UNË S’KAM KOHË TË PLAKEM

0
300
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ÇELIKU

(Dardha Gorrice)

Çafka sot ka hipur në Dardhën gorrice
Fruta ha, nusërohet në këtë kohë.
Baba, e vështirë qenka buka e ugareve
Vargjeve ende u vjen era ugarë:
Toka ka gjak ugari. Plagë.

Dardha gorrice plaket në mes të fushës
Çafka “patriote” sot i del zot me këngë…

(Loti i Nanës)

Kitara kur qan, hap dritaren
Tokë, ku e fsheh lotin e Nanës?
Zog ma këndo këngën!

Çafkë, mos ma prek vargun!

Tokë, ku e fsheh lotin e Nanës?!…

(Thirrje në mesnatë)

Mjegullat e zeza
ecin nëpër qiell
do të bjerë shi.

Diellit ia kanë lidhur sytë
thirrni rrufetë!…

(Ankand te “Pazari Grave”)

Vjen derisa unë rrokullisem lëmsh
me të Dashurën e Omar Khajamit
e shahem me librat horror.

Kot, para s’kam të të huazoj për bukë
Palaçot nderohen me shpërblime.

Asgjë s’kam, vetëm pagjumësi…

(Një natë me Miken)

Me telefon, më fton në Tavernë
Qyteti i vogël për strehim.
Unë, dhe boca me verë
mbytemi në shtratin e hardhisë.

Më mbulon natën me poezi:
shpirti im dehu – edhe unë jam verë!
Çoje dollinë, mbytu në këtë det
Nesër, ku ta di unë, a do të kesh etje…

(Vjeli nëse ke uri)

Akrepat e kanë shkelur pasmesnatën
këmbët më ngatërrohen, mbamë Mike!
Jam, një qen endacak që ka të ftohtë.

Me dy boca verë në xhepa
Mikja më ngarkon në taxi.
Padashtas ia prek kumbullat.

Pëshpërit: Vjeli nëse ke uri!…

(Vetëm Unë
të pi me verë
)

Ky Qytet, është i çmendur
Mike oj! Të martuan me poezinë?!
E, më ndjekin mua si qentë
nga mëngjesi, në mëngjes.

Ky Qytet, do të di çdo gjë
nën cilën Urë kam bërë natë?!
Me cilën Mike pres e përcjell trena
për Ty, me cilin çmendesh në shtrat.

Po, kurrë s’do të dinë ç’kam në gji
e mbi cilin varr sonte bëra dashuri…

(Dashuri mes prangave)

Për dashuri qemë të varfër
për një natë pa gjumë nën Urë:
për një Serenatë
për një aventurë…

Vërtet, është ky edhe një Mot i Madh
për ne të pagjumët, oj Mike!
Dashurinë e mbajmë gjallë në varr
mes plumbash e prangash me vite…

(Dhuratë për ditëlindje)

E lodhur, e etshme për dashuri
m’ulet në prehër si flutur:
me një dëshirë…

E di, më thotë:
E dua një bebe
nga ti për ditëlindje
ta përkund në djep!

O Imzot,
pse s’më kërkoi
një tufë lule!
Ose: Stoli ari?!…

(Magji)

Një muaj
larg njerëzve, thellë në pyll
mes ujqërve dua të jem përherë!
Se, ujk jam. E, jo qen me zgjebe
që i vardiset një kocke në treg.

Ujk jam, oj Mike!
Sot zbres nga shpellat e Çelëvjollcës
me romanin më të ri: Shtëpia publike.

Gruaja më del para, i hap krahët
Mikja më shkarkon para dere
me një çantë libra e dy boca verë:
– Motër, merre fute në shtëpi
armiqtë i kanë bërë magji…

(Shtatë orë mbyllur
në Tavernë
)

Zagushi.
Muzikë e vitit njëmijenënqindeshtatdhjetedy
m’i kujton vitet e studimeve në Prishtinë.
Rrapin tim të vetmuar para „Bozhurit„.
Dhe, një dashuri…

Kamarieri i zi katran
Mikja trembet mos na vdes mbi tavolinë.

Azganja do të ikë në një shpellë
e ka lodhur jeta.
Civilizimi mes ferexheve…

E zgjas dorën në errësirë
O Imzot, ia preka gjinjtë…

(Minare për ezanin)

Vapa e ka mbyllur derën me reze
terri nëpër dhomë e heq një valle.
Miken e kanë dhunuar fjalët.

Mëngjes. Mikja para mikrofonit
kërkon një minare ta thirrë ezanin…

(Mos gërmo thellë)

Mos gërmo shumë thellë
Se, do të hasësh në gur
varre e eshtra!

Mos gërmo shumë thellë
se do të hasësh në plagë
do të shpërthejë vaji!

Mos gërmo shumë thellë
se do të mbytesh në mua!…

(Mike s’kam
tjetër Kalosh
)

Mike, s’kam tjetër Kalosh
të shtrihet me Ty në shtrat.

Mike, s’kam tjetër Kalosh
pa dy shtama me verë…

(Unë s’kam kohë
të plakem
)

Unë s’kam kohë të plakem
se, nuk më lë vera. Poezia.

Nuk më lë Mikja Di…

(Pushtimi i Shkupit)

Kur qentë e pushtuan Shkupin
e u strehuan te “Pazari Grave”.
Kockat dolën nëpër Qytet
u lëpinë nëpër “Bit-Pazar”.

Kur qentë e pushtuan Shkupin
Mikja u vesh në të zeza…

(Xhelozi)

E gjatë rruga. Nata s’ka mëshirë
më mbytën xhindet, pse pi verë?!

Dorë më dorë më hedhin mbi çati
Mëngjesin, ma shndërrojnë në arrati…

(Rrokullisje deri në mëngjes)

Udhë me rërë deri në Tyrbe
m’u dogjën këmbët, kam etje:
me të vdekurit pi verë.

E rrokullisemi natën deri në mëngjes
mbi varrin e Baba Shehut:
për “ilaç”…

(Doruntinën e solla Unë)

Ditën me diell
thërret: Çohu nga varri!
Lakuriqët i sulen territ.

E shoh, Rrapin, verën
Urën e Gurit dhe Tavernën.
Miken me një tufë lule
veshur në të zeza:
– Zgjohu shpirti im, mbaje besën
premtimin për në Baba Tomor!…

Nga libri: LOJA E SYVE (1995).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.