SI U VRA NGA SERBËT, MË 1999, POETI PATRIOT YMER ELSHANI

0
Ymer Elshani

Fati tragjik i një poeti dëshmor dhe i familjes së tij të masakruar nga serbët

Ymer Elshani (1948-1999) është shkrimtari-dëshmor që jeton dhe do të jetojë përjetshëm, si vlerë dhe dhimbje jona e veçantë. Ai është njëri nga shkrimtarët më të mirë në letërsinë tonë për fëmijë dhe pa dyshim shkrimtari me fatin më tragjik në gjithë historinë e letërsisë botërore. Edhe pse vepra e tij letrare jep mesazhe aq të shumta mirësie e dashurie për njeriun, pa marrë parasysh përkatësinë e tij racore, kombëtare apo fetare, pikërisht ai u pushkatua dhe u masakrua nga forcat serbe në luftën në Kosovë, më 17 prill 1999, në fshatin Poklek të komunës së Drenasit të Kosovës, bashkë me bashkëshorten, të katër djemtë e tij, nënën, kunatën dhe 53 bashkëqytetarë të tjerë.

Xhevat Syla
Xhevat Syla

Nga XHEVAT SYLA

Cili ishte Ymer Elshani?
Ymer Elshani lindi në fshatin Korroticë e Poshtme të Drenasit, më 14 qershor 1948. Mësimet në klasën e parë të fillores i nisi në vitin shkollor 1955/56, në kushte mjaft të rënda, meqë babai i tij Nazifi kishte shumë fëmijë dhe mezi e siguronte bukën për familjen shumanëtarëshe. Në mësime ishte gjithnjë i shkëlqyeshëm. Katër klasë të shkollës fillore i kreu në fshatin e lindjes, kurse të tjerat në Komoran, në shkollën që mbante emrin “Jeta e re”. Shkollën Normale dhe Fakultetin Filozofik, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, i kreu në Prishtinë.

Si normalist, ai shkruante dhe botonte krijimet e tij letrare në revistat e atë¬hershme për fëmijë që dilnin në Prishtinë dhe në Shkup, si “Pionieri”, “Rilindja për fëmijë”, “Zëri i rinisë”, “Shëndeti”, “Gëzimi” dhe “Fatosi” dhe i lexonte ato në orët letrare që mbaheshin në shkollë. Në shkollën Normale të Prishtinës, Ymer Elshani profesor kishte shkrimtarin Rexhep Hoxha, i cili luajti një rol nxitës në krijimtarinë e tij letrare për fëmijë. Respektin për këtë shkrimtar ai e ruajti gjatë gjithë jetës.

Ymer Elshanin, si edhe shumë të rinj të tjerë të kohës së tij, kushtet e jetës por edhe nevojat e kohës për kuadro në arsim e detyrojnë të punësohet shumë herët. Qysh si student i Normales punësohet në Komoran, ku punon si mësues në shkollën fillore të fshatit. Krahas punës ai vazhdon studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe.

Si student i vitit të parë, më 27 nëntor 1968, Ymer Elshani mori pjesë në demonstratat që u organizuan në Prishtinë. Për këtë gati u përjashtua nga shkolla ku punonte, por i doli në mbrojtje drejtori i shkollës Halil Bogaj, duke deklaruar para komitetlinjve se atë ditë Ymeri kishte mbajtur mësimin. Që ta vërtetonte deklaratën e tij, drejtori Halil Bogaj i kishte thënë Ymerit që t’i shënonte në ditar orët të cilat në të vërtetë nuk i kishte mbajtur. Sado që i shpëtoi përjashtimit nga shkolla, Ymeri, si intelektual dhe shkrimtar që ishte, përherë vazhdoi të jetë halë në sy të sigurimsave dhe të aparatçikëve të tjerë.

Duke qenë i dalluar në studime, ende pa u diplomuar, në po atë shkollë i jepet të ligjërojë gjuhën dhe letërsinë shqipe në ciklin e lartë. Puna me nxënësit atij do t’i ndihmojë edhe më shumë në krijimtarinë letrare.

Për në punë udhëtonte me biçikletë. Para dite punonte në shkollë, kurse pas dite shkonte në fakultet, duke udhëtuar me vështirësi, meqë në atë kohë autobus për në Prishtinë kishte vetëm nga Sllatina. Përkundër vështirësive që kishte, ai arriti të diplomojë në afat rekord në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, në tetor të vitit 1972. Si i diplomuar me notë të lartë mesatare, Ymer Elshani në të njëjtin fakultet regjistron edhe studimet pasuniversitare, ku edhe magjistron në vitin 1978, me temën “Poezia shqipe 2 për fëmijë në Jugo-sllavi 1946-1976”, e cila u vlerësua lart nga komisioni.

Pas mbarimit të shërbimit ushtarak në Novi Sad, më 1975, Ymer Elshani vazhdon punën në Gjimnazin “Skënderbeu” të Drenasit (ish Gllogocit), si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku jep edhe gjuhën latine. Pas një viti e gjysmë pune aty ai zgjedhet zëvendësdrejtor, ndërsa nga shtatori i vitit 1977 zgjedhet drejtor i shkollës. Si drejtor, Ymeri u shqua për organizim të shkelqyeshëm, duke punuar pa u lodhur bashkë me profesorët e tjerë për vënien e një rendi dhe disipline të jashtëzakonshme në shkollë. Në Drenas kjo ishte një periudhë e lulëzimit të arsimit, me ç‘rast dolën disa breza nxënësish të dalluar, të cilët më vonë u bënë mjekë, profesorë, ekonomistë etj.

Në vitin 1981, në kuadër të diferencimeve politike që u bënë pas demonstratave të njohura të studentëve dhe punëtorëve në Kosovë, të cilat në Drenas shpërthyen më 2 prill, Ymer Elshanin e përjashtuan nga puna dhe ia ndaluan publikimin e shkrimeve. E përjashtuan për qëndrim oportunist dhe se gjoja ishte përgjegjës për organizimin e demonstratave në Gllogoc. Pesë vjet mbetet pa punë, si i papërshtatshëm për arsim. Erdhi një kohë e zymtë për të. E kotë qe ankesa e tij gjyqit. Vlerësimi i komitetit si “i papërshtatshëm” për arsim diktonte edhe sjelljen e organeve që duhej të ndanin drejtësinë.

Për gjendjen e tij në këtë periudhë, kolegu dhe miku i tij, shkrimtari Rifat Kukaj, do të shkruajë: “Përjetoi të mbetej vite të tëra pa punë si “i papërshtatshëm” për arsim, por as në ndonjë zyrë trokiti, as njeri bezdisi. Dhe më pat lënë mbresa të thella qëndresa e tij. Më thoshte: Tani jam bërë bujk i mirë dhe nga diçka po shkruaj edhe për fëmijë.”[1] Edhe këto pak fjalë flasin për karakterin e tij, për heshtjen krijuese, por edhe për qëndresën burrërore para vështirësive.

Më 1985 Ymer Elshani punësohet në “Ferronikel” si përkthyes. Në këtë kohë, Rifat Kukaj, duke qenë redaktor në Edicionin e botimeve të “Rilindjes” e kishte angazhuar atë të përkthente librin “Një mijë e një net”, pastaj romanin “Fëmijët e shtetit” të shkrimtarit serb nga Kosova Aca Rakoçeviq, ndërsa një vit më parë, në saje të mirëkuptimit të po kësaj shtëpie botuese, iu botua edhe libri “Plaku me violinë”, pavarësisht se ende i vazhdonte ndalesa për botim.

Pas vitit 1990 zgjedhet në Kryesinë e Sindikatës së Pavarur të “Ferronikelit”. Më 1992, edhe nga “Ferronikeli” largohet nga puna si tepricë teknologjike. Pastaj, më 1994, në vitet e rënda të mbijetesës së arsimit shqip në Kosovë, ai prapë kthehet me punë në gjimnazin e Drenasit “Skënderbeu”, si zëvendësdrejtor. Në këtë detyrë ai punon një vit e gjysmë, meqë më 1996 emërohet këshilltar pedagogjik i lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Drenas, ku u tregua mjaft aktiv në mbarëvajtjen e punës arsimore në shkollat e komunës së vet. Shkonte në të gjitha shkollat e komunës, hospitonte në orët mësimore, duke iu dhënë udhëzime dhe duke i inkurajuar arsimtarët për ta mbajtur arsimin në gjuhën shqipe, i cili ishte në rrezik të shkatërrohej nga pushteti okupues i Serbisë.

Fati tragjik

Kur më 1998 u ndez lufta në Kosovë, Ymeri kishte vendosur të mos largohej nga vendlindja. Vetëm disa ditë ishte strehuar në Prishtinë dhe ishte kthyer prapë në fshatin e tij. Ndërkaq, në kohën e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe, më 15 prill 1999, Ymeri bashkë me familjen u dëbua nga fshati. U vendos në fshatin Poklek i Vjetër. Më 17 prill 1999, herët në mëngjes, ai bashkë me gruan, fëmijët, nënën, babanë e me bashkëfshatarë të tjerë tentojnë të hyjnë në Drenas, por policia serbe gjysmën e asaj turme e kthen prapa. Ymeri me të vetët, por edhe me bashkëfshatarë të tjerë strehohen në shtëpinë e Sinan Muqollit për t’i terur rrobat e bëra qull nga shiu që binte rrëke, me vetëtima e bubullima të pandalura.

Po atë ditë, në orën 17,00 policët serbë kishin hyrë në shtëpinë e Sinan Muqollit dhe nga turma e strehuar aty, ku kishte edhe mjaft fëmijë, gra, vajza, kishin nxjerrë Ymer Elshanin dhe Sinan Muqollin. Sapo i kishin nxjerrë jashtë, ishin dëgjuar krismat e automatikëve, të cilat ua kishin shuar jetën mizorisht. Pas kësaj, policia kishte hedhur bombë në dhomën ku po qëndronin të strehuarit e tjerë, pesëdhjetë e shtatë vetë. Ndërkohë, nëpër tymin që mbështillte krimin e paparë në atë dhomë, policët zbrazin plumba nga automatiku, duke i lënë të vdekur pesëdhjetë e një vetë. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshortja e Ymer Elshanit, Nafija (45 vjeçe) me të katër bijtë Ardianin (25), Miranin (20), Kujtimin (15) dhe Nderimin (10), si dhe kunatën Shukrijen.

Të nesërmen në një shtëpi afër vritet edhe nëna e Ymer Elshanit, Nailja (75), motër e poetit dhe veprimtarit të shquar, Fazli Greiçevict, i cili po ashtu qe vrarë nga UDB-a derisa po qëndronte në burg për shkak të veprimtarisë së tij patriotike e i cili, si dajë që i ishte, e kishte nxitur në udhën e shkrimeve. Trupi i Ymer Elshanit dhe i nënës së tij u gjetën pas lufte të hedhur në bunar. Ndërkaq pas çlirimit, në një tubë me zallë në afërsi të shtëpisë u gjetën të fshehura në një fuçi disa dorëshkrime e fotografi të Ymer Elshanit.

Bashkëshortja e Ymerit Nafija ishte amvise. Djali i madh i Ymerit, Ardiani, kishte mbaruar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, dega e Matematikës, dhe po e ligjëronte këtë lëndë në shkollën fillore “Shaban Polluzha” në Korroticë të Epërme dhe në Drenas. Mirani ishte student i vitit të dytë në Fakultetin e Filologjisë në Prish¬tinë, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, ndërsa Kujtimi dhe Nderimi ishin nxënës: Kujtimi ishte në vitin e parë të gjimnazit “Skënderbeu” të Drenasit, ndërsa Nderimi i vijonte mësimet në klasën e katërt të shkollën fillore “Arif Shala” të Korroticës së Poshtme.

Nga familja e ngushtë e Ymer Elshanit kishte shpëtuar vetëm vajza e tij Teuta (1975), studente e kimisë, meqë kishte qëlluar tek axha i saj Zymberi, në Prishtinë. Nga Prishtina ajo kishte arritur të dalë në Maqedoni, pas qëndrimit katër ditë në Bllacë. Një kohë qëndron në kampin e Neproshtenit afër Tetovës. Aty merr lajmin për vrasjen dhe masakrimin e të gjithë familjarëve të saj. Me dhimbjen e pashuar në shpirt, nga ai kamp ajo shkon në Amerikë, ku është martuar dhe vazhdon të qëndrojë edhe sot, duke ardhur shpesh në vendlindje dhe duke organizuar e ndihmuar materialisht botimin e veprave të babait.

Lajmin për masakrën në Poklek të Vjetër, Zymber Elshani, vëllai i Ymerit, e merr më 24 prill 1999, nga gazeta “Fakti” e Shkupit, por nga ajo nuk mëson kush krejt e kishte pësuar nga familja e tij. Këtë ai do ta marrë vesh më vonë, pasi arrin në Norvegji si refugjat, nëpërmjet bisedës me telefon me vajzën e Ymerit, Teutën. “Nuk mund të fliste duke qarë, – thotë Zymberi.

– Gjithnjë më tingëllojnë në vesh fjalët, kur me zërin që i dridhej, më tha: E kanë vrarë babën, nënën dhe të katër vëllezërit… As për gjyshen nuk dihet se ku ndodhet… Për gjyshen e saj, nënën time, pra, mora vesh më vonë se edhe ajo ishte vrarë të nesërmen dhe ishte hedhur në bunar” – thotë Zymber Elshani, po ashtu, autor i disa veprave letrare për fëmijë.

Vepra letrare

Ymer Elshani në letërsinë tonë për fëmijë erdhi në vitet ’60, atëherë kur në Kosovë po krijonte me plot vullnet e përkushtim brezi i dytë i shkrimtarëve tanë për fëmijë: Vehbi Kikaj, Rifat Kukaj, Qamil Batalli, Ali Huruglica, Rrahman Dedaj e të tjerë, të cilët erdhën pas brezit të parë të shkrimtarëve tanë për fëmijë. Brezin e parë, ku bëjnë pjesë Mark Krasniqi, Rexhep Hoxha, Mehmedali Hoxha, Anton Çetta etj., e mbajmë të diferencuar për shkak se shënon fillimet e letërsisë për fëmijë në Kosovë, sado që shumica e tyre e vazhduan krijimtarinë deri vonë. Ymer Elshani, bashkë me moshatarin e tij Agim Deva, ishin shkrimtarët më të rinj dhe shumë premtues që iu bashkuan këtij brezi.

Ymer Elshani e ndien shumë herët frymëzimin poetik. Ai do ta cytë atë të shkruajë që në moshë të re, si dhjetë vjeçar. Vjershën e parë me titull “Për gjah” e botoi në revistën “Pionieri” nr. 6/1962, ndërsa librin e parë “Anija e miqësisë” e botoi më 1967. Ndonëse i ri, Ymer Elshani që me librat e parë dëshmoi se i ishte përkushtuar seriozisht krijimtarisë
letrare për fëmijë, madje duke mos bërë asnjë lëvizje nga ajo, pra duke e pasur letërsinë për fëmijë të vetmin vokacion dhe preokupim krijues.

Pas librit të parë “Anija e miqësisë”, ai vazhdoi me botimin e librave të tjerë, si “Ç’ka ëndërrojnë lulet”, libër me poezi, pastaj romanin “Ndodhitë e Humdëkarotës” (1971), si dhe librat “Ishulli i lumturisë” (1973) dhe “Loti udhëtar” (1972), libra me tregime, për të vazhduar me botimin e librave të tjerë, si “Aventurat mbi trotinetin e vjetër” (1975), roman, “Guri i çmueshëm” (1977), tregime, “Unaza magjike” (1980), poezi,; “Plaku me violinë” (1984), tregime, “Kalorësi i bardhë” (1987), poemë, “Përjetimet e Bardhoshit” (1989), tregime.

Pas vrasjes tragjike të Ymer Elshanit, në saje të përkujdesjes së vajzës së tij Teutës dhe të vëllezërve Arifit e Zymberit, atij iu botuan edhe këto vepra të lëna në dorëshkrim apo të sajuara nga shkrime të tij të botuara në periodikun letrar për fëmijë: “Ylli ëndërrimtar” (2000), poezi, “Vajza e Diellit” (2000), tregime, “Njohja e trimave” (2000), tregime, “Përralla për ylberin” (2000), poemë, “Gjeli i kuq” (2000), zgjedhje tregimesh, “Zogu i lirisë” (2001), poezi, “Le të vijë në Sharr pranvera” (2002), poema për fëmijë, “Gjelastreni
mendjelehtë” (2003), poezi, “Flokargjendta” (2004), përmbledhje tregimesh.

Iu botuan po ashtu edhe romani “Udhëtimi i Xhuxhimaxhuxhit” (2008), si dhe studimi për poezinë shqipe për fëmijë të krijuar në ish Jugosllavi “Aspekte të poezisë sonë për fëmijë 1945-1976”. Ky studim ishte temë e magjistraturës, të cilën Ymer Elshani e kishte mbrojtur me sukses në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977. Studiuesi ynë i shquar i letërsisë për fëmijë Astrit Bishqemi e konsideron atë “një punim model magjistrature me vlerë edhe sot.. ”, madje edhe ndër veprat nismëtare në fushë të studimit të letërsisë për fëmijë.

Përveç krijimeve në poezi dhe në prozë, Ymer Elshani, në periodikun letrar, kryesisht në revistën letrare për fëmijë “Gëzimi” që dilte në Shkup, botoi edhe një numër të konsiderueshëm pjesësh teatrale.

Krijimet e Ymer Elshanit në poezi dhe në prozë janë përfshirë në të gjitha antologjitë dhe panoramat e poezisë dhe të tregimit shqiptar të botuara në Prishtinë, në Shkup dhe në Tiranë. Romani “Ndodhitë e Hundëkarotës” u ribotua edhe në Tiranë, më 1987 dhe u emitua disa herë nga Radio Tirana si dramatizim. Në periodikun letrar për fëmijë në Shqipëri i janë botuar edhe shumë punime të tjera letrare në poezi dhe në prozë, ndërkaq disa krijime i janë botuar të përkthyera edhe në Sarajevë e në Stamboll. Për romanin “Aventurat mbi trotinetin e vjetër”, Ymer Elshani fitoi Çmimin “Neven” për vitin 1976, të cilin e jepte Novi Sadi.

Duke trajtuar temat dhe motivet që do ta preokupojnë në poezinë dhe në rrëfimtarinë e tij, Ymer Elshani ndërton edhe stilin e vet të rrëfimit, të cilin nga libri në libër do ta përsosë. Realizon atë që kishte premtuar dhe që e kishte ndier si nevojë për krijimtarinë tonë për fëmijë – futjen e elementit fantastik në të. Kjo bëri që shumë krijime të tij të jenë një gërshetim i suksesshëm i përrallës me realitetin, gërshetim ky që do të ndihmojë lindjen e krijimeve interesante, poezive, tregimeve, përrallave e legjendave, pjesëve teatrale dhe romaneve.

Krijon, pra, një letërsi me destinim dhe me funksione të caktuara. Përvetësimin e lexuesit ai mëton ta bëjë me zgjerimin e vazhdueshëm të gamës së temave e motiveve të reja dhe interesante, të kohës, që kishin synim ta kënaqnin fëmijën me artin e rrëfimit, ta mësonin dhe edukonin dhe ta pajisnin atë para së gjithash me vlera të larta njerëzore. Në arritjen e këtij qëllimi Ymer Elshanit do t’i vijnë në ndihmë njohuritë teorike dhe invencioni në përdorimin e tyre.

Veprën letrare të Ymer Elshanit e përbëjnë më shumë se njëzet tituj në më shumë zhanre letrare. Ashtu siç janë të shumta temat dhe motivet, të shumta janë edhe personazhet. Ato i takojnë botës njerëzore, asaj faunale dhe asaj florike, por personazhe kemi edhe nga gjërat. Karakteristike është se të gjitha ato kanë shpirt, janë bartëse të një ideje, para së gjithash të idesë së dashurisë për njeriun, për të mirën, humanen, njerëzoren.

Ato ndikuan dhe do të ndikojnë fuqishëm në fisnikërimin e shpirtit të njeriut, të fëmijëve para së gjithash. Prandaj mund të themi se miqësia, dashuria dhe humaniteti janë vlerat themelore të veprës së këtij shkrimtari. Në këtë kuptim atë e shquan një ndjenjë po¬thuajse kozmopolite.

Dashuria është ndjenja që ai kapër të gjithë njerëzit e rruzullit tokësor. Ajo shprehet fuqishëm në gjithë veprën e tij. Bartës të kësaj vlere janë personazhet e shumta. nga bota njerëzore dhe ajo faunale e veprave të tij. Gjeneral Musteqoshi dhe miqtë e tij Syblerta dhe Majmunthi të romanit “Aventurat mbi trotinetin e vjetër”, në udhëtimin e tyre, do të takojnë shumëkë që është në zor dhe pa u hamendur të gjithëve do t’ua ofrojnë ndihmën.

As udhëtimi i Hundëkarotës, në romanin “Ndodhitë e Hundëkarotës”, nuk është i pacak dhe i paqëllim, madje ai nuk është pa një qëllim vërtet human, të cilin do të jetë në gjendje t’ia ngarkojë vetes fëmija – lodër, i quajtur Hundëkarotë, apo më mirë të thuhet – që do t’ia ngarkojë atij shkrimtari i cili në plan të parë në veprën e tij ka afirmimin e së mirës, humanes,asaj që i ofron njerëzit dhe nxit dashurinë  dhe solidaritetin në mes tyre.

Në librin me poezi “Gjelastreni mendjelehtë”, ta zëmë, ndiejmë zërin e miliona fëmijëve të të gjithë meridianëve të rruzullit tokësor, të cilët kërkojnë që në planet të ketë sa më shumë ëmbëltore, toka pjellore, pemë frutore, këngë gazmore, dritë diellore dhe që kudo të zhduken uria, armiqësia, robëria, shtypja, luftërat, urrejtja e lakmitë… Madje, në funksion të kësaj ideje apo të këtij idealiteti është edhe loja e fëmijëve, janë madje edhe numrat, shenjat e pikësimit etj.

Sipas poetit, nga afria, bashkimi dhe dashuria e Njëshit me Zeron, lind numri Dhjetë. Poeti arrin të depërtojë edhe në ëndrrat e dëshirat e shenjave të pikësimit, duke dhënë kuptimin më të mirë të tyre. Bie fjala, ëndërr e dëshirë e Tri pikave del: ”Të vihemi të tria / Aty – / Ku e pakufishme është lumturia! Të ngjashme janë edhe dëshirat e ëndrrat e pikës, presjes, pikëpresjes, pikëpyetjes, pikëçuditjes… Që të gjitha duan të jenë vetëm në funksion të miqësisë dhe dashurisë midis njerëzve. Sepse, do të shkruajë poeti:

Sikur çdokush
Nga ne
Në k’të botë
Të ngrisë
Me dashuri t’zjarrtë
Prej zemrës në zemër nga një urë,
Atëherë
Më të afërta do të bëhen largësitë
E do të mundet –
Çdo pengesë e mur!…
Për paqen dhe mirëqenien e njerëzimit, sipas
poetit, është e nevojshme që çdokush në këtë botë
Të rrisë
Në brendësi të zemrës
Nga një pëllumb të bardhë, të lirë;
Atëherë:
Edhe paqja do të jetë
E përjetshme, e fortë –
E luftërat do t’fundoseshin n’humbëtirë!…

Ky disponim dhe kjo sjellje del parakusht që bota të jetojë në paqe, e qetë dhe me dashuri. Del pra e domosdoshme që secili njeri t’ia zgjasë me ngrohtësi zemre dorën tjetrit, në mënyrë që kështu të gjithë njerëzit të bëhen më të fortë dhe të mos mund t’i mundë asnjë  tufan… Në këto vlera, para së gjithash në shoqërimin e njerëzve mes vete, pra në raporte ideale, poeti sheh bukurinë e miqësisë, bukurinë e jetës, bukurinë e vetë lindjes dhe të rendjes së gjërave nëpër botë.

Në veprën letrare të Ymer Elshanit, në përgjithësi, hetohet pena e sigurt, përvoja krijuese, invencioni dhe mendimi i qartë, depërtimi në të fshehtat dhe në thellësitë e jetës jo vetëm të njeriut, por edhe të faunës që e ndeshim në jetë dhe të mikrobotës. Në gjithë veprën letrare Ymer Elshani ide mbi të gjitha idetë, preokupim mbi të gjitha preokupimet ka të mirën, dashurinë dhe harmoninë midis të gjitha qenieve të gjalla, si dhe të gjërave, duke filluar nga mikrobota e deri te dashuria dhe harmonia midis njerëzve të të gjithë meridianëve, madje edhe të planetëve në galaktikën e pafund.

Shkrimtari Ymer Elshani u këndon me dashuri vlerave më të larta dhe më të çmueshme që stolisin qenien e njeriut. Spikatjen e tyre ai e bën me një figuracion të pasur, të qëlluar dhe shumë efektiv. Pikërisht kjo mënyrë e të shprehurit i mbush vjershat art, i bën ato të atilla sa njeriu të mahnitet sa bukur mund të thuhet një mesazh dhe me sa efekt mund të jetë ai. Mënyra si e thotë mesazhin e vet poeti Ymer Elshani është tërheqëse për lexuesin, i hap atij mundësi depërtimi deri aty ku është vështirë t’ia kapë mendja njeriut. Thjesht, ai këtë e bën me gjetje që mahnitin, të cilat i japin kënaqësi lexuesit.

Fjala e mirë e njeriut për poetin Ymer Elshani është çelës i artë për dyert e zemrës; e ngroh motin e acartë; heq retë nga balli i vrënjtur, harkon ylberin në sytë e heshtur, e bën të flasë edhe gurin, fik vullkanin dhe ftoh llavën, pikëllimin e lë pa flatra; fik zjarrin që merr flakë; zbret diellin në shuplakë… Gjithë këto gjetje të bukura lexuesit domosdo do t’ia ofrojnë një mësim që mbështetet në përvojën e pasur njerëzore, një mësim që mund të dalë vetëm nga një shpirt i pasur e i pastër kristal dhe do ta cytin atë të vrasë mendjen edhe për gjetje të tjera.

Kujtesa për shkrimtarin

Dhe pikërisht shkrimtari i këtillë u ndoq në sistemin e kaluar, iu ndrruan vendet e punës, madje u përjashtua edhe nga puna, iu ndalua botimi. Pikërisht ai, si bartës e shpërfaqës i vlerave më humane dhe më njerëzore, u gjet të masakrohet nga kriminelët serbë, madje bashkë me njerëzit e tij të dashur, të katër bijtë, nënën dhe gruan. Krimi ndaj tij qe ndër krimet më të rënda që kanë mundur t’u bëhen vlerave më të larta njerëzore, është kulm i së keqes, i së zezës, i shpirtit katran.

Këtë e dinë më së miri të gjithë ata që e njohin veprën e këtij shkrimtari, që e njohën atë personalisht – të heshtur, të vyeshëm, duke bërë jetë dinjitoze në provincë dhe pikërisht aty duke gjetur motivin të krijojë pa ndërprerë, duke jetuar me botën aq të pasur të personazheve të tij letrare, duke mbushur faqet e revistave letrare për fëmijë dhe nga viti në vit duke i dhuruar letërsisë sonë vepra përherë e më të mira.

Është e dhimbshme për letërsinë tonë për fëmjië që një gurrë aq e çiltër dhe aq e begatë na la shumë herët. Ymeri u vra në moshë të re, 50 vjeçar, në pjekurinë e tij më të madhe letrare. Zbrazëtia që i la letërsisë sonë është e pakompensueshme. Atë e ndiejmë të gjithë, dhe nuk kam si të mos e pasqyroj këtë ndjenjë zbrazëtie e dhimbjeje me vetëm një strofë të mikut të madh të Ymerit, shkrimtarit Rifat Kukaj, i cili vinte nga e njëjta trevë: Pa ty stinët zvarriten ngathtë, ngathtë. Për n’vendlindje udha m’është shëmtuar, Se ç‘ma theve, or krahun e djathtë, Me stuhinë e dhembjes së pashëruar…

Në vitin 2019, përkrahur nga Ministria e Kulturë, Rinisë dhe Sport e Republikës së Kosovës, Ymer Elshanit iu botua vepra komplete, mirëpo në të ardhmen duhet bërë edhe ribotime të tjera më praktike të veprave të tij, në mënyrë që ato të jenë më shumë në duart e fëmijëve dhe të lexuesve të tjerë. Një punë po ashtu e mirë është bërë me zgjedhjen e tregimeve të Ymer Elshanit në vëllimin “Gjeli i kuq” Shkup, 2000), pastaj me zgjedhjen e poezive (Kur vallëzojnë buzëqeshjet, Prishtinë 2021) si dhe me zgjedhjen tjetër të tregimeve, të bërë nga vajza e shkrimtarit Teuta (Planeti i mirësisë), dhe me përgatitjen për ribotim të romaneve “Ndodhitë e Hundëkarotës” dhe “Aventurat mbi trotinetin e vjetër”.

Një borxh yni është edhe botimi i një zgjedhjeje të poezive dhe të tregimeve më të mira të këtij autori, të cilat bashkë më një përshkrim të fatit të tij tragjik do të përktheheshin në disa gjuhë kryesore të botës, në mënyrë që opinionin botëror të njihet me veprën dhe me mesazhin aq të vlefshëm që del nga ajo, si dhe me fatin aq tragjik të krijuesit të saj. Kjo do të ishte një shpupurishje në ndërgjegjen e mbarë njerëzimit, të cilit edhe i takon vepra letrare e Ymer Elshanit.

Shkrimtarët për fëmijë në Kosovë e nderuan dhe e nderojnë vazhdimisht veprën dhe figurën e shkrimtarit Ymer Elshani nëpërmjet përkujtimeve pothuajse të çdovitshme, me organizimin e manifestimit tradicional letrar në Drenas “Sofra poetike Ymer Elshani” dhe me dhënien çdo vit të Çmimit “Ymer Elshani” nga Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” librit më të mirë për fëmijë të botuar në Kosovë.

Marrë nga Nacional

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.