“BËHU I SHENJTË DUKE U NDIHMUAR TË TJERËVE QË TË JENË TË SHENJTË”

0
695
Don Domik Kukeli - Përsiatje dhe rrëfime

(Parathënie)

Shkruan: Motër Teuta Augustini, SCSC

Don Dominik Kukeli
Don Dominik Kukeli

Në duar kemi librin e don Dominik Kukelit “Përsiatje dhe rrëfime” të trajtuar në 61 tituj të veçantë. Përmes tyre, si përmes shkallëve të padukshme, arrijmë të zbresim në thellësitë e shpirtit të autorit dhe të freskohemi nga puhia e mendimeve të frymëzuara nga Hiri i Zotit; Ai ende u flet zemrave përmes dëshmisë së njeriut që e ka ‘takuar’ Zotin.

Përmes këtyre Përsiatjeve dhe rrëfimeve, titull i ngjashëm me atë të Shën Augustinit, edhe lexuesit do të zbulojnë se Jezusi është i gjallë edhe sot përmes dashurisë; ajo rrjedh prej zemrës në zemër dhe “[…] gjatë jetës e laton dalëngadalë zemrën dhe qenien tonë, duke e bërë atë të ngjashëm me të Dashurin” (nr. 55), siç shkruan vetë autori.

Fjalia “Bëhu i shenjtë duke u ndihmuar të tjerëve që të jenë të shenjtë” (nr. 58), duket të jetë bërë për vetë autorin e këtij libri një synim dhe përkushtim jete të cilin ai tani dëshiron t’ua thotë dhe t’ua mësojë dhe të tjerëve, në veçanti të rinjve, prandaj thotë: “[…] në parajsë nuk shkohet vetëm, por mund të shkohet vetëm me vëllezër dhe motra që me dëshminë e shenjtërisë sonë i kemi marrë përdore dhe i kemi çuar në takim me Jezusin”.

Pra, përmes shkrimeve që mori guximin t’i bashkëndajë me ne, don Dominiku dëshiron të na marrë përdore në rrugën e njohjes së Jezusit dhe të shenjtërimit, që domethënë të na dëshmojë rrugën drejt parajsës.

Uroj që duke u njësuar me këto Përsiatjet dhe rrëfime nga jeta e një meshtari dhe rregulltari salezian, i cili jetën e tij ia ka kushtuar dhe dhuruar Zotit, për ta dashur Atë e për t’i shërbyer Atij, duke i dashur dhe duke u shërbyer veçanërisht të rinjve, sipas shembullit të Shën Gjon Boskos dhe Shën Dominik Savios, secili lexues do të frymëzohet për ta kërkuar edhe ai vetë Zotin dhe ta përjetojë personalisht të vërtetën se Ai jeton në shpirtin e njerëzve që njëmend e duan Atë dhe se “Dashuria e Zotit është Tepër e Madhe” (nr. 60).

Lexim të këndshëm.

Dërgoi për publikim, ANB

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.