Rruga e gjatë në mes aktit krijues dhe lexuesit

0
207
Emin Kabashi

Prof. dr. Emin Kabashi:

(Brahim Avdyli – Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta, Prishtinë, 2023)
(Vështrime, sugjerime, përsiatje, recensione, studime, ese, etj.)

Përkufizimi

Vepra e Brahim Avdylit, Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta, hapet me një parathënie, që mëton ta orientojë lexuesin, jo vetëm për çështjet që ka trajtuar autori, por për gjithë strukturën shkrimeve të tij, edhe për veprat letrare që ka marrë në shqyrtim, edhe për strukturën e ndërtimit të tyre, edhe për shkoqitjen në aspektin e vlerës shoqërore që kanë ato vepra, por edhe për vlerën letrare mbi të cilën janë krijuar.

Atëherë lindin disa dilema, që mund të përthekohen me disa përkufizime, ndër të cilët edhe ky që po parashtrojmë që në këtë nismë:

Çka janë shkrimet e krijuesit Brahim Avdyli për letërsinë?

Hyrje

Shkrimet, vështrimet, studimet, esetë që ka përfshirë autori Brahim Avdyli në këtë përmbledhje, shtrojnë çështje të shumta që lidhen, jo vetëm me letërsinë si akt krijues, por edhe me rëndësinë e tyre në planin shoqëror, jo vetëm me strukturën e ndërtimit të tyre, pa marrë parasysh se për cilën gjini, apo lloj letrar bëhet fjalë, po edhe për realizimin e tyre artistik, jo vetëm mënyrën e qasjes së realizimit të një vepre, por edhe për vlerat që mund të bëhen trashëgimi e brezave që vijnë.

Do të thotë, autori i veprës që po shqyrtohet, Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta, Brahim Avdyli, ka analizuar gjithë strukturën e ndërtimit të veprës së akëcilit autorë që ka marrë në shqyrtim, ka trajtuar deri në shkoqitje të përimtuar gjithë rrugën krijuese të secilit autor që ia ka shqyrtuar veprën, ka sugjeruar një varg çështjesh që dalin nga struktura e veprave për të cilat ka dhënë mendimin e tij.

Prandaj, një dilemë tjetër që shtrohet në këtë rast, mund të përmblidhet në një përkufizim, në formë të pyetjes krijuese:

Cilat vlera e preokupojnë autorin e këtyre shkrimeve, përmbledhur në një vepër me karakter studiues?

Komunikimi me autorët dhe veprat që ka marrë në shqyrtim

Autori Brahim Avdyli, veprën e tij, Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta, e fillon me vështrimin për veprën me poezi të autores Arberta Mamudi, Ylli i plagosur. Në vështrimin e tij, Brahim Avdyli shtron disa çështje interesante, qoftë për vlerën ideore të vargjeve të saj, qoftë për peshën emocionale që bartin vargjet e këtij vëllimi me poezi.

Më thotë mendja, se mjafton një përkufizim, që ka dhënë autori, për të përmbledhur gjithë vlerën e këtyre poezive përfshirë në vëllimin me titull shumë provokues, por shumë poetik, Ylli i plagosur.

Autori, Brahim Avdyli, që në fillim, e shtron drejtë përjetimin e krijueses së re, andaj thotë: ‘‘Poetesha e re, Arberta Mamudi, në vargjet e saj, e përjeton thellë fatin e rëndë të shqiptarit, qoftë nga Atdheu, qoftë nga mërgimi’’. Besoj, se këtu është përmbledhur në mënyrë bindëse i gjithë preokupimi krijues i autores së re, për veprën e së cilës studiuesi, Barahim Avdyli, ka shkruar parathënien, jo vetëm duke folur për vlerën e poezive të saj, por edhe për preokupimet e saj, që janë pjesë e jetës sonë nëpër rrugët e jetës që bëjnë shqiptarët, kudo që janë, qoftë brenda atdheut, qoftë të mërguar nëpër botë.

Kurse për veprën e Dr. Muhamet Rugovës, ‘‘Kronikë e kohëve-gjenealogjia e familjes Lila-Rugova, që nga paraardhësit’’, botim i vitit 2021, duke shqyrtuar peshën që ka botimi i këtillë, ku jepet historia e tetë brezave të familjes Lila-Rugova, që në një mënyrë apo në një tjetër, është shëmbëllim i rrugës për të shkruar historinë reale të jetës së shqiptarëve, pa ato ndikimet, siç thuhet, fisnore, partiake, pushtetore, e kështu me radhë.

Këtu qëndron edhe vlera madhore e veprave të këtilla, si kjo e atdhetarit Muhamet Rugova, për të cilën ka shkruar autori i kësaj vepre, Brahim Avdyli.

Duke lexuar me kujdes dhe me kureshtje të gjitha llojet e shkrimeve të Brahim Avdylit, përfshirë në këtë vepër, krijohet bindja, se janë shqyrtuar, janë analizuar, janë vlerësuar dhe janë studiuar, thuajse të gjitha aspektet e aktit krijues, por edhe rrjedha të jetës shoqërore kudo që jetojnë krijues të ndryshëm, kudo që krijojnë dhe botojnë veprat e tyre, si dhe kudo ku vlerësohen dhe lexohen ato vepra.

Kjo është edhe e veçanta e vlerës së shkrimeve të veprës së Brahim Avdylit, Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta.

Do të thotë, shkrimet e kësaj vepre, qofshin ato vështrime për përmbledhje poezish, qofshin ato studime të mirëfillta, qofshin analiza për çështje të ndryshme të veprës letrare, qofshin edhe shkrime eseistike, nxjerrin para lexuesit një dilemë të përhershme, që mund të përmblidhet, në një formulim të përafërt:

Si komunikon me veprën artistike, autori Brahim Avdyli dhe cilat aspekte vlerash trajton në vlerësimet e tij?

Shqyrtime analitike përgjithësuese për krijime të veçanta

Në këtë shkrim, doemos, edhe si lexues, tërheqin vëmendjen vështrime të veçanta, që mund të trajtohen edhe si studime të mirëfillta për vepra të caktuara, që autori ka marrë në shqyrtim.

Të tilla, kësaj radhe, më bindëse janë vështrimet për vëllimin në dy gjuhë, italisht dhe shqipe të autorëve Filippo Landi dhe Ilire Zajmi, Un treno per Blace, Një tren në Bllacë.

Më thotë mendja, të njëjtën qasje ka edhe për veprën e mërgimtarit të përjetshëm në Bukuresht, Baki Ymerit, për vëllimin e tij poetik, me titull, Zjarri i Shenjtë, botuar në vitin e largët 2001 në Tetovë.

Për vëllimin e Filippo Landit dhe Ilire Zajmit, studiuesi Brahim Avdyli, shqyrton thuajse të gjitha aspektet e këtij vëllimi, duke bërë analizë përimtuese, jo vetëm të vlerës letrare të këtij vëllimi, por edhe vlerën e madhe për kujtesën historike të shqiptarëve, që ndonjëherë thuajse harrojnë nëpër cilat ngjarje tragjike ka kaluar jeta e tyre, edhe si popull i ndarë në disa shtete, por edhe si tërësi kombëtare.

Autori Brahim Avdyli e ka të qartë, se përkundër peshës tragjike që ka përmbledhja që ka marrë në shqyrtim, është i vetëdijshëm, se autorët, as italiani Filippo Landi, as shqiptarja Ilire Zajmi, nuk kanë mundur, as nuk kanë pasur njohuri për gjithë realitetin e luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, ‘‘veçanërisht në Istog, Pejë, Deçan, Junik, Koshare, Morinë, që është vendlindja ime, fshatrat për rreth, Samolicën, në anën tjetër, Shishmanin e Babait e Bokës, Gjakovën dhe rrethinën e saj, deri ne Rogovë të Hasit, përtej Erenikut, që është lidhur me lumin me të njëjtin emër e deri në Dri, pra rajoni kufitar me Shqipërinë, sidomos me Malësinë e Gjakovës e Bjeshkët e Shkelzenit’’.

Qoftë edhe vetëm përfshirja e kësaj pjese të gjeografisë shqiptare, si pjesë e munguar e strukturës së veprës Një tren për Bllacë, shpalon gjithë peshën e tragjedisë shqiptare që kishte shkaktuar armiku ynë shekullore në jetën historike të popullit shqiptar.

Në mes këtyre dy studimeve të mirëfillta, autori ka vënë vlerësimin për vëllimin në tri pjesë të mërgimtarit tjetër të njohur, të Hysen Ibrahimit, me një titull shumë domethënës, jo vetëm për mërgatën shqiptare, por për gjithë kulturën tonë kombëtare, siç është titulli i kësaj vepre në tri vëllime,  ‘‘Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi për pavarësinë e Kosovës’’, të cilën e ka botuar Shoqata e Artistëve dhe e krijuesve shqiptarë ‘‘Papa Klementi XI Albani’’.

Qoftë edhe vetëm ky fakt i peshës së këtyre tri vëllimeve, thotë autori Brahim Avdyli, “do të thotë shumë për shqiptarët e atjeshëm dhe për shqiptarët e këtushëm, do të thotë, për shqiptarët e mërgimit tonë të madh, si dhe për shqiptarët që janë në atdhe”.

Tërësia e analizave si strukturë e studimit të veprave letrare

Autori i këtij vëllimi vlerësimesh, analizash, studimesh, esesh, Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta, Brahim Avdyli, për secilën veprë që ka marrë në shqyrtim, ka qasje profesionale, ku njohuritë për vlerën e veprës letrare, kushtëzohen nga përmbajtja e akëcilës vepër që ka marrë në shqyrtim.

Prandaj, mund të thuhet se, fjala vjen një studim i mirëfilltë është vlerësimi që ka bërë për vëllimin krijues të poetit Nexhmedin Syla, Ritme jete, botim i vitit 2022.

Duke u marrë me veprën e tij poetike, autori Brahim Avdyli, është marrë me gjithë rrugën jetësore të krijuesit, që do të thotë, ka marrë motivet e poezisë së këtij vëllimi, që ishin pjellë e realitetit jetësor të krijuesit.

Dua të besoj se kjo është e veçanta e të gjitha shkrimeve të Brahim Avdylit në këtë përmbledhje, ngase për secilën vepër që ka dhënë mendimin e tij studimor, autori ka gjetur shëmbëllimet përkatëse me jetën e krijuesit.

Për ta mbështetur këtë mendim, mund të sjellim një argument, që thuajse është i përfillshëm në të gjithë strukturën e veprës së Brahim Avdylit, kur shkruan për poezinë e Kujtim Matelit, Qetësojmë shpirti e trazuar. Duke folur për këtë vëllim me poezi, autori Brahim Avdyli, ndalet bindshëm duke vënë në pah rëndësinë veprës së tij për vendndodhjen e Dodonës, të botuar në dy vëllime studimore, më 2011 dhe më 2016 në Tiranë, më titull, Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit, I, II.

Do të thotë, autori i këtij studimi, Brahim Avdyli, gjerësinë e analizës së tij e ka theksuar që në titull, kur e ka përkufizuar, me Xhevahirët e një shpirti të trazuar dhe çështje të tjera të historisë. Ata që duan të kuptojnë gjerësinë e trajtimit të një vepre letrare, kësaj radhe e kanë të qartë që në titullin e studimit.

Në tërësinë e veprës së Brahim Avdylit, Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta, ka vlerësime interesante, për ngjarje me rëndësi të madhe historike. I tillë mund të jetë shkrimi për shfaqjen e dramës kushtuar Heroit të Kombit, Agim Ramadani, me titull Ringjallja e Agimit, me autorët Xhemile Kajtazi dhe Muharrem Sylejmani.

Mirëpo, autori Brahim Avdyli, para se ta shihte premierën e dramës, i kishte në mendje dhe në shprt vargjet e Agim Ramadanit: Mu shterrshin sytë/ nëse pushoj Lirinë tënde me ëndërrue/ mallkue qoftë gjaku im/ nëse m’vrasin pa luftue.

Lexuesi e ka të qartë, jo vetëm vlerësimin e autorit, por edhe idealin që ka sjellë teksti i dramës së shfaqje teatrore.

Përfundim
Ese që flasin për jetën dhe përtej jetën

Autori i veprës Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta, Brahim Avdyli, ngjashëm me shkrimin për dramën kushtuar Heroit të Kombit Agim Ramadanit, që në një mënyrë është një elegji për veprën madhore të luftës dhe të rënies së tij, ka rikujtuar, ose ka ringjallur aktorin e madh të baletit shqiptar, Rrustem Selcën.

Përjetësia e veprës së Rrustem Selcës, jo vetëm si aktor i baletit, por edhe si formues i vlerave të kulturës kombëtare, në përkujtimin e autorit Brahim Avdyli, shpalohet edhe përmes regjistrit të madhe të veprave ku ai ka përjetësuar diçka nga vetvetja, pra ka krijuar që në gjallje rrugën e së përjetshmes.

Qoftë edhe vetëm për këtë cilësi, ky përkujtim është një lapidar që i kushtohet një artisti të madh.

Një studim i veprës së autorit Brahim Avdyli, ka gjetur vend në këtë vepër, në rrafshin krahasues, të poezisë së krijuesve të rinj, në raport me emrat e mëdhenj të poezisë shqipe, siç janë tre nga krijuesit tanë më të njohur, më të dashur për lexuesin shqiptar, ndër më të veçantët në poezinë shqipe, siç e përkufizon edhe autori i studimit krahasues.

Krahasimi në mes poezive të Fatos Arapit, Dritëro Agollit dhe Xhevahir Spahiut, si dhe ndonjë krijuesi tjetër më të rinj, siç është Dan Kosumi, e ndonjë tjetër, në një mënyrë apo në një tjetër, është përgjithësimi i përvojës së leximit të artit poetik, gjë që e ka theksuar edhe autori i këtij studimi, Brahim Avdyli.

Pa marrë parasysh se ku e ka gjetur tharmin e krahasimit, autori ka shtjelluar një nga temat më të përjetshme të poezisë, si është dashuria njerëzore.

Vepra e Brahim Avdylit, Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta, përmbyllet me një analizë të mirëfilltë, siç e ka quajtur autori, një ese me një titull shumë domethënës, Sytë që më përcjellin.

Mund të shkruhen radhë të tëra për përkufizimin e kuptimit të këtyre syve që përcjellin autorin, që përcjellin krijuesin, që bëhen pjesë e vetëdijes, që nga fëmijëria e deri te akti i ikjes nga kjo jetë.

Marrë në përgjithësi, kjo vepër e Brahim Avdylit ka hapur aspekte të ndryshme të rrafshit studimor të letërsisë, sidomos të poezisë shqipe, ka prekur aspekte të ndryshme të temave të përgjithshme e të përjetshme, siç janë dashuria dhe vdekja, ka shkruar për emra të veçantë të jetës sonë historike, siç është rënia për liri heroit të Kombit, Agim Ramadanit, ka sheshuar rrofshin krahasues të poetëve shqiptarë, të dy a më shumë brezave, si dhe ka trajtuar me shumë këmbëngulje rrugën krijuese të disa nga krijuesit e mërgatës sonë të madhe, e cila përherë e më shumë po bëhet pjesë e vlerave të kulturës sonë kombëtare.

Prishtinë, maj-qershor, 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.