Arben Çokaj
Napoleoni thoshte se luftën e fiton ai që ka topat më të mëdhenj/fortë. Nuk ia linte Zotit këtë punë, që është njëlloj me të dyja palët, apo dëshirave të barkut të disa trutharëve…
Në luftën e Ukrainës, duke u nisur nga forca ushtarake, kam menduar se luftën mund ta fitojë Rusia. Pasi logjikë e thjeshtë, siç e kemi parë, betejat bëhen në territorin ukrainas. Ukraina po shkatërrohet, po humbet qytete e njerëz, pavarësisht humbjeve në mjete e njerëz të Rusisë.
Dhe fitoren e Ukrainës nuk e mendoja kurrë, as për shkak të ndihmës që i jepte Amerika e Anglia asaj, por vetëm si dëshirë e pashpjegueshme e disa kosovarëve, që mbahen edhe për Bismarka… Kosovarët mendonin se Ukraina fiton, si dëshirë e shpirtit të tyre për liri. Por realiteti shpesh nuk përputhet me dëshirat. Frika më e madhe që kisha unë në këtë rast për pasojë, ishte se kosovarët në kushte të ngjashme do të vepronin njëlloj si Zelensky për lirinë romantike dhe do të na fusnin përsëri në një konflikt të panevojshëm me serbët… Kosovarët sikur nuk mund të rrinë pa luftë.
Prandaj kam menduar që në fillim, se kjo luftë është e marrë, me idenë se po shkatërrojnë Rusinë e Putinin, Ukraina e Europa po dëmtohen keq, e nuk dihet se ku përfundon kjo luftë e mallkuar. Kështu që mundet me ndodhë, që negociatat Ukrainë-Rusi para se lufta të fillonte dhe dakordësia e tyre, sido që të ishte, do e nxirre më të fituar Ukrainën se sa kjo luftë e pamëshirshme. Por këtë version nuk e donte Bajromi, në përpjekjen e tij për t’u bërë Gjergj…
Thonë se territoret nuk i jep askush pa luftë. Kështu që kjo luftë ka gjasa se po bëhet, që Ukraina t’i humbë disa territore e nga shkatërrimi i saj në fund të pranojë edhe marrëveshjen mbi territoret e humbura. Pavarësisht dëshirave e zhabës së barkut të Bajromit. E gjithë kjo luftë, për zhabën e Bajromit?! Jo, por ata që po e bëjnë këtë luftë nuk kanë më shumë mend se zhaba e Bajromit. Kjo është simbolika këtu.
Dikush përfiton nga kjo luftë, se lufta kot nuk bëhet, është hajnia më madhe, që bëhet në formë të organizuar. Po Bajromi – Bismarku i Kosovës, çfarë përfiton nga kjo luftë, nuk e kuptoj?! Se e kishte me dëshirë të madhe luftën, duke shpresuar se po e shembin Rusinë e Putinin… Nuk i shkonte mendja kurrë: Po sikur të mos munden? As donte ta mendonte këtë! E pra, duhet menduar edhe kjo, e të mos bazohesh vetëm te zhaba. Se truri është një organ për të menduar, dhe duhet vënë në punë, për të mos dështuar.
Po sikur të mos munden ta mundin Putinin e Rusinë, a nuk do të ishte më mirë negociata para luftës, se kjo luftë kaq shkatërrimtare, e në fund një humbje kaq e madhe për të gjithë?! Atëherë pse luftë, kur e di se humbet? Logjikë e thjeshtë. Se kështu ia do zhaba Bajromit thua?! Zhaba e Bajromit si shprehje e urrejtjes ndaj Rusisë e Putinit… Se e urren Putinin, nuk dmth. se mund të fitosh kundër tij, edhe pse urrejtja është një motiv i fuqishëm në luftë…
Sidomos për Ukrainën… Prandaj mendoj si formë përfundimtare e konkluzionit, se Ukraina e bota po humbet më shumë me luftë, se me negociata. Prandaj kush e deshi këtë luftë, e deshi për të zezën e Ukrainës, Evropës e më gjerë… E kjo duhet pranuar.
Punët që duan tru, nuk bëhen me zhabë. Pavarësisht se kush i bën ato.