtësi nga mendimi që rrjedh qetësisht duke u derdhur nëpër figura të shumta (metafora, personifikime, metonimi, epitete) që poeti skalit me daltën e fjalës në fletën e bardhë dhe në brendësi të labirintit mendor për të shtjelluar këtë koncept kaq të vështirë – vetminë.
Për të nuk është vetëm plagë stinësh, krymb i uritur që nuk resht së brejturi, stinë e mbyllur në zymtësi, rënkim i dënestë, apo tis brengash gërryese, por edhe ëndërrim i qetë, fole gjallërike në thellësinë e qenies, kërkim këmbëngulës i vetvetes, buzëqeshje, zjarrdhënëse, pëshpëritje njomësore, fletë që vetëshkruhet, prushësi e ndezur. Në sfondin e natyrës ajo i pushton të gjitha përmasat duke u shfaqur si lule në brymë, qiellësi, yllësi, krahnezë, borë apo det.
Për poetin, shpesh vetmia metamorfozohet në sinuozitetin dhe joshjen fatale të figurës femërore, qoftë ajo vashë lozonjare e yllëzuar, zonjë e fisme e guximshme në kërkim të pafundësisë apo mbretëreshë që i mjafton vetvetes. Hiret, sensualiteti i saj i ankthshëm e tërheqin poetin dhe e shoqërojnë atë nëpër kohëra të jetuara apo të panjohura, nëpër hapësira të mbyllura apo të pakufishme, nëpër drejtime të ndryshme me dinamizëm dhe fluiditet të errët apo të kthjellët, nëpër honet e thella të mendjes dhe të shpirtit ose në hapësirat madhështore të universit. Ja përse vargjet e mëposhtme të dhurojnë ekstazën e imazheve sublime në drejtimin vertikal ku lëvizja kozmike projekton ndjenjën më të lartë të lumturisë në brendësinë e poetit.
Vrundullimë e ankthshme që synon
bredhjen nëpër zgafelle e humbëtira
e lartësohesh tevona deri tek yjet
që ta pushtosh dritësimin e pakapshëm.
Psikologët flasin për praninë e vetmisë që në fazën embrionale, ndarjen e fëmijës së sapolindur nga brendësia e trupit të nënës dhe, më tej, analizojnë lirinë dhe autonominë e jetës së re gjatë së cilës njeriu bashkëjeton me vetminë që e ndihmon atë të drejtohet në kompleksitetin e përditshëm. Pikërisht falë dhimbjes dhe vetmisë njeriu arrin të takohet me vetveten për të shmangur pikëllimin dhe për t’iu kthyer sa më shpejt jetës së mirëfilltë.
Bekim i heshtur i ringjalljes, i përtëritjes
frymëmarrje e paqësuar në thellësi të shpirtit
për t’i shmangur vrundujt e pikëllimit.
Vetmia përfaqëson një gjendje të veçantë, një kërkim të vazhdueshëm në brendësi të njeriut që mundohet të njëjtësojë ndjenjat dhe mendimet duke formuar, zhvilluar dhe përforcuar identitetin e vet për t’i dhënë kuptim jetës në një botë të vështirë si kjo e sotmja. Ajo ndez etjen për shtegtime të reja apo kthehet në lakmi të pashuar nëpër rrjedha kohe, bëhet frymëzim që të nxit për vepra të mëdha.
Gjatë jetës vetmia shfaqet në forma nga më të ndryshmet: ajo mund të jetë e pësuar, e detyruar apo e dëshiruar. Mjafton të sjellim ndërmend të sëmurët dhe vuajtjet e tyre, fëmijët e sotëm të peshkuar me orë të tëra mendërisht dhe fizikisht nga rrjetet e ashtuquajtura shoqërore, artistët gjatë procesit të krijimit artistik apo njerëzit e thjeshtë në çaste reflektimi për çështje të përditshme.
Jo më kot, në gjuhën angleze, koncepti i vetmisë projektohet në dy fjalë solitude e loneliness, kënaqësi, shpresë dhe dhimbje apo vuajtje e thellë psikologjike, izolim shoqëror që në shumë raste shndërrohet në depresion (herë ëndërrim, herë buzëqeshje herake, / apo njelmësi e lotit në qepallë). Nënë Tereza thoshte që sëmundja më e tmerrshme nuk është gërbula apo kanceri, por vetmia dhe braktisja nga të tjerët.
Disa autorë i kanë konsideruar bashkërisht të dyja aspektet kryesore të vetmisë, si dy anë të pandashme të së njëjtës medalje. Vetmia është ftohtësi dhe heshtje, por edhe pavarësi e madhështi si universi që na rrethon, shkruan Hermann Hesse në librin e tij Der Steppenwolf. (Einsamkeit ist Unabhängigkeit, ich hatte sie mir gewünscht und mir erworben in langen Jahren. Sie war kalt, o ja, sie war aber auch still, wunderbar still und groß wie der kalte stille Raum, in dem die Sterne sich drehen).
Për Berishën vetmia është purgator i shpirtit, periudhë pastrimi mëkatesh, shfajësim dhe nisje drejt përvujtërisë, ndërsa për shkrimtarin gjerman një botë hyjnore brenda shpirtit. Vetmia për poetin përshkon ferrin, purgatorin, zhytet në lumin Lete për pastrim ndërgjegjeje dhe zhbërje harrese, e gatshme për t’u nisur drejt parajsës.
Vetmia si proces krijimi përmban në vetvete konotacionin pozitiv të konceptit pasi të lejon t’u përkushtohesh mendimeve, ndjenjave, pasioneve. John Milton e konsideronte vetminë një tërheqje të përkohshme, një lloj përgatitjeje për një rikthim të ëmbël, pra me forca të përtërira në shoqëri. Ndërsa Goethe përsëriste shpesh që talenti zhvillohet në vetmi. Pra, vetmia është edhe aftësi për të kultivuar dialogun e brendshëm, një kërkim i vazhdueshëm mes dëshpërimit dhe shpresës, një zgjedhje e përgjegjshme për t’u ushqyer me mendimet e ndjenjat vetjake (shumësi mejtimesh që vetvetiu të shpijnë / në kërkim të ngulmët të së bukurës). Poeti e ndërlidh me të vërtetën:
Mbëltuese e së vërtetës shkundulluese,
që mbruhen nga arti, nga bukuria –
prehje e përhershme e ngushëllim shpirti.
Vetmia shtegton nëpër rrugë të vjetra e të reja, shtegton si kojrrilë nëpër kohëra, në të djeshmen e palosur thellë shtresave të kujtesës, në të nesërmen që pareshtur ëndërrojmë, në të tashmen si brendësi e jonë e përftuar urtisht / nga mendja e të Tejlartit, Zotynë. Ajo është yllësi e zhytur në vorbullën e kureshtjes, apo lundron si varkë me vela e ngarkuar me shqetësime në një det të shqetësuar nga tundimi i valëve.
Berisha e projekton vetminë në imazhin e barkës si metaforë e kërkimit të së panjohurës, të mistereve të jetës, në lidhje intertekstuale me barkën e Arthur Rimbaud në vargjet bateau perdu / Jeté par l’ouragan dans l’éther sans oiseau. Vetmia përfaqëson vetë udhëtimin apo personifikohet në figurën e udhëtarit, Uliksit, që asnjëherë nuk resht së renduri.
Si poet Berisha vendos të takojë përsëri vetveten, i afrohet vetmisë, i drejtohet asaj si një femre hirplote, shtegton bashkë me të nëpër vargje, arrin të përthyejë dritën e saj në prizmin me 35 faqe përsiatjesh poetike, por ajo që përfton në fund nuk është shumëfishi i shtatë ngjyrave siç do të dukej në pamje të parë. Prizmi i tij nuk është kristal i përjetshëm, por fletë e bardhë e përthyer nga vargjet. Në kërkimin e brendshëm arrin të gjejë veç një barkë të dehur të Rimbaud – it që endet nëpër mjegullën e Hesse-s gjatë shëtitjes së tij vjeshtore dhe, në drithërimën e fundit, rikthehet në hipotezën fillestare: Jetë – vetmi; bashkudhëtare, ku secili a nuk është vetëm?
Gjatë gjithë jetës, por edhe në përsiatjet poetike të këtij vëllimi, vetmia shtegton, rend, udhëton me shfaqjet e fshehtësitë e saj dhe e shoqëron njeriun deri në drithërimat e fundit.
Vetmia dhe njeriu, këto dy qenie të njësuara me njëra tjetrën, ndalen më në fund në pragun e të panjohurës së përjetshme, të përhumbur ëmbëlsisht në metempsikozën e Vetmisë së madhe.
Kozencë, qershor 2020