Një burrë me zemër shkëmbi!

0
Rifat Shala

Driton Smakaj

(- tregim)

Ngjarja është mbi vuajtjet dhe sakrificat familjare të një polici ushtarak të UÇK-së, gjatë luftës.

Një tregim që të rrenqethë mishrat e të nxjerr lotët.

Lagjja Shala dhe fshati Leçinë, ka qenë halë në sy për okupatorin në përgjithësi, dhe për serbet e Belicës në veçanti. Për Belicën kjo lagje e ky fshat sillte edhe ëndërra horror, që kur Hysen Shala, një burrë që zoti ia kishte dhënë dhuratë forcën, në një ditë, kur një grup i armatosur serbesh e kishin rrethuar, derisa Hyseni ishte duke prerë dru në malet e Belicës dhe donin të talleshin me të riun drenicas, por Hysen burri e kishte mbyllur talljen duke i shkallmuar ata me sopatë. E Leçina vazhdonte të rriste trima edhe më pastaj.

Rifat Shala djali i vetëm i babës Halim dhe nënës Hatë, me tu rënduar situata në Drenicë iu bashkohet celulave të UÇK-së në fillim të Marsit të vitit 1998. Rifati atyre viteve jetonte një jetë modeste familjare me gruan dhe katër femijët. Vajza e madhe Dafina (8 vjeç) ishte e sëmurë nga epilepsia, ku kërkohej një kujdesje e veçantë, Refiku (6 vjeç), Gazmendi (2 vjeç) dhe Qëndresa (dy muajshe).

Rifat Shala gjatë vitit 1998 merr pjesë në aksione të ndryshme të UÇK-së kundër forcave serbe sidomos në pritat e organizuara në Padalishtë e Rakosh. Me 12 Gusht në një nga betejat e luftimeve në Leçinë edhe plagoset, fatbardhësisht jo edhe për të ia rrezikuar jetën.

Situata bëhet gjithnjë e më e rëndë kur vjen pranvera e vitit 1999 për shumë familje në ato fshatra, e edhe familja e Rifat Shalës përjeton vuajtjet e shekullit. Me 28 Mars 1999, kur forcat ushtarake dhe para-ushtarake serbe hyn në fshatin Izbicë, bëjnë ç’mos mbi popullatën e pafajshme civile, aty e identifikojnë edhe babën e Rifatit, Halimin. Identifikimi mundësohet falë serbëve paramiliatrë nga Belica dhe menjherë e ekzekutojnë në vend, ngase serbët e Belicës kishin kohë që e dinin qe Rifat Shala ishte pjesë e UÇK-së. Me vrasjen e Halimit, familja mbetet me një përkujdesje më pak, ndërsa Rifati me shokë gjendet në zona tjera të luftimeve dhe organizimeve luftarake.

Familjet urdhërohen nga paramilitarët të lëshojnë fshatrat dhe të nisen drejt Shqipërisë. Nëna Hatë që edhe ashtu ishte e lodhur, me sytë e shterrur nga lotët që kishte humbur burrin e jetës, gjithnjë e më pak gjen forcën për ta ndihmuar renë e saj. Dafinën e vënë në një rimorkio të një traktori dhe djalin e vogël Gazmendin në një rimorkio tjetër me një familje tjetër. Ndërsa Hata bashkë me renë që mbante gjithnjë në duar foshnjën dy muajshe dhe me djalin e madh Refikun ecin në këmbë me kilometra të tëra drejt Klinës e më pastaj drejt Dukagjinit. Ky udhëtim eksodi, ishte një udhëtim i përjavshëm dhe i përvuajtshëm për shumë njerëz që ishin pjesë e këtij udhëtimi. Njerëzit dërmoheshin nga lodhja, nga frika dhe nga humbja e shpresës për ditë më të mira.

Ndërsa kur Dafinës së sëmurë i duhej përkujdesje e veçantë, ajo mbetet pikërisht pa asnjë përkujdesje, ishte braktisur e lënë vetëm pranë rrugës në malet e Kralanit. Por, thonë që ZOTI dërgon ëngjujt për robin e vet dhe kështu aty kalojnë disa ushtarë të UÇK-së rastësisht, e gjëjnë atë dhe e dergojnë në një kishë katolike në Gllogjan, aty do të gjen një përkujdesje që aq shumë Dafinës i mungonte atyre ditëve. Aty u kujdes Don Kelmen Spaqi, motra Zoja Krasniqi, motra Marte Krasniqi, motra Angjelina Gojani. Martja iu kishte bërë Dafinës sikur një nënë e vërtetë për rreth 6 muaj në vazhdim. Ndërsa Gazmendi me një familje tjetër përfundon në Klinë. Meqë ishte vetëm dy vjeçar askush nuk e ndjente vetën të sigurtë që ta marr më tutje me vete, kështu e lënë Gazmendin tek një familje e komunitetit rom.

Gruaja e Rifatit që vazhdimisht mbante në dorë foshnjen disa muajshe, sëbashku me Hatën dhe Refikun përveç lodhjes nga ai udhëtim, përjetojn edhe torturën më të rëndë psiqike, ku si nënë tashmë kishte humbur dy femijë. Çdo orë e jetës ishte një shekull pritje e shpresë.
Në anën tjetër Rifati e kishte marrë lajmin për vrasjen e babës, por nuk e kishte dijeninë e plotë të të gjitha atyre ngjarjeve mbi familjen e tij. Ai vazhdonte të luftonte me shokët e UÇK-së aty ku i kërkohej. Gjithashtu UÇK-ja tashmë i kishte orientuar forcat dhe organizimin e madhë në kufirin shqiptaro-shqiptarë, ndërsa forcat e UÇK-së në brendi të Kosovës gjithënjë e më shumë përballëshin me mungesë të municionit.

Kolonat e familjeve shqiptare drejt Shqipërisë vazhdojnë, ata njerëz ecin e ecin, e nuk ndalen deri sa arrijnë në tokën mëmë, në tokën e Shqipërisë. Pas shumë javësh udhëtim edhe Hata me renë e vet që kurrë nuk e lëshoi nga dora foshnjën e vogël dhe me Refikun atë femijë plot zell, më në fund arrijnë në Shkodër dhe do të qendrojnë aty deri në fund qershorin e vitit 1999. Aty edhe kuptojnë qe Gazmendi kishte mbetur në Klinë tek një familje e komunitetit rom, ndërsa për Dafinen askush nuk i kishte thënë se ku ishte.

Me të hyrë të forcave të NATO-s në Kosovë dhe me tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, edhe shumë familje rome e lënë Kosovën, kështu edhe ajo familje nga Klina marrin me vete Gazmendin dhe shkojnë drejt Malit të Zi, në Ivangrad.

Në fund të qershorit 1999 Rifati bashkohet me nënën, me nusen dhe me dy fëmijët, por mungon Dafina dhe Gazmendi. Plot njerëz i kishin thënë që Dafinen e kishin parë të vdekur pranë rrugës në malet e Kralanit e kështu plot shokë vinin dhe i shprehnin ngushëllimet për humbjen e babës dhe të vajzës. Ndërsa me të kuptuar për djalin e vogël, niset menjëherë në kërkim, në Klinë gjen fillet e para dhe me ndihmën e një burri të komunitetit boshnjak ia arrin të gjejnë destinacionin e familjes rome, qytetin Ivangrad. Rifati merr shokët e tij dhe me gjithë rrezikun për jetën kalon në Mal të Zi.

Me shumë kujdes, por me nuhatjen prindërore sikur Luani për të voglin e vet, Rifati e gjen Gazmendin tashmë 2 vjeç e gjysmë duke lozur me fëmijët e tjerë të romëve, i z’deshur, me flokë të rruara dhe i nxirë në lëkurë nga dielli i korrikut. Çfarë malli e çfarë ndjenje e fortë e përshkon në trup Rifatin në ato momente, dukej sikur bjeshka po e përqafon malin, ndërsa ato pika loti e malli, që ranë faqeve të Rifatit ngjanin me lumenjtë që vraponin me dashuri drejtë kaltërsisë së detit…

Kur e solli djalin në shtëpi, nuses ia ktheu buzëqeshjen sëbashku me lotët që edhe ashtu i kishte prezent çdo ditë, dhe sikur ia ktheu një copë të zemrës në vend.

Jeta në ato ditë të para të LIRISË nuk ishte e lehtë aspak, shtëpi të rrënuara, mungesë ushqimesh, mungesë rrobash…jetonin nën një tentë të pregatitur në oborr. Një nga kushërinjtë e kishte sjellë një gazetë ditore ku ishte fotografia e një vajze dhe një artikull i shkurtë qe tregonte se ajo gjendej në një kishë katolike në Gllogjan, kjo ishte befasia më e madhe dhe më e pa besueshme për Rifatin dhe nusen e tij. Ai shkon menjëherë atje dhe për të dytën herë përqafohet bjeshka me malin e lotët sikur pastrojnë vuajtjet e shekullit.

Njëra nga motrat katolike shqiptare shkon bashkë me Rifatin deri në fshatin Leçinë në vizitë familjes vëllazërore muslimane dhe duke parë atë gjendje rrënuese të pas luftës, ua jep atyre edhe 500 marka gjermane si një ndihmë që padyshim ishte shumë e madhe për ato momente. Sa mirë kuptohej dashuria shqiptare ndërfetare.

Dafina e sëmurë i mbijetojë luftës, por sëmundja e mundi atë pas dy vitesh. Ndërsa Hata para pak muajsh ndërroi jetë. Zoti i dhashtë asaj parajsën dhe takimin me burrin e jetës Halimin.

Rifat Shala jeton sot në paqe, me gruan dhe fëmijët e tij në Leçinë.
LIRIA e ka çmimin shumë të shtrenjtë, dashtë ZOTI e kurrë mos na u përsëritë historia.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.