Anton Nikë Berisha
(Rreth studimit të don Pal Tunajt, Qenësia e martirizimit. Martirët: gjaku i tyre misioni ynë. Radio Maria, Tiranë 2023)
Martirizimi dëshmi e fesë së gjallë
Studimi i don Pal Tunajt Qenësia e martirizimit. Martirët: gjaku i tyre misioni ynë pa asnjë dyshim është për shumëçka i rëndësishëm dhe i pari i kësaj natyre i botuar në botën tonë. Përmes tij autori ndriçon në mënyrë të shumanshme dukurinë e martirizimit, të dëshmuar te krishterimi nga vetë themeluesi, Jezu Krishtit, i cili e jep shembullin më të denjë të martirizimit për të mirën e njeriut dhe shpëtimin e tij. Kjo dukuri në rrjedhën e moteve shkoi duke u pasuruar edhe nga besimtarët e devotshëm në Krishtin, të cilët me jetën e tyre e përligjen se feja e Krishtit është fe e gjallë. E këtillë u dëshmua nga hapat e parë të përhapjes së këtij besimi e deri në kohën tonë.
Arsyet pse autori i hyri studimit të martirizimit brenda fesë së krishterë ndërlidhet me faktin ai është një nga përbërësit e rëndësishëm të saj. Për të qartësuar rëndësinë e shumëfishtë të martirizimit, po sjell përcaktimin që i ka bërë Koncili i dytë i Vatikanit, të cilin përcaktim don Pali e pati bazën kryesore për hartimin e studimit: “Meqenëse Jezusi, Biri i Hyjit, e ka shfaqur dashurinë e vet duke e dhënë jetën për ne, askush nuk ka dashuri më të madhe se sa ai që jep jetën për të dhe vëllezërit (krh. 1Gjn 3,14; Gjn 15,13).
Qe prej kohëve të para, pra, disa të krishterë janë thirrur, dhe të tjerë do të thirren gjithmonë, për të dhënë këtë dëshmi maksimale të dashurisë përpara njerëzve, e veçanërisht përpara përndjekësve. Prandaj martirizimi, me të cilin nxënësi bëhet i ngjashëm me mësuesin e vet që lirisht e pranon vdekjen për shpëtimin e botës dhe me të cilin bëhet i ngjashëm me të në derdhjen e gjakut, çmohet nga Kisha si dhuratë e shkëlqyer dhe prova më e lartë e dashurisë. Edhe pse pak njerëzve u është dhënë, të gjithë duhet të jenë të gatshëm ta dëshmojnë Krishtin përpara njerëzve dhe ta ndjekin në rrugën e kryqit gjatë përndjekjeve, që nuk mungojnë kurrë në Kishë[1].
Don Pali i qaset dhe e vështron dukurinë e martirizimit nga rrafshe të ndryshme, duke e parë, qoftë në rrjedhjen vertikale, qoftë në atë horizontale, rëndësinë e tij edhe për kishën e sotme.
Pra, për martirizimin autori na jep një varg të dhënash e faktesh nga Besëlidhje e Vjetër dhe nga Besëlidhja e Re; i përmend dhe i sjell një varg shembujsh konkretë të martirizimit si të vëllezërve Makabenj, pastaj të Shtjefnit, martirizimi në Zbulesën e Gjonit, për të zbritur dhe nëkohën tonë.
Për ta ndriçuar sa më gjithanshëm martirizimin rëndësinë që ai pati në rrjedhë të zhvillimit të krishterimit, po dhe atë që ka sot, don Pali jep mendimet dhe vlerësime të ndryshme të etërve të kishës, shpalos rëndësinë e kultit që është krijuar për të, pastaj marrëdhënien e martirizimit dhe eukaristisë etj.
Pra, autori, duke na dhënë një varg dëshmish, e provon qenësinë e martirizimit që për kishën ka pasur e ka rëndësinë e vet të pamohueshme, siç thotë G. Fazzini (Faxini): “[…] një Kishë pa martirët është një Kishë anemike, e ndrojtur, e frikësuar. Një Kishë që nuk e njeh martirizimin do të ishte një Kishë në agoni”[2].
Martiri – rrjedhojë e vullnesës së Hyjit
Natyrisht, një martir nuk është rrjedhojë e rastit dhe e dëshirës së individit, po e veprimit të hirit të Hyrit: “Një martir i krishterë nuk është rastësi, aq më pak mund të jetë martirizimi i një krishteri efekt i vullnetit të njeriut për t’u bërë martir […] Një martir, një shenjtor është gjithmonë fryt i planit të Hyjit, i dashurisë së tij për njerëzit, për t’i paralajmëruar dhe udhëhequr ata, për t’i kthyer në rrugët e tij”[3]. Ndodh pikërisht ajo që Papa Gjon Pali II thoshte për lutjen dhe nismën e saj nga ana e besimtarit: “Përvoja e lutjes mëson që, nëse ‘uni’ duket në fillim elementi më i rëndësishëm, njeriu pastaj kujtohet se në të vërtetë puna qëndron ndryshe.
Ti është më i rëndësishmi, sepse lutja zë fill nga Zoti. Shën Pali, në Letrën drejtuar Romakëve, na mëson pikërisht këtë[4] […] Në lutje, pra, protagonisti kryesor është Zoti. Protagonist është Krishti, që vazhdimisht e liron krijesën nga robëria e prishjes dhe e shpie drejt lirisë, për lavdinë e bijve të Zotit. Protagonist është Shpirti i Shenjtë që ‘i vjen në ndihmë dobësisë sonë’. Ne fillojmë të lutemi me përshtypjen se kjo është nismë jona, kurse ajo është gjithmonë një nismë e Zotit brenda nesh[5]”.
Në vijim të ndriçimit të dukurisë së martirizimit, don Pal Tunaj vë në dukje se ajo u ndodh vetëm besimtarëve të mirëfilltë, atyre që janë shpirtërisht të lidhur me hirin e Hyjit e me dashurinë e tij, ata që janë të gatshëm të japin për fe gjithçka, edhe jetën. Së këndejmi vepra e tyre duhet të bëhet pjesë e veprimit në jetën e përditshme të njeriut, të shërbejë shembull: “Kur flasim për martiret, menjëherë mendja na shkon të shenjtërit të cilët në mënyrë shpirtërore, poetike dhe metafizike janë të pajisur me fe të gjallë dhe vepruese, por edhe me dije e kulturë të madhe […]
Pra janë njerëz të cilët krijuan ligje, formuan shtet, por mbi të gjitha e çuan aq larg Ungjillin e Jezu Krishtit sa që e vulosen me gjakun e dëshmisë, duke e flijuar jetën për Jezu Krishtin, Ungjillin, Kishën dhe për lirinë e popujve […] Pikësëpari kjo kategori njerëzish dëshmojnë dhe zbulojnë shpirtin e fesë së tyre, e cila për ne është një nevojë dhe detyrë por edhe model i të jetuarit sipas normave të përshpirtërisë.
Përgjatë kësaj trajtese nuk dëshirojmë t’i braktisim po as t’i anashkalojmë përvojat e tyre të fesë, kontributin e tyre shpirtëror dhe kulturor që t’i mbulojë pluhuri dhe harresa. Dëshmia e tyre duhet që të inkulturohet në ungjillëzim edhe pas dekadave të martirizimit të tyre. Pra dëshmia e tyre kërkohet të integrohet në jetën pastorale të ungjillëzimit, për t’i bërë përvojë të dukshme për Kishën tonë”[6].
Don Pali martirizimin e sheh dhe e vështron si pjesë të pandashme të besimtarit dhe të kishës nga se martirizimi është pjesë përbërëse e jetës dhe e kohës kur jetuan dhe vepruan këta njerëz të lartësisë dhe pasurisë shpirtërore të veçantë, prandaj nuk mund t’i zhveshim nga realitet i prekshëm, konkret, sepse kanë datën dhe vitin e lindjes dhe të vdekjes, prandaj i takojnë historisë dhe realitetit objektiv[7].
Po e mbyll këtë punim për studimin e don Pal Tunajt me mendimin se njohja e qenësisë së martirizimit, të shpjerë vetvetiu në njohjen më të thellë të besimin në Krishtin dhe njësimin me të.
Prishtinë, fillim dhjetor 2023
[1] Dokumente të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, Kushtetuta dogmatike Lumen Gentium, Shkodër, 2012, n. 42.
[2] G. Fazzini, Lo scandalo del martirio, inchiesta sui testimoni della fede del terzo millenio, f. 73., f. 23.
[3] Shih M. Sussini, I martiri di Tiberhine, il dono che prende corpo, EDB, 2005, f. 133.
[4] Gjon Pali II me Vittorio Messori-n, Të kapërcehet pragu i shpresës Gjonlekaj Publishing Company, Neë York, 1998, f. 15.
[5] Gjon Pali II me Vittorio Messori-n, Të kapërcehet pragu i shpresës, vep. e përm., f. 16.
[6] Don Pal Tunajt, Qenësia e martirizimit. Martirët: gjaku i tyre misioni ynë. Radio Maria, Tiranë 2023, f. 7 – 8.
[7] Don Pal Tunajt, Qenësia e martirizimit. Martirët: gjaku i tyre misioni ynë, vep. e përm., f. 9.