Pak fjalë për vëllimin poetik “Pavdekësia” (poezi-prozë) të poetit Bedri Tahiri

0
Bedri Tahiri - Pavdekësia

Prof. Qazim Berisha

Ky libër është konceptuar në dy pjesë: 1. Poezi dhe 2. Proza poetike.

Poeti Bedri Tahiri e ka këndin e vet të të vrojtuarit, nga i cili nëpërmjet lupës së tij prej artisti shikon dhe heton anomali e deformitete të zhvillimit tonë individual e shoqëror, pa u mashtruar asnjëherë. Thënë poetikisht, ai nëpër zgavra i ka shikuar e hetuar problemet dhe çështjet dhe pastaj zëshëm i ka thënë ato që i ka menduar, duke na dhënë një pasqyrë krejt reale të aktualitetit.

Në poezitë e vëllimit në fjalë poeti Tahiri do të vazhdojë të ravijëzojë karakteret e përbrendshme të njeriut, me virtytet apo me veset e tij, siç janë modestia, sinqeriteti, urtësia, durimi, maturia, humaniteti, atdhetarizmi, trimëria, besa, miqësia; fjalamanët, punëpaktit, rrahagjoksit (narcisoidët), hileqarët (vonestarët); paudhësia, mediokriteti, pseudopolitika, djallëzia, shpirtngushtësia, servilizmi, hipokrizia, mendjelehtësia, demagogjia, pseudoatdhetarizmi, grindja, përçarja, tradhtia, hipokrizia, koprracia, smirëzia, djallëzia, hajdutët, gënjeshtarët etj. (të trajtuara në poezitë “MODESTIA”, “ATDHEDASHURIA”, “URTAKU” “SINQERITETI”; “DRITËHIJET”, “PAUDHËSITË” “KRAHËTHYERJA”, “MENDJEKEQI”, “MENDJELEHTI”, “DEMAGOGJIA”, “DJALLËZIA”, “SHPIRTNGUSHTËSIA”, “BUTAKËT”, “NARCISËT”, “VONESTARËT” etj), që njeriun e bëjnë të madh apo të vogël.

Autori Bedri Tahiri përgjithësisht në poezitë e veta ia ka dalur që me një kujdes të shtuar të shtjellojë të gjitha botëkuptimet, të metat, gabimet dhe paragjykimet për njerëzit me “deformitete” në karakterin e tyre.

Autori shpreh habi dhe vërtet çuditet me këta tipa njerëzish:

“Çudi me disa njerëz
As në tokë, as në qiell
Përherë si në mjegull
Symbyllas përvijojnë”
Duke u kapardisur se:
“Thua se përmbi supe
Mbajnë fatet e botës”

(Poezia “DONKISHOTIZMI“)

Pra, mund të shprehemi lirisht se pena e tij ia ka dalur me sukses së thur vargje të arrira poetike, ngase ai i ka zhvilluar me përpikëri harqet e veta të artit poetik dhe është përcaktuar me sukses, duke zënë vend në horizontet e letërsisë shqipe përgjithësisht, e veçanërisht në poezinë tonë.

Poezitë e paraqitura në këtë përmbledhje të poetit Tahiri, mund të thuhet se dallohen me tematikë dhe motivikë të larmishme, poashtu edhe me një stil krejt të veçantë. Në këto poezi do të gjejnë vend për t’u trajtuar hidhërimi, mashtrimi, gënjeshtra, koprracia, karrierizmi etj., si dhe vese të tjera të shëmtuara, duke pasur kujdes në formë dhe përmbajtje.

Në vëllimin “Pavdekësia”, autori Bedri Tahiri e ka pasuruar edhe më tej stilin dhe leksikun poetik duke na dhuruar medaljone të vërteta letrare, në të cilat ka gjetur vendin e vet shprehja poetike, me laryshi imazhesh të ndryshme.

Poeti do të kritikojë me vargjet e veta hipokrizinë, sidomos të pushtetarëve, nga të cilët s’ reshtim së dëgjuari:

Fjalë të ëmbla e plot lavde
Dehje mendjesh si me raki
Ku ta di, hallexhiu i ngratë
Se kjo është veç hipokrizi!

(poezia “HIPOKRIZIA”)

Poashtu, do t’i fshikoullojë edhe demagogët e pseudoatdhetarët, me servilizmin (poezia “DEMAGOGJIA”) e narcisoizmin e tyre (poezia “NARCISËT”), të cilët:

Mburren për të ditur
Zhytur në vetëbesim”
Duke u paraqitur
“Secili plot mend e dije
Me kokën përmbi re”
Saqë, vërtet të duket vetja:
“Pranë tyre, i vogël fare
Gati-gati sikur nuk je

(Poezia “DRITËHIJET”)

Poeti frymëzimin dhe lëndën i gjen duke kërkuar, hulumtuar problemet dhe çështjet e përgjithshme, me të cilat çdonjëri prej nesh preokupohemi vazhdimisht.

Interesante është edhe poezia filozofike ”VDEKJA S’QENKA VDEKJE”, në të cilën poeti porosit se vetëm harrimi, ligësia, pangopësia, mohimi, injorimi që për të gjallë mund të përjetohen, mund të quhet vdekje, e nga pezmi ua dëshiron:

Shumë të gjallëve- VDEKJEN
Gjithë të rënëve – PËRJETËSI(NË)!

Në poezinë e poetit Bedri Tahiri hasim herë-herë edhe leksik popullor, frazeologji popullore të përdorur shumë saktë dhe me vend, si dhe nuanca të muzës së popullit, që i pasurojnë dhe ua shtojnë vlerën edhe më tepër vargjeve të tij, si te poezia “URTAKU” (Kush s’u kanë, kurrë s’ka me kanë!), apo te poezia “KRAHËTHYERJA”, ku plaku me përvojë do ta porositë të birn:

“Kujdes, biro, mos i ngjitni (qetë) krahëthyer
Se u shkon dita kot, pa bërë asnjë vijë”

Karakteristikë e vargjeve të vëllimit PAVDEKËSIA është shkurtësia e poezive. Mund të themi se anjëra syresh s’i kalon tri a më tepër strofa, ku mjeshtërisht trajton motivikën e tematikën dhe jep porosinë.

Janë të bukura edhe prozat poetike të vëllimit PAVDEKËSIA të Bedri Tahirit. Mjaft interesante është ajo, me titullin PAVDEKËSIA (që autori e ka përzgjedhur edhe si titull të vëllimit), dedikuar Prof. Zenun Gjocajt, atdhetarit e arsimdashësit të denjë. Duhet përmendur edhe proza NATË BARTOLOMEU, me të cilën autori u ngreh një monument kulturoro-letrar martirëve të rënë në Masakrën e Studimes, që paramilitarët dhe policët e ushtarët serbë e kryen ndaj shqiptarëve civilë më 2 maj 1999.

Edhe në këto proza Bedri Tahiri nëpërmjet artit të tij ngërthen vlera ideo-estetike të pakontestueshme, sepse përdor gjuhë të shkathtë poetike me metafora, simbole, alegori e figura tjera letrare, prandaj kësisoj gjuha e tij na del gjuhë e sintagmave interesante.

Ky krijues sikur s’gjen rehati në këto kohë të pakohë, nëpër të cilat po kalon shoqëria jonë, prandaj vazhdimisht gjurmon dhe krijon vargun e tij.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.