Skandali “Veteranët”
IDRIZ ZEQIRAJ
Hartuesit e statutit të veteranit, fillimisht, janë nisur nga qëllime të liga e mosmirënjohëse, ndaj çliruesit faktik të Kosovës, NATO-s. “Të bëjmë sa më shumë veteranë, qofshin ata edhe fiktivë, për ta përvehtësuar luftën, çlirimin e Kosovës, me forcat tona vetanake, me numrin e madh të ushtarëve!” Gjenerali freng Napoleon, më shumë urrente mosmirënjohësit, se sa tradhtarët. Edhe numrin e dëshmorëve e kanë trefishuar.
Luftëtari vullnetar britanez, kur dëgjoi përtej katërfishimin e veteranëve, 60 mijë, i çuditur me gënjeshtrën e madhe, tha se “po të kishim 60 mijë ushtarë, do të hynim në Beograd!”
Mendësi idioteske e hatuesëve të statutit të veteranit, që kalon caqet e logjikës normale! Si ka mundësi, lufta bëhet në Kosovë, ndërsa marrin statutin e veteranit, duke jetuar në Mërgatë, pa kaluar kurrrë Urën e Matit, në Milot, përgjatë luftës?! Dhe, kur qeveria donë të ndryshojë qasjen zhvatëse të buxhetit shtetëror, kryehorrakët e OVL të UÇK-së, shantazhojnë e kërcënojnë me prostesta! Vallë, kaq shumë kanë degraduar shqiptarët! Themi shqiptarët, sepse edhe heshtja është aprovim i së keqës, krimit!
Nëse ka pak qindra aktivistë, Fondi ilegal “Vendlindja thërret”, për dy vitet aktivitet, janë mijëra veprimtarë të Fondit shtetëror, 3 %-shit, përgjatë nëntë viteve veprimtari, në bagatimin e Fondit në fjalë. Të shpallën veteranë, pa shprazur asnjë plumb, pa hyrë asnjëherë në territorin e Kosovës, përgjatë luftës, është jo vetëm krim ekonomik, por, edhe marrëzi dhe armiqësi ndaj Kosovës. Qenia qytetar i një shteti, nënkupton obligime reciproke. Dhe, shërbimi për Atdheun, është parimi dhe detyra e parë i çdo qytetari.
Personalisht, me 7 mars 1998, kam lënë Gjermaninë. Kam udhëtuar për Shqipëri, duke shërbyer në Emergjencën e luftës, së bashku me 18 punëtorët dhe nipërit e mi, Ismet dhe Hasan Rexhaj, që drejtonin Firmën time “Etniku”, në Mamurras, Kurbin. Shefe të Emergjencës e kemi pasur oficeren Sabahate Tolaj, një vajzë e kompletuar në trimëri, zgjuarësi dhe bukuri. Ajo, Sabahatja, së bashku me Isuf Haklaj, duke qenë në shërbim të Hetuesisë Speciale, u ekzekutuan nga banda e LPK-së.
Të pajisur me liçencë të veçantë, për bartjen e armëve, në Malësinë e Gjakovës dhe të Prizrenit; bazën ushtarake për luftëtarët në frontin e luftës; pritjen, strehimin dhe akomodimin e refugjatëve, ikanakëve nga Kosova, që nga Fush-Kruja, deri në Lezhë e Shëngjin. Shërbimi për kufi, ka qenë i mundimshëm dhe i rrezikshëm. Për një karvan kamionësh me armatim, kemi paguar gjobë kesh, në dorë, 25.000 gjermane.
As gjuatjet me kallash nuk kanë munguar. Njëra nga këto sulme ka ndodhur, më 18 qershor 1998, në Tropojë, gjatë shkarkimit të kamionëve, në një depo ushtarake. Njerëz të uniformuar, shprazën kallashin, në drejtimin tonë dhe ne, përfshirë edhe autorin e këtij shkrimi, u shtrimë për tokë, duke u fshehur prapa mallit të shkarkuar. Banda e LPK-së, bashkëpunonte me sivëllezërit e tyre në Malësinë e Gjakovës, të Prizrenit dhe kudo në Shqipëri.
Për rastin në fjalë, informova presidentin Rexhep Mejdani. Në përgjigje, një javë më pas, grupi prej 9 (nëntë) mjekësh dhe infermierësh, të cilët shëbenin në spitalin e Tropojës, duke udhëtuar me mikobusin e tyre, u gjuajtën me kallash dhe njëri syrësh u pagos. Të nesërmen, të frikësuar nga terrori i bandave, filloi largimi nga Tropoja i personelit mjekësor dhe i refugjatëve, ikanakëve nga Kosova, duke na shkaktuar një kaos të vërtetë, për strehimin e tyre të ngutshëm.
Megjithatë, nuk jam veteran, sepse nuk kam qenë ushtarë me pushkë. Pas luftës kam marrë – Mirënjohje – nga Kosova dhe Shqipëria. Kaq është e mjaftueshme për mua. Vërtët, kam humbur biznesin dhe punën, kam falimentuar ekonomikisht, por, kam fituar shumë – Lirinë-. Dhe, liria nuk ka çmim. Me një vendim shkrimor nga Beogradi, të dërguar përmes Ambasadës Jugosllave në Tiranë, në mes tjerash, shkruhet: “Të ndalohet hyrja në Jugosllavi”! Rast unik, edhe pse unë isha shtetas jugosllav dhe nuk kisha një shtetësi të dytë!
Dhe, vetëm pas plot 33 vitësh, jam kthyer në Kosovën e lirë! E dhimbshme, gjeta një liri relative. Bandat e LPK-së së djeshme, tashmë, të konvërtuara në PAN-in e sotëm, ia ngrinë buzëqeshjen e lirisë, popullit të shumëvuajtur të Kosovës, me vrasjet politike numerike, sepse “komandantët”, profanë e kriminelë, donin pushtet dhe pasuri.
E trajtova – Skandalin “Veteranët” -, në katër vazhdime radhazi, si pjesë e debatit, pas kërkesës shumë të vonuar, por krejt legjitime, të kryeministrit Kurti, për ta ndërprerë gjakderdhjen shumë-milionshe financiare, nga buxheti i lodhur i Kosovës. Me shumën e shpenzuar koti, për Skandalin “Veteranët”, tashme, me një menaxhim korrekt e profesional, do ta zgjdhte, mrekullisht mirë, gjendjen sociale në Kosovë.
Është koha t`i jipet fund abuzimit më të madh financiar zyrtar, siç është Skandali “Veteranët”, i shkaktuar nga një grup njerëzish, rrast të inkriminuar dhe moskokëçarës, për hallet numerike të popullit, në Kosovën tonë. Edhe Skandali “Veteranët”, i cili është thelluar me amnistimin e Komisionit të Verifikimit, nga gjykata e kapur nga PRONTO-mafia, është pjesë e hajnisë së madhe zyrtare. Është Sistemi i Drejtësisë i dështuar, përkatësisht, Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që kanë sabotuar hetimin e krimeve vrastare politike dhe korrupsionin, më sakt, hajninë zyrtare.
Pikërisht, këto dy kushte bazë, të kërkuara nga BE-ja, nuk janë plotësuar dhe gënjejnë të gjithë ata, të cilët thonë të kundërtën, duke bllokuar edhe liberalizimin e vizave. Pra, siç tha një Ministre e sinqertë dhe dinjitoze, e betuar ta thotë vetëm të vërtetën, madje, për të gjitha çështjet e pazgjidhura vendore: “Kosova duhet t`i kryejë detyrat e shtëpisë!”
Andaj, LVV, e ardhur në pushtet, me premtimin e madh, për ta luftuar krimin vrastar dhe korrupsionin galopant, nuk duhet ta lërë peng. Sepse, në të kundërtën, do të ishte një zhgënjim i madh dhe humbje besimi, për partinë fituese të 14 shkurtit 2021. Koha për veprim. Lë të shpresojmë.
– F u n d –