Nga Anna Di Lellio – Illyria.com, 05.02.2022 – Përktheu Arben Çokaj
Libri i Ann Christine Eek, Jeta Shqiptare e Fshatit Isniq-Kosovo 1976 (Tira Books 2021) nuk është vetëm një koleksion shumë i bukur fotografish, që regjistrojnë një mënyrë jetese të zbehtë, e cila ndoshta mbijeton sot vetëm në xhepat e vegjël të Kosovës rurale.
Ann Christine Eek – Jeta në fshatin shqitar
Është një portretizimi shumë emocionues i njerëzve, shtëpive dhe peizazheve, i parë përmes syve të një të huaje, që nuk është më e huaj për ta. Ann Christine, një suedeze, mbërriti në Kosovë për herë të parë në vitin 1976, kohë që shumica e shqiptarëve e konsiderojnë si një ndër vitet më të mira të jetës së tyre. Ajo nuk u largua kurrë, as me zemër.
Isniq shtrihet në një nga pjesët më të bukura të Kosovës, nga ato që njihen si Bjeshkët e Nemuna, një rajon kufitar që prek Malin e Zi, Kosovën dhe Shqipërinë. E reja Ann Christine e gjeti veten në Isniq në një udhëtim studimor të planifikuar me shoqen e saj Berit Backer, antropologe norvegjeze, e cila ishte Berita për shumë shqiptarë, që më vonë u miqësua si studiuese dhe avokate e të drejtave të njeriut. Dy femrat jetonin në fshat, duke intervistuar dhe fotografuar njerëz teksa vazhdonin jetën e tyre të përditshme apo bënin rituale të veçanta. Ann Christine dhe Berit ishin vëzhguese, që përpiqeshin të kuptonin një shoqëri që nuk dinin asgjë në një gjuhë të huaj. Të dyja gratë krijuan vepra që përshkruajnë, interpretojnë dhe e tregojnë këtë shoqëri pa nënçmim apo theks ekzotik.
Berita, e vrarë nga një refugjat shqiptar i sëmurë mendor në Oslo tridhjetë vjet më parë, është e pranishme në të gjithë librin e Ann Christine. Ajo shfaqet në fotografi, një e re serioze me syzet e mëdha të kohës, modeste në sjellje dhe veshje. Ne gjithashtu mund ta dëgjojmë zërin e saj në shënimet e shkurtra por të theksuara, që shoqërojnë imazhet për të shpjeguar zakonet dhe kulturën. Libri i saj, Behind Close Walls, mbetet një nga trajtimet më të mira në gjuhën angleze të jetës familjare dhe komunitetit në malësitë e Kosovës.
Ann Christine nuk e minimizon borxhin, që ka ndaj mikut dhe studiueses të zhdukur kaq tragjikisht dhe para kohe. Në të kundërtën. Megjithatë, është zëri dhe sytë e saj, që e bëjnë këtë libër kaq joshës. Ann Christine na merr për dore për të parë jetën e disa familjeve dhe në fund ndjejmë se i njohim. Ajo krijon një galeri personazhesh, që mbulojnë të gjitha aspektet e shoqërisë shqiptare në Kosovë gjatë mesit të viteve 70, një kohë e qetësisë dhe shpresës relative, por edhe ndryshimeve dramatike.
Nuk do të ishte e pamundur të mos kishe frikë nga Ali Musë Murselaj (Ali Musa), në moshën 94 vjeçare njeriu më i vjetër në Isniq në vitin 1976, një bashkëluftëtar legjendar i Isa Boletinit, që qëndronte krenar para kamerës me kostumin e tij kombëtar. Ahmed Binak dhe Sylë Osdautaj, librari për Dervish Rama Mehaj, të rinj me kostume moderne, duke mbajtur një cigare në duar dhe të mbështetur me një qëndrim të zhveshur në banakun e dyqanit të Mehajt, sugjerojnë besim, por nëse i kushtojmë vëmendje, vëmë re pantallonat e grisura dhe vështrimin e dëshpëruar të një tjetri; ata ishin të gjithë përkohësisht pa punë.
Të ulur në shtratin e tyre, të zymtë dhe të vendosur siç duhet, sipas traditës, të sapomartuarit Osdautaj, Ismail Avdi dhe Nafije Makolli (në foton kryesore), janë tabloja e autenticitetit popullor. Ato janë të kornizuara me tekstile të ekspozuara kudo, në krevat si në mure, të njëjtat tekstile, që e bënë fustanin e nuses të qëndrojë për gjithë jetën. Por mbishkrimi na thotë se ata nuk do të jetojnë në atë dhomë apo në atë shtëpi të vjetër, që duket si një kështjellë; shtëpia e tyre është një banesë e sapondërtuar në Prishtinë, ku ata punojnë.
Ne e shohim jetën ashtu siç ka qenë për qindra vjet. Ajsha Shala portretizohet teksa grumbullon sanë, ose copëton dru, punë që gratë i kryenin së bashku me punët rutinë të shtëpisë dhe kujdesin për fëmijët. Gratë në librin e Ann Christine janë gjithmonë duke punuar. Edhe kur i vizitojnë burrat-barinjtë në mal gjatë verës, nëse nuk ka çfarë të bëjnë tjetër, ata bëjnë punë dore.
Por ne shohim edhe ndryshimet që ka sjellë moderniteti. Miradia, vajza e Maliqit dhe Nurie Tishukajt, shkoi në shkollën e infermierisë edhe nëse kjo do të thotë të thyejë besën e një premtimi martese, t’ia kthejë pajën familjes së dhëndrit dhe të përballet me izolimin dhe trajtimin e heshtjes së fshatit. Gratë fshatare ende nuk mund të dilnin nga shtëpia e tyre pa një kaperon dhe sigurisht që nuk mund të bisedonin me burra, që nuk i përkisnin të njëjtës familje, por Miradia, e cila jetonte në Pejë dhe punonte në qendrën shëndetësore të Isniqit, e bënte udhëtimin e vetme, çdo ditë dhe fliste lirshëm me burrat. Në fund, njerëzit e përqafuan atë si dikush që kujdesej për ta.
Nushe Tahirsylaj, në rrugë për në
shkollë në Deçan. Shtator 1976.
Nëpërmjet fotove të saj të bukura, Ann Christine rikrijon për një audiencë bashkëkohore eksitimin dhe ritualizmin e ceremonive që përfshijnë familje dhe komunitete të tëra, qofshin dasma apo funerale. Portretizimet e saj intime të prindërve me foshnjat e tyre, ose mbledhjet e gëzueshme të fëmijëve që luajnë, japin një pamje të një jete të qetë. Por kjo është Kosova dhe paqja u shënjua nga dhuna.
Maliq Tishukaj, babai i Miradias, një veteran partizan, i cili u pushua nga puna kur nuk pranoi të linte gruan e tij të hiqte mbulesën, siç kërkonte partia komuniste, por gruaja e tij kishte frikë, kishte vdekur para se Beriti dhe Ann Christine të mund ta takonin atë, në vitin 1969. Mushkëritë e tij nuk u shëruan kurrë nga torturat e marra në vitin 1956, gjatë fushatës së Rankoviqit, për të mbledhur armë mes shqiptarëve.
Berit Backer me veshje tradicionale të
Rrafshit të Dukagjinit, Isniq, shtator 1976.
Libri rikthen në jetë njerëz, që nuk jetojnë më. Hysen Tahirsylaj, i portretizuar teksa punonte në arë dhe me familjen e tij, u vra në vitin 1984 në një gjakmarrje. Babë e bir, baba Osë Miftar dhe Sadri Osdautaj, ishin ndër miqtë e dy grave që nuk ia dolën dot luftës së viteve 1998-1999. Ata qëndruan në shtëpinë e tyre, në vend që të iknin në Shqipëri dhe nuk mundën të gjenin paqe për një kohë edhe pas vdekjes. Osë vdiq në shtratin e tij dhe Sadri mundi të varrosej i vetëm dhe me nxitim, ku trupat serbe më vonë vendosën mina. Ata nuk mund t’i bënin një varrim të duhur për vite me radhë. Sadriu u rrëmbye nga një shtrat spitali, ku shtrihej i plagosur dhe nuk u pa më kurrë deri në vitin 2007, kur kafka e tij u gjet në një varr masiv, me një vrimë plumbi në shpinë.
Baba Osë ka jetuar në kullën më imponuese të Isniqit dhe në foto duket autoritar i ulur pranë oxhakut. Nëse nuk do të ishte restaurimi i Trashëgimisë Kulturore pa Kufij, ajo kullë nuk do të ekzistonte më. As kulla e Kuklecit. Gjatë luftës, 70 nga 263 kullat në zonën e Deçanit janë dëmtuar ose shkatërruar nga trupat serbe. Libri i Ann Christine zbulon një peizazh të paprekur muresh të larta dhe kullash të fortifikuara, me oda të bollshme brenda.
(Fotografitë nga libri, me mirësjellje të Ann Christine Eek
– ©Ann Christine Eek – Të gjitha të drejtat e rezervuara)
Lexo më tej intervistën e Bajram Kabashit, me autoren e librit:
Jeta në fshatin shqiptar, Ann Christine Eek