BERISHA KRYETAR I PARTISË DEMOKRATIKE

0
325
Mitro Çela - Preç Zogaj - dhjetor 1990

Mitro Çela

Kronikë e një politikani të dështuar

( “Një njeri i lirë, nëse dështon, nuk fajëson askënd.” Xhozef Brodski, poet rus, fitues i çmimit “Nobel” )

Apendiks
Në pak faqe do t’u rrëfejmë bëmat e dy ditëve: 12 dhe 13 shkurt 1991. Në këto ditë ra “tërmet” në PD.
“Tërmeti” u duk aq i madh, sa që vetë shoku Ramiz ngriti një dolli për shkatërrimin e Partisë Demokratike!

Do të mësoni sesi u shkarkua Azem Hajdari dhe, për një orë, u ngarkua Meksi si kryetar.
Ec e ec, me pakëz durim, dhe do ta shihni se Berisha e mori karrigen e kryetarit, duke pasur edhe votat e Cekës, Imamit, Zogajt, Mitros etj., madje diçka më shumë.

Do të lexoni se vetë Neritan Ceka do të ngulë këmbë:
Nuk ka pse të humbasim kohë me votime?! Berisha është kryetar…

12 shkurt 1991.

PD-ja dhe RD-ja jetojnë së bashku.
Është një godinë në rrugën Fortuzi. Një kaos i vërtetë. Njerëz që hyjnë e dalin. Shumica tundin derën.

Mbledhjet e komisionit nismëtar bëheshin të tensionuara.
Tashmë ishin portretizuar dy grupe.
I pari, me Berishën.
I dyti, rreth Pashkos.
Berisha kishte në krah Preç Zogaj, Arben Imamin, Azemin.
Rreth Pashkos dishepujt ishin më shumë: Meksi, Selami, Merita Zaloshnja, Arben Demeti etj.

Kryetar vazhdonte të ishte Azemi.
Ai gjendej në çdo kënd të Shqipërisë dhe në çdo faqe të “Zërit të popullit”.
Ishte heroi i ditës.

Brenda komisionit nismëtar, Azemi kishte probleme: kundërshtarët bënin maxhorancën!
Unë qëndrova i shtruar në spital rreth një muaj. Ende nuk bëja pjesë në asnjë fraksion. Më shumë se jeta e partisë, e mbarsur me intriga, thashetheme, debate pa krye, sharje-më pëlqente gazeta.

E njëjta ditë. Ora 10.
Ditë e bukur. Ditën e punës e nisa me një shëtitje nën rrezet e diellit.
Në rrugë takova Preçin:
– Të lutem! Mos mungo në mbledhje! Duan të mblidhen për të zëvendësuar Azemin…
U ngjita në katin e dytë. U mblodhën të gjithë.
Meksi fliste, por më shumë bënte shënja.
Pashko diçka tregonte nga takimi me një korrespondent të BBC-së.

Azemi turfullonte. Nga çasti në çast pritej furtuna.
– Kështu nuk ecet, – tha Gramoz Pashko. – Edhe kemi, edhe nuk kemi kryetar. Duhet ta votojmë. Vetëm me votë i rritet autoriteti. Unë mendoj të kemi dy kandidatë. Jo për mua! Por kështu e kanë rregullat e demokracisë…

Pauzë. Lëvizje duarsh. Pësh-pësh. Një gërvishtje stilografi. Mbledhje supesh. Tundje koke. Pasthirma: kjo nuk durohet! Punë skuthash…
Nisi shamata. Fjalë, imzot, fjalë. Pa pikë e presje. Ndërkohë u përgatitën letrat e votimit. Nisi numërimi.
Fitoi Meksi.

– Është turp, – tha Arben Imami. – Do të tallet historia me ne. Unë do të iki. Nuk luhet teatër me fatet e popullit…
Dhe doli jashtë.

U ngrit Berisha. Shpërtheu:
-J u jeni mjeranë! Këto që bëni janë skena bizantine. Edhe unë nuk mund të qëndroj. Do të iki!

Doli jashtë. U kthye përsëri. Të njëjtën gjë bëri edhe Azemi. Iku duke përplasur derën.

Pashko m’u drejtua mua:
– Ti Mitro ke munguar në disa mbledhje të komisionit dhe mbase je më i qartë. Nuk ke pasur mundësi të trazohesh në zënkat tona, që u bënë tërkuzë. A nuk mendon se duhet të votojmë? E them këtë, duke u nisur edhe nga fakti se Partia tani është zgjeruar…

– Nëse ka ikur koha e Azemit, – thashë unë, – atëhere na ka ikur koha të gjithëve. Ne u zgjodhëm në dhjetor, jo sipas rregullave të demokracisë. Unë kam një ide: nesër do të bëhet një aktiv i zgjeruar i PD-së. Do të ketë përfaqësues nga i gjithë vendi. Atje, le të marrë votëbesimin komisioni nismëtar dhe kryetari…

Ende pa e mbaruar unë frazën, e mori fjalën Preçi.
Ai ishte jo vetëm krahu i djathtë i Berishës, por edhe si një farë ideologu i PD-së.
Berisha-Zogaj bënin një duet të goditur-sipas konceptimit tim. I pari dallohej për temperament, i dyti për qetësi.
Berisha ishte karizmatik.

Preçi njeri i penës dhe arrinte që karizmën e Berishës, ta përshtaste në deklaratat e PD-së.
– Unë mendoj se Mitro ka të drejtë. – tha Preçi. – Na duhet një votëbesim. Dhe këtë duhet ta bëjmë nesër. Pas këtij votëbesimi të komisionit, le të zgjedhim edhe kryetarin. Jo formal. Por me të drejta e detyra…

– Plotësisht dakord, – tha Berisha. – Unë mendoj, që kjo mbledhje të anulohet. Le të supozojmë se nuk u krye. Nuk ka gjë më të bukur se, të gjithë ne, anëtarët e komisionit, të dalim para simpatizantëve tanë dhe të votohemi…
Meksi nuk foli.

Debatet vazhduan. Nuk munguan sharjet, ofendimet. Në fund u vendos:
aktivit t’i propozohen 26 kandidatura, për të përzgjedhur 19 anëtarët e komisionit nismëtar…

13 shkurt 1991. Ditë dimri. Ftohtë. Acar. Por më acar kishte brenda politikës.
Le të futemi brenda saj. Një nga sallat e Pallatit të Kulturës e mbushur me anëtarë të PD-së nga e gjithë Shqipëria.
Ishte aktivi i parë me përmasa të tilla.

Në presidium Azemi, Berisha, Selami… Sebep i aktivit ishin zgjedhjet e Kuvendit Popullor.
Ato ishin parashikuar të bëheshin më 10 mars.
Me këmbënguljen e PD-së, u shtynë. Ishte fiksuar data 31 mars 1991.
Pas disa fjalëve pa bereqet, shpërtheu Azemi…

– Dje është bërë një mbledhje e turpshme. Me prapaskena të fëlliqura. Me skenarë të huazuar nga kulisat e Sigurimit të Shtetit, është bërë votim për kryetarin e Partisë.
Për mua votuan Berisha, Imami, Preçi, Mitro…
Të tjerët ia dhanë votën Meksit…

Salla gumëzhiti. Secili fliste për hesap të vet. Pa lejë. Pa protokoll. Anarki.
Abdi Baleta dhe Rustem Gjata ( kryetar i Gjykatës Kushtetuese 1992-1997-të) u larguan nga salla duke thënë: “Po përsëritet historia e Barjam Currit!

Sa zgjati rrebeshi? Orë të tëra. Në fund u vendos kompromisi. Të bëhen zgjedhjet! U plotësuan listat…

Anarkia e aktivit gëzoi më shumë Partinë e Punës. Për të respektuar PD-në, Ramiz Alia bëri një mbledhje ekstra të Byrosë Politike.

– Shokë! Besoj se e morët vesh se çfarë ndodhi në aktivin e PD-së! Përçarje. Sa nuk u rrahën me karrige! Nuk e bënë. E dini pse? Ua them unë: sepse karriget janë të ngjitura në dysheme! Ta kishim ditur do t’i bënim të shqepura… Hi…Hi… Hi! Po ne çfarë duhet të bëjmë? Një gjë të vogël: të ngremë një dolli për dështimin e Partisë Demokratike!
Me fund, – tha shoku Ramiz!

E pinë edhe ata që vuanin nga diabeti dhe majasëlli-sëmundje këto të udhëheqjes së Partisë!
…U hapën letrat e votimit. Fituan:

Sali Berisha, Arben Demeti, Arben Imami, Azem Hajdari, Aleksandër Meksi, Eduart Selami, Merita Zaloshnja, Mitro Çela, Preç Zogaj, Tefalin Malshyti, Ilir Myftari, Edmond Trako, Blerim Çela, Neritan Ceka, Rexhep Uka, Lili Dhamo, Gramoz Pashko, Genc Ruli, Shahin Kadare.
(Shënim. Në fund të marsit 1991, u larguan Ilir Myftari dhe Tefalin Melshyti. Ne vend të tyre u koptuan Agron Çika dhe Leka Toto.)

14 shkurt 1991.
U mblodhëm për të zgjedhur kryetarin. Preçi propozoi të bëhet votim i fshehtë. U vendosën katër kandidatura:
Berisha, Pashko, Hajdari dhe Meksi.

Përfundimi:
Sali Berisha: 9 vota.
Gramoz Pashko: 6 vota.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.