NJË BOTIM PUBLICISTIK ME ELEMENTE DOKUMENTARE-HISTORIKE

0
Lulash Palushaj - Ma shkretnuen zemrën

Lulash Nikë Palushaj, “Ma shkretnuen zemrën”, “Fiorentina, Shkodër, 2022

Nga Shyqri GALICA

Profesor Lulash Palushaj është emër i njohur në botën shqiptare. Lindi në Bëkaj të Trieshit. Rrjedh nga një familje në zë të Malësisë së Madhe. Shkollën fillore e kreu në Tuz, normalen në Shkup, ndërsa fakultetin filozofik – dega gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Kosovës. Që herët merret me jetën kulturore-artistike, duke bërë koreografi e regji të veprave dramatike.

Duke trashëguar traditat atdhetare të të parëve, tërë jetën ia kushtoi edukimit të brezave dhe çështjes kombëtare. Palushaj është dhe misionar paqeje, vazhdimisht është aktivizuar te “Besëlidhja e Malësisë” dhe është nderuar e respektuar për përkushtimin e tij.

Është autor i disa veprave. Ka botuar vëllimet poetike “Rrajë të ndame” dhe “Votra ime”; botimin etnografik “Malësia dhe fiset e saj” – dy vëllime, romanin “Malësorja e bjeshkëve tona”, vëllimin me ese “Oqeani që përpin”, romanin “Nusja me duvak të bardhë”, librin me refleksione filozofiko-historike “Lot që nuk teren – zemër që s’pushon” dhe “Me zotin flas shqip”.

Pos librit që po e përurojmë sot, “Ma shkretnuen zemrën”, porsa botuar studimin “Fjalë të Malësisë së Madhe – visar që s’duhet harrue”, ku janë përfshirë rreth tre mijë fjalë, frazeologji dhe shprehje idiomatike.

Duke pasur parasysh veprën e tij mjaft të gjerë e të llojllojshme dhe veprimtarinë e tij atdhetare, Lulash Palushaj është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

SYNIMI I PËRJETSHËM I POPULLIT SHQIPTAR

Libri publicistik me elemente dokumentare-historike “Ma shkretnuen zemrën” është vepra e parafundit e këtij autori, i cili ka gjetur rastin t’i artikulojë pikëpamjet e tij për historinë e kombit, pothuajse në të gjitha rrjedhat vertikale e horizontale deri në ditët e sotme. Duke
u futur thellë në histori, Palushaj gërmon me përkushtim rrjedhat që e shqetësojnë aq shumë dhe në një mënyrë në aspektin kritik shpreh mllefin e jashtëzakonshëm për shqetësimet e kombit nëpër një rrugë të gjatë e të vështirë, para së cilës as sot nuk kanë pushuar padrejtësitë duke copëtuar atdheun në disa pjesë.

Duke qenë njohës mjaft i mirë i historisë dhe i çështjes kombëtare në përgjithësi, ai gjen një formë të veçantë për t’i shprehur mendimet e pikëpamjet e tij atdhetare, kërkesa që i shpreh bindshëm dhe me dinjitet si refleksione të realitetit shqiptar nëpër periudha të ndryshme të historisë. Fjala e tij e fuqishme argumentohet me fakte e të dhëna përkatëse, që receptuesin e vëmendshëm e bëjnë të kërkojë më shumë duke filluar nga etnogjeneza deri te politikat ditore, me të cilat autori konfrontohet me dëshmi dhe sinqeritet pa pardon!

Në të vërtetë, është dhe një mllef që del nga dashuria e madhe për atdheun dhe të ardhmen e tij; është një botë komplekse që e tjerr me aq ngulm për t’i ndriçuar me tërë qenien padrejtësitë historike dhe për t’i shpërfaqur edhe veprimet e politikave aktuale, që sot nuk veprojnë me një intensitet më të madh dhe me një përkushtim të denjë siç meriton Atdheu, Shqipëria.

Që në ballinë shihet preokupimi i jashtëzakonshëm i profesor Palushajt me dramën aktuale të popullatës së shtypur e të masakruar deri te dëbimi masiv, me qëllim të mos kthehej kurrë në vendin e vet. Ky shqetësim sa është njerëzor, është edhe kombëtar, sepse lidhjet me historinë shumëshekullore të popullit tonë, me dramat dhe tragjeditë që kurrë nuk iu hoqën nga barra, do ta ndjekin deri në bashkimin përfundimtar të trojeve etnike. Aspirata e tij është edhe aspiratë kombëtare, synim i përjetshëm i popullit shqiptar për t’u bërë një dhe i pandarë siç ka qenë dikur.

VEPRA EDHE SI SHKRIM, EDHE SI QASJE ËSHTË E VEÇANTË

Horizonti i autorit është i gjerë dhe i thellë. Krahas të dhënave historike, që në raste dëshmohet me vite e me shifra, del dhe dashuria që ka për trojet e veta, për luftëtarët e lirisë, për figurat e mëdha të kombit, duke përmendur posaçërisht Gjergj Kastriotin, Adem Jasharin e Shën Terezën, emra që nderojnë kombin dhe lartësojnë atdheun, Shqipërinë. Ngjarjet dhe figurat patriotike janë të pranishme gjithandej, një gërshetim sa dokumentar, aq dhe artistik, që këtë vepër e bëjnë më interesante dhe më tërheqëse.

Kjo vepër ngërthen edhe elemente meditative e artistike, e fut lexuesin të bëhet dhe pjesë e rrëfimeve historike si pjesë e jetës dhe e personazheve që autori i inkuadron nëpërmjet bisedave mjaft dinamike dhe të sinkronizuara me zhvillimet dramatike të kombit. Sado që rrëfimet nuk janë të panjohura në përgjithësi, profesor Palushaj ka gjetur metodën për të qenë në rrjedhë të jetës si dëgjues e madje vështrues i ngjarjeve që e kanë shoqëruar një jetë të tërë.

Edhe kur vështron në distancë, edhe kur ndodhet si pjesëmarrës aktiv, nuk kursehet ta thotë të vërtetën si e njeh ai. Vepra edhe si shkrim, edhe si qasje është e veçantë, siç është vetë autori i saj.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.