TRAKTET E LËVIZJES ILEGALE DHE REZISTENCËS SHQIPTARE ( 20 )

0
Traktet në Kosovë

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Propagandë shtetërore dhe manipulim identitar në Maqedoni

Në periudhën e intensifikimit të politikave ç ’kombëtarizuese të regjimit jugosllav, propaganda nuk u kufizua më në dokumente burokratike apo në ndërhyrje të heshtura institucionale – ajo mori edhe formën më të përhapur dhe më të sofistikuar të ndikimit publik, atë të fjalës së regjistruar, të imazhit televiziv dhe të transmetimit të programuar përmes mediave masive. Në këtë drejtim, një nga fushëbetejat kryesore të kësaj strategjie u bë territori i Maqedonisë Perëndimore, ku jetonte një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve etnikë, të cilët regjimi i synonte për t’i devijuar nga identiteti i tyre historik përmes metodave të reja, por thellësisht represive të manipulimit psikologjik dhe kulturor.

Gjatë kësaj periudhe, u prodhua një mori materialesh të shkruara e të transmetuara – artikuj, reportazhe, emisione televizive, intervista të kurdisura dhe kronika të realizuara në bashkëpunim me strukturat e partisë dhe të shërbimeve të sigurisë, që kishin si qëllim të vetëm t’i paraqisnin shqiptarët e Maqedonisë si pjesëtarë të komuniteteve të tjera etnike – “torbeshë”, “myslimanë maqedonas” apo “sllavë me përkatësi islame.”

Nuk bëhej fjalë për një dokumentim objektiv të realitetit shoqëror, por për një projekt të mirë menduar të inxhinierisë identitare, ku individëve u kërkohej të flisnin për veten jo siç e ndjenin, por siç u diktohej. Në emër të “integrimit” apo të “sqarimit kombëtar,” u kryen intervista të inskenuara, të cilat zakonisht pasonin me montazhe që nënvizonin devijimin nga përkatësia shqiptare. Në shumë raste, njerëzit ishin të detyruar të deklaronin në kamera përkatësi etnike të rreme – të thoshin se ishin torbeshë, se nuk kishin lidhje me kombin shqiptar, apo se ishin myslimanë të nacionalitetit maqedonas.

Ky proces nuk ndodhte në një balon – ai ishte i shoqëruar me presione të drejtpërdrejta politike, me shantazhe të hapura dhe me ndëshkime të heshtura ndaj atyre që refuzonin të bashkëpunonin. Në shkolla, në vendet e punës, në mjediset publike dhe përmes valëve të televizionit shtetëror, ushtrohej një trysni e vazhdueshme për të përmbysur ndjenjën e përkatësisë kombëtare dhe për të injektuar narrativen e re të “identiteteve alternative”, të krijuara artificialisht për të zhdukur atë të vërtetën historike: identitetin shqiptar.

Këto përpjekje për të ndryshuar realitetin nuk ishin thjesht forma të lehta të propagandës – ato ishin ndërhyrje të dhunshme në qenien e njeriut, në vetëdijen e tij, në historinë e tij personale dhe kolektive. Ishte një nënshtrim që i kërkohej jo trupit, por shpirtit; jo përmes prangave, por përmes fjalës së imponuar, që duhej të artikulohej para një kamere, si dëshmi e vetë çrrënjosjes.

Kjo përvojë e dhimbshme na kujton se pushteti qëndron jo vetëm në armë, por edhe në fjalë, në montazh, në ekran – dhe kur ky pushtet vihet në shërbim të mohimit të identitetit, ai shndërrohet në formën më të rafinuar të dhunës kulturore. Prandaj, dëshmia përmes kamerës nuk është gjithnjë shprehje e lirisë – ajo mund të jetë edhe rrëfim i diktuar i robërisë së padukshme, që kërkon të fshijë një popull nga historia, përmes pamjes së tij të deformuar në ekran.

Kur pseudoshkenca bëhet vegël e shovinizmit

Në shtatorin dhe tetorin e vitit 1980, në një prej periudhave më të tensionuara për popullsinë shqiptare në Maqedoni, propaganda e shtetit jugosllav mori një formë të re – të mbështetur në narrativen e “studimit” dhe të “analizës shkencore”, por që në të vërtetë shërbente si mjet i rafinuar i ç ‘kombëtarizimit dhe i shovinizmit të strukturuar institucionalisht. Kulmi i kësaj fushate u materializua përmes një serie të gjatë shkrimesh të botuara në gazetën ditore “Veçer” të Shkupit, nga 25 shtatori deri më 21 tetor të po atij viti. Në këtë periudhë, publicisti Njazi Limanovski, i vete pozicionuar si “zë përfaqësues” i të ashtuquajturve “torbeshë” ose “maqedonas myslimanë”, botoi një fejton në 23 pjesë, me titullin “Islamizmi i Maqedonisë”. Megjithëse në sipërfaqe pretendonte të trajtonte një temë historiko-kulturore, ky cikël shkrimesh ishte në të vërtetë një ekspozim i pashembullt i një gjuhe që ndërthurte urrejtjen etnike, spekulimin historik dhe paternalizmin ideologjik.

Në vend që të shërbente si një përpjekje për ndriçim apo për njohje të ndërsjellë, fejtoni i Limanovskit u shndërrua në një platformë shoviniste që synonte të prodhonte një identitet të rremë për një pjesë të popullsisë shqiptare në Maqedoni, të cilët, për shkak të rrethanave historike dhe represioneve të vazhdueshme, kishin filluar të distancoheshin nga përkatësia e tyre kombëtare. Kjo shtresë e ndjeshme e popullsisë, që identifikohej në mënyrë të fragmentuar për shkak të shtypjes shumëvjeçare, u bë objekt manipulimi në duart e propagandës shtetërore.

Gazeta “Veçer”, si zëdhënëse e ideologjisë zyrtare të Shkupit e Beogradit, nuk u mjaftua me përhapjen e interpretimit të njëanshëm të identitetit islam në Maqedoni, por lëshoi sulme të drejtpërdrejta dhe të paprecedentë ndaj vetë identitetit shqiptar, duke e identifikuar atë si problematik, të padëshirueshëm, madje si pengesë për “zhvillimin harmonik” të shtetit multietnik jugosllav. Fjalori që u përdor në këto shkrime nuk kishte të bënte më me analizën akademike, por me një retorikë të pastër diskriminuese – që kishte për qëllim të fshinte, të ndante dhe të përçante.

Kjo fushatë, e fshehur nën petkun e “diskursit publik” dhe “zërit të komunitetit”, ishte në thelb një përpjekje për të zëvendësuar identitetin shqiptar me një përkatësi të re të fabrikuar: torbesh, maqedonas mysliman, qytetar pa komb – në çdo rast, gjithçka tjetër përveç shqiptar. Dhe ky proces nuk ndodhi në mënyrë të padukshme: ai u mbështet nga institucionet shtetërore, nga redaksitë mediatike dhe nga vetë aparati ideologjik që synonte të formësonte opinionin publik dhe të edukonte një gjeneratë të re pa rrënjë të vërteta kombëtare.

Fejtoni i Limanovskit, si dhe vetë mënyra se si u promovua dhe u trajtua nga shtypi, përbën një rast paradigmë se si gjuha e shkencës mund të kthehet në mjet të dhunës kulturore, kur ajo vihet në shërbim të projekteve të asimilimit dhe të mohimit identitar. Ai dëshmon gjithashtu se rreziku më i madh për një popull të nënshtruar nuk vjen vetëm nga burgu apo pushka, por edhe nga fjala e shkruar – kur ajo e humb integritetin dhe i vihet në shërbim të mohimit të tjetrit.

Në këtë mënyrë, fejtoni nuk ishte vetëm një artikull gazete, por një akt ideologjik, një përpjekje për të shkruar identitetin e një komuniteti me dorën e tjetrit, dhe për t’ia imponuar atij një histori që nuk ishte e vetja – e as e vërteta.

Akademik Ali Hadri përballë propagandës antishqiptare

Në analizën retrospektive të shtypit ilegal shqiptar të kohës, një prej pikave që theksohet me shqetësim është mungesa e reagimit institucional dhe akademik ndaj valës së shkrimeve të hapura shoviniste dhe antishqiptare që po qarkullonin me intensitet në mediat zyrtare jugosllave, veçanërisht në Maqedoni gjatë viteve ’80. Shkrime që jo vetëm denigronin identitetin shqiptar, por që me një gjuhë pseudoshkencore dhe retorikë diskriminuese, synonin të përçmonin e deformonin të vërtetën historike të një populli autokton në trojet e veta.

E habitshme, thuhej në atë shtyp alternativ dhe të ndaluar, ishte heshtja e thellë që shoqëroi këtë fushatë – një heshtje që, në shumë raste, nuk ishte as rezultat i frikës, por shpesh i konformizmit, oportunizmit dhe kalkulimeve personale, veçanërisht në radhët e disa figurave publike, politikanëve dhe madje edhe intelektualëve që duhej të ishin zëri i parë i mbrojtjes së dinjitetit kombëtar.

Në këtë sfond heshtjeje e indiference, shfaqja e zërit të Akademik Ali Hadrit ishte si një dritë ndërgjegjeje në terrin e imponuar të asimilimit. Si historian me përkushtim shkencor dhe ndërgjegje të thellë kombëtare, ai nuk mund të rrinte i heshtur përballë sulmeve të fabrikuara të Njazi Limanovskit, të cilat i trajtoi me një përgjigje të denjë dhe shkencërisht të argumentuar. Hadri nuk u kufizua në polemika emocionale, por me thellësi kritike dhe qartësi metodologjike, i rrëzoi pretendimet e Limanovskit si të pabazuara, të pasakta, dhe të motivuara politikisht, duke i klasifikuar ato me të drejtë si shkrime tendencioze dhe shkencërisht të dështuara.

Ky akt publik i guximit intelektual dhe dinjitetit shkencor nuk mbeti pa pasoja. Siç shpesh ndodhte në regjime autoritare ku e vërteta përbën rrezik, pushteti nuk ia fali Ali Hadrit këtë guxim moral. Ai u përjashtua nga puna dhe iu nënshtrua një procesi brutal të “diferencimit” – një formë e koduar e ndëshkimit që synonte ta njolloste figurën e tij, ta izolojë profesionalisht dhe ta shtypë shpirtërisht. Por, përkundër këtyre përpjekjeve për ta shuar zërin e tij, Ali Hadri mbeti në kujtesën kolektive si një prej të paktëve që nuk pranuan të bëhen pjesë e skenarit të heshtjes dhe as të vete censurimit. Reagimi i tij dëshmon se ndonjëherë mjafton një zë i vetëm për të ekspozuar rrenën, për të mbrojtur të vërtetën dhe për të dhënë një mësim të përjetshëm: se intelektuali nuk është thjesht një bartës titujsh akademikë, por një rojtar i ndërgjegjes së kombit të vet.

Përballë një regjimi që përdorte “shkencën” si mjet pushtimi kulturor, kundërpërgjigjja e Hadrit mbetet një shembull i vyer i rezistencës intelektuale dhe i integritetit njerëzor, që në kohë shtypjeje nuk hesht, por qëndron – edhe me çmimin më të lartë.

Shtrirja e ilegales përtej kufijve administrativë

Në një prej momenteve më delikate të ndërgjegjes kombëtare shqiptare në Jugosllavinë e viteve ’80, lëvizja ilegale shqiptare dëshmoi se nuk ishte e kufizuar vetëm në hapësirën gjeografike të Kosovës, por kishte zgjeruar fushëveprimin e saj në të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët, duke përfshirë kështu edhe qendrat urbane jashtë Kosovës, si Shkupi – kryeqyteti simbolik dhe politik i shqiptarëve të Maqedonisë.

Në natën e 27-të drejt mëngjesit të 28 marsit të vitit 1981, qyteti i Shkupit u gdhi i zbardhur nga traktet ilegale të shpërndara në mënyrë të koordinuar, një akt që jo vetëm shënonte një veprim të guximshëm politik, por edhe simbolizonte kalimin e lëvizjes ilegale në një fazë të re – atë të rezistencës tërësisht ndërkrahinore dhe gjithëkombëtare. Ky aksion, i planifikuar në prag të fillimit të regjistrimit të popullsisë në tërë Jugosllavinë, ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj përpjekjeve të autoriteteve maqedonase për të manipuluar përkatësinë etnike të shqiptarëve të Maqedonisë, duke i kategorizuar ata si “turq”, “torbesh”, apo “myslimanë” – terma të shpikur dhe të instrumentalizuar për qëllime politike dhe shoviniste.

Traktet e shpërndara në Shkup nuk ishin vetëm fletë proteste – ato ishin dokumente rezistence, artikulime të qarta politike që denonconin hapur përpjekjet e regjimit për ta përmbysur të vërtetën demografike e historike të shqiptarëve në Maqedoni. Në njërin prej fragmenteve më të fuqishme të këtyre trakteve thuhej qartazi: “Këto ditë, ashtu si në gjithë Jugosllavinë, edhe në Maqedoni do të bëhet regjistrim i përgjithshëm i popullsisë. Shovinistët revizionistë maqedonë po bëjnë përpjekje të çmendura që edhe këtë rast ta shfrytëzojnë për qëllimet e tyre të ndyra antishqiptare.”

Kjo fjali përmbledh thelbin e asaj që lëvizja ilegale e konsideronte si rrezik më të madh për popullsinë shqiptare në Maqedoni – jo dhuna fizike e drejtpërdrejtë, por manipulimi statistikë e identitar, që e bënte më të lehtë zhdukjen e përkatësisë shqiptare përmes tabelave, formularëve dhe klasifikimeve të kontrolluara nga aparati shtetëror. Shkupi, në këtë natë simbolike, u shndërrua në një qendër të fjalës së ndaluar, në një tribunë të padukshme të zërit të së vërtetës.

Traktet flisnin jo thjesht në emër të një pakice të shtypur, por në emër të një populli që kërkonte të mos i deformohej historia, gjuha, as identiteti. Ky ishte një akt i ndërgjegjes kombëtare, që dëshmonte për unitetin e qëndrueshëm të shqiptarëve përtej kufijve administrativë dhe për gatishmërinë e tyre për të kundërshtuar çdo përpjekje për t’i shndërruar në “të tjerë” në vendin e tyre.

Ky moment është sot dëshmi e vyer e faktit se ideali i rezistencës shqiptare në Jugosllavi nuk kishte vetëm një qendër gravitacioni gjeografik, por ishte një lëvizje me shtrirje mendimi dhe veprimi që përfshinte gjithë trojet e rrezikuara nga mohimi i identitetit. Dhe Shkupi i asaj nate – i mbuluar me fletët e shpërndara në heshtje – ishte një kujtesë e fuqishme se kur nuk flasin politikat zyrtare, flet fjala ilegale; kur heshtin mediat, flet trakti; dhe kur synohet zhdukja e emrit, lind detyra për ta shkruar atë më fort – në mure, në ndërgjegje dhe në histori.

Trakt i paemër por me zë të qartë kombëtar

Në mozaikun e gjerë të veprimtarisë ilegale shqiptare gjatë periudhës së regjimit jugosllav, nuk mungojnë dokumentet e shpërndara në mënyrë të organizuar, por që, për arsye të kuptueshme të sigurisë dhe mbrojtjes së strukturës së brendshme, kanë mbetur të panënshkruara nga emri i ndonjë organizate të caktuar. Një rast i tillë përfaqësohet nga trakti i shpërndarë në Shkup në natën simbolike të 27/28 marsit 1981, i cili, ndonëse i përmbushur me përmbajtje të fortë kombëtare dhe me qëndrim të qartë kundër procesit të regjistrimit të popullsisë, nuk mbante asnjë shenjë identifikuese të autorit apo organizatës që qëndronte pas tij.

Kjo mungesë nënshkrimi nuk ishte rezultat i neglizhencës, por strategji e vetëdijshme e mbijetesës së ilegalitetit në kushte të shtypjes së gjithanshme, ku çdo gjurmë, çdo inicial, çdo emër mund të shndërrohej në dëshmi për dënim të rëndë penal. Trakti, ndonëse anonim në emër, nuk ishte i tillë në përmbajtje. Ai artikulonte me qartësi synimin e tij: mbrojtjen e dinjitetit kombëtar të shqiptarëve dhe demaskimin e politikave të deformimit identitar që po imponoheshin përmes regjistrimit të popullsisë.

Ajo që i jepte këtij dokumenti karakterin e veçantë ishte mungesa e një thirrjeje ideologjike në përmbyllje – një element që shpesh e shoqëronte literaturën e organizatave të majta ilegale të kohës. Në vend të parullave politike apo referencave doktrinare, trakti përfundonte me një fjali të vetme, lakonike, por thellësisht domethënëse: “Rroftë populli trim shqiptar.” Kjo fjali nuk ishte vetëm një përshëndetje – ishte një deklaratë identitare, një akt afirmimi, një kumt i ngulitur në ndërgjegjen e një kombi që, edhe kur fshihej për të mbijetuar, nuk hiqte dorë nga krenaria e vet.

Pikërisht ky fund i thjeshtë por kuptimplotë, e bënte traktin edhe më të fuqishëm, sepse ai nuk fliste në emër të një grupi të kufizuar, por në emër të popullit të tërë. Ishte një zë pa emër, që përfaqësonte një shumësi zërash të shtypur, një jehonë që nuk kërkonte emër për të pasur legjitimitet. Trakti ishte anonim vetëm për ata që kërkonin firmë – por për masën që e lexonte dhe për atdhedashësit që e ndjenin të vërtetën në çdo fjali, ai kishte një autor kolektiv: popullin shqiptar vetë.

Kështu, ky dokument i paidentifikuar formalisht mbetet një nga shembujt më të pastër të asaj që quhet “rezistencë anonime me peshë historike” – akti i guximit pa lavdi personale, i atij që flet për kombin pa e vënë emrin në fund, sepse në atë kohë emri më i rëndësishëm ishte “Shqiptar”. Dhe kjo fjali përmbyllëse – “Rroftë populli trim shqiptar” – është jo vetëm përfundimi i një trakti, por fillimi i një kujtese që ende sot na fton të mos harrojmë se historia jonë është e shkruar jo vetëm me emra të mëdhenj, por edhe me zëra të heshtur, që folën për të gjithë.

( vijon )

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.