23.2 C
Tirana
E mërkurë, 24 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj TRSHTIMI POETIK I NJË LIRIKE

TRSHTIMI POETIK I NJË LIRIKE

0
Ajne Ibërhysaj

Poezia “LOTI U THA” nga Ajne Ibërhysaj është një tip elegjie në të cilën trishtimi personal i poeteshës arrinë të ngrihet mbi kufijtë e një dhimbjeje personale dhuke u shndërruar në një dhimbje universale. Këtë trishtim poetik, mund ta lexoj vetëm ai që ka dhimbjen e përafërt me të poeteshës. Ajo në këtë poezi, ka arritur të ndërlidh në mënyrë tejet artistike fatin e vet me mitin e Trojës, duke krijuar një hapësirë poetike ku humbja, dashuria, vdekja dhe lufta bashkëjetojnë në të njëjtën plagë. Dhe me sa duket kjo plagë është jeta reale e vet poeteshës e cila ka nxjerrë vargje nga dhembja personale.

Qysh në vargjet e para, dhimbja e saj personifikohet me Trojen duke marrë dhimbjen si lajtmotiv të procesit tragjik të individit: “Dhimbja ime flet për Trojën”, shprehet poetesha, dhe në këtë rast Troja nuk është më vetëm qyteti mitik i shkatërruar, por më tepër është shpirti i shkatërruar i poeteshës, ndërsa vargu i saj është bërë kryesisht simbolikë e shpirtit të rrënuar, që ndërlidhet edhe me kujtesën dhe gjëmën e cila si duket asaj nuk i pushon së vajtuari, por është poezia, përkatësisht kjo elegji, që e mbëlton dhe inkurajon për të jetuar e gjallëruar. Çdo kujtim për jetën dhe të afërmit, e rikthen subjektin lirik te humbja dhe kujtimi i përhershëm për vdekjet, jo vetëm duke ia dëshiruar vetës atë proces, por duke e bërë trishtimin e saj si një gjendje e përhershme ekzistence, pa të cilën ajo nuk mund të jetojë.

Figura e Hektorit, Priamit dhe Akilit nuk janë përdorur vetëm si referencë mitologjike, këto figura, në vargun e poezisë shndërrohen në simbole të dashurisë dhe njerëzve të humbur, andaj mbrojta ose vënia e kokës mbi gjoksin e munguar, asaj i bëhen dhunë, dhunë që vazhdon të lërë gjurmë në shpirtin e saj të brisht, sepse edhe natyra e saj njerëzore është e tillë dhe mbase tejet e përvuajtur. Thirrja, gjerë në shkallë dëshpëruese, “Hektor mos ik”, në vargun e kësaj poezie tingëllon si një klithje njerëzore për të ndalur ikjen e atyre që i duam, dhe kjo lexohet se poetesha ka një lloj frike për të mos mbetur vetëm përballë fatit dhe vetmisë.

Një nga motivet, (për mua), më prekëse është kontrasti që ajo ndërton ndërmjet jetës dhe vdekjes. Ndërsa subjekti lirik, (siç mund të jetë vet ajo), qëndron ende me këmbë mbi tokë, figura e vajzës së buzëqeshur vallëzon në qiell “si një flutur”. Dhe ky imazh kaq i brishtë dhe njëkohësisht kaq i dritshëm e thellon trishtimin e lexuesit të vëmendshëm, sepse bukuria e saj dhe kujtimi personal i poeteshës përballet me pamundësinë e kthimit të atyre që i kanë ikur, i dashurisë që i ka flatëruar para sysh. Në vargjet e kësaj poezie dhimbja personale nuk shfaqet me britma, sepse natyra njerëzore e Ajne Ibërhysajt është e heshtur dhe tejet e brishtë, por me një qetësi e thjeshtësi të rëndë e bën dhimbjen edhe më të fuqishme dhe vargun me përmasa të trishtueshme.

Ndoshta thelbi emocional i poezisë do të gjendet pikërisht në vargun përmbyllës: “kot Priami po i shtrydhë retë/ për një rigë shi loti u tha”. Loti i tharë, është loti i vet poeteshës, lot i cili nuk pikon nga syri por nga thellësia e shpirtit, nga zemra e saj, andaj ajo është e sigurt se ky motiv nuk është fundi i vuajtjes dhe i dhimbjes; përkundrazi, vargu i poezisë shpreh një dhimbje personale që asaj i ka kaluar përtej vajtimit real. Prandaj lotët e poeteshës nuk dalin më, mbetet gjëma e heshtur dhe vargu i poezisë që shpreh plagën e saj dhe dëfton peshën e mungesës.

Në tërësi, trishtimi poetik i Ajne Ibërhysajt, shprehur në poezinë “LOTI U THA” është i thellë, i përmbajtur dhe tejet metaforik. Trishtimi lirik buron nga humbja, nga dhimbja dhe mungesa e përhershme, por brishtësia e saj dhe elani poetik e ushqen dhimbjen me kujtesën që shpreh dashuri dhe kujtim të cilin ajo nuk pranon të shuhet. Prandaj përmes figurave mitike dhe imazheve të fuqishme lirike, poetesha Ajne Ibërhysaj, ka krijuar një poezi në të cilën shihet se dhimbja personale mund të bëhet jehonë e tragjedive të mëdha njerëzore, jo vetëm sot, por të të gjitha kohërave, sepse sintagma loti nuk u tha shpjegon dhimbjen e pahartuar por nëse “Loti u tha”, përmasa e dhembjes bëhet më tragjike. Urojë që ky trishtim poetik të jetë parë vetëm si këndëvështrim metaforik për mungesat e shpeshtuara dhe të përhershme, dhe të mos ketë gjë të ngjashme me realitetin!…

Prishtinë, 24 qershor 2026
Shefqet DIBRANI

* * *

Ajne Ibërhysaj

LOTI U THA

Dhimbja ime flet për Trojën
unë qaj sa herë e marr ndër mend
ajo flet për vdekjen.

E shoh në sy
më lër t`ia puth duart
mos ma vrit trupin
unë nuk pata mëshirë për veten time
kur t`u dorëzova
isha e marrë.

Tash plagët i mbështjell me hirin vetmisë
mos më shigjeto me njërin sy
mos më harro më shumë
mjafton një plagë për trupin tim
mjafton një klithmë shpirti.

Vdekja është përqafim
i padukshëm
mos prit Priam
të ta puth dorën
unë përqafoj stuhinë e murrlanit
për të shpëtuar një nënë.

Vaji i djepit më shemb shtatë pashë nën dhé
buzëqeshja e një vajze si e imja
në qiell si një flutur
rri e vallëzon me retë.

E di
aty je ti
unë jam ende në tokë.

Hektor mos ik
rrugë tjetër nuk ke
më mbro.

E di
Akilin e rrëmbejnë petalet e trëndafilave
por gjembat e tij
më janë ngulitur në trup.

Kjo nuk është tradhti
e shikova në sy
e vërejta atë trishtim
që flet më shumë se këto fjalë.

Me dy sytë
e pashë diellin kah përmbytet
dashuria kishte vrarë një të ri
Akili ishte ringjallur
lufta u bë edhe më e egër.

Kjo kohë nuk i ngjan asnjë stine
s`di çka të bëj më shumë
mbi plagët e Trojës
e derdha edhe një varg për ty.

Pse po ik Hektor
unë ende jam këtu
bashkë me hijen time
kot Priami po i shtrydhë retë
për një rigë shi
loti u tha

Çfarë po ndodh kështu
Troja ime e nuk përtyp dot fjalën
ajo nuk shkel mbi hirin e gjakut
as nuk e përpin turpin tënd.

Deçan, 21 qershor 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.