NATËN E MADHE TË VITIT RI 2023 LAPTOPI IM PIU RAKI DËLLINJE

0
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

(Drekë Mbretërore me Zonjën Di
te këmbët e Aleksandrit Madh
)

Mikja Di, vjen një ditë në Shkup
Edhe, më bënë zë për një kafe!
I përgjigjem: Mirë, ku do ta pish kafen?
Mundet te “Tivoli”, përkarshi Skënderbeut.

E pimë kafen. Porositë edhe muskul viçi
Mishi nuk i pëlqen. Thotë: Qenka i kuq?!
Gjysmën ma jep mua. Që, sot s’dua mish viçi
Mundësisht, kërkoj mish mështerrje!
Tekefundit, së paku marrë “ilaçet” e përditshme:
Një raki rrushi. Dhe, dy shtama me verë!

Ditën e nesërme, Mikja Di më merr në telefon:
Unë jam te “Pirini”. Përpara këmbëve Olimbisë
Me fëmijë në bark. Gji, dhe prehër.
Ecë, ta pimë nga një “hallall” turku!
Pastaj, dalim matanë Urës Gurit. Vardarit.
Vetëm, se: mos u vono shumë rrugës!

Jo, i gjegjem: t’i laj sytë. Dhe, veshi brekët
Plumb, ma pret: Mund të vish edhe pa brekë!
Fisi i kaçakëve, nuk ka kohë për brekë
Mauzerrin, sot patjetër duhet rrok në dorë!
Qeshem: Ndoshta, me tirqi. Struken krahëve.

Miken Di, e gjej te “Pirini” si qyqe majë Lisi
Përshëndetemi. Ulem, dhe e pyes për drekë?
Shkaku, se: mu kujtua Hoxha, mik i Asdrenit
Nuses së vëllait, kur e pyeti si mysafir për kafe.
I tha: po, Zonjë. Kafe mundet, vetëm pas buke!
Përgjigjet, Mikja. Mirë, ku do ta ndalim anijen
Matanë Urës Gurit. Qeshë, plotë gojën nervoze.

E marr përkrahu. Dhe, dalim matanë Vardarit
E lëmë Olimbinë me fëmijë në bark, gji e prehër.
Goce Dellçevi me mustaqe mbi kalë na hap rrugë
Karposhi këmbëzbathur, shalon një kalë pa shalë.
Nikolla Karevi me pushkën në dorë roje Ure.

E gjetëm restorantin tek Aleksandri Madh
Këmbëkryq, para Kalit tij “Bukefalë”.
Zonja Di, drekë kërkon herdhe viçi!
Jo, i përgjigjet çuni. Specialitet shtëpie
Sot, i kemi: herdhet e kalit teknefes:
Përmëkeq, edhe ato të “Kalit Shemës”.

Ndërhyjë, Unë: E, a keni herdhe mëzati?
Kamerieri, rrudhë krahët. Për herë të parë
Në këtë restorant, dëgjoj për këtë specialitet!
Megjithatë, kush e përgaditë tek ne, Ballkan?!
Qeshem, Unë. Dhe, i përgjigjem: shqiptarët.

Në fund, mezi e hamë nga një picë italjane
Dhe, strukemi në terr si dy zogj shtegtarë:
Kokë më kokë te këmbët e “Kalit Shemës”…

(Korre poezinë time
dhe kalo Dimrin
)

Herët, sot drapërin e Nanës merre në dorë
Dhe, dilë në arë! Përveshi trutë!
Duart. Edhe këmbët deri në gjunj
Mes vapës madhe korre poezinë time!
Duaj – duaj në arë. Dhe, kalo Dimrin.

Pranvera, Nesër kur do zbresë Nuse
Lëma, veç ka shpërthyer luleqershie…

(Unë të gjuaj me lule
e Ti me borë
)

Moti kohë, Unë të gjuaj me lule
Kopështi të lulëzojë në Pranverë.
E Ti, përçudi më gjuan me borë.

Dimër, jam vetë! Nuk dua tjetër Dimër
Pranverën e kam në shpirt… Gjak.

Engjëlli im mbrojtës, është Grua…

(Një pasmesnate Dimri
u strukëm nën ferrë
)
(Jetës dalldisur si nxënës në
Shkup: 1966/’67 – 1969/’70
).

Ishim në Disko: Unë, dhe S. -ja
Gjithë natën kërcyem. U dehëm.
Pak para agimit, u mbyllë lokali
Unë, dhe S. -ja krahpërkrahu ikëm
Mezi e gjetëm rrugën për në shtëpi.

Dimër. Borë. Jashtë, bënte ftohtë
S. -ja, më thotë: strukemi nën ferrë!
Edhe, u strukëm. Dimër, i Madh
Shtëpi pa çati. Stuhia, trokiste jashtë.
Përçudi, nën ferrë: Gjetëm bar të thatë
E shkulëm me dorë. Jastëk nën kokë.
Shtroje Hoteli, nën Qiellin e hapur
Qilim me yje. E përcollëm Natën.

Agimin, e pritëm nën një ferrë
Dielli me rreze na zgjoi mesdite…

(Ehu, Dëllinjat e mia
te “Parku i Grave”
)

Ehu, Dëllinjave mia te “Parku i Grave”
Unë, dikur u fsheha kaçak nën gërmusha.
Netëve të Dimrit. Edhe, Ditëve Verës
E kalonim Natën. E prisnim Ditën:
Qafëpërqafe me Cuca. E Djemnusha.
Sot, jeni rritur. Jeni bërë koxha pisha
Në Shkup te “Parku i Grave”. Mes luleve.

Ehu, Dëllinjat e mia, te “Parku i Grave”
Sot, jeni rritur pisha. Unë, plak me mjekër.
Lakmi, ua kam Gjelbërimin. Përmendoret
Përderisa, Vetes mjekrën e Baba Shehut!

Dëllinjat e mia – pisha te “Parku i Grave”
Ende gjallë?! Përballë, sëpateve politike…

(Erdhi “armiku” Koronavirusi
dhe më trokiti te dera
)

Kalosh Çeliku, jeni në shtëpi?
Jo, iu përgjigja: Kam vdekur.
Jetën, e vazhdoj mes varreve.

Përçudi. Më besoi. Iku pas porte
Unë, vazhdova jetën mes poezive:
Bibliotekë. Dhomën time me libra…

(Koronavirusi më pyeti
çka do marr me vete
)

Koronavirusi pyeti: Çka merr me vete
Gjatë 85 orëve burg, në Karаntinë?
Iu përgjigja: Një ibrik me raki rrushi
Një fletore. Një lapës kimik. Një libër
Dhe, Dy shtama me verë të Mikes.

Jo! Rri, në shtëpi! Laj duart me sapun
Mbaj distancë dy metra larg Mikes!

Ani. E marr Koronavirusin në karantinë…

(Ditën e 28 Nëntorit Madh 2020
raki rrushi piu celulari Im
)

Mes poezive rebele, me Covid -19
Përçudi?! Celulari im kishte vdekur.
Gjithë Natën kishte pi raki rrushi
Dy shtama me verë të Laydi Di.
Unë Poeti: Ende, isha gjallë në Shkup.

Djali, më paraqitet në telefonin tjetër
I them: Ka vdekur. Ka pi raki rrushi.
Vetëm Unë, ende kam mbetur gjallë
Dhe, ky telefon me Covid -19 -të:
Sot, do të dalim te “Parku i Grave”…

(“Parkun e Grave” e shpalla
“Zona e Lirë” e burrave
)

Dhe, vazhdoj ta vras Veten nateditë
Me poezi erotike. Dhe, Gra besnike.
Rrospi meshkuj, të partive politike
Që, “afrojnë” Natë në Shtëpi Publike.

Nuk e di Nesër, si do ta vras Veten
Me poezi. Gratë e mia besnike, Apo:
Rrospitë meshkuj të partive politike?!

Përinat, do vras Veten: Me poezi erotike
Dhe, Gratë e mia azgane. Ende, besnike.
“Parkun e Grave”, e shpalla “Zona e lirë”
E burrave. Kundër dhunës ndaj burrave…

(Kufomën Time ende
nuk e keni në Varr
)

E keni pritur me vite: Ringjalljen Time
Në Shkup. Korçë. Dhe, “Qafë – Thanë“.
Kohën e fundit, “Armiku i padukshëm“:
Kaq e kaq të infektuar. Dhjetë viktima.
Mes tyre, dhe një Poet rebel shqiptar:
Kalosh Çeliku, vdiq nga Koronavirusi.
Edhe, atë: Me Dy shtama verë të Mikes
Po, kufomën, ende nuk e keni në Varr?!

Kaq e kaq, u shëruan. Vdiqën, në spital:
“Lani duart me sapun“! Teshjet me bërryl!
Distancë, mbani edhe me Gruan besnike:
Në verandë, hiqni valle me këngë erotike
Aspak, në kronikat televizive: LINDJE?!

Sotekësajdite, nuk me do Zonja Vdekje
Pashterkëkuqja: Nuse, ende pa koçi.
Nuk ka problem. Marrëzisht, e dua Unë
Duartrokitje, Sot: Grave, të mia besnike!…

(Natën e Madhe të Vitit Ri 2023
laptopi Im piu raki dëllinje
)

Natën e Madhe, të Vitit Ri 2023
«Hakerët», e sulmuan Laptopin?!
Me, metoda policore partiake
Nuk mund ta hap, Sot: marr lajme:
Nga gazetat. Portalet elektronike.
Rrugë. Dalje, për shtigje. Edhe:
Sot, m’i fshinë shkrimet. Librat
Urimet! Nuk ka problem. Çeliku:
Përsëri, do t’i shkruaj ato Libra.

Urime, Nesër! Nese, jemi gjallë
Shkaku, se: i dhashë raki Dëllinje:
Natën e Madhe të Vitit Ri 2022.
Dhe, vdiq. Sonte, nuk merrte frymë
Ditën e Nesërme, i them Djalit:
Vdiq. Iku. Ka pi raki Dëllinnje?!…

Nga Libri: ATDHEU Burrë pa Grua (përzgjedhje – Shkup, 2023)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.