Eshtë kënaqësi për mua të bisedoj dhe të pi kafe me profesor Seitin. Njihem prej vitesh me Të, për faktin se ai ka dhënë mësim si pedagog te Fakulteti i Histori-Filologjisë, dhe atje e kam takuar fillimisht. Prej kohësh më ka tërhequr puna dhe veprimtaria e profesorit në shërbim të shkencës së gjuhësisë. Ai është nxënës i Çabejt, vazhdues i veprës së tij, madje pas vdekjes së Çabejt ai ka dhënë mësim me studentët lëndën e tij… Profesori është i thjeshtë, fjalëpakë e punëshumë. Një studiues dhe krijues i një niveli të lartë i shkencës së gjuhësisë, ku ka të botuar një krijimtari të madhe shkencore. Ai është një intelektual i një niveli të lartë që i bën nder familjes, fisit, krahinës dhe gjithë shqiptarisë.
Të hënën më datën 10.01.2022, marr rrugën për të takuar profesor Seitin. E dija adresën sepse e kishim takuar edhe më pare në shtëpinë e tij në Tiranë. Më thonë se është në kafe. Profesori kafen si zakonisht e pi në një lokal afër Ministrisë së Jashtme. E gjej aty bashkë me kolegun e tij profesor Enver Hysa, me origjinë nga Dibra. Pasi prezantohemi me profesorin tjetër, fillojmë bisedën. Unë isha mjaft i kujdeshëm pasi ata ishin dy, dhe unë si i tretë isha i “tepërt”. U them se erdha si i paftuar, ndaj më takojnë mua kafet.
Në asnjë mënyrë, ndërhyn profesor Hysa. Ti na nderon pasi je nga vendlindja e shokut tim të kaherrshëm, profesor Mansakut. Ju jeni zonë me tradita, kulturë, besë, bujari. Nga ju kanë dalë figura me emër… Mansaku është një përfaqësues i denjë i juaji… Apo jo? Sigurisht që po, i them unë! Ne krenohemi me profesor Seitin! Faleminderit për vlerësimin që i bëni profesorit , por edhe Dibra ka figura të nderuara që i bëjnë nder asaj, edhe Ju jeni një ndër To… I tregoj qëllimin e takimit, profesor Seitit… Ai si gjithnjë tregohet modest dhe nuk ka dëshirë që të shkruhet për të…
Largohemi prej kafes dhe shkojmë në shtëpinë e profesor Seitit. Pasi u kryen ato “adetet” e mirseardhjes sipas traditës, bëmë një bisedë të gjatë. Më së shumti profesori fliste për krahinën dhe figurat e spikatura të saj dhe nuk preferonte të fliste për veten… Unë e mirkuptoja modestinë e tij, por kisha ardhur këtu për shkruar diçka modeste për Të…
Profesor Seit Mansaku ka lindur më 10.05.1942 në fshatin Shupal të Tiranës. Eshtë bir i një familje të madhe me tradita patriotike, atdhetare dhe kulturore. Babai i tij Rustemi ka qenë i arsimuar për kohën, me shumë kulturë, mjaft i përmendur në krahinë dhe i angazhuar në qeverisjen vendore. Me autoritetin, figurën dhe mundësinë ekonomike që kishte ka ndihmuar shumë në zgjidhjen e problemeve dhe mosmarrveshjeve të bashkëfshatarëve të tij. Në këtë ambient shoqëror dhe familiar u lind dhe u rrit Seiti.
Seiti shkollën fillore e kreu në Shupal. Qe një nxënës mjaft i sjellshëm dhe i shkëlqyer në mësime. Arsimin e mesëm e kreu në Elbasan, në Shkollën Normale për mësuesi me nota shumë të mira. Duke kujtuar atë periudhë profesori shton: “Shkolla Normale e Elbasanit qe një shkollë me tradita në përgatitjen e mësuesve të ardhshëm, pati një staf pedagogjik shumë të mirë, mjaft të përgatitur nga ana shkencore, metodista të shkëlqyer, autoritarë por edhe mjaft njerëzor me ne.
Ato qenë prindër të dytë për ne dhe lanë gjurmë të pashlyera në formimin dhe kujtesën tone. Normalja e Elbasanit qe fidanishtja që përgatiste filizat e rinj të arsimit, që shpërndaheshin në të gjithë Shqipërinë, rriteshin në trupin e saj, dhe më pas jepnin frutat e tyre”. Vite të bukura për arsimin që lanë mbresa dhe formuan plejada mësuesish normalistë… Eh, Shkolla Normale sot… Na ishte një herë…
Pas mbarimit të arsimit të mesëm Seiti kthehet në vendlindje dhe vazhdon punën si mësues. Duke kujtuar ato vite ai shton: “Isha djalë i ri, kisha plot energji të reja si mësues pasi sapo kisha mbarurar shkollën. Çdo dite e më shumë më shumëfishohej dëshira e pasioni për punë pasi punoja në shkollat e vendlindjes time, me nxënësit e saj. Ishin vite kur arsimi kishte shumë vështirësi por me përkushtim maksimal them se arritëm diçka”.
Seiti në këtë periudhë ka punuar në disa shkolla të zonës si; Besh, Zall-Bastar, Shupal, Vilëz, Zall-Mëner dhe Bulçesh. Ai i kujton me nostalgji ato vite në arsim në zonën e tij.
Megjithëse kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë, profesori përmend me emra shumë nxënës të tij dhe tregon edhe për rezultatet dhe arritjet e tyre. Njëkohësisht profesori interesohet edhe sot për ecurinë e mëtejshme të tyre… Ai kujton vështirësitë që kalonin nxënësit e fshatrave të zonës për të shkuar dhe vazhduar mësimet në Shkollën 7- Vjeçare Zall-Mëner. Ajo qe e vetmja shkollë në zonë, pas asaj të Moisitit.
Ish nxënësit e tij të atyre viteve, si: Nuri Bumja, Bilal Koçi, Asllan Visha (sot pensionistë) e kujtojnë me shumë nostalgji mësuesin e tyre, Seitin. Ato flasin me shumë respekt për punën e mësues Seitit me nxënësit e shkollës, për përkushtimin në punë të tij, për përgatitjen shkencore dhe kujdesin ndaj nxënësve. Vitet ikin shpejt, ashtu pa u ndjerë! Kujtimet, mbresat dhe vlerësimet për profesorin janë maksimale nga ish nxënësit dhe njëkohësisht edhe bashkohësit e tij.
Profesori largohet nga Zall-Bastar për të vazhduar arsimin e lartë në Tiranë. Vazhdon Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe dhe e mbaron atë me rezultate shumë të mira në vitin 1967. Ai kujton me shumë nostalgji dhe ruan respekt maksimal për profesorët e tij të shquar si: Eqerem Çabej, Shaban Demiraj, Mahir Domi, Androkli Kostallari etj. Ato lanë gjurmë të mëdha në përgatitjen e gjithanshme të studentit, studiuesit, punonjësit shkencor, dhe profesorit të ardhshëm të gjuhësisë, Seit Mansaku.
Pasi mbaroj me rezultateve të larta fakultetin, Seiti emërohet direkt punonjës shkencor në Insitutin e Gjuhës dhe të Letërsisë. Kjo detyrë qe sfida e parë e vështirë për profesorin. Falë përgatitjes shkencore dhe profesionale, përkushtimit në punë dhe ndihmës që i dhanë edhe profesorët e tij, Ai e kreu me sukses të plotë këtë detyrë të vështirë. Shpejt emërohet përgjegjës i Departamentit të Historisë së Gjuhës, Dialektologjisë dhe Onomastikës. Eddhe këtë detyrë e kreu me përgjegjësi, kompetencë dhe sukses të plotë prej vitit 1986 deri në vitin 2008.
Në vitet 1972-1974 ndoqi një specializim në fushën e gjuhësisë historike të krahasuar dhe të gjuhësisë së përgjithshme, në
Universitetin e Sorbonës në Paris.
Ka kryer detyrën e zevendës drejtorit të I.GJ.L. gjatë viteve 1990-1993.
Ka qenë zv.kryeredaktor i revistës “Studime filologjike”.
Qe Kryeredaktor i revistës “Studia Albanica”.
Ka qenë kryetar i Këshillit Shkencor të I.GJ.L. për vitet 2003-2008.
Eshtë anëtar i Komitetit Ndërkombëtar të Shoqatës së Studimeve të Europës Juglindore.
Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore të profesor Seitit, janë: Historia e gjuhës, sintaksa, onomastika dhe kultura e gjuhës.
Ai është bashkëautor në veprën ”Gramatika e gjuhës shqipe, vëllimi i II, Sintaksa” (1996,2002).
Eshtë autor i disa punimeve për sintaksën e shqipes së shek.XVI-XVII. Këtu ka edhe një punim disertacioni për paskajoren, si edhe për disa çështje të ndryshme të zhvillimit të strukturave sintaksore të shqipes së sotme.
Në fushën e historisë së gjuhës ka botuar në shtypin shkencor shqiptar e të huaj një varg punimesh e artikujsh për prejardhjen e gjuhës shqipe, për marrdhënjet e saj me gjuhët e tjera, për probleme të onomastikës historike etj.
Për shumë vite është marrë me përgatitjen për botim të dorëshkrimit të veprës së Çabejt “Studime etimologjike në fushë të shqipes”.
Ka botuar një numër artikujsh edhe për problemet e shqipes standarte në përgjithësi dhe të kulturës së gjuhës, veçanërisht në sintaksë.
Ka trajtuar dhe mbajtur me shumë kompetencë ligjërata, tema shkencore, referate, punime të ndryshme në disa universitete të afirmuara të botës dhe në institucione ndërkombëtare. Kjo veprimtari e ka afirmuar profesorin edhe në rrethet akademike jasht vendit.
Për një kohë të gjatë dhe deri kur doli në pension ka qenë pedagog i lëndës së historisë së gjuhës shqipe ne U.T. në Fakultetin Histori-Filologjisë. Gjatë kësaj periudhe kohore si pedagog, profesor Seiti është karakterizuar nga serioziteti i lartë në punë me studentët. Ka dhënë me nivel të lartë shkencor deri shterues njohuritë gjuhësore sipas programit dhe kurrikulës universitare.
Eshtë karakterizuar nga një kulturë e lartë komunikimi me kolegët dhe studentët. Eshtë shumë korrekt, ka ruajtur në mënyrë rigoroze normat shoqërore dhe qytetare në punë, pavarësisht shfaqjes së disa fenomeneve negative që faqtkeqësisht na solli tranzicioni shqiptar në arsim… Profesori vazhdon të udhëheqë temat e doktoraturës me studentët e gjuhësisë.
Megjithëse profesori në muajin maj mbush 80 vjeç, ai vazhdon të punojë dhe është mjaft aktiv. Ajo që të bie në sy është fakti se profesor Seiti është i freskët në mendime, ka shumë energji për punë dhe një memorje të fortë. Kur e pyesim: Kush është çelësi i suksesit të punës tuaj edhe në këtë moshë? -ai, përgjigjet: “ Eshtë puna me orar, studimi i programuar për çdo ditë. Po e vure trurin në punë në vijimësi, ai të qëndron besnik, nuk të lë në baltë. Besoj se kështu ka ndodhur edhe me mua”.
Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe. Shtëpinë e tij e ka kthyer në një bibliotekë të madhe ku ka një numër të madh librash të zhanreve të ndryshëm. Aty ka të gjitha librat dhe botimet e fushës së gjuhë letërsisë, botimet shkencore dhe veprat e profesorëve dhe akademikëve të fushës, ka libra artistikë, libra enciklopedikë, romane, tregime, veprat letrare të shkrimtarëve, libra historikë, libra fantastiko-shkencor etj…
Puna e vazhdueshme studimore dhe shkencore, literatura e pasur në bibliotekën e tij, studimet në bibliotekat e institucioneve të tjera, si edhe dokumentat arshivore, e mbajnë profesorin gjithnjë të tendosur në punën e tij. Ato i japin forcë, e mbajnë në formë, e motivojnë për të arritur edhe më shumë në punën e tij shkencore, i shtojnë vullnetin dhe e bëjnë më vital në gjurmimin e të panjohurës në studimet përkatëse. Ai nuk ka asnjë ditë kohë të lirë pasi është i angazhuar në veprimtari dhe evenimente të shumta.
Veprimtaria e gjatë në fushën e mësimdhënies, si mësues i thjeshtë në fillim, më pas si pedagog, studiues, drejtues në institucionet shkencore e kanë bërë profesor Seitin një nga studiuesit më në zë në fushën e gjuhës shqipe. Leksionet e shumta në auditore, punimet shkencore, botimet në fushën e gjuhësisë, referatet e shumta, kumtesat etj. përbëjnë një thesar të madh krijimtarie. Ato do të kenë gjithnjë vlerë për studiuesit, studentët, mësuesit, profesorët, pse jo dhe akademikët. Kjo krijimtari është një vlerë e shtuar për gjuhësinë shqiptare dhe shkencat e tjera që kanë lidhje me të. Në këtë aspekt profesor Seiti është modeli dhe shembulli për tu ndjekur…
Profesori ka një dashuri të madhe për fshatin e lindjes dhe zonën. Megjithëse i larguar që në në fëmijëri ai mban lidhje dhe e viziton shpesh vendlindhen. Kur flitet për krahinën dhe banorët e saj ai harron gjithçka dhe fokusohet totalisht atje. Duke u kthyer prapa në kohë, profesor Seiti kujton: “Vitet e punës në zonën e Zall-Bastarit kanë qenë për mua një përvojë e madhe pune që më shërbeu më pas në veprimtarine time të mëtejshme në fushën shkencore të gjuhësisë”.
Ai e çmon shumë vendlindjen dhe shton: “Benda si krahinë ka vlera të mëdha. Ajo ka njerëz me kulturë, është zonë shumë arsimdashëse, ka shumë kuadro me arsim të lartë në profesione të ndryshme. Ajo paraqet shumë interes për studime gjuhësore, dialektologjike, kulturore, etnografike etj. Zona ka fjalor fonetik dhe gramatikor me vlera, ka doke, zakone, tradita dhe kulturë për tu pasur zili. Kjo meriton të nxirret në dritë nga pluhuri i harresës. Vitet e fundit unë kam lexuar disa botime për zonën. Kjo më lumturon shumë dhe i përgëzoj shumë sinqerisht autorët”.
Në aspektin shoqëror dhe qytetar profesori është njeri me vlera të larta humane e njerëzore. Ai është i shtruar, i qetë në bashkëbisedim, i saktë në komunikim, i thjeshtë në paraqitje, fol me një gjuhë të pastër letrare dhe është njeri vizionar.
Profesori është martuar në vitin 1960 me Sabire Ramaliun. Ajo është nga Shëngjini i Vogël dhe vjen nga një familje dhe fis me emër në krahinë. Ato lindën dhe rritën dy djem të cilët mbaruan arsimin e lartë dhe ecën në gjurmët e prindërve të tyre. Reshati punon në një aktivitet privat dhe ka të punësuar shumë punëtorë.
Ndahemi me profesorin me përshtypjet dhe vlerësimet më të mira për Të. I urojmë pleqëri të mbarë dhe jetë sa më gjatë! Mbetem me shpresë se profesor do të ketë botime të reja shkencore, midis tyre edhe për vendlindjen. Njerëz dhe intelektual si profesor Seiti i kapërcejnë kufijtë e vendlindjes, Tiranës dhe Shqipërisë…
Ibrahim Kabili
Tiranë, më 11.01.2022